22/12/2024

Të lirohemi nga mashtruesit ordiner!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Politikanët kosovarë përveqse janë bërë të njëjtë dhe pa ndonjë dallim të madh, pushtetarë dhe opozitarë janë bërë edhe të paparashikueshëm në veprimet e tyre! Sa shpejt bëhen bashk aq më shpejt largohen prej njëri tjetrit!

Figurat e politikës kosovare të gërditshëm për qytetarët, të neveritshëm për mërgimtarët

As regjimet më antipopullore të pushtuesve shekullor nuk e kanë qeverisur më keq Kosovën sesa pushtetarët e pasluftës. Politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, të zhytur në luksin përrallor, të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar skajshmërisht dhe kriminalisht, nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrika e embël e pushtetit.

Politikanët multimilionerë dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë popullatën e varfër si mbretër e autokratë, që nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin (sundojnë) në pafundësi.

Figurat e politikës kosovare janë bërë tepër monotone, irrituese, të gërditshëm për qytetarët dhe të neveritshëm për mërgimtarët.

Përfitimi i inkriminuar material është arsyeja që shumë figura politike duan të qëndrojnë pafundësisht në politikë derisa të jenë gjallë njëjtë sikurse në sistemin monist (komunist), të cilët, me të hypur njëherë në karrikën e pushtetit nuk kanë zbritur më nga ajo deri në vdekje!

Zgjedhjet pa alternativë të re nuk sjellin ndryshim

Përkundër kërkesës çuditërisht të pushtetit dhe realisht opozitës për zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet pa alternativë të re politike nuk janë zgjidhje. Opozita e përçarë, e ç’akorduar dhe e ndarë, e cila është përgjegjëse për të bëmat e saj, për rrënimin e gjithçkaje dhe çdo vlerë në Kosovën e pasluftës, pushtetarët aktualë me mosmbajtjen e asnjë premtimi elektoral janë kthyer në mashtruesit më të mëdhenj të pasluftës në Kosovë!

Për këtë arsye as pushtetarët dhe as opozitarët nuk paraqesin alternativë për të ardhmen e vendit, përkundrazi, janë kthyer në rrënues të çdo shprese të qytetarëve për jetë në Republikën e Kosovës.

Ndryshimet kozmetike brenda partive të tejkonsumuara politike nuk paraqesin asnjë lloj ndryshimi, përkundrazi janë të mbështjellura me hipokrizi dhe mashtrime serike dhe në vijimësi!

Sikurse pushteti, ashtu edhe opozita e tanishme, për një çerek-shekulli e përmbysën çdo gjë në këtë vend, tani po mundohen sërish të mashtrojnë qytetarët dhe mërgimtarët me paketime të reja kozmetike, kinse janë shpresa e këtij vendi!

Këta përveqse nuk shkojnë drejt, slloganet “drejtimi i ri”, “rruga e re”, “guxo për “shtetin”, etj, i përdorin si kamuflim përmashtrimin e qytetarëve dhe mërgimtarëve.

Sikur ta kishim një shtet i mirëfilltë, disa prej partive politike do duhej ndaluar përgjithmonë aktivitetin politik për shkak të aktiviteteve kriminale dhe vandaliste ndaj institucioneve shtetërore.

Qytetar të dashur të Kosovës dhe bashkatdhetarë në shtetet evro-perëndimore, mos ju besoni politikanëve mashtrues, pasi ata nuk e kanë hallin tuaj, por të pushtetit dhe pasurimit personal nga djersa e juaj. Politikanët e papërgjegjshëm dhe mashtrues ju shfrytëzojnë vetëm si “mish për topa” (vota) të partive politike në prag të fushatave zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok