21/12/2024

Trafiku i Prishtinës

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Prishtina është qytet kaotik dhe i ndërtuar pa ndonjë koncept të menduar arkitekture.

Trashëgimi të vjetër me të cilën mund të krenohet, s’ ka.

Ajo komuniste është pa kurëfarë shije.

Arkitektura e re është jashtë çdo koncepti, për faqe të zezë, pa asnjë standard e as në harmoni, pa shije estetike dhe shumë jo funksionale.

E në gjithë këtë mjedis, zhurma e kaosi mbizotërojnë kudo dhe kjo gjendje krijon njerëz të frustruar.

Kur je në trafik, si vozitës apo këmbësor, sheh se populli ynë duket se ka problem me rregullat dhe me estetikën. Atij, me gjasë, më shumë i pëlqen kaosi dhe anarkia. Kudo e vëren një familjarizim me anarkinë dhe kaosin dhe kund s’ shfaqet ai më qartë se në trafik.

Mjafton ta analizosh si sillemi në trafik dhe  aty e sheh si gulçon shpirti egoist dhe anarkist i shqiptarit.  E sheh qartë se ai s’njeh rregulla dhe nuk ushqen ide për tjetrin. Ai, thjesht, ka parime për veten e tij, por s’e çmon dhe s’ e njeh atë që është interes i përgjithshëm.

Prandaj, në vend të kukurisjeve kundër çdo kujt dhe gjithçkaje, është e udhës të bëjmë një autokritikë.

Të mësohemi me rregulla.

Të mësohemi se bota nuk përfundon te hunda jonë.

Vangjel Koça, me1934, shkruant: “Shpirti i Shqiparit ka qenë anarkist dhe kështu nuk ka patur kurrë ide Shteti.”

Pra, kaosi dhe zhurma në rrugët tona pasqyrojnë gjendjen tonë shpirtërore dhe primitivizmin e madh që mbretëron mes nesh. Dhe këtë e vëren gjithsecili që ngas makinën apo ec rrugëve, ku sheh njerëz plot nerva dhe një atmosferë të shëmtuar e krejtësisht kaotike.

Ne e kemi gojën plot kritika kundër të tjerëve- sidomos kundër politikës –  por sapo vetë sprovohemi në çështje të etikës publike, bëhemi shkelës të çdo etike e rregulli publik.

Në trafik, përditë e tregojmë mosedukatën tonë, tregojmë kush jemi, dhe me siguri, për këtë s’ i ka fajet askush, përveç shpirtit tonë egoist që s’ çan kokën për rend, rregull dhe interes të përbashkët.

Rrugët tona janë imazhi ynë, ku shpërfaqet pakujdesia, kaosi dhe zhurma e çmendur që mbretëron mes nesh.

Në rrugët tona pakkush çan kokën për tjetrin. Po, sepse në rrugët tona, njeriu ndalet ku të mundet, pa u interesuar fare ç’ pengesa u shkakton të tjerëve, dhe, nëse rastësisht i mbetet ndonjë qese plastike a copë bërllok, pa fije turpi e hedh kudo që të mundet.

Një perëndimor që vjen në Prishtinë dhe shëtit me veturë ose në këmbë – hiç më shumë se një orë – e sheh këtë gjendje të mjerë, varfërinë shpirtërore, moskujdesin, dhe s’ ka nevojë për asnjë informacion shtesë politik e institucional që të kuptojë sa vlejmë dhe sa kujdesmi për pastërtinë e të mirën e përgjithshme.

Pra, e keqja në Kosovë s’është vetëm “privilegj”  i të njohurve dhe pushtetarëve, ose i “atyre” të tjerëve, siç na pëlqen të kukurisim, por e të gjithëve dhe mbretëron kudo mes nesh.

Prandaj, përpjekja për të gjetë një mundësi të re për të estetizu sadopak këtë shëmti është emergjente dhe në vend të yryshit gulçues kundër duhet të ndalim e të mendojmë çfarë qyteti duam.

Prishtina është një grumbull ndërtesash e rrugësh që as përafërsisht s’ i afrohen një qyteti normal.

Qyteti e qytetërimi janë të lidhura si mishi me thonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok