“Të na japin, çfarë të na japin, veç të rrijmë rehat”!
Nga Enver Bytyçi
“Le të na japin, çfarë të na japin, veç të rrijmë rehat”!!! Kjo ishte ofshama e një intelektuali nga Kosova gjatë një diskutimi debat saiI përket situatës në këtë vend dhe ngjarjeve në veri. Mendja intelektuale e një publicisti e thoshte me bindje këtë aksiomë “të zgjidhjes” së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Në fakt kjo formulë të të menduarit ka ardhur dhe është ngjizur nga politika e shkuar e Kosovës. Hashim Thaçi i thoshte Kurtit nr 1 në qeverisje: “Hajde Albin, shkojmë në zyrën ovale të presidentit Trump dhe e nënshkruajmë marrëveshjen e ndryshimit të kufijve. Hajde ta heqim qafe Serbinë”! Dmth, hajde ta ndajmë Kosovën e “të rrijmë rehat”! Pastaj Batoni thoshte se “Çka na duhet veriu i Kosovës?! Çka na duhet edhe tash pas 20 vjetësh të flasim për krimet e Serbisë në Kosovë”?! Më tej, sot disa të ashtuquajtur intelektualë na thonë se “Vetëm ndarja e Kosovës na jep zgjidhje, na bën shtet”! Dhe për në fund Edi Rama para një viti na kërcënonte: “Ose Open Balkan, ose luftë”! Pra, pranojeni Ballkanin e Hapur që të rrijmë rehat pa luftë e pa konflikt!
Të gjitha këto formula dhe opinione janë gatit në kuzhinën e shërbimeve sekrete të propagandës serbe e ruse, me qëllim që përfaqësuesit e Kosovës të pranojnë të bisedojnë për opsionin e ndryshimit të kufijve. Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në çdo takim me përfaqësuesit e diplomacisë amerikane dhe europiane përsërit refrenin, sipas të cilit “Serbia duhet të marrë diçka në Kosovë. Duhet të përfitojë territorin e veriut. Dhe, pas kësaj, ne do të lëshojmë aleancën me Rusinë e do t’i bashkëngjitemi BE-së e madje edhe NATO-s”! Diplomatët e besojnë. Thonë se “është më mirë t’i japim diçka Serbisë nga territori i Kosovës dhe ta marrim në anën tonë, sesa e kundërta”! Pra edhe këta përdorin nocionin “T’i japim territor të Kosovës Serbisë dhe të rrijmë rehat”! Siç e thoshte intelektuali analist e opinionist i Kosovës para pak ditësh!
Tani të vijmë te llogaria reale. Ta zëmë se Kosova u pajtua t’i japë tri apo katër komuna të veriut Serbisë. A do të kthehet Serbia e të bëhet aleate e Perendimit?! Po ju garantoj se jo. Në pikëpamjen dhe bindjen time lidershipi i Beogradit ka si synim thjesht ta joshë bashkësinë ndërkombëtare dhe palën e Kosovës të pranojë bisedime për këtë temë. Madje në fillim duke premtuar edhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Fillimi i bisedimeve do të ishte gjysma e suksesit të Beogradit. Gjysmën tjetër Serbia do ta plotësonte me kërkesa maksimaliste.
Nëse do të arrinte të merrte territoret e veriut të Kosovës, Aleksandër Vuçiç do ta shpallte veten e tij hero të Serbisë! Dhe më pas do të jepte dorëheqjen edhe nga politika, natyrisht duke i bërë thirrje politikanëve tjerë që do vinin që të mbanin premtimin e tij për aleancë me Perendimin. Por ikja e tij do të bëhej pikërisht për t’i ikur premtimit për t’iu bashkuar sidomos NATO-s. Pra për të ruajtur aleancën dhe lidhjet politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike, në ernergjitikë dhe kudo me Moskën. Edhe sot Vuçiç e di se nuk ka asnjë shans të ndryshojë kursin e Serbisë drejt Perendimit. Nuk ia pranon këtë as Kisha, as akademia, as stafet akademike në universitete, as mediet, as opinion publik.
Në këto kushte do të vinin në pushtet politikanë të rinj. Asnjë prej tyre nuk ka mundësi të ndryshojë kursin e Serbisë. Edhe sikur të kishte nga ata që kanë simpati për Perendimin. Pamundësia lidhet me ato faktorë që pengojnë sot Vuçiç-in në ndryshimin e këtij kursi. Për pasojë në Beograd do të fillojë të flitet për serbët në brendësi të Kosovës, për manastirin e Deçanit, Brezovicën, Kllokotin, Graçanicën dhe çdo m2 territor ku ka një kishë ose një gur të “shenjtë” serb. Pasardhësit e Vuçiç do të kërkojnë pjesë në këto territore ose ekstra-territore. Sërishmi me gënjeshtrën e radhës se, nëse realizohen kërkesat e tyre, ata do ta ndryshonin kursin e aleancave nga Lindja në Perendim.
Do të kishim kështu një dekadë tjetër përpjekjesh në kërkim të njohjes së Serbisë, derisa shteti i Kosovës të zhbëhej përfundimisht. Pas zhbërjes as Serbia, as SHBA-të, as 22 vendet e BE-së dhe as Australia, Turqia, Kanadaja etj, nuk do të kishin nevojë më të flisnin për shtetin e Kosovës. As Kina e India nuk do të dëgjonin më nga veshët se ekziston një shtet i njohur nga mbi 100 shtete, i cili është në pritje të njohjes edhe nga Pekini e Dehli. Gjithçka do të shumëzohej me zero!
Në këtë rast Serbia e Rusia do ta kishin fituar betejën me shqiptarët! Por jo vetëm Serbia e Rusia! Edhe ky “intelektuali i shquar” që ka qëllim të vetëm “rehatin”. Edhe Baton Haxhiu me opsionin e shumëzimit me zero të gjakut dhe sakrificave të Kosovës! Do të rrinte rehat në Hagë gjithashtu Hashimi! Dhe pas dhjetë vitesh me siguri do të ndjehej shumë rehat edhe Edi Rama në pushime pensionale së bahsku me Koço Kokëdhimën në Bregun e Jonit!
Ja pafshi hajrin kësaj rehatie o “intelektualë” të devotshëm për prapanicën tuaj e interesat e Serbisë!