TË NDERUAR DIPLOMATË PERËNDIMORË NË TIRANË: KUSH PO E HUMB SHQIPËRINË?
Nga Frank Shkreli
Kjo nuk është kritika ime e parë dhe shpresoj të mos jetë as e fundit ndaj të bëmave dhe të pa bëmave tuaja sot dhe të paraardhësve tuaj diplomatë të vendeve demokratike në Tiranë, gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në Shqipëri. Nuk e bejë këtë me ndonjë qëllim të keq, por e bejë këtë sepse jam njeri i lirë në Amerikën time të dashur, i cili ia do të mirën dhe të njëjtën liri dhe begati edhe Shqipërisë, atdheut të paraardhësve të mi.
Po shikoja ditët e fundit diplomacinë ecejake tuajën (shuttle diplomacy) në Tiranë, siç quhej dikur, me grupe të ndryshme të kësaj klase politike shqiptare për arrijtjen një marrëveshje të reformës zgjedhore. Nuk mund tu besoja syve – a thua se kemi të bëjmë me një krizë botërore të përmasave të një lufte që kërcënon paqën dhe stabilitetin, jo vetëm në një vend siç është Shqipëria, por në një rajon të terë, siç zhvillohej dikur diplomacia ecejake e diplomatëve perëndimorë në Lindjen e Mesme ose udhëtimet e Henry Kissingerit për t’i dhënë fund luftës së Vjetnamit – midis armiqëve, nga një kryeqytet në tjetrin.
Por, kjo që po ndodhë këto ditë në Tiranë nuk mund të konsiderohet e tillë, megjithëse duket si e tillë, por nuk është. Sot për sot, Shqipëria është në paqë megjithëse me një “demokraci” tepër të brishtë dhe rajoni duket në paqë, të pakën tani për tani. E vërtetë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një klasë politike që kundërshtarët politikë, bashkatdhetarë të tyre i konsiderojnë armiq, por të cilët nuk po luftojnë për shkëmbim territoresh, por për të kontrolluar sistemin zgjedhor me qëllim për të ruajtur pushtetin për veten, për partinë e tyre dhe për miqtë e vet. Njoftohet se grupet e kundërta negociuese shqiptare nuk pranojnë të takojnë njëra tjetrën në zyrat e shtetit të pavarur shqiptar, por – falë armiqësive të tyre ndër-personale dhe politike — detyrohen të zhvillojnë bisedimet në një truall asnjanës, siç është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Turp më të madh nuk ka. Se çfarë sinjali duhet të jetë ky për vet klasën politike, për popullin shqiptar dhe për vet diplomatët që organizuan këto bisedime, vetëm një Zot e di. Një gjë e tillë ndodhë, normalisht, vetëm kur zhvillohen bisedime midis palëve armiqësore, për t’i dhënë fund ndonjë lufte, ose për të nënshkruar ndonjë armpushim, kur palët nuk bien dakort që të takohen në territorin e njërës ose tjetrës palë. Por, Shqipëria nuk është në prak të luftës dhe diplomatët perëndimorë nuk janë në nivelin e Henry Kissingerit – megjithse në një vend të vogël si Shqipëria, edhe mund ta konsiderojnë vetën si të tillë. Kjo nuk është diçka e re. Kemi të bëjmë me një klasë politike shqiptare, e cila për 30-vjet tani vazhdon të luaj të njëjtën lojë me shqiptarët, po se po, por edhe me diplomatët perëndimorë në Tiranë, përfshirë këta të sotmit. Kjo klasë politike i ka futur edhe diplomatët e huaj aty ku i do politika shqiptare – në një cikël të flliqtë të politikës së moçaleve politike shqiptare prej më shumë se një shekulli – të një politike shekullore otomano-sllavo-komuniste, nga e cila nuk po mund dalë dot, madje as me ndihmën e ndërkombëtarëve perëndimorë.
Tashti, të nderuar diplomatë të huaj në Tiranë, megjithë qëllimet e mira që ju mund të keni për të luajtur një rol pozitiv për arritjen e një zgjidhjeje këtij lamshi politik – reformë në drejtësi dhe reformën zgjedhore – lamshi po bëhet gjihtnjë e më i madh çdo ditë para syve tuaj — dhe të cilit çdo ditë e më tepër nuk po i gjëndet filli – ju tashti, doni e s’doni, jeni bërë pjesë e këtij problemi. Kjo klasë politike ëshët e juaja. Në të vërtetë, ju e kini krijuar, jo ju sot, por të gjithë ata para jush të 30-viteve të kaluara. Ta gëzoni! Por duhet të jeni të vetdijshëm se si të tillë edhe ju jeni përgjegjës tani për gjëndjen e krijuar, megjithse pas tri vjetësh, këto probleme do ia kaloni pasardhësve tuaj, pasi nëqoftse vazhdoni kështu, asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri – ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj me ju, pas largimit të tyre në detyra të reja diplomatike. Këto janë probleme të vjetra dhe metodat e vjetra të diplomatëve perëndimorë në Tiranë për të zgjidhur poblemet politike midis partive politike shqiptare, të cilat ju po i ricikloni pothuaj me të njëpjtin politikanë shqiptarë — kanë dështuar në një mënyrë të mjerueshme gjatë tri dekadave, sepse politikanët shqiptarë kanë qenë dhe janë mjeshtra për të manipuluar sistemin e tyre politik me qëllim për të qëndruar me dekada në pushtet, me ndihmën e ndërkombëtarëve. Në të vërtetë Kryeministri i vendit po punon për planet e vitit 2030.
Diçka duhet të ndryshojë në mendimin e perendimorëve karshi zhvillimeve në Shqipëri, nëqoftse dëshironi të shkohte përpara me vlerat perëndimore, jo gjysmake. E Buono për Albania! Nuk shkon më kështu. Mendimi se, ruajna Zot, nëqoftse e prishim pakëz këtë model të deritanishëm politik, megjithë të metat e tija, që besoj se edhe ju i shihni por për të cilat heshtni vazhdimisht, jo vetëm Shqipëria, por i mbarë rajoni destabilizohet e atëherë na dalin probleme më të mëdha – nuk qëndron. Vendet, vërtetë demorkatike, ka më pak të ngjarë të shkaktojnë probleme mbrenda ose jashtë vendit. E kam dëgjuar shpesh se stabiliteti është prioritar, se ç’bëjnë politikanët shqiptarë në Shqipëri dhe grindjet e konfliktet me njëri tjetrin, s’ka rëndësi. Bëjmë sikur nuk shohim se ç’po ndodh, heshtim, por ama duhet të zgjedhim të preferuarin tonë me të cilin duhet të merremi gjatë qëndrimit tonë në atë vend, nëherazi duke mos përfillur ankesat dhe problemet e shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, shikoni, Tirana duket si një metropol evropian, e prëparuar me pallate të larta, pjesën tjetër të Shqipërisë ta haj dreqi! Shpresoj të mos mendoni ashtu të nderuar diplomatë! Delni pak jasht Tiranës dhe komunikoni me popullin, shikoni se si jetojnë. Jam i sigurt se do bindeni se pse shqiptarët duan të largohen jashtë vendit, sikur Shqipëria të ishte në luftë.
Megjithëse, Shqipëria është e vogël, nuk mund të jeni të kënqur që në punën tuja të vlefshme diplomatike si përfaqsues të vendeve mike të shqiptarëve, të përzgjidhni atë ose ata politikanë shqiptarë me të cilët të merreni — varësisht nga periudha dhe rrethanat historike — me të cilët mund të punoni, madje edhe në kurriz të demokracisë dhe lirive për shqiptarët, me arsyetimin e vetëm që të ruajmë stabilitetin në vend. Stabiliteti në vend ruhet më së miri me këmbngguljen për krjimin e një sistem vërtet demokratik qeverisjeje dhe jo me përkëdhelje të njërit ose tjetrit politikan ose qeverie.
Kjo klasë politike pretendon se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe ne (ndërkombëtarët) pretendojmë se i duam të futen në BE, por jo pa plotësuar standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë viteve këto standarde dhe kushte veç janë shtuar në numër me keqësimin e gjëndjes poliitke dhe të drejtave të shqiptarëve. Ndër to janë kryesoret reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Historikisht, zgjidhjet e imponuara kësaj klase politike nuk janë zbatuar kurrë në të kaluarën ose janë zbatuar në mënyrë të pjesëshme dhe përkohësisht. Se çfarë i bind ndërkombëtarët se kësaj rradhe do jetë ndryshe, veç ata e dinë. Një marrveshje për reformë në zgjedhje edhe mund të arrihet midis palëve gjatë kësaj ecejake dimplomatike në Tiranë këto ditë, por zbatimi i saj nga palët nuk do të ndodhë. Të nderuar diplomatë, realisht, si mund të prisni një zbatim të një marrveshjeje –edhe nëqoftse arrihet — midis palëve për reformë zgjedhore, të cilët refuzojnë të bien dakort për një vend takim në tokën shqiptare? Pë këtë të jeni të sigurt. E atëherë, a do heshtni, a po do bëheni palë duke akuzuar njërën ose tjetrën parti ose individë për shkeljen, për vjedhjen dhe për zgjedhje jo të drejta, natyrisht, sipas oreksit dhe atmosferës politike të momentit në Tiranë.
Se pse Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe aspirante për t’u bërë anëtare e BE-së trajtohet në këtë mënyrë nga ndërkombëtarët, 30-vjet post-komunizëm, është e pashpjegueshme për mua. Vlerat dhe standardet perëndimore janë të qarta dhe të barbarta për të gjithë ata që duan ti zbatojnë ato. Nga një anë i kërkohet Tiranës zrytare plotësimi i kushteve dhe standardeve evropiane për tu bërë anëtare e BE-së, por në takime si këto ditë në Tiranë, ndërkombëtarët mund të imponojnë një marrveshje që mund të jetë në kundërshtim, të pakën me frymën, në mos edhe me vetë vlerat dhe standardet evropiane të zgjedhjeve. Përfaqsuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk duhet të marrin anën e njërës ose tjetrës palë politike në konfliktet e tyre, sidomos kur është e qartë se ndërkombëtarët, siç është provuar deri tani, nuk janë të aftë të influencojnë situatat në vend, për më mirë dhe kur asnjëra palë nuk është ideale për tu mbështetur. Nëqoftse ndërkombëtarët vazhdojnë me një politikë të tillë, atëherë, heret ose vonë, njerëzit me të drejtë do të bëjnë pyetjen: Kush e humbi Shqipërinë?