TEATRI TARAGJIK I JETËS NËN DIKTATURËN KOMUNISTE
Dy fjalë për romanin me titull “Meri” të autores Miranda Hanku
Nga Sami Islami
Ardhja e autores Miranda Hankut (me këtë roman) tek publiku i gjerë lexues, tregon qartë guximin e një shkrimtareje të re për t’iu futur kësaj gjinie letrare. Dhe, duke i hyrë kësaj pune, duhet theksuar se edhe marrja në shqyrtim të temës për jetën nën diktaturë, qe zgjedhje e qëlluar.
Nëpërmjet rrugëtimit të personazheve, e sidomos të krye personazhit të librit, pra të Merit, dalin në pah shumë të palara të sistemit: përgjimet, ndjekjet, persekutimet, arrestimet, shantazhet etj. Dhe për çudi të gjitha këto hipokrizi regjimi komunist po i bënte për ta justifikuar veten dhe të ashtuquajturën, “lidhjen e fortë” të partisë pushtet me popullin.
Romanin e përshkon fund e krye fati i njerëzve të thjeshtë, që ballafaqohen me situata të ndryshme. Këta njerëz jetojnë në një burg të madh, ku sigurimi i shtetit është i përhapur gjithandej. Kësaj “dore të zgjatur” nuk mund t’i shpëtonte askush, as Meri e as gjithë familja e saj, bashkë me miq e farefis. Po kështu kësaj murtaje nuk i shpëtoi as gjyshi i Merit, të cilit shumë vjet më parë shteti ia kishte konfiskuar gjithë pasurinë, të cilën ai e kishte fituar me punë e djersë. Babai i Merit, Astriti dhe shoku i tij Fatosi, po ashtu do të jenë në shënjestër të hetuesve. Astriti si i dyshimtë për aktivitet kundër regjimit, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, si person që nuk donte të bëhej mashë e pushtetit për të dëshmuar rrejshëm për shokun dhe kolegun e tij të punës, Fatosin, i cili akuzohej si sabotator dhe agjent rus.
Romani e ruan boshtin e narracionit nëpër mes të fatit të Merit, motrës së saj, Ledias, si dhe nënës së tyre Anilës. Jeta e Merit në roman ka të ngjarë të jetë edhe jeta e vetë autores së romanit , Miranda Hankut, e cila, në të njëjtën kohë është edhe personifikim i fatit jetësor të mijëra e mijërave vajzave të tjera nën regjimin diktatorial.
Demaskimin e sistemit të komunist në Shqipëri e plotëson edhe personazhi i hetuesit, i cili duke e keqpërdorur pozitën e tij shtetërore, i vë përpara interesat e tij personale. Vlen të përmendet rasti kur hetuesi i tashëm ishte i ri, qysh në kohën e studimeve, ai paska ra në dashuri me ish studenten e gjeneratës, Anilën. Propozimin e tij Anila e kishte refuzuar, duke i dhënë një pikë të madhe këtij muhabeti. Por përderisa për Anilën kjo punë kishte përfunduar qysh atëherë, për hetuesin e ardhshëm ky ishte moment i freskët ende po mendonte mënyra për zgjidhjen e tij.
Duke i pasur parasysh fatet e jetës, Anila martohet me Astritin dhe krijon familje. Mirëpo, më vonë, ngjarjet në roman zhvillohen në mënyrë dramatike. Puna shkon deri aty sa i shoqi i Anilës merret ne pyetje nga hetuesia. Dhe hetuesi qëllon mu ai djali që i kishte pas dështuar në dashuri me të gjatë studimeve. Ai kishte fërkuar duart duke menduar se tani do të ishte koha ideale për t’u hakmarrë dhe për ta poshtëruar atë. Gramozi, që në roman del vazhdimisht me inicialet GD, urdhëron që Anila t’i shkonte edhe në zyrë. Ajo shkon por me mençurinë dhe shkathtësinë e saj arrin t’i shmanget egërsisë së tij, duke mos e lejuar t’i realizonte qëllimet e tij bizare.
Intensiteti i ngjarjeve në roman nis të bie, e të merr kahje tjetër, pas vitit 1985, kur vdes diktatori Enver Hoxha. Në këtë kohë po vërehej një lloj frymëmarrje më e lehtë e popullit. Me pushtimin i ambasadave të huaja, ikjeve masive të njerëzve jashtë Shqipërisë, nisin të duken shkëndijat e para se demokracia nuk është larg për shqiptarët. Ishe koha kur Shqipëria po fillonte të hapej edhe për të huajt. Shembull konkret ishte rasti i ardhjes së shumë gazetarëve të huaj e në mes tyre, të gazetarit anglez Simon Clipi.
Ikjes nga ferri komunist i bashkohet edhe personazhi kryesor i romanit, Meri. Edhe pse me zemër të thyer, edhe kjo do të gjendet në mesin e njerëzve që i kishin pushtuar ambasadat dhe (më vonë) i kishin stërngarkuar anijet. Duke e imagjinuar rrugën e pafund edhe ajo po largohej nga familja. Në këtë trazim dilemash dhe emocionesh, Merit, për çudi, po i shfaqeshin disa xixa gëzimi. Dhe këto mornica gëzimi ishin për dy arsye kryesore: e para, se po largohej nga një regjim më antipopullori në botë dhe, e dyta se, më në fund do të bashkohej me të dashurin e saj Skënderin, të cilin për shkak të biografisë së tij nuk ishte e mundur të qëndronte në Shqipëri, po i cili po e priste përtej detit në tokën italiane.
Në fund dua ta uroj Mirandën për këtë libër të bukur dhe i dëshiroj rrugë të suksesshme dhe të mbarë në krijimtari edhe në të ardhmen.
