THETHI, TURIZËM NË RRITJE
(Vazhdimi i një reportazhi të para tre viteve)
NGA NDUE DEDAJ
Shkuam dhe këtë verë në Theth, si qindra e mijëra të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, sepse Thethi nuk është më i vetes, një fshat në Alpet Shqiptare që ka një lumë, disa shtëpi alpine që tymojnë pareshtur, një kishë, një shkollë, burra dhe gra që japin e marrin me gurin e malin për të nxjerrë bukën e tamlin prej tij, pleqnarë, luftëtarë, shtegtarë, rapsodë dhe një kryeplak që ujdis punët e fshatit. Jo, Thethi dhe kur nuk kishte mbërritur këtu, ishte një emër i pashmangshëm, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur tregtarët shkodranë e “zbuluan” atë si vend çlodhës dhe nisën të hapnin rrugën e gjatë e të largët, me tërmale, kthesa e teposhte sa askund tjetër, që pastaj e mori në dorë qeveria – është publikuar kohët e fundit një foto e përurimit të saj më 1938 nga ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Rrok Gera. Malësorët e këtyre malësive ndihen krenarë për historinë e tyre që vjen dhe përmes këngëve të Nik Çarkut, kënduar në “Sofrën e Dukagjinit” mes Nju Jorkut etj. Vlerat e trashëgimisë të kësaj treve i kanë çmuar dhe dijetarë të huaj, si Robert Elsie, që e pati lënë “amanet” ta kishte varrin në Theth, para të cilit ndalemi sa herë vijmë këtu.
Thethi është një areal krejtësisht tjetër nga i dikurshmi, një qytezë alpine me rreth 90 bujtina e resorte turistike, ku në të tilla qenë kthyer së pari kullat e banorëve. Teksa flasim për këtë shndërrim, Besiani kujtohet për njërin nga arkitektët e zhvillimit të turizmit malor, Ismail Bekën, që përmes mbështejes së GIZ-it zhvilloi nismat e para të kullave-bujtina për turizëm familjar në Theth, Kelmend, Pukë, Valbonë, Dibër etj. Ai nuk rron më, por ka mbetur i paharruar emri i tij si promovues i zhvillimit të vendit të vet. Kemi qenë dhe para tre vitesh këtu dhe ndryshimi është i dukshëm, në njëfarë mënyre i përditshëm. Rruga e asfaltuar nga Qafë-Thorja e ka bërë Thethin një “lagje” të epërme të zonës urbane nga Kopliku në Shkodër. Rruga e ngushtë sipër humnerës, që ishte makthi i udhëtarëve vendas dhe turistëve, është rikonstruktuar me murembajtës, e qarkullueshme dhe në dimër.
Thethi sot flet të gjitha gjuhët, pasi turistët e huaj janë dhe “banorët” më të shumtë të tij. Është një qytezë alpine që punon katër-pesë muaj dhe pastaj zbrazet në më të shumtën e kohës. Por nëse brenda “shtëpisë” çdo gjë po shkon në përmirësim dita-ditës, pjesa e jashtme publike nuk ka ndonjë gjë pozitive për t’u shënuar, as trotuare e kalldrëm në rrugët gjithë pluhur, as stola e parqe, lumi i Shalës nuk ka ura të vogla druri për kalimin e turistëve dhe mbi të gjitha ka shumë gardhiqe, që ndajnë bujtinat nga njëra-tjetra, arat dhe livadhet e pronarëve të tokës. “Nuk bahet turizëm me gardhe”, na thotë Ndoci i bujtinës “Buni i Shqipes”. Pak si e habitshme është se dhe kisha, në vend që të ndikonte për heqjen e gardheve, krahas rikonstruksionit si godinë, është rrethuar dhe vetë me gardh dhe për të hyrë në oborrin e saj duhet të ngjitesh katër-pesë shkallë dërrase. Me gjasë për të mos livadhisur lopët e fshatit, çka mund të ishte zgjidhur në një mënyrë tjetër. Edhe pse është shtuar kujdesi mjedisor për pastërtinë, ende aty-këtu vëren papastërti. Kishte tërhequr vëmendjen një turiste kosovare e martuar me një amerikan që mblidhte mbeturinat dhe i hidhte në kosh, duke mbetur e vetme në “nismën” e saj qytetare. Teksa shohim të shërbehen gatime të llojllojshme, mendja na vete të kuzhina vendase, por ajo nuk ka shumë duk, jo se ka dhe kuzhinierë të huaj që gatuajnë këtu, po se ende Thethi që po shndërrohet në industri e turizmit malor nuk ka fermën dhe fermerët e vet. Mund të gjesh ujë Dajti nëpër bujtina(?), por jo dhallë vendi, pasi tufat janë e s’janë. Dedë Çobani, njëri nga blegtorët në zë, ka mbi 500 krerë dhi, dele e lope, çka është për t’u përshëndetur, por sa e zbut kjo shifër bagëtish “urinë” e Thethit për prodhime bio mishi dhe bulmeti? Ka dhe ndonjë tufë tjetër, ashtu siç thethianët furnizohen me prodhime blegtorale e bujqësore dhe nga fshatrat e tjerë të luginës së Shalës. Fjala është për më shumë agroturizëm, ndaj të vjen mirë kur shesh se kanë filluar serat e para të perimeve. Është si kudo dhe problemi i punëtorëve, thotë Lini e bujtinës “Zorgji”, nuk ka punëtorë për sezonin turistik, aq më tepër t’i gjesh të trajnuar e shkolluar për turizmin. Turistët bëjnë vërejtje për shërbimin e çmimet, ku siç thotë njëri nga bujtinarët “edhe më i miri ndër ne nuk është aty ku duhet të jemi”, pra në standardin e kërkuar. Ka dhe gjeste që nuk mund t’i harrosh: kishim ndaluar në oborrin e bujtinës “Tinari”, vetëm për pak minuta dhe i zoti i saj, që as ia mësuam e as na i mësoi emrat, na shërbeu kafe pa pranuar pagesën, siç ndodhte me shtegtarët që mikpriteshin kahdo shkonin maleve tona.
Paçka problematikave të natyrës “as fshat, as qytet”, turistët e kanë Thethin të parin në axhendat e tyre, burra dhe gra, sidomos të rinj, nga vende të ndryshme shtegtojnë për këtu me të gjithë llojet e mjeteve, nga motoçikleta, fuoristradat, furgonat, makinat-bujtina që vendosën nëpër kampingje me ditë e me net. Nuk kemi parë vetëm kuaj, që një ditë me siguri s’do të mungojnë as ata. Turistët nuk pyesin për vështirësitë, ka plot të dhënë pas turizmit të aventurës, si dy vajza çeke, Adela dhe Veronika, që kishin përshkuar këto ditë një terren të thyer nga Thethi në Valbonë e deri në Pejë, shpesh duke ecur nëpër dëborë këndej e andej Jezercës. Ti mund të habitesh se si ka dëborë në korrik, por jemi në Alpe dhe siç thonë malësorët, bora e majave nuk hiqet pa rënë tjetra, përndryshe, zë bora borën.
Thethi në “gropë”, në ultësirën e lumit të Shalës, Ndërlysajt etj. ka një magji që nuk e bjerr kurrë, një harmoni e përkryer e pyjeve të ahut e pishës, lumit gjithë freski të Shalës me Bjeshkët e Namuna, që kësaj ane shfaqen kryekrejet me masivin e malit të Radohinës, ndër malet shqiptare më të fotografuar. Një madhështi shkëmbore si në mite e legjenda që të lë pa fjalë, le të jesh malësor e bir malesh. Mbi kreshtat e saj ka qenë varur jetë e banorëve për shekuj, kurse sot po krijohet një realitet krejtësisht i ndryshëm nga mbijetesa. Ama, vërtet një atraksioni të tillë nuk i duhet humbur virgjëria dhe egërsia natyrore, por jo sa të mos vësh dorë fare në rrugët, rrugëzat dhe mjediset e tjera të brendshme të qytezës, duke e lënë atë të “egër” dhe në çka nuk duhet. Fshat turistik nuk do të thotë të mos shihet asnjë metër asfalt aty ku të zë frymën pluhuri dhe nuk ka një pëllëmbë shëtitore!? Mbase problemet e pronësisë, mbase ato të keqplanifikimit, në Theth nuk ka mbërritur as “rilindja urbane”, as “projekti i njëqind fshatrave” a diçka tjetër që t’ia kishte ndryshuar pamjen.
Post scriptum. Kur njeriu është në zemër të këtyre bjeshkëve zor se kujtohet se çfarë axhende politike ka Tirana, në ditë të tilla të nxehta, me dyzet gradë, ikën Presidenti i republikës dhe në vend të tij vjen tjetri, jo se nuk do t’ia dijë për politikën si faktor zhvillimi, por ngaqë nuk beson fort tek aktorët e saj të vjetër e të rinj…
Theth, 24 korrik 2022