25/12/2024

THANK YOU, AMERICA!

0
u6_21

Në fund të fundit, asgjë nuk ka më të shënjtë se familja. Krenar për secilin prej tyre!

GJYSËM SHEKULLI NË AMERIKË — NJË FALËNDERIM

Nga një fshat i humbur i Ulqinit, në Ëndërrën Amerikane

Nga Frank Shkreli

“Lindur në vende të tjera, por duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend, ligjet tona e pranojnë të drejtën tuaj për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, të bindur se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”. –Komunikim i Thomas Xhefersonit me bashkohasin e tij dhe politikanin, Hugh White, 1801, mbi politikën amerikane të imigracionit.

Këtë shkrim modest po e shkruaj si një reagim ndaj një interesimi të një miku, i cili, si të gjithë ne është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vrasjes brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë në Miniapolis të shtetit Minesota dhe protestave të mëdha që vazhdojnë ende – disa madje mjaft të dhunëshme — anë e mbanë vendit — më pyeti nëse e dua gjithnjë Amerikën, si përpara.  Duke qenë se ky vit shënon 50-vjetorin e arritjes time në këtë vend dhe me 9 Qershor festoj 70-vjetorin e lindjes, m’u duk si një rast i përshtatëshëm që t’i përgjigjëm mikut tim, me këtë rast.

Viti 2020 është një vit shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time.  Ky vit shënon dy ngjarje të rëndësishme në jetën time.  Është një vit jubilar, mund të them, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes dhe njëkohësisht edhe 50-vjetorin e ardhjes time dhe të familjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, i bindur se do i gjëja këtu dhe se do të isha i lumtur në këtë vend.  Gjatë dekadave të kaluara, në një mënyrë ose në një tjetër, jam munduar të shënoj çdo përvjetor të ardhjes në Amerikë, herë në heshtje, herë me ndonjë të veçantë të rastit — dhe nga koha në kohë — kam kujtuar me ndonjë shkrim modest edhe individë ose organizata në këtë vend që kanë lehtësuar ardhjen time këtu ose që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrieren time.  Por në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë, e shoh të arsyeshme, pikë së pari, të falënderoj të Madhin Zot për të gjitha të mirat dhe bekimet që më ka dhënë mua dhe familjes time në këtë vend të adaptuar dhe, njëkohësisht, të ndajë me miqtë, dashamirët dhe shokët e mi, një mirënjohje të thellë personale dhe të veçantë ndaj Amerikës — një falënderim pra nga zemra ndaj këtij vendi që më ka pranuar me krahë hapur, duke më ofruar të gjitha mundësitë për të qenë i suksesshëm dhe i lumtur në këtë vend, siç ishte shprehur Xhefersoni.  Këtë falënderim, këtë mirënjohje të thellë, e konsideroj si një obligim timin moral, personal dhe familjar, që madje edhe gjysëm shekulli pas arritjes time në këtë kontinent, mund t’i them këtij vendi me gojë plot: THANK YOU AMERICA! Faleminderit Amerikë!  Jo se ky vend nuk i ka problemet e veta politiko-shoqërore, siç jemi dëshmitarë të protestave masive aktualisht, disa prej tyre edhe të dhunëshme për vrasjen brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë. Dhe jo se jeta ime në këtë vend ka qenë pa sfida dhe pa vështirësi të llojlojshme, por jam mirënjohës për mundësitë që ky vend të ofron për një jetë më të mirë –që me punë të rëndë dhe disiplinë – mund t’i përballosh me sukses sfidat dhe problemet dhe të shkosh përpara në jetë. Është e vërtetë se askush në këtë vend nuk të jep asgjë falas, por duhet ta fitosh me mund e djersë.  Atëherë dhe sot, imigrantëve si unë — Amerika u ofron lirinë dhe mundësitë për të qenë i suksesshëm — çdo gjë tjetër është në dorë tënde.

Në shkrimet e tija mbi imigracionin, Thomas Xhefersoni, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e ka cilësuar shpërnguljen nga një vend në tjetrin, si një e “drejtë natyrale” të njeriut.  Ai ka shkruar se në Amerikë –“Ne dëshirojmë të sigurojmë një vend-strehim të shenjtë për të gjithë ata që keq-qeverisja në Evropë mund t’i detyrojë të kërkojnë liri dhe lumturi në vende të tjera…”, ka shkruar Xhefersoni në kohën e tij.  Ky premtim, në thelb, vazhdon  edhe sot, megjithëse situatat gjatë historisë amerikane kanë ndryshuar, ashtu siç po ndryshojnë edhe sot.

Për fat të mirë timin, dhe për “arsye të keq-qeverisjes në Evropë” shekullin e kaluar, siç është shprehur Thomas Xhefersoni — duke justifikuar pranimin legal të imigrantëve në Amerikë në zanafillat e këtij shteti – pikërisht 50-vjetë më parë (1970), Amerika më ofroi mua dhe familjes time, ashtu si shumë të tjerëve, një “vend-strehim të shenjtë”, siç e kishte cilësuar Xhefersoni strehimin politik të imigrantëve të ardhur në atë kohë në atdheun e tij të ri, kryesisht nga Evropa.

Fillimisht, me të ardhur në Amerikë 50-vjetë më parë, un u vendosa në Nju Jork ku jetova për 3 vjet e gjysëm — me prindërit të cilët kishin ardhur këtu nja 6 muaj para meje –edhe ata, si shumë familje të tjera shqiptare, emigruan me qëllim për të filluar një jetë të re në Amerikë, ashtu siç bënin shumica e bashkatdhetarëve tanë në atë kohë azil-kërkues politikë, kryesisht, kundërshtarë të komunizmit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Amerikë, aty nga fundi i 1960-ave dhe fillimi i 70-ave, kryesisht nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.

I ri nga mosha, isha plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen time në botën e re, për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, megjithëse xhepat i kisha bosh.  Është përfolur dhe flitet shumë për “ëndrrën amerikane”, në kuptimin se mundësitë e barabarta këtu shërbejnë si një fyrmëzim për sukses dhe arritje të mëdha, sidomos në pikëpamje materiale.  Por, 50-vjetë më parë, si refugjat politik në Amerikë, unë kisha vetëm një ëndërr, si shumë të ri të arratisur nga komunizmi në atë periudhë: për të jetuar i lirë, duke nënkuptuar se në liri do ia dilnim, megjithë vështirsitë në të cilat mund të hasnim.  Kur kam zbritur në Nju Jork në vitin 1970, as nuk dija, as nuk kisha dëgjuar se cila është kjo “ëndërrë”, por për të cilën dëgjova më vonë, dhe natyrisht si e tillë, as nuk e prisja realizimin e kësaj ëndërre, pasi ishim të kënaqur me një “kafshatë bukë, në liri”.  Thuhet se liria nuk është asgjë tjetër, veçse një ëndërrë: liria e mohuar për tu fituar, liria e vërtetë për t’u gëzuar dhe për t’u jetuar – me të drejta dhe me përgjegjësi indivduale, në përputhje me “ligjet tona”, sipas Xhefesonit.  Por, në të vërtetë, gjatë viteve, më në fund, unë e zbulova këtë ëndërrë duke përjetuar “ëndërrën” time amerikane.

Nuk do ta harroj kurrë vitin 1976 – jo vetëm se shënon vitin që kemi lidhur martesën me bashkshorten time Vitoren – por që ka shënuar edhe 200-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara – viti i këtij përvjetori historik të këtij vendi — kur në një gjykatë të Washingtonit ngrita dorën për të bërë betimin si shtetas i ri i Shteteve të Bashkuara, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë e një qytetari të lirë amerikan.  Në vetevete, kjo ishte një ëndërrë që e kisha të vështirë ta besoja.  Pesë vjetë e gjysëm pasi kisha zbritur në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut, tani, zyrtarisht, kisha të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si çdo amerikan tjetër që jetonte këtu gjysh pas gjyshi.

Pjesën më të madhe të jetës time prej gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara e kam kaluar në Washington, ku kam punuar për 30-vjet për Zërin e Amerikës dhe ku, me bashkshorten time Vitoren — kemi rritur e shkolluar djalin e dy vajzat.  Ishte kjo periudha e jetës time në kryqytetin e Shteteve të Bashkuara që, në të vërtetë, ka përmbledhur pikat më kulminante të jetës dhe të karrjerës time dhe deri diku mund të them se ajo përvojë ka ndikuar, së bashku me traditën time familjare, edhe në formimin e identitetit tim, sot e kësaj dite.

Po flasë për përvojën time në përgjithësi, duke qenë i vetdijshëm se pse jo të gjithë ata që kanë ardhur para dhe pas meje në këtë vend – përfshir shumë bashkatdhetarë shqiptarë – të kenë pasur të njëjtin fat.  Por si rrjedhim, modestësisht, më duhet të them — në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë — se për çdo gjë që mund të kem arrijtur në jetë, në karrierë dhe në familje, ia kam borxh Amerikës:  Për mundësitë që më ka ofruar dhe për të drejtat dhe liritë që më ka garantuar, siç çdo qytetari tjetër.  Këtij vendi, i cili nuk pyet se nga vjen, çfarë feje ke, çfarë gjuhe flet ose kush janë prindërit tu.  Amerika më dha lirinë dhe mundësitë dhe me punën time, shpesh jo të lehtë — i ardhur nga një fshat i humbur në rrethin e Ulqinit — kam jetuar ëndërrën amerikane, me të mirat dhe me sfidat, si shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trojet shqiptare.  Jo, jo nuk isha unë i vetmi, kishte dhe ka shumë si unë, madje edhe shumë më të suksesshëm se unë, të cilëve Amerika ua ka dhënë mudësinë për të zhvilluar talentet e tyre në fusha të ndryshme.  Në këtë fakt, qendron ai misteri tërheqës i Amerikës, se të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë, nëqoftse i përveshesh punës, seriozisht.

Por unë dhe shumë bashkatdhetarë të mi shqiptarë që kanë gjetur strehim në këtë vend, nuk e duam Amerikën, vetëm e vetëm, për arsye dhe interesa vehtjake, materiale e tjera.  Jo!  Ne shqiptaro-amerikanët, dhe veçanërisht unë, në këtë 50-vjetor të ardhjes time këtu, e dua Amerikën edhe për rolin e veçant që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjatë historisë, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe të identitetit Kombëtar të tyre, anë e mbanë trojeve të veta.  Fan Noli ka thenë se i kemi shumë borxhe Amerikës.  Dihet tanimë roli i Amerikës në mbrojtje të Shqipërisë nga përpjekjet grabitqare tokësore të fqinjëve të saj në fillim të shekullit të kaluar, që kishin për qëllim të venin në dyshim edhe vet ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur në veçanti dhe identitetin e shqiptarëve si komb, në përgjithësi.  Unë si shqiptaro-amerikan jam i bindur se Kombi shqiptar – megjith baticat dhe zbaticat gjatë historisë — nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Kombit amerikan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në fillim të këtij shekulli dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.  E dua pra Amerikën sepse nuk besoj të ketë ndonjë tjetër komb në botë, që ndihma dhe roli i Amerikës të ketë qenë aq i pazevëndsueshëm, siç ishte për ekzistencën e dy shteteve shqiptare — Shqipërisë dhe Kosovës.  Se çfarë bëjnë sot Shqipëria dhe Kosova me këtë histori mbështetje të Amerikës ndaj Kombit shqiptar, është krejtësisht në dorë të tyre.  Kjo është një pyetje tjetër dhe një shqetësim serioz për të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës. Kam drojë se “Pro-amerikanizmin” e pushtetarëve shqiptare, vetëm me fjalë, nuk e beson kushë më, pasi gjithkush shikon veprat tuaja! Pro-amerikanizëm do të thotë, mbi të gjitha, ndarje vlerash, përfshir, vlerat e lirisë, barazisë, drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe zgjedhje të lira, ndër të tjera vlera njerëzore.

Pothuaj 50-vjet më parë kisha shkruar një artikull modest në anglisht, për gazetën e kolegjit Lehman në Nju Jork, me të cilin isha përpjekur të shprehja ndjenja e para dhe falënderimet e mia ndaj Amerikës që më kishte pranuar si refugjat, duke më ofruar mua dhe familjes strehim dhe liri.  Megjithëse i ardhur rishtas si refugjat në këtë vend të madh, në shkrimin e gazetës së kolegjit Lehman si student kisha theksuar disa prej arsyeve se pse e doja Amerikën, bazuar në përvojën e shkurtër vetëm prej 2-3 vitesh në këtë vend.  50-vjet më vonë, arsyet dhe ndjenjat se pse e dua Amerikën për mua sot, në moshën 70-vjeçare, nuk kanë ndryshuar shumë ç’prej asaj kohe.  Në thelb, arsyet mbeten të njëjta,  Nuk ishte as ana materiale për një jetë më të mirë as edhe karriera për të cilën jam krenar, por ishte Liria!  Liria për të ndjekur lumturinë.

Jo se Amerika ishte, atëherë ashtu si edhe sot,  një vend i përsosur dhe që nuk  kishte problemet e veta 50-vjetë më parë, ashtu siç i ka edhe sot sfidat dhe problemet e mëdha me të cilat përballet si shoqëri, siç po përjetojmë sot protestat massive, disa edhe me dhunë, anë e mbanë Amerikës.  Vrasja e një afrikano-amerikani nga policia ishte një akt vrasës dhe kriminal.  Si të tillë e konsideron shumica e amerikanëve, prandaj ndodhin protesta, madje edhe me dhunë, me shkatërrime pronash — si një mjet për të tërhequr vëmendjen ndaj një situate që nuk mund të tolerohet më.  Unë jam i bidnur se pasi të jenë ftohur gjakrat, edhe ky incident i tmershëm do të shërbejë për diçka më mirë.  Shoqëria amerikane, ashtu si edhe në të kaluarën në raste të tilla protestash të mëdha shoqërore, do nxjerr mësime serioze nga kjo vrasje si dhe nga reagimet e popullit amerikan ndaj këtyre ngjarjeve.  Ku tjetër kemi parë që policët, madje edhe shefat e policisë, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara tu bashkohen protestuesve për të dënuar vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga një polic i radhëve të tyre?  Edhe kjo është një arsye se pse e dua Amerikën –për të drejtën që të ofron që të kritikohet çdo gjë dhe gjithmonë, duke filluar nga presidenti e deri tek polici i nivelit më të ultë, me qëllim përmirësimi të gjëndjes.

Por, si atëherë ashtu edhe sot, për një refugjat që arrinë në këtë vend, me gjithë të metat e saja, Amerika mbetet, prapseprap, një vend që gjithnjë inkurajon realizimin e ëndërrave tua.  Mbetet si një vend ku me punë të rëndë dhe duke respektuar rregullat dhe ligjet, jo vetëm që mund të përparosh, por madje nëqoftse i përveshesh punës me disiplinë, mund të realizosh enëdrrat tua sado ambicioze qofshin ato.  50-vjetë më vonë, Amerikën e dua edhe sot sepse mbetet gjithnjë një vend që frymëzon, një vend që beson në aftësitë tua  dhe mundëson një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen, nëqoftse vet je serioz për të ardhmen tënde e të familjes.  Është, pikërisht, ky besim në mundësitë që të ofron Amerika, ai që bindë çdo vit, miliona njerëz nga e mbarë bota, të largohen nga vendlindja, ashtu siç jam larguar edhe unë 50-vjetë më parë –për arsye të ndryshme — por kryesisht, për të gjetur lirinë në këtë vend dhe “për të qenë të lumtur”, siç është shprehur Thomas Xhefersoni në agimin e këtij shteti planet.

50-vjet më parë, për mua ishte – pikërisht, ky besim, i këthyer në premtim, në mundësitë dhe në garancinë që ofronte ky vend për të gëzuar të drejtat dhe liritë si një refugjat politik si unë — i pa dëshiruar në vendlindje, i nepërkëmbur, pa të drejta dhe pa liri – një njeri i pa shtet dhe i pa atdhe – zyrtarisht i klasifikuar si refugjat,“stateless”, nga autoritetet ndërkombëtare të imigracionit në Itali.

Ishte kjo ndjenjë se nuk i përkisje askujt dhe se askush nuk interesohej as nuk kujdesej për ty, por ishte gjithashtu ajo forca dhe vendosmëria që i kishin rrënjët në këtë besim dhe premtim që më ka shtyrë mua dhe shumë të tjerë si unë, në atë kohë, që të rrezikonim edhe jetën duke kapërcyer ilegalisht kufijtë shtetrorë, për një jetë më të mirë dhe të lirë në Perëndim.

Mikut tim i cili donte të dinte nëse e dua gjithnjë Amerikën megjithë problemet e mëdha që ka ndeshur gjatë historisë, përfshirë edhe protestat masive të ditëve të fundit, është realizimi i këtij premtimi, si atëherë ashtu edhe sot – që mbetet një besim i patundur i imi në fjalët e Thomas Xhefersonit se,“Duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend” dhe në besimin se ligjet e këtij vendi garantojnë të drejtën time, sipas Xhefersonit, “për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, i bindur, se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”  — mbetet, mik I dashur, ajo FORCA e mbrendshme që më detyron të jem mirënjohës ndaj këtij vendi edhe në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë.

Është pra, ky detyrim moral personal, që në këtë 50-vjetor të arritjes time dhe të familjes në këtë vend, të them: Faleminderit, Amerikë, përgjithmonë, si në kohë të mira ashtu dhe në kohë të vështira.  Thank You!  Ashtu si edhe 50-vjetë më parë edhe sot: I love America!  Një shprehje kjo po aq e bindshme, domethënse dhe moralisht e detyrueshme për mua — në këtë 50-vjetor dhe në 70-vjetorin e lindjes — ashtu siç ishte për mua edhe para 50 vitësh kur kam zbritur në Nju Jork, për herë të parë.  Si atëherë kur kam shprehur të njëjtat ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj këtij vendi, ashtu po bejë edhe sot me këtë shkrim modest për informacion për familjen time të ngushtë dhe më të gjërë, si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e mi të shumtë — të cilët i falënderoj gjithashtu nga zemra për miqësinë, mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë dhe në 70-vjetorin e lindjes –kudo qofshi në Amerikë,Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Megjithë problemet që mund të ketë pasur dhe ka edhe sot Amerika dhe megjithë sfidat që kam hasur në jetë dhe karrierë gjatë 50-viteve të fundit–ashtu si gjysëm shekulli më parë kur kam filluar këtë rrugëtim të gjatë — gjithnjë dhe pa hezitim falënderoj dhe i jam mirënjohës këtij vendi që më ka pranuar dhe për mundësitë që më ka dhënë mua dhe familjes time gjatë dekadave.  Ashtu, si 50-vjet më parë, i ardhur rishtas në këtë vend, kisha shprehur ndjenjat e mia për Amerikën në një shkrim modest si student në Kolegjin Lehman në Nju Jork, edhe sot e kësaj dite jam krenar të them gjithnjë me zemër dhe bindje: I love America! Të Dua Amerikë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok