22/11/2024

Tre shqiptarët  e rinj trieshjanë nga Mali i Zi që shkëlqyen në vitin 2022

0

Histori  frymëzuese

Nga Gjekë Gjonaj

Sukseset e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi nuk kanë të ndalur. Edhe të rinjtë malësorë ( trieshjanë)  në  fusha të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit,  po arrijnë  suksese të mëdha individuale duke i bërë të gjithë krenarë me arritjet e tyre. Në kushte  jo të favorshme, për shkak të  pandemisë me  Covid-19,  në vitin e kaluar i cili ishte i gjatë dhe i vështirë për të gjithë  njerëzimin,  me aftësitë e tyre profesionale dhe me punë të vazhdueshme shkëlqyen  tre të rinj  ambicioz me prejardhje nga  Trieshi ( Malësi) – Komuna e Tuzit, vëllezërit Arton  e Anton Gjokaj dhe Rajmond Gjonaj.

Historia e tyre  është shembull për t’u ndjekur, sepse kanë ofruar  përvojën e tyre si pikë frymëzimi dhe motivimi për të tjerët. Ata dëshmuan se me punë, përkushtim  dhe dashuri në rrugën që ndjek  mund të arrihen qëllimet, objektivat  dhe ëndrrat   rinore .  E përbashkëta e këtyre  të rinjve të suksesshëm  të grupmoshës 24-32 vjeç është dija, puna konsistente, përkushtimi, këmbëngulja, ambicia, pasioni, shkenca, thjeshtësia, modestia dhe profesionalizmi  për tejkalimin e sfidave me veten  dhe shoqërinë.

Mr. Arton Gjokaj, fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar  “Business Elites  40 under 40”

Në ceremioninë e mbajtur në Stamboll – Turqi , në  shtator 2022,  Arton Gjokaj   u shpërblye me  çmimin prestigjioz ndërkombëtar “ Business Elites 40 under 40”,  si një ndër  menaxherët më të suksesshëm  nën moshën dyzet vjeçare në Evropën Juglindore.   Gjokaj është drejtor i përgjithshëm  i  Kompanisë “my World” për  Shqipëri dhe Kosovë  dhe anëtar  i kësaj kompanie ndërkombëtare e themeluar në Austri  në vitin 2003. “Isha vërtet i emocionuar nga mirënjohja, nderimi dhe respekti në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të “Elitës së Biznesit 40 under 40”  në Stamboll, që është një nga çmimet   më të njohura në botë për  liderët e rinj  në fushën e  biznesit .Unë u jam gjithmonë mirënjohës kolegëve të mi nga “myWorld” për mbështetjen e përgjithshme. Dhe sigurisht, jam vërtet i bekuar me dashurinë dhe mbështetjen e familjes sime, thotë Artoni.

Ky magjistër i ekonomisë  dhe  sipërmarrës i njohur   ka një biografi të shkëlqyer. Shkollimin fillor dhe të mesëm  e ka përfunduar në Tuz   me sukses shembullor, si fitues i çmimit  “ Pishtari”. Ka përfunduar Fakultetin Ekonomik , njëri nga studentët më të  dalluar të gjeneratës.  Po në të njëjtin institucion, me notë 10.00 përfundon  edhe studimet e magjistraturës. Gjatë studimeve u shpërblye me disa bursa ku vlen të veçohet bursa prestigjioze e Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer Stiftung. Në vitin 2014 punon në Fakultetin Ekonomik të Podgoricës,  si asistent  për disa lëndë, kryesisht në fushën e menaxhimit dhe marketingut. Ka publikuar  disa punime shkencore në fushën e Marketingut dhe branding, si bashkautor. Në vitin 2016  punësohet në Fondin për zhvillim dhe investim të Malit të Zi (IRF CG), ku qëndron më pak se 3 vite, për tu angazhuar pastaj si Drejtor i shitjeve i Kompanisë Austriake myWorld në degën e tyre në Mal të Zi. Ai  është laureat i  çmimit “Burri i vitit” në Kosovë (2021),si një ndër menaxherët më të suksesshëm në tregun e Kosovës.

Mr. Anton Gjokaj,   shkencëtari  i ri më i suksesshëm   në Mal të Zi

Ministrja e  Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik  të  Malit të Zi Bilana Shqepanoviq,  në Vila  Gorica, në Podgoricë, më 22 dhjetor 2022 i dorëzoi  Mr. Anton Gjokajt  çmimin  për shkencëtarin e ri  më të mirë dhe më të  suksesshëm  nën 30 vjeç në vitin   që lamë pas.  Ky çmim për të, shprehet  Gjokaj, është  i veçantë  dhe do ta mbajë mend gjatë  sepse është i pari për arritje shkencore, i cili do ta nxisë që edhe në  të ardhmen të hulumtojë  dhe t’i  kontribuojë komunitetit  shkencor dhe të lartësojë    integritetin e tij , të  familjes dhe  të vendit nga vjen.

Matematika është fusha e kërkimit të shkencëtarit të ri më të mirë në vitin 2022, i cili arriti rezultate të dukshme në kërkimin shkencor duke botuar dy punime shkencore si autori i parë në revista nga lista SCI/SCIE, me faktor ndikimi më të madh se zero dhe në një punim shkencor ai është autori i vetëm. Ka përfunduar Fakultetin Matematiko-Natyror në Podgoricë – drejtimi Matematikë  me notë mesatare 10.00. Po me këtë sukses  ka kryer  studimet master dhe  provimet e doktoraturës në të njëjtin fakultet. Që nga viti 2017 është i punësuar si asistent pranë Universitetit të Malit të Zi. Është bashkëpunëtor në mësimdhënie  i profesorit në  disa lëndë  në Fakultetin Elektroteknik. Gjatë studimeve bachelor, studimeve të specializimit dhe master ka fituar këto çmime:   Studenti më i mirë i Fakultetit Matematiko-Natyror”( 2015), Pllakën e Universitetit për pesë studentët më të mirë të Universitetit(2017), Bursën e Akademisë së  e Shkencave dhe Artit të Malit të Zi, për gjashtë të rinjtë më të talentuar në shkencë. Aktualisht është në fazën përfundimtare të studimeve të doktoraturës  në Fakultetin e Shkencave  të Matematikës   të Universitetit të Malit të Zi , të cilat  pritet  t’ i kryejë me sukses këtë vit.

Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfunduar në Tuz me sukses shembullor, si fitues i diplomës “Pishtari” dhe “Nxënës i gjeneratës”. Ka  arritur suksese të njëpasnjëshme në gara shtetërore nga Matematika (vendet e para dhe të dyta) dhe Biologjia (vendi i tretë). Ka përfaqësuar Malin e Zi në garat ballkanike të matematikës për juniorë (Sarajevë, 2009), në garat ballkanike të matematikës për seniorë  (Qipro, 2013) dhe në Olimpiadën internacionale të matematikës (Kolumbi,2013).

Rajmond Gjonaj, studneti më i mirë i Fakultetit të Mjekësisë në Mal të Zi

Komisioni i   Dhomës së Mjekëve të Malit të Zi,    në një ceremoni të mbajtur  më 28 dhjetor 2022 në ambientet e Fakultetit të  Mjekësisë në Podgoricë  Rajmond Gjonajt i ndau  çmimin tradicional, studenti më i mirë i mjekësisë në Mal të Zi. Çmimet tradicionale  vjetore  studentëve më të mirë  ua ndau kryetarja  e Dhomës së Mjekëve së Malit të Zi, Dr. Zhanka Ceroviq.

Rajmond Gjonaj  është student i vitit të gjashtë në Fakultetin e Mjekësisë dhe kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Mal të Zi, si një nga studentët më të mirë të këtij fakulteti, me notë mesatare 10.00 në vitin e kaluar akademik, i shpërblyer pesë  herë  nga Fakulteti i Mjekësisë, si student i shkëlqyeshëm.

Në seancën e fundit të Parlamentit Studentor të Universitetit të Malit të Zi, studenti Rajmond Gjonaj,  është zgjedhur anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Parlamentit Studentor të Universitetit të Malit të Zi, si dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Malit të Zi, organit më të lartë akademik që vendos për çështje të bashkëpunimit mësimor, shkencor dhe profesional të Universitetit të Malit të Zi. Ai përbëhet nga rektori, prorektorët, përfaqësuesit e personelit akademik dhe përfaqësuesit e studentëve, në përputhje me Statutin e Universitetit. Është studenti i vetëm shqiptar në këto forume ( organe) të larta drejtuese  studentore -universitare në Mal të Zi.

“Të jesh një ndër të dalluarit e një universiteti padyshim që është një nga ngjarjet më domethënëse  që mund t’i ketë një student për gjatë gjithë ngritjes në aftësimin profesional dhe një nga përjetimet më të veçanta që do ta shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës. Në momentin kur  e mora çmimin nga  Dhoma e Mjekëve  së Malit të Zi  u ndjeva shumë i emocionuar dhe i gëzuar. Ky vlerësim    më dha motiv që të jem edhe më këmbëngulës  në vazhdimin e misionit tim  si mjek   dhe  të kontribuoj në ngritjen e cilësisë së  mjekësisë  në  Mal të Zi  në të mirë të shëndetit të pacientëve ”, pohon  Gjonaj, i cili shkollimin e fillor dhe të mesëm i ka përfunduar në Ulqin  me sukses shembullor  dhe është fitues i Diplomës “ Pishtari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok