22/12/2024

TË JESH INTELEKTUAL, ËSHTË S Ë PARI P ËRGJEGJSHMËRI …

0
Nikoll-Preci-Shkolla

-Duke lexuar librin “45 vite shkolla 9-vjeçare “Gjergj Fishta” Lezhë”, me autor z. Nikoll Preçi –

NGA LLESH NDOJ

Fjala intelektual përdoret në mënyrë të rëndomtë në vendin tonë edhe për një njeri, që përtej diplomës së specialistit në një fushë të caktuar, asgjë nuk e lidh me të qënit intelektual. Akoma më keq, “intelektualë” u thuhet edhe atyre që nuk e kanë mbaruar ndoshta as arsimin e mesëm, nisur thjesht nga fakti se ai ose ajo, thotë një a dy gjëra që dikush tjetër nuk i di. Ndodh jo rrallë që të qënit intelektual “ngatërrohet” me intelektin si dhunti njerëzore, që e dallon dukshëm atë nga çdo qënie tjetër në botë e ku, natyrshëm disa e kanë atë në njvele më të zhvilluara e disa jo. Po ashtu, krejt në mënyrë abuzive, përdoren edhe fjalët “profesor” apo “pedagog” e “akademik” edhe për njerëz që në jetën e tyre s’kanë shkruar dy fjalë, tej detyrave të shkollës, s’kanë lexuar dy libra tej librave të shkollës (në se i kanë lexuar edhe ato!) e nuk kanë asnjë lidhje me të qënit pedagog apo akademik. Ka pra, një inflacion të dukshëm në përdorimin e atyre fjalëve që në vetvete përbëjnë tituj që fitohen me kritere të qarta dhe që nuk mund t’i meritoje kushdo…

Të punosh në çdo lloj pune të ndershme e me djersën e ballit, të mbash veten e familjen tënde, natyrisht që është nder e njerëz të tillë duhen respektuar maksimalisht, por kurrsesi kjo nuk të bën intelektual. Në se do t’u themi “intelektualë” edhe këtyre, apo profesor çdo mësuesi e më keq akoma edhe pa qenë as të tillë, si duhet t’i themi, fjala vjen, Fishtës, Kadaresë, Agollit, Mustafajt, Zogajt, Spahiut, Agollit, Rukës, Zeqos, Anton N. Berishës, Mejdanit e shumë të tjerëve, kontributet e të cilëve tejkalojnë atë “të të mbajturit me bukë” të familjes? Në thelb, intelektual është ai që jep kontribute për shoqërinë, që me aktivitetin e produktin e tij e tejkalon jo vetëm punën për të cilën paguhen, por edhe kohën në të cilën jetojnë, ata që me punën e arritjet e tyre lehtësojnë punën e brezave të ardhshëm e bëhen frymëzim për ta. Intelektuali pra, jeton përtej vetes e kohës së tij.

Më erdhën këto mendime natyrshëm në mendje sot, ndërsa lexova librin “45 vite shkolla 9 – vjeçare “Gjergj Fishta” – Lezhë”, me autor z. Nikoll Preçi. Autorin, ndonëse jemi nga e njejta zonë, nga Fani i Mirditës, për shkak të vendeve ku kemi punuar, e kam njohur personalisht vonë dhe vetëm në Lezhë, edhe pse mirëfilli e di se vjen nga një fis e familje me kontribute të hershme e të shumanshme në zonë e më tej. Ndoshta edhe unë “kam gabuar” se në përshëndetjen thuajse të përditshme i jam drejtuar Nikollës me shprehjen “profesor”, nisur nga fakti se profesioni i tij është mësues tash më shumë se tri dekada e gjysëm, por gradualisht fillova t’a bind veten se Nikolla nuk është një mësues që “thjesht merr rrogën”, si i tillë dhe se meriton t’i thuash profesor, ndonëse është larg të vlerësuarit me një titull të tillë. Hapi i parë drejt kësaj “bindje” më pati lindur kur mora librin e tij “Konajt”, një kontribut me shumë vlera i tij për të hedhur dritë mbi fshatin e lindjes, Konajt e Fanit në rrethin e Mirditës, një fshat me shumë histori e me shumë kontribute në atë zonë. Janë shkruar shumë libra për Fanin e unë, si njëri nga ata që kanë shkruar një libër të tillë, e pata prit me kureshtje të madhe leximin e tij. Jo vetëm nuk u zhgënjeva, por pashë tek autori një metodikë shkencore në trajtimin e lëndës, një gjuhë të pasur në fjalë e shprehi dhe një përkushtim me përgjegjësi intelektuale në pasqyrimin e të vërtetave e transmetimin e tyre tek lexuesit. Sot në Konaj ka pak njerëz, nesër nuk di sa do të ketë, por libri i Nikollës e mban atë “gjallë” edhe për shumë vite, në formën e kujtesës së shkruar.

Këto ditë autori erdhi për lexuesit e dashamirët e librit me një tjetër libër të shkruar, të cilin ia ka kushtuar shkollës “Gjergj Fishta” në Lezhë, shkollë në të cilën ka mbi dy dekada mësimdhënie e kontribute. E mora me shumë kuriozitet prej autorit dhe e lexova këtë libër të Nikollës, megjithese asgjë nuk më lidh me këtë shkollë edhe pse është fizikisht më e afërta me vendin ku banoj, një shkollë ku as fëmijët nuk më kanë mësuar, as vetë nuk kam patur fatin të isha nxënës apo mësues aty. Ndoshta më shumë se gjithshka tjetër më lidh emri i të madhit Gjergj Fishta, i adhuruari im në krijimtari, por edhe bashkëfshatar i origjinës sime. U binda se Nikolla e meriton të quhet intelektual e pse jo, nuk u pendova që e thërras profesor.

Libri trajton bukur të gjitha dimensionet e këtij institucioni arsimorë në Lezhë që nga ngritja e saj nga viti, tashmë i largët 1979, e deri në ditët tona. Jo më kot thashë se ai i trajton të gjitha dimensionet e mundshme të kësaj shkolle, pasi autori ka ditur të ndërthurë bukur historinë e institucionit, jo vetëm si ngrehinë ku ka  pasqyruar edhe të gjitha lëvizjet, rikontruksionet, dëmtimet e djegiet e saj, por edhe brezat e mësuesve e të nxënësve, të drejtuesve të shkollës ndër vite, disa prej të cilëve si Jak Gjini, Gegë Ndoka, Zef Nikolli, Gjon Kola e Franga Hila, të cilët i kam njohur dhe i njoh edhe personalisht, ka trajtuar figurat e disa prej personaliteteve të shquara që kanë dalë nga ajo shkollë, ashtu si edhe të nxënësve të talentuar të saj, duke sjellë bukur edhe një dedikim shpirtëror ndaj atyre kontribuesve me peshë që sot nuk jetojnë. Libri ndërthurë bukur të dhënat statistikore, historinë e pasur dokumentare, përvojën e krijuar në mësimdhënie e në mësimnxënie, përfshirë edhe të parën përvojë të mësomit online në kohën e pandemisë “Civid-19” në vitin 2020, e të gjitha këto shoqëruar të ilustruara me foto të shumta e dokumente autentike. Risi tjetër të ky libër gjej edhe formën e të shkruarit, ku autori përdor një gjuhë të pastër, të thjeshtë e korrekte, ku ndërthuren mjaft mirë fjalët autoriale me kujtimet e protogandistëve, të mjaft prej personazheve të jetës së asaj shkolle, gjë që e bënë historinë e saj jo vetëm të pa mërzitshme në të lexuar, por edhe të kandshme e që len gjurmë shpejt në morien e lexuesit. Së fundi, por jo nga rëndësia, dua të veçoj edhe korrekimin gjuhësorë e redaktimin letrar që ja shton vlerat librit.

Shkolla “Gjergj Fishta” Lezhë, me botimin e këtij libri nga autori Nikoll Preçi, mësimdhënës i gjuhës angleze, e ka të shkruar historikun e saj 45 vjeçar (1979 – 2024) të pasqyruar bukur në libër, i cili shërben edhe si një “muze” i saj, ndërsa autori hyn bindshëm në radhët e intelektualëve të vërtetë të këtij qyteti, puna e të cilit le gjurmë të vlefshme, tej asaj për të cilën paguhet, e tej kohës që i përket atij si mësimdhënës i saj. Shkolla do të ketë vijimësi institucionale, uroj të pafundme, ashtu siç uroj të ketë edhe shkrues të mirë të historikut të saj edhe për vitet e dekadat në vijim, ndërsa autorin e falenderoj për kontributin e dhënë dhe i uroj suksese edhe në vijimësi, duke i konsideruar këto vetëm si fillimet e një kontributi real intelektual.

LLESH NDOJ

Lezhë, më 22 tetor 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok