Teknologu që solli inovacione në industrinë e pijeve në rajon
Profili profesional i Dr. Mark Lekoçajt, specialistit të pijeve alkoolike dhe joalkoolike nga Tuzi
Nga Gjekë Gjonaj
Në një periudhë kur zhvillimi teknologjik po përshpejtohet me ritme të shpejta, aftësia për të kuptuar, analizuar dhe menaxhuar sisteme teknike komplekse është bërë thelbësore për funksionimin e industrive moderne. Brenda këtij konteksti, profili profesional i Dr. Mark Nua Lekoçajt nga Tuzi, me origjinë nga Trieshi, paraqet një shembull të spikatur të ndërthurjes së qasjes inxhinierike me vizionin strategjik të menaxhimit teknologjik dhe inovacionit të qëndrueshëm në industrinë e pijeve alkoolike.
Formimi dhe karriera akademike
Mark Lekoçaj u lind më 8 maj 1961 në Shipshanik të Tuzit. Rruga e tij profesionale nisi në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Beogradit, ku më 19 maj 1986 u diplomua në drejtimin “Teknologji ushqimore dhe industri të pijeve”. Pas diplomimit, ai vazhdoi studimet pasuniversitare në Zemun, ku u specializua në teknologjinë e pijeve alkoolike dhe mbrojti me sukses magjistraturën me temë mbi ndikimin e llojeve dhe shumëllojshmërisë së frutave me bërthamë në përbërjen kimike të rakive.
“Për temën e magjistraturës janë analizuar rreth 700 mostra të ndryshme rakish të prodhuara nga fruta me bërthamë, me qëllim identifikimin e acidit cianhidrik dhe benzaldehidit, përbërje që burojnë nga bërthama e frutit. Ky hulumtim solli një zbulim të rëndësishëm shkencor: për herë të parë u konstatua se këto substanca nuk gjenden vetëm në thelbin e bërthamës, por edhe në lëvoren e saj, ndonëse në sasi shumë të vogla”, thotë Lekoçaj.
Kulmi i karrierës së tij akademike u shënua në vitin 2019, me mbrojtjen e doktoratës me temë “Optimizimi i procesit teknologjik të prodhimit të rakisë së dyfishtë nga vera e kumbullës të tipit Pruvin”. Ky studim bashkon metodologjinë bashkëkohore shkencore me përvojën praktike dhe traditën e prodhimit, duke propozuar modele të reja për kontrollin e aromës, pastërtisë dhe sigurisë së produkteve.
“Gjatë punës në disertacionin e doktoratës janë përftuar 4.564 rezultate nga analiza kimike dhe 2.135 vlerësime sensoriale, çka e bën këtë studim një nga më gjithëpërfshirësit në fushën e teknologjisë së rakisë”, thekson Lekoçaj.
Karriera profesionale – katër dekada inovacion
Karriera profesionale e Dr. Mark Lekoçajt nisi në vitin 1986 në Kosjeriq, në fabrikën “Povlen”, ku shumë shpejt u afirmua si teknolog kryesor. Pikërisht në këtë periudhë ai mori pjesë në krijimin e rakisë së parë me origjinë gjeografike të kontrolluar në ish-Jugosllavi – një arritje që shënoi një kthesë të rëndësishme në standardizimin dhe vlerësimin e produkteve tradicionale.
Në praktikën e tij profesionale, teknologu dhe specialisti i pijeve alkoolike Dr. Mark Lekoçaj ka realizuar një sukses të rrallë-zhvillimin dhe prodhimin e një pijeje të tipit konjak nga kumbulla, e quajtur “Kralj”, e para dhe e vetmja e këtij lloji në botë. Ky inovacion është realizuar përmes metodave të reja teknologjike, duke sfiduar konceptin klasik sipas të cilit baza tradicionale e konjakut është vera nga rrushi. I mbështetur drejtpërdrejt në hulumtimet e doktoratës së tij, ky produkt synon të ringrejë reputacionin e distilateve të kumbullës, duke i pozicionuar ato në një nivel më të lartë, të krahasueshëm me markat më të njohura ndërkombëtare të distilateve.
Përmes eksperimenteve të bazuara në fermentim të kontrolluar, përzgjedhje të kujdesshme të frutave dhe distilim progresiv, ai arriti të reduktojë ndjeshëm komponimet e padëshiruara në distilate, duke rritur cilësinë e pijeve rrënjësisht. Metodat e tij sot përdoren si referencë në industrinë e prodhimit të rakisë së frutave. Produktet e distilerisë ku ai ka punuar, në Distilarinë “Zariq”, përveç pijesë “Kralj” janë vlerësuar edhe produktet e tij “Kraljica”, “Nirvana”, “Opsesija”, “Nostalgija” e të tjera, me çmime, shpërblime dhe medalje në konkurse prestigjioze ndërkombëtare, si Spirits Selection by Concours Mondial de Bruxelles, Bartender Spirits Awards, etj.
Në vitin 2020, pija “Nirvana” u përfshi ndër 10 spiritet më të mira në botë, duke fituar gjithashtu Medaljen e Artë. Kulmi i këtij suksesi u arrit në vitin 2016, kur “Nirvana” fitoi çmimin më prestigjioz – Arin e Dyfishtë – në një nga garat më të njohura ndërkombëtare në Las Vegas ( SHBA). Si simbol i këtij vlerësimi të jashtëzakonshëm, rakija u ekspozua në vitrinën prej kristali të hotelit legjendar Caesars Palace. Një raki tjetër prej mjedre “ Obsesija” në vitin 2018 u rendit ndër 10 distilatet më të mira të frutave në botë nga revista franceze LARVF. Sukseset e tij kanë vazhduar edhe në Bruksel, ku disa herë është nderuar me vende të para.Para tri vitesh, produktet e tij nga kumbullat dhe dardhat u përzgjodhën ndër gjashtë produktet më të mira në botë. Në Bukuresht, dy herë është vlerësuar me çmime për rakinë e ftonit, ndërsa në Francë rakia e tij renditet ndër pesë më të mirat në botë.
Po ashtu Dr. Mark Lekoçaj ka publikuar si bashkautor disa punime shkencore në fushën e teknologjisë së prodhimit të rakisë. Gjatë viteve ’90 e deri më sot, ai ka punuar në një sërë ndërmarrjesh të industrisë së pijeve alkoolike dhe joalkoolike, të ujërave, lëngjeve të frutave, si dhe të produkteve ushqimore. Në këto struktura ai është angazhuar si teknolog kryesor, konsulent profesional dhe këshilltar i pavarur në projekte të specializuara zhvillimore.
Një element kyç i profilit profesional të Dr. Lekoçajt është aftësia për të ndërtuar ura lidhëse mes teorisë së sistemeve teknike dhe zbatimit praktik të tyre në industri. Ai konsiderohet ndër teknologët më të njohur të industrisë së pijeve në rajon, i cili për katër dekada ka qenë figurë qendrore në modernizimin e prodhimit të rakisë, verës, distilateve të frutave dhe produkteve ushqimore me bazë frutash. Me një formim të qëndrueshëm akademik, inovacione të vlerësuara dhe përvojë të gjerë praktike, ai ka vendosur standarde të reja cilësie, të cilat sot njihen dhe zbatohen gjerësisht në mjedisin profesional.
Aktualisht, Dr. Lekoçaj udhëheq me sukses fabrikën “Nera” në Tuz, të themeluar prej tij në vitin 1992, ku ndër vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e linjave moderne të prodhimit të lëngjeve, marmelatave dhe përpunimeve të frutave dhe perimeve. Në këtë rol, ai është i njohur për vendosjen e parametrave rigorozë të kontrollit të cilësisë, si dhe për trajnimin profesional të stafit të ri.
Kontributi shkencor dhe ndikimi në industrinë rajonale
Dr.Lekoçaj njihet veçanërisht për punën e tij kërkimore në fushën e prodhimit të distilateve me pastërti të lartë nga frutat me bërthamë, për minimizimin e komponimeve të dëmshme si metanoli dhe benzaldehidi, si dhe për zhvillimin e teknikave të fermentimit të kontrolluar dhe ruajtjen e profilit aromatik të frutave. Një tjetër kontribut i rëndësishëm i tij lidhet me standardizimin e proceseve të prodhimit të rakive me cilësi të lartë, duke ruajtur një ekuilibër të qëndrueshëm mes metodave moderne dhe traditës lokale.
Studimet dhe praktikat e tij janë zbatuar në shumë punishte dhe fabrika në rajon, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së produkteve dhe përafrimin me standardet evropiane të prodhimit.
Vizioni dhe roli në komunitet
Për Dr. Mark Lekoçajn, teknologjia e pijeve nuk është vetëm shkencë – ajo është edhe kulturë. Ai ka qenë vazhdimisht i përkushtuar që tradita e prodhimit të pijeve nga frutat të mos humbasë, por të përmirësohet, modernizohet dhe të bëhet konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Përmes përvojës së tij shumëvjeçare, ai ka ndihmuar në forcimin e industrisë vendase, në ngritjen e vetëdijes profesionale dhe në edukimin e gjeneratave të reja të teknologëve.
Falë hulumtimeve dhe zbulimeve të tij shkencore, ky teknolog nga Tuzi ka gjetur vend edhe në laboratorët më të kërkuar të Ballkanit, duke u shndërruar në një referencë profesionale për rajonin.
Përfundim
Profili profesional i Dr. Mark Lekoçajt përfaqëson një kombinim të rrallë të vizionit strategjik dhe angazhimit ndaj inovacionit të qëndrueshëm. Me gati 40 vite përvojë, një karrierë të pasur me inovacione dhe një doktoratë të vlerësuar lart, ai mbetet një ndër emrat më të rëndësishëm të teknologjisë së pijeve në Ballkan. Kontributi i tij është bërë pjesë e historisë së kësaj industrie dhe vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e saj edhe sot.
