Themelimi i Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’
Nga Blerim Latifi
7 nëntor 1918 në Shkodër u themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, organizata e parë politike me të cilën lindi edhe nacionalizmi çlirimtar i Kosovës. Patriotët dhe intelektualët më përparimtarë të asaj kohe u bashkuan rreth tri ideve themelore: ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, të cilën Konferencat e Londrës e të Versajës e kishin lënë nën Serbinë, rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Komiteti ia doli që grupet e rezistencës në Kosovë, të njohura si Kaçakët, t’i bashkonte rreth programit të tij kombëtarist.
Në rrafshin ndërkombëtar ai u përkrah politikisht dhe me armatim nga Italia. Për të neutralizuar politikisht efektin e tij, qeveria e Pashiqit reagoi duke krijuar Xhemijetin, organizatën politiko-fetare, e cila nuk avokonte për të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, por vetëm për të drejtat fetare të tyre. Kjo ishte strategjia e njohur e Pashiqit: neutralizimi i nacionalizmit të shqiptarëve të Kosovës përmes afirmimit politik e kulturor të përkatësisë së tyre fetare.
Komiteti mori anën e krahut politik të Nolit në luftën politike që zhvillohej në Tiranë dhe me kthimin e Zogut në pushtet ai pushoi se ekzistuari. Pas mbeti trashëgimia e tij politike, programi për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Do duhej të vinte viti 1999 që qëllimi i parë të përmbushej. I dyti ende mbetet vetëm në rrafshin e projeksioneve për të ardhmen.
Në fotografi shihet flamuri i Komitetit: flamuri i kuq me shqiponjën në mes dhe një luleborë mbi shqiponjën. Lulebora nuk është vendosur rastësisht mbi shqiponjën, por duke marrë parasysh faktin se lulebora simbolizon rilindjen dhe shpresën. Dhe vërtet ajo ishte një kohë kur Kosova kishte nevojë të besonte në rilindjen dhe të mbante gjallë shpirtin me anë të shpresës.
________
Një grup anëtarësh të Kongresit amerikan i paskan kërkuar presidentit Biden që t’u vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe si shembull të parë e paskan marrë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kohë më parë mediat perëndimore botuan disa artikuj investigativ mbi lidhjet e pushtetit të Vuqiçit me strukturat e mafias serbe. Zërat e paktë kritikë në Serbi dhe institutet ndërkombëtare që masin trendet e demokracisë në botë, raportojnë vazhdimisht për konsolidimin e regjimit autoritarist në Beograd, shkatërrimin e mediave të lira, kapjen politike të sistemit të drejtësisë dhe paralizimin e të gjitha formave të kundërshtimit opozitar. Krejt këtyre u shtohen ndërhyrjet e hapura destabilizuese të Beogradit në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi. Fakti se Serbia nuk u ftua në Samitin e Demokracisë në Washington tregon qartë se gradualisht Perëndimi është duke e zbuluar fytyrën e vërtetë të vozhdit të ri të Beogradit. Fatkeqësisht vetëm një njeri në Ballkan ende beson se me të mund të punohet për të mirën e Ballkanit dhe ai është Edi Rama.
________
Cili duhet të jetë roli i Amerikës sot në botë? Tri alternativa janë në diskutim: Amerika e pavarur, Amerika racionale dhe Amerika e domosdoshme.
– Mendimtarët e alternativës së parë mbrojnë idenë se ka ardhur koha që Amerika të heq dorë nga përgjegjësia për t’i zgjidhur problemet e popujve të tjerë dhe t’i kthehet forcimit të institucioneve të saj të brendshme për të vazhduar storien e kombit më të suksesshëm në historinë moderne. Amerika duhet të influencojë të tjerët përmes shembullit të saj, e jo përmes ndërhyrjes në punët e tyre. Kjo alternativë na kujton doktrinën e vjetër amerikane të izolacionizmit.
– Mendimtarët e alternativës së dytë mbrojnë idenë se Amerika duhet të përfshihet në punët e botës, por jo për çështje të vlerave dhe idealeve të saj morale, por vetëm për t’i mbrojtur interesat e saj politike dhe ekonomike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo duket të jetë një variant i ri i doktrinës klasike të realizmit politik, që thotë se shtetet ndjekin interesat e tyre, e jo idealet.
– Ndërkaq, mendimtarët e alternativës së tretë mbrojnë idenë e Amerikës si një komb i domosdoshëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global. Sipas tyre ajo që e bën Amerikën komb të domosdoshëm janë vlerat dhe vizioni moral për botën që ajo përfaqëson, gjë që u mungon rivalëve të mëdhenj të saj siç janë Kina e Rusia. Amerika e cila e shpëtoi botën nga fashizmi dhe komunizmi gjatë shekullit të kaluar, duhet të vazhdojë të udhëheq ose mbështes betejat për liri dhe demokraci në botë.
Ian Bremmer ka analizuar detalisht argumentet e të tri alternativave brenda këtij libri të shkelqyeshëm.
________
Përveç krishterimit dhe islamit, shqiptarët e kanë edhe një fe tjetër : politikën. Madje mund të themi se kjo e fundit numëron qindra mijëra besimtarë. I shohim këta besimtarë ditë e natë, gjatë gjithë vitit, se me çfarë devocioni e zelli fetar i adhurojnë liderët e tyre partiakë. Fotografitë e tyre i trajtojnë si ikonat e shenjta. Besojnë në pagabueshmërinë e tyre dhe përpiqen gjithë kohën të na bindin se vetëm përmes tyre mund të arrihet në parajsën politike. Dhe nuk lodhen kurrë. Kuptohet pse: sepse janë besimtarë.
________
Nesër fillon fushata për balotazhin. Një javë plot tensione, debate të zjarrta në televizione dhe çajtore, akuza reciproke, pazare partish e kandidatësh, premtime të të gjitha llojeve, pa doganë. Thjesht edhe një javë interesante në kët’ moçalin tonë politik e shoqnor, i cili kur nuk ka zgjedhje zhytet në monotoni.Mbase do të ishte mirë të mbajmë zgjedhje çdo gjashtë muaj, ngase kur nuk po ka zgjedhje, s’po kemi për çfarë të flasim. Sepse asgjë nuk na duket interesante nëse nuk lidhet disi me partitë. Sepse në një vend ku nuk ka ekonomi, partitë shndërrohen në biznesin më të rëndësishëm.
________
2000 vite më parë, në kohën e Oktavian Augustit, Roma furnizohej me ujë pa ndërpre 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.Ajo ishte koha kur lindi kultura e pastrimit të përditshëm të trupit.Gjurmët e akuadukteve romake ende mund të shihen në Romën e sotme.
2000 vite më pas politikanët tanë ende mburren kur ndërtojnë ndonjë ujësjellës, vrapojnë të fotografohen duke pre shiritin e përurimit, ndërsa furnizimi 24 orësh me ujë ende dëgjohet si çështje në fushatat elektorale.