THIRRJE KOMBËTARE: ADN-ja e shqiptarit është e shkruar me Shkodrën, Prizrenin, Vlorën dhe Prekazin
Manifest për unitetin, kujtesën dhe pavdekësinë e kombit shqiptar
Nga Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Sot, më shumë se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë të kthehet te vetja, te rrënjët, te historia, te kujtesa dhe te ADN-ja e tij shpirtërore.
Sepse kombet që harrojnë rrënjët, rrezikojnë të humbasin të ardhmen.
Prandaj, le të thuhet me zë të lartë, me krenari dhe me përgjegjësi historike:
në ADN-në e çdo shqiptari jetojnë Shkodra, Prizreni, Vlora dhe Prekazi legjendar.
Kjo është ADN-ja jonë kombëtare.
Kjo është vula e identitetit tonë.
Kjo është dëshmia se jemi një komb i lashtë, i pathyeshëm dhe i pavdekshëm.
Shkodra është mendja jonë kombëtare.Ajo është djepi i kulturës, i qytetërimit, i dijes dhe i rezistencës shpirtërore. Në të buron fjala shqipe, arti, mendimi dhe krenaria qytetare shqiptare.
Prizreni është zemra jonë kombëtare.
Aty u farkëtua ideali i bashkimit dhe i mbrojtjes së trojeve shqiptare. Aty historia mori zë dhe kombi fitoi vetëdije.
Vlora është shpirti ynë shtetformues.
Ajo është flamuri ynë, pavarësia jonë dhe sovraniteti ynë historik. Kripa e saj është kripa e sakrificës dhe e lavdisë.
Por mbi të gjitha, në damarët e çdo shqiptari pulson Prekazi legjendar.
Prekazi është gjaku i lirisë. Aty, me Adem Jasharin në krye, u ngrit altari më i lartë i flijimit kombëtar. Aty liria mori emër, mori gjak, mori pavdekësi. Prekazi na mëson se kombi nuk mbahet vetëm me fjalë, por me sakrificë, me besë dhe me amanet.
Sot, kjo është thirrja jonë: Të ruajmë Shkodrën në mendje, Prizrenin në zemër, Vlorën në shpirt, dhe Prekazin në gjak.
Le të bashkohemi rreth këtyre katër shtyllave të shenjta të kombit. Le të edukojmë brezat e rinj me kujtesën e historisë sonë. Le të mos lejojmë që ndarjet politike, kufijtë administrativë apo dallimet krahinore ta zbehin qenien tonë kombëtare. Sepse ne jemi një komb. Një gjuhë. Një flamur. Një histori. Një ADN kombëtare. Kjo është thirrja e kohës.
Kjo është amaneti i të parëve.
Kjo është përgjegjësia jonë ndaj brezave që vijnë.
Rroftë kombi shqiptar!
Rroftë uniteti mbarëkombëtar!
Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë!
