22/12/2024

TRYSNIA ME SANKSIONE PËR ASOCIACIONIN, ANAKRONIKE E SKANDALOZE

0
Idriz-Zeqiraj1

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

James Rubin, i dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit amerikan, ditë më parë tha se “është e vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje”. Dhe, kur diçka “është vështirë të imagjinohet”, atëherë është e pamundur të bëhet. Dhe, kjo është shumë domëthënëse, aq më parë kur thuhet nga një zyrtar i lartë amerikan, siç është zotëri James Rubin. Kjo dëshmon seriozitetin dhe përgjegjësinë e  një zyrtari, njohës i mirë i raporteve Kosovë-Serbi.

Deklarimi i tanishëm i të dërguarit të posaçëm Rubin, ripërtrinë, rikthen në vëmendje deklarimin e hershëm të Presidentit Joe Biden për dialogun Kosovë-Serbi, për njohjen reciproke, madje jo -de fakto-, por -de jure-. Dialogun e degjeneruan ndërmjetësuesit e BE-së, Borrell e Lajçak dhe disa emisarë monitorues të administratës Biden. Për fatin e keq të Kosovës, njëri pas tjetrit, rastisen me lidhje miqësore e krushqi me Serbinë.

Për çfarë dialogu bëhet fjalë, kur që nga presidenti Vuçiq, Brnabiq, Vulin, Daçiq, Gjuriq dhe me radhë, në vijimësi, përsërisin slloganin se “kurrë nuk do ta njohim Kosovën!” Dhe, në Kushtetutën e Serbisë, Kosova vazhdon të figurojë pjesë e Serbisë! Paradoks i shekullit! Ndërkohë që Kosova është çliruar nga NATO-pakti; ka shpallur pavarësinë si shtet dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka aprovuar dhe njohur zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur e sovran.

BE-ja dhe dhe opozita PAN-ise, degjeneruan dialogun

Pa mëdyshje ishte një fajësi e madhe e ndërmjetësuesve Borrell e Lajçak si dhe monitoruesëve amerikanë, kur dialogun e zhveshën nga togfjalëshi -njohja reciproke-, duke e zëvendësuar vetëm me -njohjen de fakto -, pa atë -de jure- dhe së, e fundi as -njohje de fakto!? Tashmë, kemi të bëjmë me fajësi të madhe të kryeministrit Kurti, me stafin e tij dialogues. Sepse, të paktën, duhej ta stoponte, ta ndërpriste dialogun dhe assesi të vazhdonte me retushime në Bruksel, Ohër e Bratisllavë, të cilat po konsiderohen të dyshimta, madje me elemente që tejkalojnë “Zajednicën” e 2013.

Vërtet, Albin Kurti me Besnik Bislimin nuk mashtruan shqiptarët si Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri, kur thonin se po bënin dialog, thjeshtë, teknik, ndërkohë që bënin, kryesisht, dialog politik. Por, dialogun duhej ta bënte një komision profesional, pavarësisht përkatësisë partiake, të kryesuar nga Kryeministri. Shpreh bindjen se kurrë nuk do të binin në kurthin e Serbisë, për ta zhveshur dialogun nga njohja reciproke.

Këmbëngulja jonë e kohshme, me sugjerimin aprovues të Presidentit Biden, “dialog me njohje reciproke”, do të ishte e barazpeshuar, me obligimet që ka Kosova, në trajtimin e barabartë të komuniteteve pakicë në Kosovë. Dy fajet tjera të radhës që bëri Kosova, lidhur me të ashtuquajturin Asociacion, janë:

1) Kosova ka qenë dhe mbetet njëetnike. Por, ndërkombëtarët hileqarë këmbëngulën dhe, dhunshëm, e bënë multietnike, në letra, me qëllim që ta favorizonin, kryesisht, pakicën serbe në Kosovë. Pra, nuk duhej pranuar të bisedohet për Asociacion -njëetnik-. Dhe, për këtë duhej referuar Kushtetutës së vendit, e cila përjashton çfarëdo Asociacioni njëetnik.

2) Kryeministri Kurti bëri një propozim logjik: Ta bëjmë Asociacionin siç e bëri Kroacia për serbët e saj, edhe pse në krahasim me Kroacinë, në Kosovë serbët janë pakicë minore. Megjithatë, rasti ishte i ngjashëm, dy shtete të ndara nga Federata jugosllave. Pse u hesht ky propozim?! Pse duhet të veprohet ndryshe nga Kroacia?!

Pas dështimit të takimit te negociatorëve Bislimi-Petkoviq, Kurti i devalvoi të gjitha marrëveshjet e panënshkruara, si letra boshe e pavlerë. Dhe, mirë bëri. Dhe, këtë duhet ta mbajë, sepse rrethanat kanë ndryshuar tërësisht:

  1. a) Kur BE-ja deklaroi se Asociacioni duhet bërë dhe SHBA e mbështetën me aprovim, serbët në Kosovë, Mal të Zi, Beogradi zyrtar  dhe Moska zyrtare e zuzare, festuan krijimin e -Republika Srpska- brenda Kosovës. Gëzimin nuk e fshehen, duke thënë se po i  bashkohemi “Botës serbe”.
  2. b) Këto ditë Serbia mbajti Kuvendin e “Botë Serbe”, me të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Ballkanit. Pra, qëllimet dhe synimet e Serbisë, janë shpërfaqur hapur e pa ekuivoke. Ajo donë bashkimin e serbëve, bashkë me territorin ku jetojnë. E kësaj mendje është edhe aleatja politike dhe biologjike Rusia mëmë e tyre.

Koordinatori i posaçëm James Rubin tha se “aktualisht ka shqetësime, për mënyrën se si qeveria e Kosovës po e luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e Asociacionit”. Me këtë deklaratë sikur ka një farë përsëritje klishe, e huazuar nga propaganda shurdhuese e BE-së. Sepse Kosova ka përmbushur rolin diplomatik kur ka pranua Marrëveshjen, por Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Nuk ka marrëveshje pa pranimin dy palësh, përndryshe ajo konsiderohet inekzistente. Çështja fillon nga e para ose ndërpritet fare.

Kosova ka qenë viktimë, është vrarë e kallur nga soldateska serbo-sllave e tandemit Millosheviq-Vuçiq. Mendoni se sa vështirë është të bisedosh me një vrasës të pa dënuar dhe pa kërkuar falje për krimet e tij. Pjesë e kësaj pyetjeve është përgjigja: Themelimi i një Asociacioni të dytë multietnik në Kosovë. Kosova është dëshmuar për standarde sipërore, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, në trajtimin korrekt dhe me parësi për komunitetet pakica kombëtare.

Këtë e konfirmojnë përfaqësuesit e komunitetit turk, boshnjak dhe të tjerët. Së fundi, këtë të vërtetë absolute e pranojnë edhe komuniteti serb në Kosovë, duke e thënë, madje me zë të lartë, se: “Ndjehemi më të lirë dhe më të sigurtë në Kosovë, se sa në Serbi”. BE-ja mund ta bëjë monitorimin e përhershëm të drejtave dhe të lirive të minoriteteve në Kosovë dhe do të bindet se dezinformatat serbo-ruse, për jetën e serbëve në Kosovë, janë shpifje groteske. Përjashtim bëjnë krerët e “Listës Serbe”, dostat e Radojiçit dhe vasal të Vuçiqit, të cilët paguhen dyfish nga Beogradi zyrtar. Një zyrtare serbe, e zgjedhur e popullit, tha se “nuk ka qetësi në Kosovë, pa ndaluar pagesat e dyfishta, të cilat i bënë Beogradi zyrtar, për banditët e “Listës Serbe”.

James Rubin: Nuk ka normalizim Kosovë-Serbi, pa njohje të ndërsjelltë

Trysnia që i bëhet Kosovës, për Asociacionin njëetnik serb, është sa e padrejtë, aq edhe e paligjshme dhe thellësisht provokative, mujshore e supërkriminale. Kjo trysni është unike, madje po shoqërohet me trysni të tjera, si kufizime të pranimit në organizmat evropiane, mos lëvrimin e fondeve të ndara nga BE-ja e të tjera. Është një diskriminim sui generis, i cili nuk nderon Evropën dhe botën demokratike. Sanksionet e vëna Kosovës, janë sa të padrejta, të pamerituara, po aq edhe të turpshme, sepse ato i përkasin Serbisë, vrastare të popullit të pafajshëm të Kosovës.

Ka zëra nga opozita PAN-iste “të bëhet Zajednica”, në këmbim të përfitimit të ndihmave nga BE-ja”! Duan ta përsërisin tradhtinë e Demarkacionit, kur grupimi Hashimi-Isa-Ramushi bënin thirrje për dorëzimin e Kullës dhe të Qakorrit Malit të Zi, në këmbim të vizave. Ja, nga çfarë monstrash udhëhiqej Kosova?! Dhe, këtë e bënin për të mbetur në kolltuqet e ndyra pushtetare, përkatësisht, president, kryeministër… Patriotizmin shqiptar e vunë në bisht të lahutës!

Territori i Kosovës ka filluar tkurrjen, nga fqinjët lakmiçarë e zullunçarë, qysh nga “Lidhja e Prizrenit” e deri me pazarët e Kullës dhe të Qakorrit, në dekadën e shkuar. Toka është e brezave të përjetshëm shqiptarë, andaj as milionat dhe as miliardat nuk guxojnë ta tjetërsojnë. Porosia-amanet e Presidentit Rugova kurrë nuk duhet harruar: “Të shantazhuarit me dosje krimesh, janë të dëmshëm për Kosovën, andaj nuk duhet lejuar të ngritën në poste pushtetare!”

Njëra nga akuzat më të shpeshta dhe më të rënda, të bëra Kosovës, nga grupi koral: Serbia, ndërkombëtarët, opozita PAN-iste, ka qenë se “qeveria e Kosovës nuk po koordinohet me faktorin ndërkombëtar!” Dhe, kjo akuzë vazhdon ta mbajë peng Kosovën. E vërteta është se për të gjitha nismat, për të vënë rend e ligj në veriun e Mitrovicës, qeveria ka qenë krejt transparente, dje dhe sot. Dhe, BE-ja, e sidomos ambasadori i nderuar Hovenier, i kanë konsideruar të drejta dhe ligjore, fillimisht. Por, kur ka reaguar Serbia dhe aleatja e saj Opozita, BE-ja u është bashkuar atyre, duke i quajtur “masa provokative kundër serbëve!”

Dhe, kjo ka qenë stimulim dhe thirrje për “Listën Serbe”, për të vënë barrikadat dhe për të bërë protestat e dhunshme në veriun e Mitrovicës, me dajakosjen, deri në sakatosje të tej 90 ushtarëve të KFOR-it; të gazetarëve dhe të qytetarëve tjerë. Gjithçka dirigjohej nga Beogradi. Dikush duhet të japë përgjegjësi, sepse ngjarjet nuk kanë ndodhur në prehistori, por brenda këtij çerek-shekulli, madje në epokën e dixhitalizimit!

Në pëmbyllje, sërishmi i referohem analizës së koordinatorit të posaçëm, James Rubin, qartësisë se tij, në trajtimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ai flet me kompetencë dhe paanësi, për një zgjidhje të plotë dhe jo zgjidhje të arnuar dhe gjysmake, e cila mbjell zi e  gjëmë për brezat shqiptarë e serbë. “Unë jam zyrtar amerikan, përfaqësoj administratën e Presidentit Joe Biden. Qendrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjelltë të dy vendeve”. Dhe, shton se “brenda popullit të Kosovës nuk ka garë. Populli i Kosovës është proamerikan”. Larg autoritarizmit dhe autokracisë ruso-kineze. “Kosova po shënon përmirësim dhe mundësinë reale, për t`u bashkuar me BE-në”,- konstaton, saktësisht, koordinatori i posaçëm, James Rubin. Ky mesazh amerikan, është një risi  domëthënëse për Kosovën, të dhënë këto ditë.

Gjithësesi, kjo dëshmi, është bazë reale edhe për çmontimin dhe devalvimin e sanksionimit politik e vulgar, të bërë Kosovës. Urojmë që ky zë të shkojë në veshë të Perëndisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok