23/12/2024

Të bashkohen pozita dhe opozita rreth interesit shtetëror!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Pas ngjarjeve të fundit duhet të përmbushet obligimi ndërkombëtar i Kosovës, gjegjësisht përgatitja dhe finalizimi i Asociacionit në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për ta penguar çdo lidhje lineare të shtetit serb me komunat serbe në veri dhe brendi të vendit tonë.

Nuk guxon të humbet rasti historik

Ndryshe çdo prolongim i përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova  nga marrëveshjet ndërkombëtare (2013-2015 dhe 2023 në Bruksel dhe Ohër), do t’na kushtojë shumë dhe do t’na shkaktojnë telashe akoma më të mëdha me fqinjin tonë verior.

Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë t’ia dorëzojë tekstin final për Asociacioni SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë në mënyrë që të përmbyllet një herë e mirë konflikti i hapur me Serbinë.

Në propozimin e Statutit të Asociacionit nga ana e ‘Qeverisë Kurti’, të bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, duhet të parashihen të gjitha aspektet ligjore dhe të drejtat e asociacionit pa kompetenca ekzekutive duke i hequr edhe karakterin njëetnik këtij asociacioni.

Në kohën kur jemi në një situatë para liberalizimit të vizave dhe para vendimit për anëtarësimin në Këshillin evropian, Kosova nuk guxon ta humbas rastin historik që me një veprim të qëlluar politikë të largojë sanksionet (masat ndëshkimore) ndërkombëtare dhe t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane dhe transatlantike.

Pas trazirave në veri, Kosova assesi nuk guxon të humbas rastin historik për ripërtërirje të marrëdhënjeve të mira me SHBA-të dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Veprimet e liderëve shtetërorë duhet të jenë tejët të matura dhe të përgjegjshme , në veçanti duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e gjuhës diplomatike e cila mund t’na çojë para, por edhe mund t’na kthejë pas siq na ndodhi këtyre muajve të fundit.

Të mos luhet me durimin e miqve ndërkombëtar

Kësaj radhe ndërkombëtarët nuk do kenë durim t’na presin edhe aq gjatë për propozimin e asociacionit, për të vënë rend dhe ligj edhe në atë pjesë të vendit. Pra, pa humbur kohë Qeveria duhet ta përmbush obligimin ndërkombëtar, për të cilin është votuar edhe në Parlamentin e Kosovës.

Ajo që duhet të kërkojë Qeveria e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare është garancia për mos devijim të marrëveshjes për Asociacionin, që i bie, se Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të jetë në përputhje të plotë me aktin më të lartë ligjor në vendin tonë-Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Albin Kurti sa më pak që merret me të kaluarën, aq më shpejtë do ta gjejë zgjidhjen për të ardhmen dhe anasjelltas. Nuk kemi nevojë për patriotizëm të tepruar dhe as për viktimizim të skajshëm para bashkësisë ndërkombëtare.

Vetëm koordinimi i veprimeve dhe bashkëpunimi i Qeverisë me SHBA-të dhe shtetet e Bashkimit Evropian mund ta kthejnë Kosovën në binarët e shëndoshë të zhvillimit ekonomik dhe të zgjidhjes së shumë problemeve të brendshme dhe të jashtme.

Po ashtu, edhe opozita duhet të sillet në mënyrë konstruktive dhe bashkëpunuese me Qeverinë kur janë në pyetje interesat shtetërore. T’i lënë anash ambiciet pushtetore në këto rrethana të krizës dhe paqartësive të mëdha politike në rajonin tonë.

Edhe ashtu ka mbetur më pak se një vit e gjysmë deri në mandatin e kësaj qeverie, kohë kjo e shkurtër dhe pamjaftueshme për disa nga partitë politike të ndodhura në proceset e brendshme zgjedhore.

Vetëm veprimet e shpejta dhe të drejta të Qeverisë Kurti mund ta nxjerrin Kosovën fituese dhe me faqe të bardhë në fazën finale të dialogut, në të kundërtën, vonesat e Albin Kurtit në prezantimin e Draft-Statutit për Asociacionin vetëm sa do ta dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e për më tepër se kaq do ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë.

Florim Zeqa

28.09.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok