04/04/2026

TRAGJEDIA “MBRETI LIR” – SHEKSPIR

0
Shakespeare-King-Lear

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Titulli burimor i tragjedisë së tragjediografit dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare) është “King Lear”. Ngjarja zhvillohet në Anglia. Është shkruar në gjuhën angleze. Vepra bën pjesë në llojin e dramës dhe në zhanrin e tragjedisë. Është botuar rreth vitit 1605. Personazh kryesor i tragjedisë është Mbreti Lir. Temat që shtjellohen janë: drejtësia dhe shqyrtimi i vuajtjes njerëzore.

*   *   *

Tragjedia „Mbreti Lir“ (King Lear) është një prej veprave më të njohura të Uilliam Shekspirit (William Shakespeare, 1564-1616). Bazohet te mbreti Lir (Lear), i cili është një prej mbretërve mitologjikë të Britanisë. Shkrimet e para për të burojnë nga shekulli XII. Ato vijnë prej historianit Xhefri i Monmouthit (Geoffrey of Monmouth, rreth viteve 1095-1155).

Xhefri i Monmouthit ka qenë klerik i krishterë nga Monmouth, Uells dhe një nga personat  kryesorë që ndihmuan në popullarizimin e përrallave të Mbretit Artur. Arthuri (gjermanisht: Artus ) është mbret mitologjik i keltëve apo i britanikëve, i viteve 500. Në shekujt XVIII dhe XIX, për kritikat e skenave tragjike dhe të zymta, drama u shndërrua në roman. Si pasojë e këtij ndryshimi, fundi i veprës në të cilën vdesin shumica e personazheve kryesore, është zëvendësuar me një fund në të cilin të gjithë personazhet mbijetojnë, kurse Kordelia (Cordelia) martohet me Edgarin.

Vepra është shfaqur në teatrot e mbarë botës. Ka pësuar edhe shumë përshtatje televizive dhe filmi. Bazuar në këtë dramë ka lindur edhe opera me të njëjtin emër. “Mbreti Lir” ka shërbyer si frymëzim për shumë romane dhe drama tematike të ngjashme të autorëve të tjerë.

Rolin e mbretit Lir e kanë luajtur shumë aktorë të famshëm, midis të cilëve janë edhe: aktori dhe regjisori anglez Lorens Olivier (Laurence Kerr Olivier, Baroni Olivier, 1907-1989), aktori dhe regjisori amerikan Orson Uells (Georg Orson Welles, 1915-1985), aktori amerikan Xhejmz Erl Xhons (James Earl Jones, 1931-2024), aktori uellsian Entoni Hoplins (Sir Philip Anthony Hopkins, 1937- ), aktori kanadez Kristofer Plamer (Arthur Christopher Orme Plummer, 1929-2021), aktori anglez Jan Mekillin (Sir Ian Murray McKellen, 1939- ), Kevin Klajn (Kevin Kline, ) etj.

Personazhet e tragjedisë “Mbreti Lir”

– Liri (Lear) – mbreti i Britanisë;

– Goneril-(a) – vajza më e madhe lakmitare e mbretit Lir;

– Regan-(e) – vajza e dytë lakmitare e mbretit Lir;

– Kordelia – vajza më e vogël e mbretit Lir, e vetmja që vërtet kujdeset për babanë;

– Mbreti i Francës – një prej pretendentëve të Kordelias;

– Duka i Burgundisë – pretendent tjetër i Kordelias;

– Duka i Albany-t – kunati i Lirit dhe burrë i Gonerilës, i cili është i zemëruar nga butësia e tij;

– Duka i Cornwallit – burri lakmitar i Regan-(es);

– Konti i Kentit – shërbëtori besnik i Lirit. Dëbohet nga oborri mbretëror pasi rebelohet kundër keqtrajtimit të Kordelias nga Liri. Më vonë kthehet me emrin Caius;

– Konti i Glosterit – baba i dashnorit të vajzave të mbretit Lir – Goneril-(ës) dhe Regan-(es);

– Edmundi – dashnori i Gonerilës, por edhe i Regan-(es); në fillim ato nuk e dinin një gjë të tillë.

Tragjedia „Mbreti Lir“ ka edhe personazhe dytësore.

Përse flitet në këtë tragjedi? – Drama fillon me vendimin e mbretit Lir për t’u tërhequr nga froni të cilin ka ndërmend t’ua lërë vajzave të veta – Gonerilës, Regan-(es) dhe Kordelias. Dy vajzat më të mëdha janë të martuara, ndërsa Kordelian e lypin mbreti i Francës dhe Duka i Burgundisë. Mbreti Lir i moshuar propozon garë: Secila prej vajzave do të marrë tokë varësisht nga dashuria që do të tregojë ndaj babait. Kordelia refuzon të ndjekë shembullin e motrave dhe t’i bëjë lajka babait. Për këtë arsye atë e largojnë nga oborri mbretëror. E tërë pasuria u ndahet Gonerilës dhe Reganes. Konti i Kentit del kundër kësaj mënyre të ndarjes së pronës. Për këtë arsye mbreti Lir e flak nga oborri mbretëror. Megjithëkëtë, Mbreti i Francës martohet me Kordelian e privuar nga trashëgimia. Synon që më vonë, këtë ta shfrytëzojë si pretekst për invadim në Britani.

Me ta lënë fronin, Liri konstaton se ndjenjat e Gonerilës dhe të Reganes ndaj tij janë ftohur me të madhe. Konti i Kentit kthehet në pallat i maskuar dhe me emrin Caius, për ta mbrojtur mbretin të cilit i ka qëndruar besnik.

Midis Gonerilës dhe Reganes fillon zënka për Edmundin tek i cili të dyja motrat janë të dashuruara. Në anën tjetër, ato duhet të ballafaqohen me ushtrinë franceze që e udhëheq Kordelia, qëllimi i së cilës është ta kthejë mbretin Lir në fron.

Konti i Glosterit ballafaqohet me Dukën e Kornvalit (Cornwall), por e shpëtojnë nga vdekja shërbëtorët e dukës të cilëve nuk u pëlqente qëndrimi i tij ndaj mbretit Lir. Duka i Kornvalit ia nxjerr sytë Kontit të Glosterit. Njëri prej shërbëtorëve e plagos dukën, por Regane e vret shërbëtorin. Duka i Kornvalit vdes prej plagëve të marra.

Konti i verbuar i Glosterit tenton të hidhet nga shkëmbi, por e shpëton i biri Edgar. Liri dhe Kordelia takohen në burgun ku ishte burgosur ai (Liri). Mbreti Lir vdes pak para se të shpërthente konflikti midis Francës dhe Britanisë.

Atëherë Edmundi urdhëron që babai dhe e bija të ekzekutohen. Gonerila e helmon Reganen, kurse Edgari maskohet dhe e plagos për vdekje të vëllain Edmundin. Me ta parë dashnorin e vet të vdekur, Gonerila vendos të bëjë vetëvrasje.

Urdhri me të cilin anulohet vendimi i Edmundit për ekzekutimin e Lirit dhe të Kordelias mbërrin vonë. Mbreti Lir mban në duart e veta trupin e Kordelias. Pas kësaj, vdes edhe ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok