02/03/2026

Telegram ngushëllimi i Shoqatës “Trojet e Arbrit” me rastin e vdekjes së studiuesit Mërgim Xhevat Korça

0
Screenshot

Screenshot

Sa herë që në jetën e amshuar na shkojnë studiuesit, ne si shoqatë që kemi punuar tash e 22 vite, e ndiejmë një dhimbje të madhe në shpirt. Një dhimbje të madhe ndiejmë edhe për studiuesin tonë Mërgim Korça, i cili në moshën 94-vjeçare kaloi në amshim. Jeta e Mërgim Korçës ishte një jetë që përfshinte mërgimin dhe tokën e Arbërisë. Ai u lind në mërgim, në Graz të Austrisë, më 30 dhjetor 1932. Siç shkruan shkrimtari dhe studiuesi Visar Zhiti, Mërgimi familjarisht mërgon për në SHBA, tek i vëllai Genci, në Michigan. Nisi një jetë të re dhe një pasion të ri. Në të gjashtëdhjetat zotëron gjuhën angleze. “Në një moshë kur shumëkush mendon të ngadalësojë ritmin, ai përqafoi një thirrje të dytë si shkrimtar, analist dhe ligjërues publik… ai u shndërrua në një publicist të mprehtë, duke sjellë qartësi dhe guxim në tema shpesh të mjegulluara nga ideologjitë. Përtej shkrimeve të tij, Mërgim Korça njihej për humanizmin e tij të ngrohtë, ndershmërinë intelektuale dhe bindjen e palëkundur se historia duhet të shqyrtohet jo përmes ideologjisë, por përmes fakteve dhe analizës kritike.” Mërgim Korça për një kohë të gjatë dha kontributin shkencor te Shoqata “Trojet e Arbrit”, ku botoi dhjetra shkrime. I bënte analiza të përpikta të Kanunit të Lekë Dukagjinit, shkruante për personalitetet e mëdha të Shqipërisë Etnike. Po ashtu botonte edhe tema për historinë e Gjergj Kastriotit, pa harruar edhe Mustafa Krujën, Prekë Calin, Kapidan Gjon Marka Gjonin, Kapidan Mark Gjon Markun dhe shumë atdhetarë të tjerë. Mirëpo ai ishte mishëruar shumë në jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës. Për shkak të moshës ai nuk mund të merrte pjesë fizikisht kur e mbajtëm në Prishtinë një sesion shkencor më 30 korrik 2016 për At Gjergj Fishtën; megjithatë, ia patëm mundësuar një prezantim të veçantë prej 45 minutash përmes një videoje që na pati dërguar për këtë eveniment shkencor. Bënte analiza të holla të shumë ngjarjeve historike; këtë ia mundësonte edhe leximi i madh që i bënte literaturës shkencore, si dhe dokumenteve të ndryshme, pasi që ishte njohës i shumë gjuhëve botërore. Gjatë bisedave të shpeshta telefonike dhe komunikimit përmes emailit, shihej qartë se e kishte një brengë në zemër. Ajo brengë ishte vdekja në grevë urie e babait të tij, ish-Ministrit të Arsimit në kohën e Shqipërisë Etnike, Xhevat Korça.

Shoqata “Trojet e Arbrit” me dhembje e ngushëllon familjen e Mërgim Korçës me shprehjen tradicionale shqiptare: Zoti ju lëntë shëndoshë!

Në emër të Shoqatës “Trojet e Arbrit”, familjes dhe miqve të Mërgim Korçës i ngushëllon Nue Oroshi, Kryetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok