05/12/2025

Tragjedia mbulohet me llum politik…

0
Nikoleta_Kovaci1

Nga Nikoleta Kovaçi

Sod ishte nji ditë e trishtë! Katër djem, në kulmin e moshës humbën jetën në rrethana të tmerrshme. Ata lanë frymën e fundit poshtë nji makinerie që prej vitesh asht kthye në nji “killer” për shqiptarët, për ne që s’jena dhe sbahena pjesë e mafies që prodhon kjo makineri, poshtë së cilës na metën katër bij nanash!

Unë e di që fajtor do të shpallen ata, ata që s’janë ma, ata që s’ka kush i mbron veç lotëve të atyne qe prej 24 orësh po ju plas edhe zemra nga dhimbja!

Sigurisht se ata katër djem nuk kthehen ma, fatkeqësisht ikën duke rrenue tri familje e duke na lanë ne, qyqarëve, nan kthetrat e betonieres-vrasëse. As gëk as mek nuk nxorën sod, për gjatë gjithë ditës, pikërisht se na e kena të gatshme formën me gjet fajtorin: djemtë ishin me shpejtësi!

Në mëngjes të gjitha ekranet i zi kryeministri! Kudo pluskonin me të kuqe si pershtymë helmuese sharjet, mallkimet e premtimet e tij për pasaportën europiane, ndërsa 4 djem në kulmin e rinisë ishin ba shkrumb e hi. Ma vonë ekranet u zunë me nji lojë të ndyrë e kriminale me shkarkim, emërim, kthim në detyrë të nji kukulle në bashkinë e Tiranës, kryeministri nga burgu i madh e Erjon Veliaj nga burgu i vogël, morën tanë vemendje e për betonieren vrasëse me pagesë, askush nuk bani za, as nuk nxori za, madje as tingull!

Vijoi edhe gjatë mbramjes zullumi politik mjeran, ndërsa tragjedia e tmerrshme u izolue në Borizanën e vogël madje mos me mujt me kalue kufijtë e zonës, se mafia e betonit nuk asht dosido: nuk mund të përflitet, të hetohet, të preket, të ngacmohet!

Mafia e betonit asht lajtmotivi i kryeministrit, shpresa e kryetarit të bashkisë me dalë prej burgu, asht remorkio që do mbarti qeverinë e kusarët e ktij vendi deri te dera e parlamentit tjetër; asht garanti i ruajtjes së fuqisë së pushtetit për këdo që e llogarit betonieren si thesarin e vet…

E na të flemë të qetë, ani pse tri familje janë në gjamë të pashoqe, e të lutena që “betonierja” tjetër t’a ndezi ndonjë sinjal kur të rrijë në rrugë, që të paktën të mos na shkatërrojë edhe dekën!

Nikoleta Kovaçi

20.03.25

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok