07/10/2024

TEMPULLI DIANA I KANDAVIAS – DIANAE AUGUSTAE CANDAVIENSIS (II)

0

Nga Dr. Lutfi ALIA

Ilirët kishin dhe nderonin perënditë e veta politeiste, që me pas u përzienë me hyjnitë helene dhe pas pushtimit romak, u zëvendësuan me hyjnitë e panteizmit romak, por helenët dhe romakët morën nga hyjnitë dhe nga politeizmi ilir. Ndër hyjnitë ilire rendisim Joni (Deae Yonio – hyu i detit), Vidaso (hyu i pyjeve), Thana-Zana (hyjnesha e pranverës), Nesti (hyu i kultit të ujit), Rodoni (hyu i lundërtarëve dhe i detit), Bindus (hyu i burimeve, i lumejëve, i liqejve), Medauri (hyu i luftës), Tato i konsideruar Deus Patrius (hyu i Atdheut), Bathas hyu i rrufeve dhe idritës etj. Mitologjia ilire, krahas origjinalitetit, ngërthen në vete dhe një varg paralelizmash me mitologjinë helene dhe romake. [Ceka N. The Illyrians to the Albanians, Tirana. Edit. Migjeni. 2013].

Hyjnesha ilire Thana/Zana.

Në periudhën parahelene dhe pararomake, popullata ilire e kremtonte festën e pranverës në tempujt e Thana/Zana, hyjnesha e pranverës, e pyjeve, e lëndinave e burimeve. Banorët e Kandavias së lashtë ishin pagan dhe nderonin hyjnitë e veta politeiste në tempuj të shumtë, ndër të cilët ishte tempulli i Thana/Zana, hyjnesha e pranverës.

Në lidhje me hyjneshën Zana, thuhet se emëri i saj i lashtë është Thana, madje rreth këtij argumenti kemi një shpjegim të qartë nga Meyeri, i cili thotë: “Në emërin ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër shqipe e emërit Zana”. [Gustav MeyerAlbanesische Studien 1883-1897;  Etymologisches Wörterbuch der albanesischen SpracheWien: F. Tempsky, 1891, pp. 32].

Ky version sugjerohet nga zbulimet arkeologjike në trevat e Ilirisë veriore të banuar nga fiset Oseriate, ku janë gjetur altare blatues dhe kolona mermeri me mbishkrimin: Thana patrona – Thana padrone dhe një gur altari me emërat e hyjnive ilire Vidaso e Thana dhe fragment pllake mermeri me mbishkrim dedikuar hyjnisë Jonio (Dea Jonio)..

Sipas ilirologut Aleksandër Stipçeviç, nga mbishkrimet dhe nga figurat e hyjve në altare, rezulton se Thana ilire, përkon tërësisht me profilin e Dianës romake, madje emri Thana është forma arkaike e emrit Zana, si rezulton në një gur altari kushtuar dy hyjnive ilire Vidaso e Thanae, i zbuluar në Topusko të Kroacisë, çka tregon se para pushtimit romak, fiset ilire Oseriate, që banonin në këto troje, e nderonin hyjneshën Thana. Në një vazo të fiseve ilire Narensi, e zbuluar në Bosnje, hyjnesha Thana prezantohet me degë palme në njerën dorë dhe një degë hardhie ne dorën tjetër, pra pa hark dhe pa shigjeta. [Aleksander Stipçeviç. The Art of Illyrians, Edizione del Milione, 1963].

Kulti i hyjneshes Thana ndeshet dhe në Scala di Furno, pranë Porto Cesarea (Lecce – Itali) dikur troje të banuara nga Mesapët, si rezulton në një fragment vazo blatimi e shekullit VII – VI para K, e zbuluar në Oria, ku është mbishkrimi kushtuar hyjneshës Thana (?ana), çka dëshmon se nderohej nga fiset ilire Mesape, për të cilët Thana ishte hyjnesha e hënës, e pyjeve dhe e pranverës, ndërsa Themis ishte nimfa shoqëruese e saj. [Vincenzo Scarpello, I Messapi, Etruschi di Terra d’Otranto. LecceSette, 2009, pp2 – 4].

Shumë studiues italianë theksojnë se idiomat mesapike kanë lidhje me gjuhën ilire. [Philip Baldi

The Foundations of Latin, Walter de Gruyter GmbH & Co KG, 2018, p. 150].

Historiani Ciro Santoro thekson: “Teonomia mesapike Thana, është pikërisht Thana ilire”. Duke analizuar përputhjet teonomike të Thana ilire me Diana romake, Santoro konkludon: “Është e sigurtë që Thana ilire është identifikuar me Dianën romake”.[Ciro Santoro, Nuovi studi Messapici, Epigrafi e Lessico, Vol. II, Congedo 1983, pp. 12 – 40].

Hyjnesha Thana (Tana, Thaina) në shekujt IX – VII para K, nderohej nga etruskët si hyjnesha e qiellit, e dritës e pjellshmërisë, e lindjes, njëkohësisht ishte hyjnesha e magjisë dhe e transformimeve, e cila vepronte në errësirën e një shpelle, që ishte strofkulla (Tana) e hyjneshës. Nëpërmjet magjisë, të cilës i friksoheshin si etruskët dhe romakët, hyjnesha Thana vepronte në transformimet e njerëzve, të kafshëve, të pemëve dhe bimëve, nëpërmjet ndërrimit të stinëve. Romakët e përvehtësuan hyjne-shën etruske, andaj konsiderohet divinitet etrusko-romak. Më pas, Thanën – Thaina etruske, romakët e asimiluan në hyjneshën Diana.

Në periudhën helene tempujt e Thana mesape, u shndërruan ne tempuj të Artemisës, si thekson historiani Santoro: “Është identifikuar se Thana mesape u shndërrua në Artemisën helene”. [Ciro Santoro, Il lessico del Divino e della religione messapica. Publisher Società di Storia per la puglia. 1989, pp. 65 – 80]

Gjatë pushtimit romak të Ilirisë nuk u shkatërruan tempujt e Thana/Zana, as tempujt e Artemisës, por romakët i përshtatën hyjneshës së pranverës Diana romake. Historiani R. Del Ponte thekson: “Gjatë sinkretizmit fetar në periudhën e Romës imperiale, hyjnesha Diana u identifikua me hyjnitë femëra orientale, dukuri që ndodhi dhe me ilirët”. [Renato Del Ponte. Capitolo V: Nostra signora delle selve, in opera “Dei e miti italici” Genova, ECIG, 1985, pp. 159 – 197].

Eqerem Çabej, duke analizuar lidhjen e emërit Zana ilire, me Diana romake spjegon: “Kulti i fortë i Dianës në Shqipëri dhe në mbarë vendet e tjera te Gadishullit Ballkanik të kohës antike, si shihet nga dëshmia e mbishkrimeve latine, të cilët na shtyjnë të pranojmë, se hyjnesha Diana është një ‘interpretatio latina’ e hyjnisë epike vendase pararomake, pra e Zanës ilire. Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit Zana, e cila i ngjante asaj dhe i dha emërin e vet.

Nga këto të dhënë shihet ngjashmëria e tre hyjneshave, Artemisa e ndjekur nga amazonat, Diana e shoqëruar nga nimfat dhe Zana iliro-arbërore e shoqëruar me Orët dhe Shtojzovallet.

Me këto aspekte spjegohet përse Zana, shpesh herë në shqipe na del në numër shumës si Zanat, Orët e Shtojzovallet. Në shumës shfaqet dhe në toponime si: “Logu Zanave”, “Shpella Zanave”, “Pylli Zanave”, “Zanat e Mansit”, “Përroji i Zanave”, “Oret e Shalës”, “Orët e Dukagjinit”, “Orët e Valit”. Në këto toponime, emërtimi Zana, përdoret në kuptimin hyjnesha mbrojtëse e maleve, e pyjeve, e vendeve, si e Dukagjinit, e Shalës, e Valit, ashtu si Artemise ishte mbrojtëse e Efesit dhe Diana mbrojtëse e pyjeve, lendinave dhe burimeve. Vështruar në këto aspekte kuptohet se gjatë proceseve të romanizimit të ilirëve dhe sinkretizmit fetar, romakët emrin Thana/Zana, e zëvendësuan me emërin Diana, si theksojnë Meyer, Çabej, Santoro, Skarpello, Baldi etj.

Krijimi i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana ndër fiset ilire të Parthinëve, dëshmohet me tempullin e famshëm të Diana në Kandavia.

Një ndër dokumentat e rëndësishme që dëshmon për ekzistencën e këtij tempulli është Tabula Peutingeriane e shekullit III – IV pas K, ku tempulli Ad Dianam Candaviense, vendoset në lindje të Skampës (Elbasanit), majtas mbi lumin Genesis (Shkumbini), në stacionin VIII të rrugës Egnacia.

Njoftimin këtë tempull e dha austriaku Von Kamillo Prashniker, i cili në vitin 1916 zbuloi një pllakë mermeri me mbishkrimin Ad Dianae Augustae Candaviensis – E Madhërishmia Diana e Kandavias. Për këtë zbulim Prashniker shkruan: “Gjeta një përkushtim të gdhendur në mermer të bardhë, i cili ka të thyer këndin e sipërm majtas dhe me dëmtime në faqen e pasme. Këtë bllok mermeri e gjeta në bregun e majtë të lumit Moraça, jo shumë larg shtëpisë të Milo Stamatoviç, ku gjetëm dhe materiale të tjera prej guri, që ishin pjesë të urës romake. Pllaka e mermerit ka lartësi 67 cm, gjërësi 42 cm dhe trashësi 14 cm. Ky dedikim për Diana Augusta Candaviensis lidhet padyshim me Kandavian”. [Von C. Praschniker und A. Schober. Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro. Wien. In Komission Bei Alfred Holder. 1919, pp. 5 – 12].

Prashniker e deshifroi dhe e plotësoi mbishkrimin e gdhendur në pllakën e mermerit ku krahas emrit Diana Augusta Candaviensis, është dhe emri Titus Flavius, çka sugjeron se ky tempull ishte i ngritur kur Perandor i Romës ishte Titus Flavius Vespasiano (39 – 81 pas K).

Dian (ae)

Augustae

Candavie(n)si

T(itus)

Fl(avius)

Dionysi D(onum) P(osuit).

Në frazën e fundit theksohet: “Aty hyjnia Dionisi vinte dhuratat” [Dionysi D(onum) P(osuit)].

Ku ngrihej tempulli Diana i Kandavias?

Kjo pyetje ka munduar arkeologët, historianët, albanologët, etnologët, antropologët, gjeografët, të cilët janë munduar të identifikojnë vendin e saktë ku ngrihej ky tempull i famshëm, madje kanë shtruar dhe pyetjen: A ishte vetëm një tempull, apo ishin disa tempuj të dedikuar Dianës në trevën e gjërë të Kandavias?

Vijon në numërin e ardhshëm…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok