26/12/2024

THELLËSITË E INTROSPEKSIONIT LIRIK

0
Meti-Rexhepi-Vetullat

(Mehmetali Rexhepi: “”Vetullat e majëborës”, poezi, 2021)

Nga Prend BUZHALA

Libri me poezi “VETULLAT E MAJËBORËS” i Mehmetali Rexhepit, e shtrin tekstin poetik me anë procedimesh metapoetike: riintepretime të lirikës autobiografike protagonistë letrarë dhe historikë, siç thuren te poezia që i prin vëllimit (Ditëlindja ime e gjashtëdhjetë e tetë) – vështrimi kah vetvetja; dhe tek dy ciklet e para “Urtari i zhvarrosur pushon në simbole” (cikël-poemë) dhe “Anames sinonimesh” (kundrime poetike kah të tjerët). Dihet që te leximi i një romani, bie fjala, lexuesi përjeton dhe jeton jetët e panumërta të personazheve të panumërt, shumë hapësira të njohura e të panjohura, largësi të pamatshme horizontesh etj. etj. pra, e përjeton botën që autori e drejton kah të tjerët; te tekstet poetike ndodh e kundërta: përqendrimi tek vetvetja, tek loja ligjërimore semantike e figurative, me aventurën e imagjinatës vetjake; autori i këtij vëllimi dëshiron ta dekonstrukojë edhe këtë aspekt tekstual prozë/poezi. Kësisoj, në ciklet tjera “Shijet vrastare”, “Litar kambane”, “Shkallareve të lajthitjes”, “Djerrina e çasteve të praruara”, “Të hedhësh mehlem aty ku dhemb” dhe në ciklin-poemë “Loti dyllë i ngrirë“, tashmë krijuesi kalon në një sferë këndimi, ku komunikimi poetik sugjeron edhe abstraksionin poetik, edhe thurjen e shenjave dhe semantizimit të mesazheve që jepen dhe merren, si përvoja të ekzistencës dhe jetës, historisë dhe miteve, përditshmërisë dhe dimensionit të përshpirtshëm të jetës.

  1. Autobiografia shpirtërore lirike

Përkufizimet aq të përdorura modernizëm/postmodernizëm pak gjë na thonë përballë alternativave të shumta krijuese që t’i ofron vetë arti poetik. Në këtë mënyrë, poezia e M. Rexhepit lexohet pasi do ta kesh shijuar bukurinë e saj në alternimin e imazheve, rendit metaforik, epitetizimeve, risemantizimeve (vetë titulli “Vetullat e majëborës” na vjen nga proza e tij e nga krijimet e përparshme), nxitjes së ideve, përshtypjeve dhe meditimeve të ngritura mbi temat e rënda. Nuk është e habitshme përse, duke bërë përpjekje që ta njësojë intimen me realitetin e jashtëm, sikur përkufizimi për lirikën që ndërlidhet vetëm me intimen, bie poshtë, shkërmoqet, meqë poezia e sotme (në daç moderne a postmoderne, nuk ka rëndësi), pikësynon larushinë, qoftë edhe duke iu përafruar prozës, rimtit të saj, narratives së saj, si poezi-rrëfime, apo qoftë edhe si poezi-ese.

Poezinë e parë “Ditëlindja ime e gjashtëdhjetë e tetë”  dhe poezinë e fundit “Mosha e kallinjve” (70 vjetori i ditëlindjes), le t’i lexojmë si tekste poetike që ngërthejnë elemente të narratives në gërshet me metaforizimet dhe kontekstet jetësore e historike në të cilat kaloi jeta e autorit (ish i burgosur politik).

nëna Z më lindi kur drapri korrte grurë dhe njerëz

rrodhi shumëçka mbi mua e harkun tim tash e gjashtëdhjetë e tetë vjet

ishin shkrirë plazma të gjakut nën Urën e Maskatarit

mandej kundërmuan jashtëqitjet dhe mbetjet e “pazarit”

kosëtari im Prijatari i afshit të barit

më dëftonte “ bir nuk e kemi ditë çka asht e keshmja

mas djegies në Kaushë të Mulla Idriz Gjilanit”

e thoshte afër stufës së zjarrit

ose:

korriku është dorëzani i kërthizës sime

me të gjitha lakesat e ngarkesave  në  mua

më vizatoi dhe vijat e hullive

nuk i mbushi me të gjitha ngjyrat e përziera

le të mos jem i ngazëllyer nga e përzgjedhura

tashmë për mua  e ka veçse këtë ligj  këtë ngjyrë

për çdo ditë më del në pritë:

që nga kërthiza të pikturoja

në galeritë tua pamjet t`i ekspozoja

çfarë më kërkon fare mos e prit

për ty  e kam vetëm të grunjtën

dhe pigmente kafeje

në oazën e dikurshme gjithçka të mbeti

rikthehu nëse mund ta kalosh moshën e një deti

Kështu ligjëron poeti te njësia e parë tekstuale e kësaj poezie dhe te njësia e dytë e poezisë së dytë. Aty lexojmë referencat familjare, rurale, të ngërthyera në ato nacionale, historike, të tragjedive që pësuan këto anë (të vendlindjes së autorit), siç janë Ura e Maskatarit (një topos poetik aq i kënduar e i kërkuar te krijuesit gjilanas, aty ku ka ndodhur edhe një masakër), me tragjedinë e idealistit Mulla Idriz Gjilanit, etj… Lexojmë mikro-biografi të mprehta lirike jo të pakta, jo vetëm brenda poezisë në shqyrtim, po edhe përgjatë tërë vëllimit (një zë hyjnor ai i Vaçe Zelës; I Përndritshmi Ipeshkëv i Bibliotekës Pjetër Bogdani e Prish-Stina; shkërmoqej hija e (n)gurtë e Hasan Prishtinës; Oda Universiteti Urtësia Akademia; gurra e gjakut të Jasharajve; verë e Beqës këmbë zbathur në pyllin “Bukuria e Zezë”...). “Ditëlindja…” është një lirikë autobiografike, ku, përpos biografemave referenciale artistike, shqiptohen edhe ndjesitë, gjakimet, shqetësimet, idealet e pikësynimet e autorit. Kjo do të thotë që autori e sheh historinë (të djeshmen) botën përreth (të sotmen), siç është vetvetja, si diçka të veten, të pandarë, të njënjëshme. Vetvetja është gjithçka që lexojmë te kjo poezi. Historia dhe bota janë vetë autori. Janë autobiografia e tij. Në vend të dokumentit, flasin toposet e njohura poetike- emra personalitetesh, ngjarjesh, vendesh. E, po u shkërmoqën ato që lexohen si njëjtësi të paprekshme, shkërmoqet edhe vetë bota e autorit. Por jo! Ato janë të pazhdukshme, si pirgu vetëflijues i Jasharajve:

mbi mua rrodhi Oda Universiteti Urtësia Akademia

Vatra e një galerie fytyrash dritë-praruara

iu shtruan hullive t`i mbillnin t`iu çelnin mbi akuj pemët drunjtë e jetës

ngjyrën më të bollshme e kishin të kuqen lule-gjakun mbëltuar

hija e shqiponjës dykrerëshe krah-hapur i varej çerdhes për të mos e përvëluar

sipër meje ranë pika rrjedhke edhe gurra e gjakut të Jasharajve

një gjëmë pa lot

që të madhërishmen e flijimit e ngjiti në Pirgun më të lartë në botë

Trajta apologjike e këndimit ndërthuret me introspeksionin, kurse kujtimet si element autobiografik, pleksen me faktografinë familjare e me atë historike. Trajtën ritmike të prozës e kushtëzon teksti retrospektiv. Nuk ka tekst retrospektiv (në këtë rast: ditëlindja si evokim i tërësishëm i jetës) pa narrativen historike, ashtu sikundër nuk ka evokim autobiografik pa paraqitjen e jetës personale dhe pa historinë e zhvillimit të personalitetit, siç do të vërente Philippe Lejeune te vepra e tij “Le Pacte autobiographique”. Ndryshe, lirika e tipit të tillë te M. Rexhepi kërkohen gjakimet, e epërmja (me asociacionet e lojës gjuhësore etimologjike Epir, Epi, lashtësia) deri te e sotmja që shkakton vetëm revoltë, shqetësim dhe tëhuajësime. Në fund, prandaj, poeti ndien nevojë që t’i drejtohet një bote të virgjër për shpëtimin e nostalgjisë personale e të vlerave të patjetërsueshme, siç janë fëmijët dhe hiret tereziane:

Lirinë nuk e paskemi dashur të veshur

kot i kërkuake lumenjtë e fëmijërisë

janë arratisur e fshihen tek retë

rrjedhin qiellit vetëm nga hiri i Shën Terezës

për botën langore pa sherre të bebes

kur përmendim këtu aspektin autobiografik të kësaj poezie, ndryshe nga veçoritë intime të lirikës përgjithësisht, përvijohet me ndërthurjen e teksteve ekpresive e vetërrëfyese me ato autobiografike, personale.

Sado që tipi i lirikës së tillë mund t’iu reshtet vlerave estetike, autori e ruan sensin e tij të masës e të drejtpeshimit; pothuajse secili varg tujget me lirizmin e kërkuar, me lirizmin që korrespondon me funksionin shprehës dhe emocional të ligjërimit poetik. Është ajo shprehje lirike poetike që pikësynon të shpërthejë përtej intimitetit, përtej sentimentales. Ky pikësynim ka të bëjë me thellësitë e kërkuara të fjalës. Nuk është e habitshme përse poezinë e sotme, nganjëherë, e lexojmë si aventurë të fjalës, si impuls krijues, me imazhe, ritme, figura e tinguj, për ta arritur sublimen, përsosmërinë, magjinë e thënies. Është ajo prirje, e shfaqur edhe me anë të ligjërimit diskursiv, siç është vëllimi ““Enigma e magjikes” (ese, 2011). Aso kohe, për këtë vëllim pata theksuar: “Rexhepi është kritik i pasionit kërkues të të bukurës dhe vlerave. Tekstet e tij janë shënime të leximit pasionant, të hapur për horizontet e ndryshme të kuptimit, kurse burimin e tyre e kanë tek leximi dhe tek mendimi krijues, aty ku ai shquan ndërlidhjen e këtyre teksteve tek fushat e ndryshme të librit letrar, publicistik, shkencor a eseistik. Dhe, për ta dhënë këtë shumësi shkrimore e kuptimore, autori detyrohet të jetë edhe njohës i traditave letrare e religjioze, i mendimit politik dhe atij dituror, historik dhe albanologjik.”

  1. Profilet shpirtërore në këndimet lirike

Me këtë pasion kërkimesh ai vazhdon edhe në fushën e artit poetik. Porse ky kërkim, ndër të tjera, ka të bëjë edhe me gjetjet e vlerave sublime jo vetëm në artin poetik, po edhe të personaliteteve e ngjarjeve historike. Kësisoj, te cikli i parë “Urtari i zhvarrosur pushon në simbole” lexojmë poemën “Shkrinte plumbin e mendjes”, kushtuar Pjetër Bogdanit, kurse në ciklin “Anames sinonimesh” lexojmë tërësi të tilla poetike kushtuar Përvjetorit të Urtarit B (siç e quan Beqir Musliun), Musa Ramadanit, Alush Canajt, Frederik Rreshpjes, Agim Ramadanit, Nexhmije Pagarushës dhe Kelmend Jasharit. Janë personalitete të traditës sonë (si Pjetër Bogdani), krijues gjilanas që tashmë janë në amshim e që lanë gjurmë në artin letrar, apo krijues emblematikë si Frederik Rreshpja dhe personalitete që personifikojnë vlerat e epërme të së bukurës në artin muzikor, si N. Pagarusha. Tekstet e tilla lexohen si natura naturata, si shpalim i botës artistike të personalitetit të rikënduar në poezi, përmes aktit estetik të krijuesit letrar, do të na çonte tek ligjëratat e filozofit më të njohur çifut, Spinozës, i cili, në ag të kohëve moderne, i mbante ato në katedrat e Sinagogës së Amsterdamit: Deus sive Natura (Hyji ose Natyra); Hyji dhe Njeriu përbëjnë një njësi të përbashkët krijuese; natura naturans, natyrë botëkrijuese. Metaforikisht: krijuesi letrar konsiderohej me natyrë botëkrijuese, po edhe si natura naturata (përsëri simbas Spinozës), pra natyrë e krijuar. Për këtë “natyrë të artit” flasin edhe Atë Gjergj Fishta dhe Mjedja, kurse Lasgushi ynë këtë “naturë krijonjëse” e përkufizon si “frymë”, “magji-dhëmbëse”, “transfigurim”, “tronditje shpirtërore”, “krijim i ri prej lëndës së vjetër”. Së këndejmi, endëzohet një hipertekst. E pra, shqiptimi i mesazhit letrar, si natura naturans, tash bartet tek krijimet e poetëve tjerë bashkëkohës, si natura naturata. Në komunikimin modern letrar poeti tashmë hyn si aktant i strukturës së ndërsjellë aktanciale (nocione sipas teoricienit frëng, A. J. Greimas: “Les Actants, les Acteurs et les Figures”)…

E veçova këtë kundrim timin personal, të mëhershëm, për të hyrë në botën e tillë poetike të këtyre dy cikleve.

në dy udhë i shteronte dita mbi shenja që nuk i kishte shqipja

karrige tavolinë eshtrash papiruse trekëndësh me të gjallin vertikalin e udhës së mbyllur

qetësi e trillit e shpjerë nëpër natë për të qëmtuar deri në të gdhirë

sy të kuqërremtë qepur mbi rrokje të zverdhura me fije ibërshimesh të zeza

ngultas lypin rreze të mos e shuante zbehja urtinë e ngrirë

ato shkronja të ngurosura me vula urtarësh të mpiksura

gjeje fitilin dhe fërkoje mes gurësh të Hasit shih si do ta çajë shkëndija terrin

thoshte Pjetri i Bogdanajve vetëm për barbarët dielli

nuk e derdh dritën

e lypin të verbrit e lypin yjtë më tej do të shterojë kah largësitë

anemikut parasysh do t`i treten dhuntitë e shkunden kallinjtë

Është këndimi nacional i Kultit të Bardit, i Kultit të Poetit, i Poetit Hero e bard nacional. Është poemë që paraqet profilin shpirtëror të Bogdanit që komunikon me kohën tonë; paraqet rolin e tij në laboratorin vetjak krijues, kundruall traditës sonë, është këndimi i misionit të tij nëpërmes një vizioni poetik personal.

Me të tilla përveçime të energjisë të frymës shpirtërore këndohen edhe personalitetet tjera, ku uniteti i mendimit, vullnetit, përqendrimit dhe intuitës, përqendrohet te biografia e tillë poetike shpirtërore. Zaten kërkimi pasionant për ta veçuar të jashtëzakonshmen te bota e përjetësisë së tyre, lexohen edhe si homazhe poetike a si lirika përkushtimore, si këngë mbi këngët. Është lirikë e biografisë shpirtërore. Ata janë personifikime të vetëdijes së zgjuar artistike e historike, janë sinonime që bartin një SHENJË ESTETIKE, një SHENJË KOHE E ARTI.

kokës prej fijesh bleroshe

fjalët nuk ia pritën aktin e zverdhjes

nëpër degë tropesh kameleonët i zhvishte cullak me trasta ngjyrash nën vetulla

nën cipën e klorofilit Tij ngërthente prejardhjen bukuria

intuita me duart e prekjeve magjike i dëftonte poemave etjen në ujëvarat kozmike

fotosinteza e fjalëve i hapte petale dhe piketonte pigmente në hi

pikave nevralgjike gjymtyrët prej metafore i forconte ajri i kondensuar

mushkëritë e Tija vegjetonin në tymin e cigareve të idhujtarëve

tokës së zezë i qëronte farën e bardhë të lozes

veçse për ngjitje të thënies në majën e malit të borës

Këta personalitete të ligjëruara poetikisht, bartin e përcjellin nga një SHENJË të VETËDIJES sonë të zgjuar. Secili na shfaqet si portret i përveçëm i secilit prej nesh dhe si portret yni i përbashkët, i identitetit historik, nacional, kulturor e letrar. Në këtë rast, si shenjë e identitetit të një mjedisi, siç është Gjilani.

Lexohen edhe si ndërthurje e teksteve të këtyre autorëve me mitet, historinë,

studiuesve të ardhshëm; prandaj, u mbetet t’i shohin lidhjet e prozës së letrës me mite, si ndërthurje e poetikës postmoderne, hiperteksteve me tekstet artistike. Secili prej tyre është një spiritus movens, që vë në lëvizje nxitjet e brendshme krijuese e të botës së ideve të autorit. Se cili është ky motivim, nxitës a shkas i padukshëm, cili është ky spiritus movens, që nxit këtë potencial krijues të poetëve, a këngëtarëve, përgjithësisht të artistëve; estetët përpiqen t’i kodifikojnë disa ligje nga fusha e estetikës. Spiritus movens është ai lëvizësi i brendshëm, shpirtëror, nxitësi i veprimtarisë, “shpirti” i një përpjekjeje (B. Klaiç, Fjalor i fjalëve të huaja); “në një bisedë, spiritus movens (spiritus agens) është ai që ideon, inicion dhe organizon (zakonisht në një projekt të madh). Sipas disa fjalorëve, spiritus movens është një udhëheqës shpirtëror. Kanti e filozofët tjerë duan të nënvizojnë prirjen e aftësinë e racionalitetit njerëzor që prodhon edhe spontanen.

“Eugjenika e tri deteve”

ftoi muzat të shpërfaqnin mijëra derte

*

e rrëzuam edhe një Mur Gjaku Maestro

*

mund të na zërë Muri i Republikës së vaktit

ai që po ngrihet venave tona të mërisë së gjakut

Ti e dëftoje aktin

“Satana ma vodhi gurin e urtisë”

Kësisoj, procesi krijues përshkruhet si misterioz dhe me natyrë sekrete, me natyrë të ndërliqshme… e që na vjen nga kohët antike, kur fuqitë mbinatyrore sjellin frymëzimet artistike dhe frymëzimet e mendimeve. Poetët janë edhe të revoltuarit e kohës. Shenja e tyre e jetës është kryengritja e shpirtit:

po deshe provo të hysh labirinteve

kështjellës së një rebeli

për t`ia gjetur thesarin e dhimbjeve

pos Files

zbehtësi e hënës

dhe hiles

pa sytë e Tij mos e mësyj atë vetmi

pa zjarrin e Tij mos e ndez asnjë shkëndijë

(…)

të jesh një Frederik Rreshpja

dhimbja do të thoshte mirë se të gjeta

(…)

më afër se vdekjen veshte këmishën

të fismen e jetës dhe grishjen

Muzat e arteve kanë nderimin e estetëve dhe krijuesve. M. Rexhepi ata i nderon me thënien sublime të artit të fjalës.

  1. Rendi i ndërliqshëm i leksemave lirike

Ciklet tjera na sjellin një botë më të nuancuar, më të larmishme e më të ndërliqshme poetike. Dhe ky nuancim lirikash lexohet në formën e një shqiptimi të vërtetë poetik “me fije shpirti në një furkë të durimit”. Leksema shpirt zbulohet e lakohet në botën e pasur, duke marrë konotacione të shumta lirike. Nëse në vargun e mësipërm kjo leksemë identifikohet a mishërohet me mitin e krijimit, më tutje ajo herë kumtohet si  varg i vuajtjeve e herë si varg që kapërcen dhimbjet:

tashmë shpirti farkohet për shporrje të dhimbjes

arti nga fytyra zbriti në shalë vithesh

Te poezia “Motive shkodrane” lexojmë:

testamentin e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë

t`i varej degës pemës Saj në qiell

Ndryshe, nuk mund të gjendet një tjetër kërkim i kësaj fjale për ta kumtuar atë testament motivesh të tilla, dhembshurisht të gjakuar. Rrjedhën e lumit e lexojmë si një imazh të gjetur poetik: “pikturë e shpirtit i fanit rrjedhën”, kurse “poeti mëtoi shtratin e shpirtit t`ia lëshonte rrjedhës” (poezia “Arratisja e lumit”). Te poezia “Thethi” “mes ujëvarës dhe shpirtit shkëndijon dehja”, kurse te “Një litar kambane”, tashmë e lexojmë antinominë e saj si “sfungjerë viganë thithnin avuj shpirtrash të këqij” ose: “ti shpirt militarist je fare i brishtë”. Diku tjetër si lektisje, mandej si brishtësi, kurse te poezia “Shiu reumë malli”, nëpërmes pamjeve të vagullta e të zymta surrealiste me avuj, erë e shi, funksioni konotativ gjen shprehjen e vet te mesazhet, që vendosen për ta zgjeruar e thelluar komunikimin:

shpirti të lidhet nyjë në fyt dendësohen retë jashtë e në ty

pasqyrë e ditës avullohet përhitet

thesi mallëngjyes zgjidh  grykën

Te poemat a lirikat si “Degët”, “Një litar kambane”, “Hiret kllapia dhe esëllti e Gjilanit” dhe “Thethi”, këndohen të tilla, si këngë e shpirtit. Kjo do të thotë që poemat e tilla korrespondojnë me funksionin e tyre testamentar, ekspresiv, siç shprehet Roman Jakobson “Poezia e tillë e synon një shprehje të drejtpërdrejtë të qëndrimit të subjektit ndaj asaj për të cilën flet ajo” (te studimi “Linguistika dhe poetika”).

Herë-herë shtrëngohemi t’i ndjekim shenjat e ndryshme të një loje makabre të historisë e të kohës, ose të një force të padukshme të fatit:

teatri im ji i vërtetë

kur me lëngun tënd shpirtin ngjeshë

dhe nxjerr djallin tim

përmes djallit tënd  me  vija njeriu

nga skutina të paprekura

me lojën mjeshtërore djajtë nga kurthet e buta dalin

Në fakt, lojën poeti e dekosntrukton si domethënie metafizike, diku tjetër si pjesë ontologjike të qenies njerëzore. Nëse Emanuel Kanti e pikëshikonte në aspektin estetik, si një “veprimi që është i këndshëm dhe fisnik në vetvete”, nëse F. Schiller e konsideronte  “një mënyrë për t’u marrë me të bukurën”, nëse L. Wittgenstein e zbërthente si “lojë në aspektin gjuhësor“, poezia e bën një hap më tutje, duke i dhënë asaj kuptimet e ironisë së fatit e të çmendurisë së absurditetit njerëzor në teatrin tragjik të saj:

me kafshime gjarpri raki kumbullash e helmin e mendjes

dhe ujin do ta digjnin me trupa  njerëzish për lojën e çmendjes

Simbolikisht, loja e tillë shënjon a zëvendëson “objektet”, ngjarjet, bëmat, por edhe ndërliqësinë e zhdërvjelltësinë e intelektit krijues. Vetë qenia njerëzore sikur ngërthehet në lëmshin e kontradiktave të pafund, në atë gjendjen “ose ose” të filozofisë së Kjerkegordit a në botën e absurdit modern që e gjurmon me këmbëngulje lirika moderne. Nuk është e rastit përse folësi lirik i kësaj poezie, në këtë vorbull kundërthëniesh, e sheh veten si viktimë e fatit (poezia “Tirania e fatit”), si qenie që vuan pafundësisht mbi këtë hendek botësh e kohësh:

fati gjeti shtegun për të më goditur

çdo  shteg-mbyllje arkitekturën prej llastiku

ia katapultoja të tkurrur t`i shtrihej tej kufiri

m`i lypte përuljet lutej për vartësi

i thosha

kam detin  me  dhunti  pse  mos t`i shijosh dhe ti

këtij  përjetësimi hynin erërat

ngjarje ndodhi data të mbufatura

as dyer  as gardh  pos  pore  të  hapura

ai  hynte  me aureolë

m`i shporrte në hon shurdhërie meloditë e zamares

lypte  të  ngopej  mbi shijen e hises nismëtaren e membranës

le të pajtohej ose  mos të  kishte  ndjesi

sikurse uni me dëneset e shfryrjes mike

kur  plagosej me barutin e mllefit çiltërsia e stinës

rrudhur e kapja për dore

i trazuar i përbuzur

e bartja mbi shpinën time qelqore

Në lirikat e tilla folësi lirik ligjëron në veten e parë, si shenjë e identifikimit personal me thënien lirike. Uni lirik nuk ka se si të jetë i ndarë nga ky fat, ani se mund të shfaqet i copëtuar, i çarë, gjithnjë me barrën e shqetësimit për t’i gjetur rrugëdaljet. Tashmë e lexojmë atë lirikën e vërtetë konfesionale, që e përmendëm diku kah fillimi. Lirika e tillë dallon nga intimja. Intimja ka të bëjë me ndjesitë e brendshme, kurse vetërrëfimi, konfesionalja, ka të bëjë me dramën e jetës, me reliktin, me përplasjet e ekzistencës.

dehja lëndinë shtati yt violinë

lakohej telave të shtrirë

nën gishtërinj maestroje dridheshin  ngjyra

hamshorit iu fale nuk tundohej më ëndshëm lëndina

me tela të këputur ofshante violina

udhës shtruar me shina rrëshqitas e ndesh

fatin tënd udhëkryqesh  e pakurorëzuar lëneshë

përpij e lëpij ende diçka tënden

Vetërrëfimi lirik augustinian (asociacion nga vepra “Vetërrëfimet” e Shën Augustinit”), shndërrohet në bashkëbisedim a në folësin lirik, që i drejtohet qenies tjetër, në veten e dytë (si te vargjet e mësipërme të poezisë “Lënesha violinë e çakorduar”). Në litarët e tillë që tërhiqen skajeve (“Litar kambane”), pamundësia për ta kapërcyer dallimin midis subjektit dhe objektit (K. KJaspers), pra midis realitetit e njeriut idealist, midis botës subjektive, personale dhe realitetit objektiv; e detyron këtë folës lirik ta mbajë gjithnjë të tundur këtë kambanë alarmi, për ta shqiptuar revoltën e tij:

i harruari Zoti i Paqes

mos vallë dhe Ai

nuk denjoi të shfaqet

pa i larë faqet

në këso rastesh poezia nuk ka se çka të racionalizojë, pasi realitetet e ankthit shumëfishohen. Nuk thoshte më kot Niçe se “vetëm arti është një rrugë e suksesshme kundër absurdit, sepse për nga natyra e tij ai është një rebelim”.

Nëpër vargje shpesh përmendet leksema metaforike “vetull”. Madje, ajo shfaqet si kryeleksemë (që në titullin e veprës), për të mos thënë që lexohet si kryefigurë. Shenja e parë e saj figurative është komunikimi joverbal. Nga ana tjetër ajo thurë imazhet e saj në natyrë dhe në vizionet poetike, për të shprehur festën e mbresave dhe të bukurisë së emocionit, reagimet e ndryshme emocionale, shfaqen si shenjë edhe e mosbesimit, shqetësimit, mospajtimit, dyshimit, befasisë a habisë, që mund të ndiejmë në një situatë. Në simbologjinë botërore ato shënjojnë “respektin dhe dinjitetin për veten.”

Mirëpo, poeti përmes kësaj metafore të epitetizuar në një neologjizëm lirike (majëborë), këtë fytyrë a pamje të fytyrës së vet (personale a kolektive) e sheh të shpërfaqur si imazh në një epikë natyrore: vetullat e majëborës. Është një ndjesi romantike (ekziston romantika e përjetshme e shpirtit njerëzor, që kumton gjakimet e identifikimet e bëra njësh me rrethin, vendlindjen, të epërmen, epikën, siç ta sugjeron titulli. Mirëpo, përgjatë veprës, përdorimi metaforik i“vetullave” rikëndohet si shenjë e së bukurës së botës femërore, si mit i bukurisë e shitimit të saj:

qilima melodie  shtronte  kur  bredhja udhës

i shartoi faqe vetulla e sy  Rozafës Tanushës

pas tetëdhjetë e gjashtë Shën Gjergjash

Sytë  për ty i kam të njomë

(Poezia “Tejzave të ëndjes” – Nexhmije Pagarushës: “Bilbili i Kosovës”)

Apo si referencë lirike e mallit dhe nostalgjisë:

malli njërës i lë një vetull tjetrës shpërthimin e qeshjes

zhvendos tiparet faqet prapa shpinës dhe dy sy

(“Shiu reumë malli”)

Ndërkaq te poezia “Relievi i letrës” rrjeti asociativ-kuotimor i kësaj figure zgjerohet, duke i pleksur në një realitet totalisht të tjetërsuar mërzie, ftohtësie e mpiksjeje të ekzistencës:

më herët nata nën shtrojerë vetullash

zuri shtegun me vrushkuj të zinj të athtësisë

ngjyrës të zezës i fali besnikëri si vetja

eliksir në një shkëlqim bardhësie

teh thike në dorën e çastit

gjak a venë rrjedhin shiritave të kllapisë

ftohtësi e çdoditshme  këmishë e shqyer

lëkurë e saj diell i kuq i mpiksur

Sikundër e pamë, përdorimi i një vargu temë-figurash, dhe ide-këndimesh, mëton ta strukturojë një unitet të brendshëm lirik në tërë veprën e tij poetike. Lënda komplekse dhe format e pasura lirike, “ideali” dhe “imazhi” (hegelian), me hollësitë e tilla figurative, tematike e ideore; e integrojnë veprën brenda konceptit krijues të autorit.

Korrik 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok