20/02/2025

TESTAMENTE TË TRADHTUARA TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË

0
Natasha-Lushaj-Aftesia

(Mbi veprën studimore “Aftësia vetërregulluese e tekstit autentik” të Natasha Lushajt, “Neraida” 2024 )

Nga Agron TUFA

Një bërthamë të hershme të këtij studimi që tani titullhet “Aftësia vetërregulluese e tekstit autentik” e kam njohur që në shtator të vitit 2004. Studiuesja Natasha Lushaj, – një autore e altertekstesh kurrikulare të letërsisë për gjimnazet, me përvojë të gjatë mësimëdhënieje në shkollat e mesme dhe universitet, e pati sjellë bërthamën e këtij studimi në redaksinë e të përjavshmes letrare “Fjala” dhe se, sprova e parë e këtij studimi, u botua me vijime me titullin e redaksisë “A është i Petro Markos romani Një emër në katër rrugë?” Mbaj mend mirë se ishte e shqetësuar, se presionet dhe shantazhet, në lidhje me artikujt e saj kontestues mbi falsifikimet në tekstin e romanit të Petro Markos, i ishin përcjellë studiueses që kishte guxuar. Por rrethkonkretësisë së këtyre presioneve ajo nuk më foli asokohe, pavarësisht se unë e ndjeja mjaftueshëm ndikimin e tyre mbi studiuesen, për të cilën kisha një respekt të pastër nisur nga recensionet e saj letrare në shtyp.

Shqetësimi, apo më mirë alarmi i mprehtë që ngrinte asokohe studiuesja ishte një paralajmërim profetik, ndonëse prej Kasandre, mbi “kulturën e falsit”, siç e ka përkufizuar me të drejtë autorja e studimit. Bëhej fjalë për ndërhyrje të rënda (interpolime) që cënojnë e tjetërsojnë strukturat artistike të tekstit të një vepre letrare postem (pas vdekjes së autorit), duke sjellë kësisoj një shpërfytyrim të plotë rrënimtar semantik e estetik të veprës (sidomos me trafikimin e simbolikave, heqjeve rreth 100 faqe tekst, ndryshimit të vetës rrëfyese nga unë në ai, etj., etj). Natasha Lushaj e kishte konstatuar dhe fiksuar këtë ndërhyrje, manipulimin dhe falsifikimin e pasardhësve të shkrimtarit Petro Marko mbi romanin e tij “Një emër në katër rrugë” (1973) të botuar e të ndaluar nga cenzuara totalitare komuniste që në shtypshkronjë, pavarësisht  500 kopjeve të shpëtuara e të shpërndara ilegalisht.

Studimi i tashëm është një thellim i skajshëm i asaj bërthame shqetësuese të shtatorit 2004 të botuar me vijime tek “Fjala” dhe, le ta pranoj sinqerisht e me zemër të lehtë: për mua ka qenë një e papritur e këndshme leximi i këtij libri në dorëshkrim, si një studim i rrallë filologjik ndër ne. Pse?  Sepse studimi vë gishtin mbi një plagë të rëndë, të vjetër, ende pa shërim, siç është kultura e manipulimit, ndërhyrjes së “dorës së huaj” në shenjtërinë e dorëshkrimeve të autorëve, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë.  Këtë kulturë mund ta përfshinim metaforikisht me një titull të huazuar nga Milan Kundera: “Testamente të tradhëtuara” (por, në kuptimin e drejtpërdrejtë, jo si tek Kundera).

Do të kishte qenë e padrejtë të kufizoheshim vetëm me këtë dramë apo tragjedi, të konstatuar e të vërtetuar bindshëm në repertorin e veprave, teksteve e dorëshkrimeve të autorëve të letësisë shqipe si gjatë, ashtu dhe pas rënies së diktaturës komuniste; studimi i tashëm përfshin, natyrisht, edhe praktika, mendësi apo koniuktura që punojnë njësoj si dikur duke e dëmtuar veprën pas vdekjes së autorit, mu sikur shpirti përndjekës i cenzurës komuniste të mbijetonte përmes një inercie totalitare edhe sot. Por ajo që e bën tejet të çmuar studimin e përfunduar është shtrimi i çështjeve konkrete në një rrafsh serioz e të kthjellët teorik, artikulimi filologjik në trajtimin e dukurisë, përmes një instrumentari të pasur e elastik të terminologjisë dhe nocioneve, me të cilat kanë operuar traditat e teorive klasike, moderne e postmoderne.  Gjithë peshën e nocioneve elaboruese filologjike mbi tekstin autentik apo të falsifikuar, studiuesja Natasha Lushaj ia ngarkon një triade të qëndrueshme terminologjike: arketip – neoarketip – tekst fals. Dy të parat lidhen kryesisht me botimet dhe vullnetin e autorit për sa ky është gjallë, respektivisht me botimin dhe ribotimin e përmirësuar/rishikuar, ndërsa teksti fals përfshin në dyshimin e vet filologjik çdo vepër të botuar pas vdekjes së autorit. Për dy rastet e para (arketip-neoarketip), studiuesja sjell një shembull konkret, të përimëtuar mirë sipas metodës së analizës krahasuese mbi botimin dhe ribotimin e romanit të I. Kadaresë “Kështjella” (1970) dhe “Daullet e shiut” (Onufri 2003) duke e nxjerrë arketipin e romanit “Kështjella” nga një rreth i ngushtë simboliko-alegorik me konotacionet ideologjike të aktualitetit politik të asokohe – në një erashkë më të gjerë të strukturës siboliko-alegorike  në neoarketipin (ribotimin) e vitit 2003. Tashmë kemi të bëjmë me një “projekt të ri narrativ”, me një tekst me “autenticitet të ri”, ku dominant është neoarketipi i qiellit (mbi Kështjellën e rrethuar), i rikompozuar si një “model universal ringjalljeje”.

Shembulli gjerësisht i demonstruar në studim është ai i tekstit fals mbi “botimin” gjoja autentik të romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë”; kuptohet, trashëgimtarët e shkrimtarit e botojnë romanin pas vdekjes së autorit: vepra, tashmë e botuar një herë me 1973 me vullnetin e autorit, ndonëse e ndaluar në shtypshkronjë, përbën flagrancën e dëshmuar të ndërhyrjes tjetërsuese të “dorës së huaj”. Studiuesja është bindëse në shtrimin, shtjellimin, hulumtimin dhe analizën e fakteve përmes aparatit të palëkundshëm teorik, sjell një pasuri marramendëse e shokuese faktesh e flagrancash, saqë, herë-herë, të ngjan me punën e paepur të një “dedektivi filologjik”, për të përg[njeshtruar shtresën e alibive dhe gënjeshtrave, deri në deshifrimin e plotë të aktit kriminal mbi tekstin.

Rëndësia e studimit, përpos vlerës së padyshimtë teorike, që përcakton vërtetësinë/falsitetin e një teksti apo vepre letrare dhe e vendos autenticitetin në shina të sigurta filologjike, ka një vlerë shumë të madhe për vetë repertorin e letërsisë sonë kombëtare të traditës dhe modernitetit, shpesh të manipuluar qëllimshëm, për shkaqe ideologjike apo merkantile. Ciladoqoftë ndërhyrja, cilidoqoftë qëllimi, rezultatit është po njëlloj vrastar: viktimë është letërsia shqipe – testamenti autorial tradhtohet.

Ky studim, me karakteristikë monografike, rreth kulturës së falsifikimit në repertorin tonë letrar, ashtu siç dëshmon studiuesja Natash Lushaj, e merr zanafillën që nga tekstet e Rilindjes Kombëtare, thellohet përbindshëm në vitet e diktaturës komuniste dhe vazhdon paradoksalisht, po njëlloj, edhe në ditët tona. Studimi pra, i “blinduar” teorikisht, ka gjithshtu vlerën e një gjesti të pallogaritshëm edhe si ndërgjegjje shkencore intelektuale, si moral qytetar, diktuar nga dashuria për letërsinë shqipe dhe alergjia ndaj gënjeshtrës. Studimi ka vlerën e një apeli që lëshon studiuesja mbi masakrimet që janë bërë e bëhen mbi repertorin tonë letrar, pavarësisht nëse shkaqet dhe qëllimet janë ideologjike apo përfituese: teksti duhet të mbetet sakral dhe të ketë bekimin e autorit. Jashtë kësaj të vërtete do të kemi gjithmonë dyer të hapura për çdo arbitraritet.

Një studim i tillë i guximshëm dhe novator, që prek plagë e sëmundje, prejt të cilave mund të shpërfytyrohet letërsia e vërtetë, mund të shpërfillet vullneti i çdo testamenti autorial dhe të sundojë “Sodoma” e kulturës së  falsit, ka qenë dëshpërimisht i nevojshëm dhe dëshpërimisht i munguar në studimet tona. Shpresoj dhe jam i bindur paraprakisht, se me botimin e këtij studimi do të hapet një seri e pasosur hulumtimesh nga filologë të rinj, pasi shtresa e falsifikimeve të vjetra është trashur me manipulime të reja. Mjafton të çosh ndërmend botimet e veprave/kryeveprave botërore, të përkthyera (por dhe vepra origjinale) së pari në gegnishten letrare, e mandej, të ribotuar pas vitit 1972 në gjuhën e njësuar, sikundër botimet e treta e të katërta pas viteve 1990, tashmë nga trashëgimtarët, pas vdekjes së përkthyesve. Mandej falsifikimet e tjetërsimet e sotme mbi autorë dhe përkthyes që nuk janë gjallë (rasti i tjetërsimit nga botimi i tekstit përkthimor të “Faustit” të Gëtes nga sh.b “Argeta”). Rastet janë të pafundme dhe, për gjithë këtë ndërmarrje të madhe filologjike të së ardhmes, për gjithë këtë punë të madhe “sanitare” në universin e repertorit tonë letrar, mendoj se ky studim i shkëlqyer i studiues Natasha Lushaj do të shërbejë pashmangësisht si model dhe pikënisje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok