27/01/2025

TRE LIBRA TË AUTORES KROATE PËR GJENOCIDIN SERB NDAJ SHQIPTARËVE

0
Lubica-Shtefan

SERBIA DHE SHQIPTARËT

‘’Kushtuar luftës heroike të popullit Shqiptar të Kosovës për çlirimin nga okupimi serb, dhe viktimave të rëna në luftën njëqintvjeçare’’

Nga Adil FETAHU

Sqarimi për këtë recension: Historianja kroate, Lubica Shtefan, ishte një aktiviste  e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ishte profesoreshë e sllavistikës në Universitetin e Beogradit, deri në vitin 1992. Thotë se një kohë ka punuar si profesoreshë e sllavistikës edhe në Kosovës, por nuk e precizon kohën. Sa ka punuar në Beograd, ka hulumtuar e mbledhur të dhëna në arkiva e biblioteka të ndryshme, prej asaj të AShAS, Ministrisë së Punëve të jashtme dhe asaj të brendshme, etj. Në saje të lidhjeve që kishte me shtëpitë botuese jashtë Serbisë, punimet e saj janë botuar pa emrin e autores, ose me ndonjë emër tjetër, për shkak të sigurisë së saj.  Kështu, pa emër të autores, Biblioteka Popullore dhe Universitare e Lubjanës i ka botuar dy librat e para të autores Lubica Shtefan, në kuadër të ‘’Çasopis za kritiko znanosti’’ (Revistë për kritikë shkencore). Libri i parë mbanë titullin: ‘’SRBIJA I ALBANCI – Pregled politike Srbije prema Albancima od 1878.do 1914.godine’’, ndërsa libri i dytë ‘’SRBIJA I ALBANCI – Pregled politike Srbije prema Albancima od 1913. do 1945.godine’’. Libri i tretë: ‘’SRBIJA I ALBANCI – Pregled politike Srbije prema Albancima od 1878. do 1989.godine’’. Libri i tretë është më voluminoz, mbi 500 faqe, dhe është me emrin e autores, pasi është botuar pasiqë autorja ka ikur nga Beogradi (1992), ku ka lënë banesën e vet me gjithçka që ka pasur, kurse në Zagreb ka jetuar dhe ka vdekur në Shtëpinë e pleqve!  Në këtë libër përmblidhet tërë periudha e krimeve dhe gjenocidit serb kundër Shqiptarëve, prej vitit 1878, deri në vitin 1989. Të tre librat (trilogji) përmbajnë shkrime të gazetave dhe dokumente autentike serbe (ose ndërkombëtare) për ngjarjet e përshkruara.

Reçensioni i dhënë këtu, i dr.Ivica Trijardoviq, është për librin e tretë.

***

‘’Për Shqipërinë dhe Shqiptarët kam ditur diçka, ngase kam pasur rastin të hy në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës, ndërsa për Kosovën nuk kam ditur asgjë në fillim të viteve të tetëdhjeta. Në Bruksel (Belgjikë)  jemi ndalur me autobus para  një muri në të cilin ishte mbishkrimi në gjuhën shqipe: ‘’Vdekje Jugosllavisë’’!

Të gjithë ne udhëtarët, të edukuar në komunizëm, nuk mund të kuptonim përse dikush në vitin 1981 t’ia dëshironte vdekjen Jugosllavisë, ndonëse si të ri që ishim, kishim parandjenja se nuk ishte bash ashtu sikur na e paraqitnin. Për të gjithë ata që nuk kishin informacione të vërteta, Shqiptarët e Kosovës ishin ‘’Siptari,’’ terrorista (ashtu i quanin), kurse për mua ishin ëmbëltorë të cilët bënin akullore dhe kremëra tjera të shijshme.

Kur isha në shërbim ushtarak e kuptova se ekziston problemi midis Shqiptarëve e Serbëve, por as atëherë nuk e kam ditur se çfarë problemi ishte, ngase Shqiptarët ishin shumë të përmbajtur (edhe) ndaj Kroatëve. Tek në funt të tetëdhjetave fillova t’i kuptoj marrëdhëniet serbo-shqiptare, të cilat kanë disa ngjajshmëri me marrëdhëniet serbo-kroate.

Libri ‘Serbia dhe Shqiptarët’, i  autores Lubica Shtefan, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe historiane kroate, e cila ka shkruar dhjetra libra në të cilat merret kryesisht me gjenezën e idesë serbomadhe, paraqet dokument historik ‘’Pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj Shqiptarëve, prej vitit 1878 deri më 1989’’.

Është me rëndësi të theksohet, se të gjitha burimet në të cilat mbështetet ky libër, janë burime serbe. Prandaj, përmbajtja e librit nuk është as kundërserbe (kroate, shqiptare, boshnjake, maqedone, malazeze, sllovene, bullgare, hungareze, rumune, gjermane, austriake etj), veçse serbe.

Para njëqint vjetëve vetëm një numër i vogël i intelektualëve serbë e kanë kuptuar se pasojat e nacizmit serb (serbomadh) do të jenë fatale për të ardhmen e Serbisë. Sot e dijmë se armiqtë më të mëdhenj të serbëve nuk janë popujt me të cilët kufizohen ose jetojnë bashkë, as bashkësia ndërkombëtare, veçse ekskluzivisht nacizmi serb (i dokumentuar qartë në literaturën historike), i cili me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe i ka shkaktuar izolimin dhe vetëshkatërrimin.

Por, kjo vetëvrasje kolektive e një populli është kërcënim  edhe për të gjithë joserbët të cilët jetojnë brenda ose kufizohen me Serbët. Kështu, më se 150 vjet, për shkak të politikës serbomadhe, Serbët kanë dëshmuar se nuk mund të jetojnë me popujt e tjerë, sepse gjithmonë e kanë për qëllim t’i serbizojnë, t’i dëbojnë ose t’i zhdukin joserbët. Nga përvoja kroate me serbët e dijmë mirë këtë; gjithashtu edhe nga përvoja boshnjake, veçmas në Bosnjen e viteve të nëntëdhjeta dhe pas botimit të këtij libri  – edhe nga  përvoja shqiptare.

Për ta kuptuar përmbajtjen e librit dhe dallimin midis Serbëve e Shqiptarëve, duhet të citojmë vet serbët, të cilët thonë: ‘’Derisa kryengritësit shqiptarë kur i zënin rob ushtarët dhe oficerët serbë vetëm i çarmatosnin dhe i lironin, ndërkaq serbët nuk i kursenin as fëmijët, as gratë as të sëmurët’’

Bëhet fjalë për gjenocidin mbi Shqiptarët, të cilin politika serbomadhe e ka zbatuar prej gjysmës së dytë të shekullit 19, deri në fillim të shekullit 21. Në mësymjet e tyre plaçkitëse dhe në ekspeditat ndëshkuese,  serbët i vrisnin shqiptarët, siç përmendet në shumë vende të librit.

Derisa Serbët dhe Shqiptarët kishin një harmoni mes vete në kohën e Turqisë, pas tërheqjes së plotë të Turqisë nga territoret osmane, Serbët në të njëjtën mënyrë sikur Turqit i dëbonin edhe Shqiptarët. Përnjëherë, të gjithë popujt me të cilët kishin jetuar bashkë nën Turqinë, u bënë armiq (të serbëve), dhe të gjithë ata u zunë në befasi me ndryshimin aq të shpejtë të sjelljes së serbëve dhe ishin të pa përgatitur  t’iu kundërvihen.

Qëllimi kryesor i borgjezisë serbe ishte dalja në bregdet. Mënyra më e shpejtë e daljes në bregdet përmes Shqipërisë dhe që të mos kishte konflikte me Shqiptarët ‘arsyetohej’ se serbët po shkojnë atje për t’i ndjekur Turqit, kështu që Shqiptarët lejuan kalimin. Por, këtë naivitet të shqiptarëve, serbët e shfrytëzuan dhe kështu nisën gjenocidin njëqintvjeçar kundër Shqiptarëve.

Serbia e nisi dëbimin e Shqiptarëve nga rrethi i Nishit qysh në vitin 1877, e ndoshta edhe më herët. Verzioni zyrtar serb për shpërnguljen e shqiptarëve ishte se gjoja për shkak të krimeve që kishin bërë kundër serbëve në kohën e regjimit turk, ata vet po iknin dhe gjatë ikjes po i digjnin e shkretëronin shtëpitë dhe fshatrat e veta nëpër të cilat kalonin. Përralla të tilla kemi dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme prej shekullit 19, që të gjitha krimet ua përshkruajnë të tjerëve, e jo Serbëve.

Sikur edhe në vitin 1877, ashtu edhe në vitin 1912, Serbët u premtonin Shqiptarëve paqe e prosperitet, i mashtronin e pastaj i vrisnin.

Një vit pas daljes në bregdet, Serbët u detyruan të tërhiqen nga Shqipëria, në bazë të presionit ndërkombëtar. Fuqitë e mëdha, përpos Rusisë, i detyruan Serbët të tërhiqen, dhe pas pak kohe Shqipëria shpalli pavarësinë, u bë principatë, por pa Kosovën që i mbeti Serbisë.

Për ta kuptuar lidhjen midis Serbisë e Rusisë, duhet të përmendim se të gjitha luftërat kundër Turqisë në vitet 1875,1878 e 1885 etj, Serbët i kanë zhvilluar sipas urdhërit të Rusisë. Në të gjitha luftërat janë dalluar klerikët pravosllavë. Qysh në vitin 1912 serbët deklaronin në gazeta ndërkombëtare për Serbinë e Madhe, kurse Kisha Ortodokse Serbe, në bashkëpunim me shtypin shtetëror në kontinuitet përhapte urrejtjen kundër Shqiptarëve.

Është interesant të përmendim se në kohën e sundimit turk, Kisha Ortodokse Serbe mblidhte tatimin nga serbët me ndihmën e turqve, ndërsa për shkëmbim dërgonte serbë në ushtrinë turke. Vetë serbët thoshin se kisha serbe përhapet në hap me ushtrinë turke e cila pushton rajone të reja, në të cilat serbët marrin pjesë si ushtarë, e pastaj si kolonistë.

Lexuesi mund ta shtrojë pyetjen: cila është e vërteta e cila është gënjeshtra në raportet serbo-turke të asaj kohe? Në librin e historisë për klerikët e ardhshëm qëndron ky tekst: ‘’Në interes të fesë pravosllave është që njerëzit t’i mbytë, t’ua presë gjuhën, t’i dëbojë nga trojet e tyre dhe t’i çrrënjosë’’. Siç shkruan në libër, shihet se ‘’Ndjenjen e dashurisë për njeriun, serbët pravosllavë e kanë zhvilluar deri në kulminacion’’! Për ta, Shqiptarët nuk janë njerëz, por gjysmënjerëz (ashtu thoshte serbi kryetar i Qeverisë së parë të Mbretërisë SKS).

Është interesant të bëjmë krahasimin e tatimit turk me atë serb. Nën pushtetin turk, serbët u kanë dhënë  turqve 10% të të hyrave, ndërsa nën pushtetin e Serbisë, Shqiptarët janë detyruar t’u japin serbëve gjysmën e të gjitha të hyrave. Nga gjithë ajo që dijmë, Shqiptarët e kishin më mirë nën pushtetin turk, sesa nën atë serb, ndonëse Shqiptarët kanë luftuar kundër turqve.

Si edhe Kroatëve dhe të tjerëve, doktrina shkencore serbe ua mohon Shqiptarëve kombësinë, kulturën, territorin, etj, ashtu që edhe për Skenderbeun e famshëm të shekullit pesëmbëdhjetë thonë se nuk ishte Shqiptar.

Shtypi i jashtëm kohë-pas-kohe lajmëronte për veprimet e bishave serbe, por politika zyrtare e Serbisë gjithnjë i mohonte krimet. Është me rëndësi të dihet përse populli serb nuk ishte fajtor për krimet e shumta të politikës serbomadhe. Sipas regjistrimit të vitit 1900, në Serbi 4/5 e popullsisë ishin analfabetë, e me  popullatën e paarsimuar është lehtë të manipulohet.

Në krahasim me shtetet e tjera, Serbia në shekullin 20, proporcionalisht ka pasur numrin më të madh të ushtarëve dhe eprorëve, ndërsa më së paku mjekë. Dy të tretat e buxhetit të shtetit shkonin për ushtrinë, ndonëse ushtari i rëndomt serb, për shkak të korrupsionit, më shumë kohë ishte i uritur sesa i ngimë.

As në Mbretërinë e Jugosllavisë Shqiptarët nuk ishin më mirë. I vritnin, ua merrnin tokat, i detyronin të asimiloheshin ose të shpërnguleshin. Nuk ka pasur të ndalur përzierja edhe në punët e brendshme të Shqipërisë (oficerë dhe mercenarë serbë e rusë vepronin e kontrollonin në Shqipëri) tërë kohën, derisa Italia shfaqi interesimin për të.

Sikur për Kroatët, as për Shqiptarët Lidhja e Kombeve (OKB e tashme) nuk shfaqi ndonjë interesim serioz. Sikur të mos e kishin vrarë si bishat në vitin 1931, me urdhërin e mbretit serb,  njenin nga themeluesit e albanistikës në botë, do të ishte shumë i dobishëm në luftën për pavarësinë e Shqiptarëve. Fjala është për Millan Shuflajn.

Studentët serbë po thonë se ‘’Serbët kanë bërë serbizimin e dhunshëm të popujve joserbë me metodat më barbare, çfarë nuk janë zbatuar as në kohën e sundimit feudal turk’’, ndërsa ne do shtonim se sot veprojnë njësoj përmes mediave.

Shqiptarët kanë luftuar sa kanë mundur, pa përkrahjen ndërkombëtare; janë shquar shumë trima, si Bajram Curri. Në libër përmendet se janë masakruar 150.000 shqiptarë pas Luftërave Ballkanike (diku jepet shifra 120.000). Po 700.000 Shqiptarë ishin pa kurrëfarë të drejtash. Prandaj, nuk është çudi që shkatërrimin e Mbretërisë së Jugosllavisë Shqiptarët e Kosovës e konsideruan si çlirim (gjithashtu si Kroatët). Mandej erdhën Italianët, ndërsa më pas, në Jugosllavinë komuniste Shqiptarët vuajtën sikur Kroatët gjatë dy luftërave botërore.

Do mund të thuheshin edhe shumë gjëra tjera, veçse shkurtimisht: për politikën serbomadhe Shqiptarët gjithnjë ishin gjysmënjerëz, prandaj nuk ishte mëkat as krim të vritet Shqiptari. Edhepse shumica e shteteve të botës e kanë njohur Kosovën e pavarur,  akoma ka shtete për të cilat Shqiptarët janë gjysmënjerëz!

Dhe të përfundojmë: atëherë kur kryetari i Serbisë të vjen në Prishtinë, të përulet e t’i kërkoj falje popullit Shqiptar, do të krijoheshin kushtet që pas 150 vjetëve të shtypjes serbe mbi popullin e vetëm në Juglindje të Europës i cili i ka rrënjët nga Ilirët e lashtë (e që si popull i civilizuar nuk i kërkon të drejtat e veta historike), tek atëherë marrëdhëniet shqiptaro-serbe mund të nisin të përmirësohen. Them ‘’mund’’, sepse diplomacisë serbomadhe nuk mund t’i besohet. Dhe si gjest të mirë, Shqiptarët do të mund t’i ngritnin një përmendore ndonjë serbi i cili është dëshmuar si luftëtar i njëmendët i të drejtave të Shqiptarëve (psh.Dimitrije Tucoviqit, v.j.). Nëse  nuk vjen deri te respektimi reciprok, për nja pesëdhjetë vjet shqiponja e zezë dykrenare do të fluturojë mbi Serbinë’’!

Dr.Ivica Tijardoviq

Shënim: Autori i recensionit (Dr.Ivica Tijardoviq) është ekspert i detarisë, shkencëtar e publicist kroat. Reçensioni është botuar në ‘’maxportal’’ më 30 janar 2022.Sqarimi dhe përkthimi është imi (A.F.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok