23/12/2024

Tipologjia e qeverisjes autoritare dhe rasti specifik i Shqipërisë së sotme!

0
Enver-Bytyci

Nga Prof. Asocc. Dr. Enver Bytyçi

Autoritarizmi është një term që rrjedh nga gjuha frënge. Kuptimi i saj lidhet me influencën e një individi ose grupi personash në qeverisje dhe institucionet e saj.Sipas politologëve autoritarizmi përshkruhet si formë e qeverisjes mix midis demokracisë dhe totalitarizmit. Juan Linz zbulon tri tipare definitive të tij.

  1. Pluralizmin e kufizuar e të kontrolluar
  2. Qeverisjen e pabazuar në ndonjë ideologji të formuluar qartë.
  3. Mobilizim ekstensiv dhe intensiv të grupeve shoqërore.

Duke iu përgjigjur kritikave për autoritarizmin në drejtimin e shtetit në Rusi, ish-presidenti i Rusisë, Boris Jelcin në vitin 1993 përgjigjej: „Çfarë prisni ju? Në një vend, i cili është mësuar të drejtohet nga carët dhe udhëheqësit komunistë; në një vend, në të cilin ende nuk janë formësuar grupet e interesit dhe interesat barten nga partitë politike; në një vend, në të cilin nihilizmi është i justifikuar në çdo familje, ju doni që në njëvend  të tillë të delegohen kompetencat te parlamenti“?! Dhe më poshtë ai vazhdon: „Çdo kohë sjell ekuilibrin e saj të pushtetit… Sot ky ekuilibër anon nga pushteti i Presidentit“.

Por a është ky rasti i Shqipërisë? Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale dhe as Republikë Semi-presidenciale. Vendi ynë është një Republikë Parlamentare. E megjithatë ajo ka rrëshqitur në një sistem autoritar të qeverisjes së saj. Balanca e pushtetit tek ne anon nga ana e kryeministrit, aq sa ai vetë u bën thirrje qytetarëve të qeverisur që ta thërrasin atë si “babain e kombit”!

Ndaj regjimet autoritare kanë legjitimitet të cunguar. Max Weber përshkruan tri forma të legjitimitetit: Formën tradicionale, karizmatike dhe racionale. Për sistemin autoritar vlejnë forma tradicionale dhe karizmatike e legjitimitetit, që do të thotë se qeverisja është më shumë rol aktorësh sesa një drejtim me përgjegjësi dhe i moralshëm politik i shtetit. Në qeverisjen autoritare më shumë vlejnë fjalimet e bukura, sesa veprat në praktikë, më shumë vlerësohet karizma e udhëheqësve politikë, sesa përkushtimi, energjia dhe drejtimi i bazuar në shtetin e së drejtës.

Shqipëria e Edi Ramës aplikon një sistem qeverisës tipik tradicional jo legjitim me konotacion dhe me tiparet e sistemit totalitar komunist, por të modifikuar në kushtet e sotme të qeverisjes në vend, në rajon e më gjerë. Ato që shkruan sociologu i shquar Max Ëeber janë tiparet më karakteristike të qeverisë së Edi Ramës.

Një shoqëri me probleme të mëdha ekonomike e të nivelit të jetesës si kjo e jona prodhon politikanë grykësish, që nuk duan t’ia dinë për interesat e vendit e të kombit. Për pasojë ndodh përqëndrimi i autoritetit të pushtetit te një person ose te një grup personash me interesa të gërshetuara financiare, politike dhe ekonomike. Kësisoj drejtimi autoritar çon në mosfunksionimin e rregullave të demokracisë në të gjitha hallkat e sistemit, duke filluar të zgjedhjet e lira e të ndershme e deri te formulimi i ligjeve.

Tiparet themelore të sistemit autoritar në Shqipëri përkojnë plotësisht me tiparet e çdo lloj autoritarizmi në botë. Ndërsa në vendet demokratike konkurojnë alternativat, idetë dhe programet politike, në vendet autoritare kunkurenca zhvillohet përmes retorikës së politikanëve.

Sistemi autoritar si rregull është një qeverisje me institucione të centralizuara. Eshtë sistem, në të cilin përgjegjësitë dhe retorikat personalizohen, ndërkohë që ndarja e pushteteve ekziston formalisht. Për pasojë pushteti koncentrohet në duart e një personi ose të një oligarkie personash. Edhe vendet problematike me trafiqet, me drogën dhe kriminalitetin lehtësisht shndërrohen në vende me regjim autoritar të qeverisjes. Lexuesi është në gjendje vetë të dallojë nëse ky është ose jo gjithashtu rasti i Shqipërisë së sotme.

Elementi themelor i raporteve midis drejtuesit kryesor dhe instrumenteve të dhunës në një vend me regjim autoritar është ushtrimi i pushtetit nga lart-poshtë. Kjo do të thotë se policia  prokuroria dhe gjykata e në raste të caktuara ushtria bëhen instrumente në duart e kreut të shtetit. Ato veprojnë sipas një orientimi politik të tij dhe në përgjithësi mbajnë nën presion opozitën, shoqërinë civile e median .

Sa i përket tipologjisë së aplikimit të sistemit autoritar të qeverisjes në Shqipërinë e ditëve tona si dhe në shumë vende të lindjes e disa të rajonit, mund të thuhet se kjo tipologji përkon me trajtesat teorike të kohëve moderne. Tipologjia e sistemit autoritar është e ndryshme në vende të ndryshme. Por tiparet dalluese të tyre janë afërsisht të ngjajshme.

Regjimi burokratik-ushtarak.  Ky system bazohet te karizma ushtarake. Nuk shfaq kurrëfarë lojaliteti, nuk është system i qëndrueshëm dhe vjen në pushtet kryesisht pasi ka rrëzuar një qeverisje demokratike. Tipare kryesore të këtij regjimi janë mentaliteti pragmatik, paaftësia për politikë dhe drejtimin e shtetit, si dhe paraqitja karizmatike e drejtuesve të këtij regjimi. Tajlanda dhe regjimi i Musharafit në Pakistan para më shumë se një dekade janë shembulli tipik. Por edhe te ne duken qartë karakteristika të tilla të drejtimit të shtetit.

Sistemi autoritar korporativist, ushtron prezantimin e interesave të korporatave dhe kompanive të fuqishme të biznesit. Ky system bazohet kryesisht në administrimin e kontrolluar prej oligarkëve. Eshtë një sistem kompleks nga pikëpamja ekonomike e financiare, sepse e ushtron diktatin e tij përmes mjeteve teknokratike e autoritare. Në këtë rast grupet oligarke i mbrojnë interesat e tyre më mirë përmes fasadave demokratike dhe veprimeve korruptive të pushtetit. Nëse analizojmë veprimtarinë e sotme në nivel qendror e lokal, lehtësisht do të vemë re se si në Shqipëri aplikohet në gjithçka ky model i qeverisjes. Propagandë, fasadë, alibi të panumërta për të fsheh autoritarizmin e favorizimin në funksion të kompanive të fuqishme të biznesit, me të cilat bëhet gjithashtu korrupsion.

Sistemi autoritar mobilizues është një nga tipologjitë e qeverisjes autoritare. Në këtë sistem qeveria identifikohet me një lloj forme legjitime emocionale, nëpërmjet të cilës sigurohet pjesmarrja në shumicë e qyetarëve në mbështetjen e qeverisë. Kësaj kategerie i takojnë gjithashtu  regjimet mobilizuese postkoloniale e post diktatoriale, ku shfaqet një lloj pluralizmi i kufizuar dhe i reduktuar. Në këtë lloj modeli autoritarizmi përpiqet që të imponojë idenë se lideri autoritar është “më i miri”, madje vetëshpallet si i vetmi “shpëtimtar”! Pra bëhen përpjekje për të injektuar mobilizimin emocional. Shembuj të tillë qytetarët shqiptarë i shohin çdo ditë në ekranet e televizioneve.

Etnokracia dhe demokracia rracore. Kjo lloj qeverisje bazohet kryesisht në përjashtimin e grupeve etnike, minoriteteve dhe rracave të ndryshme nga vendimmarrja. Shoqërohet me masa represive e konsiderohet si politikë e përçarjes. Diskriminimi është tipari themelor i këtij tipi regjimi. Afrika e Jugut përmendet si modeli tipik i qëverisjes së “demokracisë rracore”, por shembuj të etnokracisë në qeverisje ka shumë. Më i njohuri për ne shqiptarët është regjimi serb i Sllobodan Milosheviçit në Kosovë në periudhën 1989-1999. Ndërsa në Shqipërinë e sotme ka jo pak simptoma të aplikimit të këtij modeli përmes angazhimit të kreut të ekzekutivit për përçarje e diskriminim krahinor, politik, fetar, sidomos në aspektin e planifikimit financiar, të investimeve dhe taksave.

Autoritarizmi posttotalitar. Shembull tipik i këtij lloj autoritarizmi janë vendet ish-komuniste, të cilat dolën nga sistemi totalitar për t’u shndërruar në vende demokratike. Secili prej këtyre vendeve ka kaluar një periudhë të caktuar me qeverisje autoritare, sepse pluralizmi dhe demokracia nuk marrin jetë në afat të shkurtër kohor. Por ndodh që edhe pas një periudhe të një demokracie me defekte të rikthehet modeli autoritar i qeverisjes. Edhe në këtë aspekt tipik është vendi ynë, ashtu si edhe rasti i Hungarisë.

Sa u tha  më sipër vijmë te përfundimi se Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër i rajonit po kalon një fazë të rrezikshme të rikthimit në një sistem të ngjajshëm me totalitarizmin, por që klasifikohet si autoritarizëm. Në vendin tonë u bënë përpjekje të shumta për ta përjashtuar nga roli i saj opozitën reale dhe për të promovuar një pluralizëm fals, pra një opozitë false, me të cilën u bënë ndryshime kushtetuese. Ndërsa veprimtaria shtetërore është e pabazuar në një ideologji të caktuar. Qeverisja ka orientim pragmatist dhe adresohet te ata faktorë të brendshëm e të jashtëm, tek të cilët mund të mbështetet pushteti autoritar.

Nëse qytetarët shqiptarë do të lejojnë që edhe më tej ky model të marrë fymë në qeverisjen e vendit tonë, atëherë do të ishte shumë e vështirë që të kalohej nga autoritarizmi në demokraci me mjete demokratike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok