23/11/2024

Nga Blerim Rrecaj

Pasi rihapi mesengjerin, pa një fotografi që i kishte dërguar një i afërm i tij. Ai e kishte parë këtë fotografi të postuar tek dikush që e njihte. E shikoi. Dhe u kthye në kohën që shkoi. Iu duk fotografia dramatike, që paraqiste një protestë në Tiranë, në mbështetje të Kosovës që po përjetonte çaste të vështira. Siç dukej fotografia ishte bërë nga një fotoreporter a fotograf shumë i zoti, dhe i pëlqeu shumë. Sepse fliste, siç edhe thonë, më shumë se një mijë fjalë. Në qendër të fotos ca studentë, të lidhur krahpërkrahë, secili duke mbajtur shkronjat me ngjyrë gjaku që formonin emrin: KOSOVA, pas tyre protestues të tjerë, e një parullë e ngritur lart po me ngjyra gjaku me mbishkrimin: LIRI A VDEKJE. Muzg para natës dhe elemente të tjera. U kthye te ajo kohë e ndërlikuar, e trazuar me ndjenja të përziera, të turbullta, të dhembshme, me shpresëdhënëse e krenare. Iu kujtua periudha kur qëndronte nëpër Tiranë me të afërmin e tij dhe gjithë atë numër studentësh që u strehuan, arsimoheshin, e përpiqeshin, duke parë me sy e vesh nga pjesa tjetër e atdheut, nga Kosova që përpiqej t’i hiqte zingjirët e robërisë shekullore. Përpos mësimeve, mbaheshin shumë tubime, manifestime, përkrahje, (derisa shumë nga politikanët ishin të përçarë, si këtej e si matanë kufirit artificial), populli bënte çmos t’i ndihmonte e t’i përkrahte sa mundte studentët që nuk ishin aspak të qetë, pasi që ngjarjet sa vinin e rëndoheshin. Profesorët, flisnin fjalë e u thonin se ne u kuptojmë se pse u ka humbur vëmendja e koncentrimi, e rrugës njerëzit që shihnin këtë shqetësim nëpër sytë e të rinjve e të rejave, ishin fjalëmbël, e duke ua shtuar shpresën e vetëbesimin, në këto kohë kaq të turbullta. Njerëzit me gjithë hallet e vështirësitë, dinin ta ndanin dhembjen e t’ua zbusnin shqetësimin. Tirana dhe mbarë Shqipëria, tashmë vlonte me sytë nga Kosova, pas ngjarjeve të trishta që sapo kishte kaluar vetë. Në një protestë ku u pat mbushur gjithë sheshi me qytetarë, u dha një porosi e fuqishme për të gjithë, jemi një shpirt e një trup, që plagët na dhembin e do i shërojmë. Besimi, shpresa e guximi po bëheshin bashkë. Me gjithë vështirësitë e traumat, ndarjet shekullore, e të përbashkuar po vazhdonte rruga drejt fitores. Studentët po mobilizoheshin për të dhënë kontributin e tyre. Ndodhën ato që ndodhën. Rrezet e lirisë u shtrinë edhe mbi Kosovën. Sikurse këngëtari Gafur Murati, që dikur këndonte me gjithë zemër këngën “Prishtinë faleminderit”, edhe ne me gjithë zemër themi: “Tiranë faleminderit!” Jemi e do të jemi përjetësisht bashkë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok