21/12/2024

TOPONIMET NË PRESHEVË

0
Presheva

/Punim i përgatitur me rastin e Ditës së Plisit në Tetovë/

Shkruan: Xhemaledin SALIHU

HYRJE

Presheva aktualisht gjendet në jug të Serbisë, përgjatë vijës admnistrative me Kosovën. Presheva banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë, të cilën e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.

Në bazë të regjistrimit tetor të vitit 2022, në komunën e Preshevës jetojnë 35.097  banorë, ndërsa sipas shënimeve të komisionit regjistrues në Preshevë jetojnë 59.024 banorë që kontestohet nga komisioni regjistrues republikan.Shtimi natyral pozitiv I popullatës në Preshevë, Tutin dhe Novi Pazar është më i madhi në Serbi.

Komuna e Preshevës ka 35 vendbanime, prej tyre 1 qytet dhe 34 vendbanime fshatare dhe shumica e popullatës  shqiptare  flasin dialektin Gegë dhe popullsinë serbe pakicë që flasin dialektin Torlak.

Shumica e venbanimeve janë me shumicë shqiptare përveç fshatrave: LanikSvinjishtëSllavujevcCakanoc dhe Mamicë ku serbët janë shumicë.

Kjo zonë ka një lëndë toponomastike të pasur dhe mjaft të larmishme. Ndonëse edhe këtu, si shumëkund gjetkë në trevat verilindore të shqipes, që ka prani edhe të elementeve alogjene turke, sllave, greke, latine, arumune, prapëseprapë elementi shqiptar mbizotëron, sidomos në mikrotoponimi, në veçanti në fshatrat me popullatë shqiptare, si dëshmi e pranisë së kësaj etnie – dardanëve në këtë anë që nga antikiteti e deri më sot, pavarësisht nga pohimet e disa dijetarëve sllavo-maqedonas të cilët shqiptarët i shohin në këto troje vetëm nga shekulli XVII e XVIII

Onomastika e këtij krahu, ashtu si edhe e disa fshatrave të tjera shqiptare përreth, deri më tani nuk është marrë sa duhet në shqyrtim nga studiuesit tanë. Bën përjashtim ndonjë studim i rrallë në fushën e dialektologjisë (Dr. Idriz Ajeti), të historisë (Dr. Skënder Rizaj, Dr. Sabit Uka), të gjeografisë – demografisë (Dr. Hivzi Islami), të toponomastikës (Dr. Rexhep Ismajli), të arkeologjisë (Dr. Jahi Murati), ose edhe ndonjë punim i autorit të këtij shkrimi.

Ndërkaq shumë më shumë trajtime, studime e monografi nga kjo anë (vetëm ne kemi pasur në dorë mbi 25) kemi ndeshur te autorët sllavë, të cilët, me ndonjë përjashtim, kanë ecur pas hullisë së politikës, duke u përpjekur me çdo kusht të çojnë në vend amanetin që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre – siç do të thoshte profesor Emil Lafe, e “për të provuar diçka të paracaktuar” – siç ka thënë kaherë patriarku i gjuhësisë shqiptare, Eqrem Çabej.

Puna që kemi bërë në këtë punim, me një temë të këtillë, ka për qëllim që të nxjerrë në pah dhe të shënoj edhe një material toponimesh të Preshevës, duke bërë përpjekjet tona, për të shënuar toponimet ashtu siç I quajnë banorët e këtij vendi. Për këtë temë, përveç materialit të vjelë në terren, informata dhe informatorë të shumtë mbi toponimin e Preshevës, kemi pasur parasysh edhe një literaturë të pasur.

EMËRTIMI I PRESHEVËS

Emri Presheva sipas mendimit të Prof. dr. Skënder Rizaj vjen nga fjala

turqishte që do të thotë: “Presh” (presh, bot. Allium porrum) dhe “ova” (fushë);

fushë e preshve.

Për emrin e Preshevës vazhdon Prof .dr. Skënder Rizaj:

  1. Mendime lidhur me formimin e Vilajetit të Kosovës(1877-1912):

Sanxhaku i Prishtinës me kaza: Presheva (Pirchova), Peja(Ipek), Gjilani

(Guilan) dhe Viçitrina (Voulchiterin). Pra këtu Profesori Rizaj e nxjerr si

Pirchova, por nuk jep shpjegime të tjera.

Ndërsa në faqen 236: Kazaja e Preshevës (Preshovës) dhe shpjegimi:

në dokument është shkruar Preshovë, e cila duhet të deshifrohet me shqipen:

presh-o-v (ë) = v(endi) o (oshtë, ashtë, është) i presh-it. Presh,-i bot. perime

e ngjashme me qepën, me gjethe të gjata si shpatë, me kërcell më të trashë e

pa kokë nën dhe.

3.“Emni Preshevë nuk asht sllav, shqiptar as latin. Një Preshevë tjetër

gjendet në Çekosllovaki. Dhe thuhet se emni vjen prej nji fjale hungare që

dmth man. Unë mendoj se edhe Preshevës sonë emni i vjen nga e njëjta

fjalë, mbasi çdo e dyta ferrë e kodrave dhe e fushës asht nji man i egër. Pastaj

çdo shtëpi ka dy ose tre trupa mana të butë në oborr.

Emni “Preshevë” mund të jetë mbjellë në kohë të kur fiset turke të kumanëvet, peçenegëvet, të hunëvet dhe t’Avarëve hulumtojshin nëpër Evropën Lindore dhe Juglindore.” shkruan Ibrahim Kelmmendi.

“Guri i Shpuem dhe Kalaja e Preshevës janë pjesë më e spikatur e

Preshevës antike. Gjer më tani janë dhënë disa supozime rreth etimologjisë

së emrit të Preshevës. Nëse në fushën e gjuhësisë ka tendencë gjithnjë e më

tepër që gjuha shqipe dhe populli shqiptar në kontinuitet të lidhen me

gjuhën pellazge-ilire dhe popullin pellazg-ilir. Këtë ide e kishin mbështetur

edhe rilindësit tanë mendjendritur. Gjithnjë e më tepër po vërejmë se kësaj

çështjeje po i kthehet legjitimiteti edhe në kohën e re. Prandaj, nëse Presheva

antike ka poseduar DODONËN dhe objektet e kultit (faltoren në Gurin e Shpuem), na lind ideja që të krijojmë versionin e radhës mbi etimologjinë e emrit të Preshevës antike. Hyjni e preferuar e antikitetit ka qenë ajo me emrin Persetone (Persefone).Hyjnitë e antikitetit banonin në faltore. Supozojmë se banorët antikë-Dardanët e quanin Preshevën antike sipas Hyjneshës që ata e preferonin Persetone (Persefone). Emër, i cili me kalimin e gjatë kohor dhe ndikimet e huaja kulturore dhe gjuhësore, u transformua në emrin e sotëm Presheve.”

“Zanafilla e emrit Presheve është shumë më e hershme se shek. XIV, kohë kur për herë të parë /1379/ përmendet në literaturën kishtare. Rrënja e nocionit Preshevë është shumë më e vjetër dhe burimin e ka nga gjuha pellazgo-ilire, përkatësisht shqiptare, nga emir me rrënjë mbiemërore PRRUSHE sipas bazës topografike, më saktësisht asaj mikrotopografike, sepse vendbanimi i Preshevës, fillimisht shtrihej në një përrua, 1,5 km në perëndim të qendrës së sotme të këtij qyteti. Në këtë mënyrë, sipas emër vendit

PËRRUE/dialekti geg.vendor/, ku shtrihej fillimisht ky vendbanim është emërtuar në trajtën mbiemërore PRRUSHE /që gjendet në përrue, që shtrihet në përrue/ nga banorët e atëhershëm. Kështu rrënja e emrit Preshevë është krejtësisht kuptimplote.

Emri parahistorik PRRUSHE i vendbanimit të Preshevës së sotme, më vonë është trashëguar te popujt e ndryshëm pushtues të kësaj treve.

…Këtë hipotezë mbi prejardhjen e emrit Preshevë nga mbiemri

PRRUSHE e përforcon shqiptimi i mbiemrit të sotëm të Preshevës nga katundarët

e Malësisë së Karadakut të Preshevës në periudhën e para LDB, kur

ai shqiptohej në trajtën PRRUSHE, pra si mbiemër i emërzuar. Mbas kësaj

lufte fillon të shqiptohet PRRUSHEVË , në këtë rast, duke përdorur

prapashtesën vë-në, si emër prapashtesor.”

TOPONIMET E PRESHEVËS

ARAT E ÇIFLLAKIT – tokë nën Hekurudhën kah Atari i Zhunicës

ARA E LOMËS –  arë në fushë të Preshevës, ndërmjet Allajve dhe Te bunari ku dikur fshinin drithnajet e fushës, para se të kalojnë të fshirat te Loma e Majancës dhe nëpër shtëpia.

BAHÇET – kopshtet e Mëhallës së Rrahmonëve dhe të tjerat për rreth tyre udhës së Vorreve.

BIRA E KAÇAKËVE – gjendet në malin Vaçë, birë, shpellë në të cilën janë fshehur  11 deri 13 kaçakë, siç i quanin at kohë. Për ate edhe ajo birë-shpellë e vogël ku ishin vendosur kaçakët e Preshevës  e mori emrin “Bira e Kaçakëve”. Gjatë qëndrimit të tyre te “Bira e Kaçakëve”.

BIRAT TE KODRA E ALIMETËVE – dy birra që gjenden në Kodrën e Alimetëve.

BRINJA E PRESHEVËS – në very-perëndim të qytetit të Preshevës, vendbanim dhe varreza të vjetra.

BUNARI  i Haxhi Maliqit, në udhën e Vorreve, më poshtë se bunari i Haxhi Muharremit.

BUNARI  i Haxhi Muharremit të Rrahmonëve, në udhën e Vorreve, i ndërtuar më 1940.

BUZALLUKI – përpara vend me kullosa, tash ara që punohen në të djathtë të qytetit.

CURRILI – vend ku bie uji curril, te Kisha, ku laheshin fëmijët dhe të rinjtë e Preshevës.

ÇARSHIA – Çarshia e Preshevës, në qendër të qytetit dhe për shkak të nevojave të tregtisë dhe zanateve karakterizohet me dyqane dhe mehane të shumta. Ato janë të vogla, njëkatëshe, të ndërtuara me tjegulla dhe me dërrasa. Hanet si ndërtesa të mëdha janë të pakta. Më tepër gjenden mejhanet, që janë më të vogla. Ato ishin me mindere përreth mureve.

ÇEZMA E ALIMETËVE –  më parë Kroi i Mëhallës së Alimetëve gjindej para dyerve të Mëhallës së Alimetëve, sepse ajo ishte e mbrojtur me dyerë, poshtë dhe lartë Mëhallës. Më vonë dyert tërhiqen brenda territorit të Mëhallës dhe Çezma bëhet publike. Bejtulla Osmani për Çezmen thotë se ka vjetërsi 300 vjetëshe. Burimi i ujit të Çezmesë ndahet në tri pjesë : tre vëllezër dhe tre burime: për Alimetët, për Shehlerët dhe për Sheh-Halilët.

ÇEZMA E LIMON AGËS – Çezma e Limon Agës  i Mëhallës së Liçajve, në rrugën rajonale Preshevë-Stacioni Hekurudhor-Autostradë, te Livadhet e Qytetit, e cila sipas bashkëbiseduesit Selver Rexhepit të Mëhallës së Liçajve ka vjetërsinë e para 150 vjetëve, e rindërtuar disa herë nga Familja Rexhepi e Liçajve. Bile bashkëbiseduesi thotë: “Kjo Çezme është më e vjetër se Çezma e Madhe te Mëhalla e Kuklarëve.”

ÇEZMA E MADHE – gjendet  në Mëhallën e Kuklarëve.  Është e vjetër dhe i plotëson nevojat për ujë të pijshëm për një mëhallë.

ÇEZMA E VJETËR E TEQESË – gjendet  afër Teqesë, para Tyrbes, pronë e Sheh Salimit, e ndërtuar më 1878, kurse sipas Hixhrës më 1275.

ÇEZMA E ZABELIT – ka marrë emrin sipas Majës së Zabelit, uji edhe sot rrjedhë në te dhe përdoret për kafshët.

DARDHA E HOXHËS – arë e Ali Litunit ndërmjet udhës së Allajve dhe asaj Vorrezave, arë me një trup dardhe ku kanë pushuar punuesit e fushave, ku kanë gjetur flladë.

FYERA – ndryshe edhe fytyra, përmbi Lugin e Blinit,

GRADINA – lokaliteti i quajtur “Gradina” gjendet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Preshevës, rreth 500 m në perëndim të Kishës dhe 150-200 m në lindje, në juglindje të lokalitetit antik ndër Kalanë e Preshevës. Në anën e jugut ajo puthet me kodrat fqinje. Në sipërfaqe të platosë shihen mbetjet e objektit antik, themele gurësh, tjegulla të formatit romak. Po ashtu gjejmë edhe qeramikë të kohës antike të mëvonshme. Thuhet se lokaliteti është i kohës iliro-romake dhe se ka paraqitur vendbanim strategjik.

GURI I BLETËS në Preshevë.

GURI I BOLLËS – sipas një legjende se në fillim të Kodrës-Gurit të Bollës paska pasur shumë bolla të mëdha, për të cilat thuhet se edhe sot dalin nga Gurishtja, por jo në ato përmasa.

GURI I SHPUEM –  gjendet në jugperëndim të qytetit, mbi 20 Mullinjtë e Preshevës, në anën e majtë të Lumit të Preshevës.

“Guri i Shpuem” ishte objekt kulti, në realitet kishë gjysmë e futur në tokë shkëmbore, me zgavër në mes, në brendinë e të cilës hasen freska. Objekti i takonte lokalitetit ilir në Preshevë.

GURISHTJA – gjendet permbi Mëhallën e Kuklarëve, kodër me gur për gëlqere

– përmbi malin Vaçë, ku rrinin thitë e egër,

GURRA E KISHËS në Preshevë

GJERIZAT E KAÇAKËVE – vend në malin Vaçë, ku laheshin Kaçakët e Preshevës, të cilët banonin te Birat e Kaçakëve.

HAMAMI I VJETËR – gjendej në të djathtë të rrugës Ramiz Sadiku, Preshevë- Rahovicë, para Xhamisë së Poshtme, tashti është ndërtuar ndërtesë e re shumëkatëshe.

  1. Rizaj shkruante se në Kazanë e Preshevës, më 1896/7 ekzistonte një banjë publike, hamam afër Xhamisë së Poshtme. Deri në vitin 1912 ishte në shërbim të qytetarëve, ndërsa pas vitit 1912, hamami u përdor për banim nga emigrantët, pastaj në të u ndërtua një mulli elektrik, më 1953. Më vonë shërbeu edhe depo e materialeve ndërtimore e Kooperativës Bujqësore të Preshevës. Në vend të hamamit të shkatërruar plotësisht, më vitin 1987 u ngrit një ndërtesë e banimit kolektiv. Hamami i Vjetër në Preshevë kishte vlera kulturore dhe historike, ishte ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane, në periudhën e ngritjes së hamameve në Shkup, Prishtinë, Vranjë, Tetovë.

HANI I QORVELISË – gjendej në rr. “R. Sadiku” të Preshevës, Mëhalla e Kamberëve, sot te shtëpia e Mitat Veliut, në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë, i ndërtuar më 1805.

HANI I RRAHMONËVE – Hani i Rrahmonëve të Preshevës ishte një kompleks, ku pos hanit, ekzistonte edhe Mulliri, kah lumi i Preshevës, i ndërtuar në fillim të shek. XIX, në Preshevë, në rrugën “M. Tito”. Hani i shërbente edhe udhëtarët, por edhe ata që bluanin e ishin nga larg. Sot është shtëpia në pronësi të Isa Latifit, Mëhalla e Begajve të Preshevës.

HIJA E KEQE – mal i Preshevës në lartësi 997 m, në anën e djathtë të lumit të Preshevës.

HISAR – rrëza e kodrinës së kalasë ku gjendej vendbanimi i lashtë.

KALAJA E PRESHEVËS –  Kalaja e Preshevës së pari u themelua nga Dardanët në shek. IV para erës së re. Ajo gjendet në perëndim të qytetit të Preshevës. Me ardhjen e romakëve në këtë trevë, ata në shek. I të erës së re ndërtuan udhët të shtruara me gurë sipas standardeve ndërtimore të tyre, rindërtuan kështjellën mbi themelet e kështjellës së lashtë ilire, përkatësisht dardane si dhe vendbanimin dardan poshtë kalasë.

Më vonë u rindërtua nga Perandoria osmane dhe serbët.

KARADAKU I PRESHEVËS – është pjesë e masivit të Karadakut dhe përfshin Preshevën dhe shumë vendbanime malore.

KËRKOC – vend i vneshtave në very-perëndim të qytetit.

KISHA E PRESHEVËS –  gjendet në të dalë nga qyteti, në të majtë të rrugës rajonale Preshevë-Gjilan. Ajo ka edhe Kumbonaren, në të cilën kryqi dallon nga i Kishës.

Dera e kishës ishte në perëndim, më vonë është hapur në jug, ku edhe është hyrja zyrtare e lutësve ortodoksë.

KODRA E ALIMETËVE – kodër që gjendet përmbi Mëhallën e Alimetëve

KOLIBET E ÇOBANËVE – shtriheshin rrëzë Majës së Zabelit kah Mëhalla e Kuklarëve, ku ishin të vendosura Kolibet e Çobanëve dhe toriqet e dhenëve.

KROI I KEQ – Çezmë sot-autori, te Mëhalla e Derrajve, te Vreshtat e Preshevës, te Furrat e Qyreçit, në veri të qytetit. Kroi i Keq është i njohur shumë dhe i popullarizuar, sepse më 6 maj, Ditën e Shën Gjergjit , për çdo vit, populli, sidomos vajzat e gratë shkojnë për të kërkuar shëndet, duke i lajtë sytë me ujë Kroi dhe duke i mbushur enët e ndryshme për në shtëpi, ku i stërpikin anëtarët e familjes. Poashtu vajzat e reja, aty shkojnë për të kërkuar njohje dhe dashuri. Kroi i Keq më shumë vizitohet nga Romët, të cilët atë ditë e kanë festë të tyre, edhepse nuk qëndron ky mendim, ka literaturë të bollshme për Shën Gjergjin, në të cilin shprehet mendim tjetër mbi Shën Gjergjin.

KROI I MAHMUTIT – gjendet  përmbi Mëhallën e Kuklarëve.

KROI I YMER EFENDISË –  gjendet në fushë, në Llapincë.

KRONI I MAHMUTIT – arat te Kroni i Mahmutit, mëhallë e baballukëve.

KOZARI-vend ku mblidheshin dhitë e Preshevë

LISI I MATËS – arat që punohen për rreth Lisit të Matës, udhës së drumit /udhë e madhe/.

LIVADHI I SHEHIT – Livadhi i Shehut quhet edhe Livadhi i Shenjtë dhe Livadhi i Fshehtë. Livadhi ishte pronë e Shehlerëve apo pronë e ndonjë Shehu të Preshevës.

Vend në Malësi, me kullosa, disa hektarësh, në të majtë të rrugës Preshevë-Gjilan.

LIVADHI I VALËS/VALEVË/ – Livadhi i Valës gjendet në vendin e quajtur Valë. E quajnë edhe Livadhi i Selver Ramadanit, përshkak të pronËs së tij: aty janë arat e tij, livadhi  ka ujë të bollshëm, natyrë me ajër shumtë të shëndetshme. Bile, shumë më herët kam ndëgjuar se këtë vend e kanë kërkuar për sanatorium, ku do të shëroheshin  të sëmuritë nga frymëmarrja dhe mushkëritë.

LOMA E MAJANCËS – gjithë Mëhallën e Kuklarëve e  lidh një strumbullar, një territor, në mes të të cilit  gjendet Loma e Majancës. Në të  kanë fshirë drithnaja banorët e Mëhallës së Kuklarëve, por edhe të Mëhallëve të tjera dhe më gjërë. Në këtë vend kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera :  lojërat e fëmijëve, të të rinjve, bisedat e të mëdhënjve dhe të Pleqëve të Mëhallës, për probleme jetësore, politike, fetare.

LUGI I BLINIT – lug i blinave, në të dy anët e tij kishte stane dhe ishte i pasur me kullosa.

LUGINA – fushë, arat  ndërmjet rrugës që shkon për fushën Izvor dhe për Zhunicë

LUMI I PRESHEVËS –  ka burimin në malin Ostrovicë /1100 m/, në rrjedhë teposhtë dhe në hyrje të qytetit, te Mullinjtë e Preshevës  merr një përrockë, që vjen nga perëndimi. Deri këtu rrjedha e lumit është në drejtim veri-lindje, ndërsa prej këtu merr drejtimin lindor. Lumi kalon nëpër qytet, deri më 1912 kaloi nëpër qendër të qytetit dhe rrugës së sotme të Ramiz Sadikut, teposhtë Mëhallës së Karavelive dhe Kamberëve, ndërsa pas këtij viti shtrati i rregullohet drejtë rrugës së sotme të Rinisë, teposhtë Mëhallës së Liçajve, Rrahmonëve,Berajve dhe Gollomehëve. Kështu te Stacioni Hekurudhor pranon lumin e Norçës dhe derdhet në Moravicë.

LLAPINCA – fusha, arat në të djathtë të udhës Preshevë- Stacioni Hekurudhor, tashti po urbanizohet dhe po ndërtohen shtepi e komplekse ndërtesash,

MALI HIJA E KEQE është mal karakteristik i tipit këllëf, shtrihet menjëher në perëndim të livadhit të Shehut. Ka shtrirje JJB – VVP. Gjatësia e tij është afërsisht 1 km, lartësia mbidetare 997 m. Me formën e tij dallohet nga të gjithë malet e tjera në Malësinë e Karadakut.

MANASTIRI I PRESHEVËS – gjendej në jugperëndim të Preshevës, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, mbi kishën dhe ndër Kalanë e Preshevës ose aty te vendi i quajtur Te Mullinjtë e Preshevës.

MAXHERESHTINA – fushë e Preshevës që gjendet në jug-lindje të Rahovicës.

MERAJA – vend kullosë, djerrinë, tokë djerrë, ledinë.

MËHALLA E DOGANËVE – shtrihet në të djathtë të lumit të Preshevës

MËHALLA E KUKLARËVE –  shtrihet në anën e majtë të lumit

Emri i Mëhallës së Kuklarëve nuk dihet saktësisht qysh ka mbetur, edhe pse shumë pleqë të kësaj Mëhalle dhe Trifunoski e vërtetojnë  me sinonimin Kukës-Kuklar.

MËHALLA E SHEH-HALILËVE DHE E ALI-METËVE – shtrihen në anën e majtë të lumi. Këto dy mëhalla janë të një gjaku.

MAJA E ZABELIT – maja e malit-kodrës që quhet Zabel përmbi Mëhallën e Kuklarëve, e cila ka kullosa për dhenë, dhi dhe kafshë të jera.

MORAVICA –  fusha e Preshevës përfshin fushën e Preshevës dhe të disa vendbanimeve: Zhunicë, Çukarkë, Bukuroc, e tjerë

20 MULLINJTË E VJETËR – Në Preshevë ka pasur mullinj shumë të hershëm. Ata janë ngritur në lumin e Preshevës, shumica në kohën e Turqisë. Disa kanë  më shumë se 150 vjet. Këta mullinj janë: Mulliri i Shaip Miratocit, në jug të lumit, te Mëhalla e Kajallarëve; Mulliri i Kadri Mullinxhisë, në jugperëndim të lumit, te Mëhalla e Karaponxhëve; Mulliri i Maksut Karavelisë, te Kisha; Mulliri i Qorvelisë, te Kisha; Mulliri i Horosanëve dhe Majancalive, te Kisha; Mulliri i Rashëve, te Currili te Mullinjtë; Mulliri i Karavelisë; Mulliri i Haxhi Halimit, te Mullinjtë;  Mulliri i një serbi, te Mullinjtë; Mulliri i Ymer Efendisë; Mulliri i Hanucëve; Mulliri i Karaponxhëve; Mulliri i Stanojës; Mulliri i Laz Norçës; Mulliri i një serbi; Mulliri i Arif Kurbalisë-Nuhallarëve; Mulliri i Behë Kurbalisë; Mulliri i Kadri Norçës; Mulliri i Jonuz Kurbalisë dhe Mulliri i Zejnë Kurbalisë.

PËRZHARI – lokaliteti që gjendet në perëndim të Preshevës, në të majtë të udhës Preshevë-Gjilan. Këtu janë gjetur varreza të vjetra, që i përkasin shek. I para Krishtit. Pozita e varreve ishte në drejtin lindje-perëndim, që vërteton origjinën dardane të varrezave.

PRRONI I KISHËS-gjendet në kompleksin e Manastirit të Preshevës, në të djathtë të udhës Preshevë-Kurbali.

PUSI I KAUT TË EGËR në Ostrovicë.

QERAMIDHA – fusha, arat ndërmjet preshevës dhe Stacionit Hekurudhor, dheu përdorej për tjegulla, qeramidhe.

RRETHI – kodër në formë rrethi, rreth 300-400 m në lindje nga Kisha gjendet Rrethi, në të cilin është gjetur një pitos antik. Poashtu, sipas fjalëve të vendasve është gjetur edhe një Varr, por origjina dhe konstrukcioni nuk janë vërtetuar.

TE ALLAJT – vend në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë,  për fushë, për te Arat Te Bunari, ku në dasmat e Preshevës ndodhnin vrapimet e kuajve dhe te vrapuesve, po edhe luhej vallja deri sa arrinin në cak kuajt dhe vrapuesit.

TE BUNARI I FUSHËS – arat te  plehrat ku bashkohen udha e Allajve dhe udha per Maxhereshtinë, Kroni i takonte Mëhallës së Binajve, të cilët dhanë një arë për ta mbajtur.

TE FUSHA E THIVE – PUSAT – vend malor me ujë, ku kafshët pinin ujë,

TE LLUGA E POSHTME – fushë, arat  ndërmjet udhës Rahovicë-Zhunicë dhe Preshevë- Izvor

TE MOLLAT – vend  në Vaçë, vend me molla,

TEQJA E PRESHEVËS –  gjendet afër Xhamisë së Vjetër, u ndërtua në mes të viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti”.

UDHA E FRENGIT – hekurudhë, të cilën e ndërtoi qeveria françeze më 1888 e që lidh Beograd-Nish-Preshevë-Shkup-Selanik.

UDHA E LIVADHEVE – livadhet e Preshevës në të majtë të Udhës Preshevë-Stacioni Hekurudhor.

UDHA E NEMCIT – ku ushtria e gjeneralit austriak Pikolomini (1690) kaloi nëpër Karadak dhe që nga ajo kohë udha kryesore Preshevë-Gjilan është quajtur Udha e Nemcit. Bile sipas legjendës ekzistojne disa rrugë, nëpër të cilat kaloi kjo ushtri.

VAÇA/VAÇKA/ – vendbanim i vjetër në karadakun e Preshevës, gjendet në anën e djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan.

VALA – vendbanim i vjetër në Karadakun e Preshevës, gjendet përmbi Preshevë. Toponim me Valevojt te Kurbalia.

VILA LETAFET – shtëpi, vilë është e ndërtuar më 1936. në rr. e Gjilanit, pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Në këtë objekt për herë të parë u hap shkolla fillore në Preshevë, në gjuhën shqipe, më 7 shkurt 1945. Shkollën e hapi me një fjalim të rastit Abdulla Krashnica, sekretar i Komitetit te Rrethit të Preshevës, ndërsa mësues ishin Hilmi Qerimi, Demirali Ibrahimi, Abdullah Ukshini, Dilaver Osmani, Lutfi Ahmeti, Isa Selimi, Kadrije Kelmendi.

Në Vila Letafet kati i parë u përdorë për mësim, ndërsa i dyti për banim të mësuesve.

XHADEJA E VJETËR – Xhadeja e Vjetër apo Xhadeja e Mithat Pashës u ndërtua më 1863-1985  dhe kjo rrugë lidhte shumë qendra të atëhershme tregtare veri-jug dhe jug-veri-Vranjë-Bujanoc-Preshevë-Kumanovë-Shkup.

XHAMIA E RE – Xhamia “Xhamiul-Xhedid ” u ndërtua më 1878, kurse është rindërtuar më 1983. Në murin e oborrit të Xhamisë gjendet Çezma e Xhamisë, me mbishkrim dhe në oborr të Xhamisë gjendet edhe Shatërvani i Xhamisë.

XHAMIA E VJETËR – Atik Xhamija e ndërtuar më 1628 nga Ibrahim Pasha, ashtu edhe e mban emrin, në qendër të qytetit të Preshevës.

PËRFUNDIM

Për hartimin e librit: “ Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës”, duke kërkuar mbështetje, përkrahje, por edhe këshilla, sygjerime e propozime të mirëseardhura pata një bisedë me Akademik Rexhep Ismajli, pos të tjerave,  më porositi që të mbledh sa më tepër toponime të vendbanimeve të Preshevës.

Pra, në këtë punim u mundova që sa më tepër të mbledhë toponime, të jap shënime mbi toponimet e Preshevës. Sa kam arritur që ta realizoj idenë e përmendur, do të shihet atëherë kur punimi të bie në dorë të lexuesit dhe ai e vlerëson dhe shprehet pozitivisht për të.

Jam i vetëdijshëm se ideja e realizuar është fillestare, të shkruhet për toponimet, por i mbetet gjeneratave të ardhme dhe studiuesve të rinj të hulumtojnë edhe më tepër në këtë lëmi dhe ta lëvrojnë në mënyrë studiuese, shkencore çdo aspekt lëminë e përmendur, faktikisht më thellësisht ta spjegojnë gjenealogjinë e toponimeve të Preshevës.

Me këto pak të dhëna të paraqitura në këtë punim, nuk mund të thuhet se është shterur së shqyrtuari e studiuari e gjithë ajo lëndë e vlefshme toponimesh të Preshevës. Është kjo vetëm një ndihmesë e vogël për të motivuar dijen tonë, ta ruajmë trashëgiminë e toponimeve në kujtesë të gjeneratave të ardhshme, përndryshe trashëgimia kulturore, në këtë rast toponimia po shkojnë drejt tretjes si kripa në ujë, siç shprehej profesor Eqrem Çabej, e të cilat, po edhe deshëm t’i kemi dikur, në qoftë se nuk mblidhen e studiohen sa më parë, nuk do t’i kemi ose do të jenë ndryshe nga ato që janë sot.

Në këtë punim shkrova vetëm për toponimet e Preshevës.

Në fund mun të themë se toponimet e Preshevës janë shumica më origjinë shqiptare, afro 80 toponime, ndërsa në gjuhën slave janë vetem 3 toponime.

REFERENCAT

Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931
Cvijic, Jovan, Geografski polozaj i veze, Govori i clanci, Sabrana dela, tom 3, Geografske osnove makedonskog pitanja, str. 148
Hadzi-Vasiljevic, Jovan, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913
Kelmendi, Fehmi, Kush janë Shqiptarët, Tetor 1990
Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
Kncov, Vasil, Izbrani proizvedenia, tom 2, Sofia, Nauka i iskustvo, 1970
Kostic, Mihajlo, Presevska dolina, Vranjski glasnik, knj.V, Vranje, 1969

Ndrecaj, Mikel, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Prishtinë, 1986

Papazoglu, Fanula, Srednjobalkanska plemena u predrimsko doba : Tribal, Autarijati, Dardanci,Skordisci i Mezi, Beograd, Equilibrium, 2007
Papazoglu, Fanula, Iz istorije antickog Balkana, Beograd, Equilibrium, 2007
Petrov, Gj., Materiali za izucavaneto na Makedonia /Materiale për studim në Maqedoni/ , Sofia, 1896,
Petrovic, Tomislav, Svetislav, Presevo, Istorija i sudbina, Jagodina, 2009
Rizaj dr.Skender, Kaza Presova 1896/97. godine, Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968
, Rizaj dr.Skender, Vilajeti I Kosovës/1877-1912/, Vjetari nr.45-46, Prishtinë, 2011

Stojanovski, Aleksandar, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985
Trifunoski, Jovan F. , Presevo, Beograd, 1951
Vukanovic, Tatomir, Presevo, Vranje, 1966

Wikipedia, Enciklopedia e lirë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok