22/12/2024

Të mësojnë, edhe gjuhësisht, ku gjendet Shqipëria!

0
Gjoke_Dabaj1

DETYRA NUMËR NJË E INTLEKTUALËVE TË SOTËM SHQIPTARË:

Të mësojnë, edhe gjuhësisht, ku gjendet Shqipëria!

Nga Gjokë Dabaj

Këtë punë duhet ta fillojnë të parët profesorët e gjuhës shqipe. Ata që kanë kryer  në universitetet dhe në fakultetet tanë degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe që punojnë si pedagogë nëpër fakultete, si studiues në institutet e gjuhësisë e të letërsisë shqiptare, apo si mësimdhënës nëpër shkolla. Nëse ata nuk e dinë, edhe gjuhësisht, ku gjendet Shqipëria, kush tjetër duhet ta dijë?!

Të dytët, fill mbasi profesorët e gjuhës shqipe ta kenë shtruar dhe trajtuar këtë problem, janë profesorët e gjeografisë, hartuesit e teksteve  të gjeografisë, profesorët e historisë dhe hartuesit e teksteve të historisë, gazetarët dhe të gjithë ata që e shkruajnë apo e shqiptojnë emrin Shqipëri. Në libra, në gazeta, në hapësirat e në organet mediatikë e deri edhe te muret e ndërtesave: Të gjithë duhet ta dimë si përdoret, edhe gjuhësisht, emri Shqipëri!

Nuk është e lehtë kjo punë!.. Me katrahurën që e kanë krijuar “shkencëtarët” e “politikanët” tanë, miopë dhe skllevër të konjukturave, sot shqiptarët nuk dinë as praktikisht ku gjendet Shqipëria! Nuk dinë cilët janë kufijtë gjeografikë të Shqipërisë! I zëvendësojnë, fare pa të keq, kufijtë gjeografikë me kufijtë politikë! I zëvendësojnë verbërisht! Janë jerm! Janë në mjegull, sado që u duket vetja si dijetarë e si shkencëtarë!

Rrjedhimisht, ka mbi 140 vjet që grekët thonë dhe shkruajnë për Janinën se gjendet në Greqi, serbët thonë dhe shkruajnë, për Mitrovicën dhe për Preshevën, se gjenden në Serbi! Sllavomaqedonët e kanë bërë kryeqytet njërin nga qytetet më të rëndësishëm të Shqipërisë! Malazezët po ashtu e zhvendosën kryeqytetin nga Cetinja, dikur arbërore, në Podgoricën shqiptare! Gjetën shesh dhe bënë përshesh!..

…Ta zëmë se në ato kohë nuk kishim shkollim në gjuhën amëtare. (Sado që të parët tanë analfabetë e dinin më mirë se ne, ku gjendet Shqipëria!) Ta zëmë se nuk kishim mësues, nuk kishim profesorë, shkrimtarët i kishim si ujët e pakët. Në vend të tyre, kishim bejlerë, pashallarë, vezirë. (Sado që disa nga bejlerët tanë të atëhershëm e dinin ku gjendej Shqipëria, më mirë se shumë nga kryeministrat e ministrat tanë të sotëm!)

…Sot i kemi shkollat shqipe! Vërtet, në më pak se një të katërtën e kombit, por i kemi! Kemi universitete, kemi institucione shqiptarë. Kemi dy shtete e gjysmë. Kështu po shprehem unë: Shtete shqiptarësh, këtu në Shqipëri, dy e gjysmë!

…Të gjitha këto, sigurisht, falë edhe profesorëve e mësuesve të gjuhës shqipe. Por më shumë falë idealistëve atdhetarë, që hëngrën bukë burgjesh dhe që u vranë për liri, si dhe falë disa rrethanave që na u krijuan. Nuk duhet harruar: Falë edhe disa rrethanave.

Por tani ka ardhur koha të shprehemi e të veprojmë subjektivisht shumë më fuqishëm. Secili shqiptar që ka arritur diçka, që i ka fituar pesë lekë, pesë euro a pesë dollarë, secili shqiptar që i ka kryer dy grama shkollë, duhet që një pjesë të shpirtit të vet t’ua kushtojë kombit dhe atdheut.

…Ku gjendet Shqipëria?! Ç’duhet të kuptojmë me emrin Shqipëri?! Këtë duhej ta dinim prej kohësh, por të paktën tani t’i thërrasim mendjes.

Ç’kuptohet me shprehjen vendi ynë?! Cili është vendi ynë?! Ku i ka kufijtë vendi ynë?! Në ç’pjesë të Shqipërisë gjendet mali i Korabit?

Më vjen të uluras, kur i lexoj tekstet tanë të gjeografisë! “Drini plak e përrallshëm” a buron “mes për mes ndë Shqpëri”, apo rrjedh diku anash Shqipërisë?! Ku buron Vardari?! Në ç’pjesë të Shqipërisë gjendet Prishtina?! Apo ndoshta Prishtina nuk gjendet në Shqipëri! Lexo pak më poshtë! Po Tivari ku gjendet gjeografikisht?!

Dublini, e dimë që gjendet në Irlandë. Po Belfasti a nuk gjendet në Irlandë?! Dua të them, për Shkodrën e dimë që gjendet në Shqipëri. (Sado që akademikët malazezë dhe akademikët serbë shkruajnë ndryshe në librat e tyre.) Pra, të paktën për ne, Shkodra gjendet në Shqipëri. Po Tivari, a nuk gjendet në Shqipëri?! Të paktën aq sa gjendet Belfasti në Irlandë e jo në Angli!

Tajvani a gjendet gjeografikisht në Kinë, apo është diku jashtë Kinës, meqë aktualisht nuk e qeveris Pekini?!

Kur bëjnë ndeshje futbolli ekipet e Tiranës, Korçës, Kavajës, Vlorës dhe Shkodrës, i themi kampionat kombëtar. A është vërtet kampionat kombëtar ky lloj kampionati kombëtarisht i cunguar?!

Gjergj Kastrioti është hero i kombit shqiptar. Po Adem Jashari a është hero shqiptar?! Dua të them: A e konsiderojnë korçarët dhe shkodranët hero të vetin Adem Jasharin?! A shkruhet gjëkundi në gazetat e Shkodrës, Korçës apo Beratit: Adem Jashari, heroi ynë?! A thuhet e shkruhet në Tiranë për Rexhep Qosen personaliteti ynë ?!

Themi e shkruajmë për Ismailin që është shkrimtari ynë. Po për Rexhepin?! Më gjeni një gazetë të Tiranës ku të jetë shkruar: Shkrimtari ynë Rexhep Qosja, shkrimtari ynë Agim Vinca, shkrimtari ynë Esat Mekuli!

Thuhet me të drejtë se Pjetër Budi është shkrimtari ynë, sado që ai, asnjë ditë nuk ka jetuar në shtetin shqiptar. Idriz Ajeti nuk cilësohet në asnjë revistë shkencore të Tiranës si shkencëtari ynë. Ashtu si nuk themi askund dëshmorët tanë për mijëra shqiptarë që dhanë jetën, në fund të shekullit XX, për çlirimin edhe të një pjese të Shqipërissë.

Nën cilin flamur u vranë ata mijëra luftëtarë në luftën tonë të fundit?! Përse politikanët e Tiranës, gazetarët dhe shkrimtarët e Tiranës, po edhe të Gjirokastrës, të Burrelit e të Durrësit, për shqiptarët që u vranë në radhët e UÇK-së, nuk thonë asnjëherë dëshmorët tanë?!

Një tufë profesorësh, të quajtur intelektualë, madje ajkë e inteligjencës sonë, shprehen kështu mu në mes të Prishtinës: Na kanë ardhur mysafirë nga Shqipëria. Dhe nuk e trazojnë fare trapin, për të kuptuar sa gabim kanë folur! Sa gabim kanë folur dhe sa ua kanë bërë qejfin shovinistëve të Serbisë, që as profesorët e këtij të quajturi shtet, nuk ia dinë emrin atdheut të vet. Sepse, kur thua në Prishtinë “kanë ardhur nga Shqipëria”, e ke pranuar vetë me gojën tënde që Prishtina nuk gjendet në Shqipëri!

A mund ta bënte një të këtillë hajvanllëk cilido gjerman i Gjermanisë Lindore, qoftë edhe një hidraulik, e të thoshte për gjermanët e Gjermanisë Perendimore: Na kanë ardhur mysafirë nga Gjermania?!

…Do të mund të vazhdonim kështu në dhjetëra faqe dhe konkluzioni do të ishte po ky: Inteligjenca jonë e sotme, në aspektin gjuhësor, nuk e ka të formuluar, të kristalizuar dhe të konsoliduar konceptin e atdheut e të kombit të vet.

Thënë, jo pa ngarkesë ironie e sarkazme, profesotët shqiptarë të sotëm, nuk dinë ku e kanë atdheun e vet. Nuk dinë gjuhësisht dhe kjo do të thotë se ata nuk dinë as praktikisht cili është atdheu i tyre.

Është gjynah që katundarët tanë, qytetarët tanë, studentët tanë dhe nxënësit tanë, të mos na vrasin me bukë në gojë! Ne nuk meritojmë të quhemi inteligjencë kombëtare shqiptare!

Pjezë, 21 janar 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok