22/12/2024

TË DREJTAT E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

0
Shqiptaret-Cetine

Nga Nikë Gashaj

Si pasojë e cënimit të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare për një kohë të gjatë historike ka ardhur deri te shthurja apo tkurrja e hapësirës etnogjeografike, ndryshimi i strukturës etnike, imponimi i gjuhës, arsimit dhe kulturës joshqiptare në dëm të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Rrjedhimisht, nuk mund të mohohet asimilimi i pjesshëm apo më i plotë i identitetit kombëtar në kohë dhe hapësira të caktuara.

Nën trysninë e faktorëve të ndryshëm nëpër shekuj të tërë, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Mal të Zi  kanë ndryshuar identitetin e vet kombëtar shqiptar dhe janë bërë boshnjakë dhe malazezë. Në veçanti shqiptarët e Plavës, Rozhajës, Tivarit dhe Krahinës së Kuçit  patën një trysni të madhe që ua dëmtoi dukshëm substancën shqiptare. Prandaj, si rezultat i kushteve të ndryshme të presionit politik, ekonomik, kulturor, si dhe shpërnguljes në botën e jashtme, sot shqiptarët në Mal të Zi janë një popullsi  relativisht e tkurrur.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitit 2011 në Mal të Zi në mënyrë të përhershme jetojnë 5% shqiptarë. Ata jetojnë në:Ulqin 70,65%, Tivar 5,98%, në Tuz, rreth 70 %, në Plavë 18,88%, Rozhajë 5,04%., sipas registrimit të fundit të popullsisë në Podgoricë ka pas 5,13% shqiptarë por duke llogaritur aty dhe popullsinë shqiptare të Malësisë, respektivisht të Tuzit, meqenëse Tuzi ka qenë komunë në kuadër të Podgoricës, mirëpo qysh ka fundi i vitit të kaluar Tuzi është transformua në komunë të veçantë. Shqiptarët në shumicë janë dhe në komunën e Gucisë.

Me Kushtetutën e Malit të Zi më 2007 (neni 97) janë rregulluar të drejtat e veçanta të pakicave. Mali i Zi e ka dhe ligjin për të drejtat dhe liritë e pakicave si dhe ligjin për ndalimin e diskriminimit etj. Mirëpo, problemi ekziston në zbatimin e normave kushtetuese e ligjore në praktikë, në dallimin evident në mes të normave dhe njëmendësisë objektive.

Përfaqësimi politik

Me vendosjen e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi(pas vitit 1990) një pjesë e shqiptarëve janë angazhuar në parti qytetare. Në anën tjetër, janë formuar dhe disa parti nacionale shqiptare. Sot ekziston një koalicion i partive shqiptare parlamentar, vetëm me një deputet shqiptar. Mirëpo, përfaqësimi me ndonjë person në punën e kuvendeve, nuk paraqet kurrfarë garancie se interesat e pakicës shqiptare do të merren parasysh dhe se do të përmbushen, në rend të parë për shkak të mbivotimit apo majorizimit të përfaqësuesëve shqiptarë në marrjen e vendimeve.

Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit politik nuk kënaq. Këtë e dëshmon edhe fakti se ata në strukturën e popullatës së Malit të Zi bëjnë pjesë 5%, kurse sipas punësimit në sektorin publik, vetëm rreth 1%. Po theksojmë se në vazhdimësi është i pranishëm problemi i mos përfaqësimit të shqiptarëve në gjykata, prokurori,në ministri, në organe të vetëqeverisjes lokale, të shërbimeve publike dhe të institucioneve të tjera shtetërore me rëndësi vitale për sendërtimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare.

Këshilli kombëtar i shqiptarëve

Shqiptarët në Mal të Zi kanë dhe Këshillin Kombëtar si formë e vetëqeverisjes,  që formohet nga funksionarët politik të shqiptarëve me automatizëm dhe nga antarët e zgjedhur në Kuvendin elektoral. Mirëpo, jam i mendimit se procedura e zgjedhjes së tij duhej të bëhej në mënyrë të lirë, demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të drejtpërdrejta brenda komunitetit shqiptar në Mal të Zi. Meqënëse, tani Këshilli Kombëtar është nën influencën e madhe të partive politike, e që nuk është mirë.

Arsimi në gjuhën shqipe

Sot në Mal të Zi nxënësit shqiptarë e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në 12 shkolla fillore, në 4 shkolla të mesme, prej tyre një gjimnaz është privat në Ulqin. Gjithashtu, pranë Universitetit të Malit të Zi, në vitin 2004 është hapur dhe Dega e studimeve të mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë. Përveç, mësimdhënësve shqiptarë nga Mali i Zi për të ligjëruar në këtë Degë të studimeve janë të angazhuar dhe një numër i pedagogëve nga Universiteti i Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”. Me këtë rast po ceki se kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë ka qenë që fakulteti të hapet në Ulqin apo në Tuz si mjedise shqiptare, mirëpo kjo është refuzuar nga organet shtetërore.

Po ashtu, një numër i studentëve nga Mali i Zi, ndjekin studimet në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Po theksojmë se në tërë sistemin arsimor në gjuhën shqipe në Mal të Zi përdoret shqipja standarde. E tërë kjo jep një kontribut për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe edhe në trevat e Malit të Zi.

Në arsimin shqip në Mal të Zi, në shkollat fillore dhe ato të mesme, për sa u përket teksteve shkollore, janë të pranishme mangësitë, meqenëse kryesisht bëhen përkthime nga gjuha malazeze dhe ka raste që përkthimet janë jocilësore. Bëhen dhe përkthime të pa nevojshme për lëndën e historisë dhe arteve, për të cilat do të duhej të përdoren tekstet nga qendrat arsimore të Tiranës apo Prishtinës.

Në bazë të analizave të bëra, mund të konstatohet se historia kombëtare shqiptare dhe arti shqiptar nuk e kanë zënë hapësirën e duhur si në plan –programe mësimore, qoftë për shkolla fillore, qoftë për shkolla të mesme, si dhe në tekstet shkollore që në realitet paraqesin mangësitë e plan – programeve. Mund të thuhet se edhe ato njësi mësimore simbolike, ku bëhet fjalë për historinë kombëtare shqiptare, e që janë të shkruara nga autorët joshqiptarë, kryesisht vuajnë nga interpretimi selektiv, jo objektiv dhe jo profesional.

Duke analizuar tekstet e kulturës muzikore për nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe, mund të pohohet se në to nuk ka përfaqësim të mirëfilltë të vlerave të kulturës kombëtare shqiptare. Përkundrazi, në to ndeshim me imponimin e vlerave të kulturave muzikore të huaja e më së paku me ato shqiptare.

Sa u përket plan – programeve dhe teksteve shkollore nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe, analizat tregojnë se në kohë të fundit në krahasim me periudhën e mëparshme të sistemit socialist, gjendja ka ndryshuar dukshëm në të mirë.

Bibliotekat shkollore e të tjerat janë me rëndësi për formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare. Mirëpo, ato nuk janë të pajisura sa duhet me libra dhe literaturë në gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës shqipe

Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në nivelin shtetëror. Në komunën e Ulqinit dhe në komunën e  Tuzit, janë bërë përpjekje për shtimin e gjuhës shqipe krahas me atë malazeze si gjuhë zyrtare, ndërsa në komuna të tjera ku jetojnë shqiptarët gjuha shqipe nuk përdoret si gjuhë zyrtare, për shembull në Tivar, Podgoricë, Plavë , Rozhajë, Guci.

Shqiptarët e Malit të Zi në vitet e fundit kanë mundësi që emrin dhe mbiemrin ta shkruajnë në gjuhën dhe alfabetin shqip në dokumentet publike personale të tyre, sikurse janë: karta e identitetit, pasaporta, certifikata etj. dhe kjo falë rekomandimit të Avokatit të popullit të Malit të Zi dërguar organeve përkatëse dhe përgjegjëse shtetërore në vitin 2005.Rekomandimin e lartëpermendur,personalisht e inicova dhe e përgatita, si këshilltar i Avokatit të Popullit të Malit të Zi.

Simbolet kombëtare

Shqiptarët në Mal të Zi si simbol kombëtar e përdorin flamurin shqiptar, ndërsa si festa kombëtare deri tani kremtojnë: Ditën e flamurit shqiptar dhe Ditën e mësuesit të shkollës kombëtare shqiptare.

Në periudha të ndryshme historike flamuri shqiptar ka qenë i ndaluar në Mal të Zi,   si për shembull pasdemostratave të studentëve në Kosovë më 1981. Si problem është paraqitur përdorimi identik i flamurit shqiptar në Mal të Zi me flamurin e Shtetit shqiptar. Mirëpo, jam i mendimit se konstatimet e tilla janë të njëanshme, sepse flamuri shqiptar ka një rol të dyfishtë, është jo vetëm simbol shtetëror, por dhe simbol kombëtar, pra është simbol dhe i shqiptarëve në Mal të Zi.

Në kohën e pluralizmit politik në vitin 1990, përsëri është lejuar përdorimi i flamurit shqiptar, mirëpo përsëri ka pas dhe ka raste të intervenimit policor dhe organeve të tjera shtetërore të ndalimit të përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi dhe të dënimit për përdorimin të tij.

Kultura shqipe

Sa i përket fushës së kulturës, po i përmendi disa autorë shqiptarë nga Mali i Zi me merita mbarëkombëtare. Sikurse dihet libri i parë i botuar shqip është „Meshari“ i Gjon Bdek Buzukut, për të cilin mendohet se ishte nga Mali i Zi, ndërsa përkthimi i parë i plotë i Biblës në gjuhën shqipe është bërë nga Dom Simon Filipaj nga Mali i Zi. Po ashtu Hafiz Ali Ulqinaku njihet për Fjalorin e tij turqisht-shqip dhe shqip-turqisht.

Nga shqiptarët e tjerë krijues të kulturës dhe të shkencës shqiptare nga Mali i Zi po veçojmë: Nikollë Ivanaj, Esad Mekulin, Vinçenc Malaj, Hasan Mekulin, Rexhep Qosjen, Ruxhdi Ushakun, Mehmet Krajën, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinakun, Idriz Ulaj, Asllan Bishën etj.

Sot në Mal të Zi në mënyrë periodike dalin revistat për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore: Malësia, Lemba, Dija dhe Buzuku. Mirëpo, botimi i këtyre revistave, si dhe veprimtaria e përgjithshme e krijimtarisë së kulturës shqiptare ndeshet me vështirësi , për shkaqe të mungesës së përkrahjes së duhur financiare nga institucionet shtetërore të Malit të Zi, si për shembull: Ministria e Kulturës, Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave etj.

Megjithatë, nga autorë shqiptarë nga Mali i Zi janë botuar një numër i konsiderueshëm i librave me rëndësi për kulturën dhe historinë kombëtare shqiptare në Mal të Zi.

Po ashtu, në Ulqin, Malësi, Plavë dhe Rozhajë organizohen: konferenca shkencore, ekspozita artistike, festivale folkloristike, takime letrare poetike, përurime librash. Mirëpo, në Mal të Zi s’ka asnjë institucion kulturo – shkencor që do të merrej me hulumtimet e historisë, të zhvillimit edukativo arsimor, kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve në Mal të Zi.

Mediumet shqip

Sot kemi emisionin e përditshëm të lajmëve në Radion dhe në Televizionin e Malit të Zi. Gjithashtu të shtuneve është emisioni i veçantë në gjuhën shqipe në televizionin e Malit të Zi prej 60 minutash i quajtur“Mozaiku 60“.

Në Podgoricë, botohet dhe gazeta e përjavshme në gjuhën shqipe ”Koha javore”. Mirëpo, deri me sot shqiptarët në Mal të Zi s’kanë ndonjë gazetë të përditshme në gjuhën shqipe.

Kohëve të fundit shqiptarët në Mal të Zi kanë hapur disa radio dhe televizione private në gjuhën shqipe, sikurse janë: TV Boin dhe RTV Teuta.

Kontribut japin edhe radiostacionet lokale, shtetërore dhe private, si për shembull, Radio Ulqini, Radio Tivari, Radioja private ”Zëri i Plavës”.

Shpërngulja  e shqiptarëve

Në mënyrë të ndieshme janë zvogëluar burimet sociokulturore dhe kapacitetet arsimore e intelektuale të pakicës shqiptare. Bashkësitë nacionale shqiptare në shumë vende janë fragmentuar, migrimi ka ndikuar negativisht në parametrat e bashkësisë etnike, është zvogëluar numri i territoreve kompakte. Numri i atyre që e kanë braktisur vendin dhe janë shpërngulur në botën e jashtme, ndonëse nuk dihet saktësisht, është shumë i madh. Konsiderohet se çdo i treti shqiptarë i Malit të Zi ka emigruar në botën e jashtme.

Përfundim

Shqiptarëve në Mal të Zi nuk u lypen disa parti politike, por më së shumti dy parti të forta, të cilave nuk do t’u mungojë profesionalizmi dhe përgjegjësia politike. Këshilli kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të jetë i depolitizuar dhe të zgjedhet në zgjedhjet e drejtpërdrejta nga komuniteti shqiptar në Mal të Zi. Anëtarët e Këshillit kombëtar, duhet të jenë intelektualë më të njohur dhe reprezentativë, ekspertë të dëshmuar, profesorë universitarë dhe krijuesit më të dalluar të kulturës shqiptare në Mal të Zi. Pra, Këshilli Kombëtar duhet të ketë kompetenca profesionale dhe shkencore, që në mënyrë normative, teorike dhe empirike të merret me problemet më të qensishme me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi, e që tani nuk është realitet.

Gjithashtu, po vlerësoj se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, mund të bëjnë shumë për zhvillimin etno-kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi. Në radhë të parë, sot ata kanë nevojë për themelimin e një institucioni e llojit:“Qendra kulturore – shkencore e shqiptarëve në Mal të Zi“. Në këtë drejtim përkrahja financiare dhe me studiues e kuadro e dy shteteve shqiptare do të ishte me rëndësi thelbësore për shqiptarët në Mal të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok