22/12/2024

“TUNGJATJETA” PJETËR BUDI

0
Ndue-Dedaj-Budi

– Në Gurë të Bardhë të Matit –

NGA NDUE DEDAJ

Me Rrugën e re të Arbërit, vendlemja i Pjetër Budit na ka “ardhur” më afër, vetëm 4 kilometra nga asfalti, por që turizmi shpresohet ta sjellë dhe më afër.

Guri i Bardhë është si të thuash kryet e vendit të Kryemates, nga Klosi që shtrihet në luginën e bukur të Matit deri lart në kodrat e Xibrit, që kufizohet me Tiranën.

E kishim lënë me kohë me dy miqtë tanë, Alfredin e Bardhokun për të ardhur te Budi dhe ja ku jemi tashmë mes banorëve të këtij fshati të veçantë, që dikur ka qenë një qytezë e rëndësishme arbërore matjane: me kala, kulla, zejen e punimit të barutit, ndërtimtari të zhvilluar kullash dhe njëherësh rrugëkalim i rëndësishëm për në Europën Lindore, Shkup, Sofje etj. Ura e Vashës është kryemonumenti i llojit, por dhe një varg urash të tjera më të vogla veneciane.

Guri i Bardhë, 30 kilometra nga Tirana, ka qenë një fshat i madh me 300 shtëpi e 1500 banorë, me disa lagje e “fise”, kurse sot del tym vetëm në një të tretën e banesave, pasi shumica e banorëve janë larguar.

Por ne nuk kemi ardhur për të djeshmen, aq më pak për historinë – thjeshtë për një tungjatjeta nga afër më Budin e madh dhe për t’u parë me të sotmen. Takojmë fillimisht “fqinjët” e poetit, Hysen e Musa Boda (dikur: Budi), nënë e bir, Rime dhe Fatmir Rexhepi etj., ndërkohë që përpiqemi të kuptojmë a ka krijuar një lëvizje të re Rruga e Arbërit. Po, përderisa është ngritur një bujtinë e re e hijshme, dykatshe afër një mulliri të vjetër uji, në lartësinë 920 metra. I zoti i saj, Avni Hysa është një njeri me përvojë në jetë, ka punuar disa vite në Londër, ku dhe është diplomuar dhe tash krahas punës si pedagog informatike në universitetin e Durrësit, menaxhon resortin e tij turistik, ku vogëlushja e tij nuk kishte ndonjë telefon në dorë, por vegla pune, njëlloj si punëtorët e ndërtimit, që punonin aty…

Hyseni na thotë se punon me shumë me të huajtë, të cilët preferojnë natyrën e bukur, lartësitë malore, gjelbërimin etj.

Qendruam disa orë në Gurë të Bardhë (Petralbë), qytezën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në “mikpritjen” e Pjetër Budit, kur sapo kishim marrë pjesë në fshatin Suç, në ceremoninë e përcjelljes për në amshim të një misionari të mirënjohur italian, Don Gianfranco Cadenelli, që shërbeu për më shumë se njëzet vjet mes matjanëve. Erdhën për ta nderuar klerikët, besimtarët, por dhe mjaft njerëz jo të besimit të tij, me të cilët ai kishte jetuar si mes vëllezërish.

Guri i Bardhë, një ftesë për më shumë investime, turizëm e turistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok