Testamenti i Ali Podrimes
Nga Dorian Koçi
Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri” në vitin 1971 Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë kosovarë duke filluar nga Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte forcën përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe. Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë , në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar por që në thelb po i bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.
Filozofi i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarat e tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu ringjallja shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante poezia e Podrimes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet medieve por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhë e zi të zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80 , fotografi që sipas të gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet 90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm me trupin e pakët dhe sytë e drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për të mos trembur njeri sepse kumtet shqiptare të fund shekullit të XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.
Fjala shqip kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981 për Parisin se mbrapa do i lëmë pas shpine netët ballkanike, vallet , këngët , baladat dhe vetëm fyellin do marrim ti biem sa herë që do na rrokë malli . Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.
Lamtumirë poeti ynë që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje sa herë duam të njohim vetveten do rikthemi sërish te arti yt sepse aty do gjejmë vetveten dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja u tha se shkaku i vdekjes ishte dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit sepse ata janë det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat e paralizuara dhe për këtë gjë nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit le ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij ashtu si kanë qenë amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta e me radhë.