22/12/2024

TRAZIRAT NË VERI SKENAR I BEOGRADIT

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Në mitingun e mbajtur në Beograd më 26 maj 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, midis tjerash deklaroi: “… Serbia nuk është vend i ambasadorëve… Kujt do t’i vëmë sanksione dhe kujt jo, kjo s’varet prej të huajve. Kjo varte nga ne…”.

Me fjalët: “Serbia nuk është vend i ambasadorëve”, ai aludonte për ambasadorët e vendeve të Pesëshit (Quint) – të ShBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë. Lidhur me qëndrimin arrogant të tij, nga perëndimorët nuk pati kurrfarë reagimi.

Sipas Vuçiqit, Amerika dëshiron ta parandalojë formimin e botës multipolare. Sipas tij, sot e tutje nuk do të kemi botë njëpolare. Ai thotë: “Mund të kemi botë bipolare ose multipolare. Serbisë më tepër do t’i konvenonte një botë multipolare”.

Me këtë qëndrim, ai del haptas kundër ShBA-së. dhe rolit udhëheqës të tij në planin global. Është për t’u habitur sesi Uashingtoni nuk reagon!

Më 16 mars 2023, në prag të takimit me Albin Kurtin në Ohër, Vuçiqi iu drejtua publikut në Serbi. Me këtë rast, midis tjerash deklaroi: “… asgjë nuk planifikoj të nënshkruaj…”. Marrëveshjen e Ohrit të datës 18 mars 2023, Vuçiqi nuk e nënshkroi. Për habi, Perëndimi heshti. Një marrëveshje e panënshkruar, s’ka sesi quhet marrëveshje.

Ndërmjet tjerash, ai deklaroi: “…fuqimisht t’i ruajmë vijat tona të kuqe, nga kjo nuk heq dorë”. Ai disa herë ka thënë se vija të kuqe për Beogradin janë: çfarëdo lloj njohjeje formale ose joformale të pavarësisë së Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara”. Me këtë qëndrim të tij, del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka kurrfarë marrëveshjeje. Për habi, perëndimorët heshtin!

Më 28 maj 2023, Vuçiqi deklaron në televizionin Pink të Beogradit: “Në Kosovë do të ndodhë diçka që deri më sot nuk e kemi parë”. Pikërisht atë ditë huliganët serbë në veri të Kosovës sulmuan pjesëtarët e KFOR-it. Ndaj kësaj deklarate të tij, perëndimorët nuk reaguan, të paktën publikisht jo.

*   *   *

Serbët e Kosovës thanë: “Duam asociacion, ndryshe do t’i lëmë institucionet”. Ata u tërhoqën edhe nga katër bashkitë e veriut.

Qeveria e Kosovës, me pëlqimin e ShBA-së dhe të BE-së, në katër bashkitë e veriut  të Kosovës – në Mitrovicën veriore, në Zveçan, në Leposaviq dhe në Zubin Potok, organizuan zgjedhje të reja vendore të parakohshme. Serbët nuk morën pjesë. Domethënë, i bojkotuan.

Lënia e institucioneve të Kosovës dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të prillit u planifikua në Beograd. Me fjalë të tjera, pas skenarit të sipërthënë qëndronte Beogradi dhe Vuçiqi. Para këtij skenari destruktiv, perëndimorët i mbyllën sytë, pra heshtën.

Pasuan të ashtuquajturat protesta të serbëve në veri. Këto s’ishin protesta. Ishin trazira violente, të dhunshme në krye të të cilave qëndronin huliganët, banditët, kriminelët dhe ekstremistët serbo-rusë. Gjatë këtyre trazirave u lënduan dhe u plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it si dhe gazetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. U dogjën dhe u dëmtuan edhe disa vetura të policisë kosovare dhe të gazetarëve shqiptarë. Para sulmeve barbare të hordhive të sipërthëna, perëndimorët heshtën apo reaguan me gjysmë zëri.

Bandat kriminale serbe, të ndihmuar nga mercenarët rusë, lënduan dhe plagosën 30 pjesëtarë të KFOR-it. Prej tyre, 19 pjesëtarë të kontingjentit hungarezë, ndërsa 11 sish, të kontingjentit italianë. Edhe para kësaj drame tragjike, perëndimorët heshtën, apo reaguan me gjysmë zëri! E tmerrshme.

Përkundër sulmeve barbare ndaj trupave të KFOR-it, liderët perëndimorë rendën të takohen me organizuesin kryesorë të këtyre skenarëve makabër – Vuçiqin. Në vend që ta izolojnë, ata e pranojnë! Absurde!

Në ndërtesën e bashkisë së Zveçanit, ish-bashkiaku serbo-çetnik e kishte varur fotografinë Vladimir Putinit. Perëndimorët u hoqën sikur s’panë gjë! E tmerrshme, rrëqethëse!

Në ndërtesat e katër bashkive të veriut, kryebashkiakët çetnikë të Vuçiqit i kishin varur flamujt e Serbisë, ndërkaq ata të Republikës së Kosovës nuk dukeshin kund. Vallë, kështu qeveriset pushteti vendorë?! Perëndimorët, askund të reagojnë!

Në pikëpamje formale juridike, bashkiakët e veriut ishin dhe janë pjesë e sistemit politik dhe juridik të Republikës së Kosovës. Megjithëkëtë, ata vepronin si pushtet paralel ose më saktë si dorë e zgjatur e Beogradit dhe e Vuçiqit.

Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj. Si të tillë, pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete të botës.

Sistemi politik dhe juridik i Kosovës së pavarur, demokratike dhe sovrane është ndërtuar në saje të pakos së Ahtisarit (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari, i lindur në Vyborg të Rusisë më 1937; ish-kryetar i Finlandës, laureat i çmimit “Nobel” për paqe).

Atëbotë, s’filtej dot për kurrfarë asociacioni. Trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë në Kosovë janë shqiptarët. Minoritet ndërkaq, i gëzojnë të gjitha të drejtat, të parashikuara me kushtetutë dhe me ligje.

Ideja për formimin e asociacionit lindi më vonë me ngulmimin e Kremlinit, të Moskës, të Rusisë, të Sergej Lavrovit dhe të birit politik të tij – Putinit.

Nuk duhet harruar se që nga vendosja e pushtetit paralel, serbët kanë dëbuar nga veriu i Kosovës 12.000 shqiptarë.

Përse asociacion, kur 3-4 për qind e serbëve të Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat, si asnjë minoritet në BE:

– Serbishtja është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës;

– Bashkitë në të cilat janë shumicë, qeverisen prej tyre;

– Në Kuvendin e Kosovës, e kanë të garantuar numrin e caktuar të deputetëve;

– Në organin ekzekutiv të Kosovës, kanë të garantuar dikaster ministror;

– Kanë të garantuar shkollimin në gjuhën amtare, që nga arsimi fillor deri në atë universitar;

– Kanë të drejtë t’i kultivojnë dhe t’i afirmojnë vlerat kulturore si dhe traditat e veta;

– Sipas ligjeve të Kosovës, kanë të drejtë ta përdorin edhe flamurin e vet;

– Kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike, etj.

*   *   *

Kosova është shtet demokratik dhe synon integrimin në organizmat euroatlantikë. Kjo paraqet përparësi për të gjithë qytetarët e saj, përfshi edhe pakicën serbe.

*   *   *

Trazirat në Kosovë që shpërthyen më 26 maj të vitit në vazhdim, u organizuan në Beograd dhe në Moskë. Në krye të këtij skenari qëndronte kryetari Serbisë – Aleksandar Vuçiqi, i mbështetur fuqimisht nga Sergej Lavrovi dhe nga Vladimir Putini. Kremlini është i interesuar të ketë në Ballkan, jo trazira, por luftë, luftë si ajo në Ukrainë.

Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi, i cili është peng, edhe i Kremlinit edhe i Kishës Ortodokse – fashiste – Serbe.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës?! Kjo të përkujton rrëfimin mbi ujkun dhe qengjin. Qengjit që ndodhet poshtë tij, ujku i thotë: Mos ma turbullo ujin.

I dobësuar në Serbi, Vuçiqit i nevojiten skenarë të këtilla. Si Sllobodan Millosheviqi dikur, ai luan në letrën nacionaliste dhe ndjek politikë populiste.

Sikundër shihet nga sa më sipër, në një anë e kemi:

– Qeverinë e Kosovës e cila synon të ruajë rendnin dhe ligjshmërinë, kurse në anën tjetër kemi

– Beogradin, Vuçiqin, politikën destruktive, hegjemoniste, ekspansioniste, luftënxitëse, pushtuese, retrograde, anakronike, klerofashiste, çetnike, serbomadhe; në këtë anë bën pjesë edhe

– Rusia, Moska, Kremlini, Lavrovi dhe Putini.

Në këtë mes, kush është fajtor, kush duhet të mbajë përgjegjësi, kush duhet të ndëshkohet?!

Nuk zgjidhet “problemi” duke e ledhatuar Serbinë, duke e përkëdhelur atë, duke investuar në të miliarda euro dhe dollarë. Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX deri më sot, Serbia ndjek politikë ekspansioniste dhe destabilizuese. Ajo ka mbetur në kohën e “Naçertanies” (1844) të Ilija Garashaninit (1812-1874). Politika e Vuçiqit, e bazuar në ideologjinë serbomadhe dhe në atë që sot e quajnë Bota serbe, prodhon dhe shkakton kriza, jo vetëm në Kosovë por në mbarë rajonin – në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, pa lënë mënjanë edhe Maqedoninë.

Përbrenda kemi një Serbi të udhëhequr nga një politikë tiranike, diktatoriale, autoritare, autokratike, despotike, totalitare, radikale. Kemi një Serbi ku grupet etnike, përfshi edhe shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi të heshtur. Kemi një Serbi jodemokratike me akademikë dhe me shkrimtarë të cilët sot e gjithë ditën jetojnë me ëndrrat romantike të shekullit XIX.

Për trazirat e bandave kriminale serbo-ruse në veri të Kosovës, Uashingtoni dhe Parisi rendën të fajësojnë palën kosovare, ndonëse e dinë fort mirë se kush agresori dhe kush është viktima.

Vuçiqi e ngre gatishmërinë luftarake të ushtrisë serbe në shkallën më të lartë dhe e sjell atë mu pranë kufijve të Kosovës. Ai e di mirë se ushtria serbe nuk mund ta kalojë kufirin e Kosovës për arsye se aty janë të sistemuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Po atëherë, përse Vuçiqi demonstron dhe kanoset me forcë?! Me këtë dëshiron t’ua bëjë me dije Uashingtonit dhe Brukselit: “Po të mos jetë KFOR-i, unë hyjë në veri sakaq dhe s’ka se kush më ndal”. Në këtë mes, Beogradi e ka mbështetjen e Putinit.

*   *   *

Përkundër rrethanave të tilla, BE-ja dhe Uashingtoni reagojnë me gjysmë zëri dhe e përsërisin klishenë: “Ulni tensionet dhe kthehuni dialogut”.

Dialogu do të mund të jetë i suksesshëm dhe efektiv kur të pushojë përkëdhelja e Serbisë dhe e Vuçiqit nga Uashingtoni, nga Parisi dhe nga Berlini.

Për trazirat e ditëve të fundit në veri, Uashingtoni dhe Parisi fajësuan palën kosovare. Të njëjtën e bëri edhe Moska. Nga kjo rezulton se edhe ShBA-ja me BE-në edhe Moska, mbajnë anën e Serbisë. Çfarë paradoksi?! Aty ku është Moska, si mund të jenë edhe perëndimorët?! Kosova përçon interesin perëndimor në Ballkan, Serbia ndërkaq është përçuese e interesit rus në rajon.

*   *   *

Amerika dhe fuqitë evropiane duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e ndikimit dhe nga sfera ruse e interesit. Dhe kjo ka një çmim, e ky çmim është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me fjalë të tjera, ShBA-ja Kosovën e ka me vete, tani synon ta bëjë për vete edhe Serbinë. Nxjerrja e Serbisë nga kthetrat e ariut rus do të kishte qenë një punë e mirë për rajonin, por çmimin për këtë nuk mund ta paguajë Kosova.

Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet ta dinë se nuk janë duke e mbështetur një Serbi demokratike, por një Serbi millosheviqiane. “Problemi” ka zgjidhje: të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës; të pezullohen në Serbi investimet perëndimore; t’i mbyllet Serbisë perspektiva e integrimit në BE; t’i mbyllen Vuçiqit dyert e kancelarive perëndimore.

Në anën tjetër, Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO.

*   *   *

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa pëlqimin e SHBA-as. S’ka Kosovë pa Amerikën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok