Takime nën Rrapin Historik në prag të Dimrit Madh
Reportazh letrar
(16, 17 dhe 18 nëntor 2018, në Shkup)
NGA KALOSH ÇELIKU
Takimet Poetike nën Rrap, janë mbajtur edhe në Pranverë. Edhe në Verë, edhe në Vjeshtë me shi e brymë mbi Pemët frytdhënese të rrahura nga era dhe stuhia. Verë e Dimër, në Kopësht përpara Shtëpisë. Rrallëherë në prag të Dimrit Madh me borë. Ballë për ballë tytave të topave, rrethuar në Saraj të Shkupit (2001). Vit, kur nga Shqipëria erdhi një autobus me poetë me targa TR. Pano Taçit, kur pas Manifestimit Kulturor Poetik, policia në dalje të Shkupit ia rrëmbyen kamerën e regjistrimit të Manifestimit Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP.
Vargjet e parë në Gjuhën Shqipe, që përmes maleve hynë asaj kohe të egër me struken krahëve, në “Bit-Pazar” të Shkupit Historik. Edhe, e zgjuan Çarshinë e Shkupit nga gjumi shekullor. Erdhën poetë të armatosur me vargje e libra nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare. Dhe, mbarë bota mike.
Tashti, mund të kemi Pazare Libri, në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Edhe, nëpër katunde. Zhurma kulturore “patriotike” veshur me flamuj partiak, por nuk e kanë atë fuqinë artistike, vazhdimësinë e vargut Shqip të Rilindasëve Shqiptar, që hyri asaj kohe në Shkup. E ngriti zërin nën Rrap mes “Bit-Pazari”, rrugës për në BabaTomorr. Malin e Perëndive, ku pihet vera. Lindë Poezia. Dhe, Dashuria e mistikëve: Babashehut. Tyrben, ku Plaku me një mjekër të gjatë gati deri në fund të këmbëve dhe gunën e zezë hedhur krahëve i shëronte gratë shterpa. Ferexhenë e zezë ua hudhte mbi kokë, dhe gjithë natën e lume tirte “lesh arapi” mbi Varrin e Babashehut. Nuset e reja shterpa, që brenda një nate, na i bënte pjellore me tri, katër, dhe pesë fëmijë.
Edhe këtë vit (2018), erdhën në Shkup nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare poetët e armatosur me poezi ngjeshur për brezi e përqafe me vargje: Shqipëria, Kosova, IRJ e Maqedonisë, Diaspora, dhe Greqia. E shkrepën vargun në Shkup. Qytetin Historik Shqiptar, që edhe sot e kësaj dite e ndanë Lumi Vardar dhe Ura e Gurit. Historikisht, bëri luftë nëpër shekuj me krajl e mbret për Liri. Sot, mes maleve e pushtoi Poezia. Poetët i nxorrën armët nga brezi dhe i shkrepën vargjet në Shkup.
Marjana Shkurti e hapi Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP me poezinë e Pano Taçit: Na bashkoi Rrapi. Kalosh Çeliku i përshëndeti mysafirët për mirësardhje. Dhe, mes tyre hudhi një temë “provakative” në “Vitin e Skënderbeut”: Viti i “Skanderbegëve” të Fishtës me flamuj partiak (Skënderbeu, përveçse strateg lufte për Liri, ishte edhe miku madh i grave). Temë e cila ngjalli debate të “nxehta” për figurën historike të Skënderbeut.
Natën e Madhe Poetike e qetësoi Portreti Përkujtimor i Mikes të Rrapit: Flora Sela – Kastrati mes poezive: Dashuria hyjnore dhe dehja e mistikëve në Babatomorr. Xhelal Tosku me Sami Velçanin, erdhën nga mali. Reshat Sahitaj dhe Behare Rexhepi me shokë e shoqe nga Kosova. Dashnor Selimi me Iliaz Bobajn, Kosta Valetas dhe Andrea Petromilo nga Greqia. Elmira Rama, Irena Gjoni, Bardhyl Maliqi, Marjana Shkurti, Festim Tomorri, Anila Mihali, Rovena Vata nga Shqipëria. Xhelal Ademi me Adem Xheladinin nga Kërçova. Paskal Gilevski dhe Asdren Çeliku nga Shkupi. Nehas Sopaj, Sermet Sulejmani, Arben Ibrahimi dhe Kreshnik Sopaj nga Kumanova etj.
Skënderbeu kët Vit Historik, nuk e nxorri shpatën namënadhe nga brezi. E, as i zbriti Kalit me shalë, në “Bit-Pazar” (kësaj radhe me kokë nga lindja). Luftës i printe për Liri me shpatën namëmadhe në brez (paqe) me dorën lartë për Liri: Ndaluni, o burra! Vardari nuk është kufiri shqiptaro – shqiptar. E, as Ura e Gurit. Gjokun e tij pullali e shaluan me të katra poetët në Shkup. Lufta filloi flakë më flakë. Armët i nxorrën nga brezi. Betejë e “përgjakshme” poetike, në të cilën u kryqzuan penat historike. U lexuan poezi. Fytas u rrokën me vargje kryengritëse.
Natën e Madhe, u bë edhe përurimi i librave: Imazhet e Natës (poezi) – Kreshik Sopaj, Pasioni (roman) – Dashnor Selimi, Mëngjeset janë Parajsa (poezi) – Asdren Çeliku, Disidencë Letrare (kritika dhe reçensione) – Fadil Curri dhe Zonjën Vdekje do ta marr për Grua (poezi) – Kalosh Çeliku.
Pasmesnate, nga juria profesionale Reshat Sahitaj (kryetar), Iliaz Bobaj dhe Kalosh Çeliku (anëtarë), u ndanë edhe Çmimet letrare: “ULU MAL TË DALË HËNA” (për poezinë e bukur lexuar gjatë këtij takimi poetik, që e meritoi poeti ri nga Kumanova, Kreshnik Sopaj. E PËRCOLLA NATËN (Çmim letrar për vepër erotike), kësaj radhe i takoi poetit Asllan Qyqalla nga Kosova. Çmimin letrar “RRAPI” (për vepër jetësore) e rrëmbeu poeti nga Saranda, Bardhyl Maliqi. Dhe, dy Çmimet tjera letrare: MIKJA E RRAPIT dhe MIKU I RRAPIT i fituan Elvira Rama dhe Dashnor Selimi.
Ditën e Nesërme, poetët e lanë Shkupin me poezi. Dhe, shi…
Miken nën Rrap dhe poetët që nuk ikin nga Atdheu…
Poetët e strehuar kokë më kokë nën Rrapin Historik mes poezive…
Ballë për ballë gjatë pushimit, pas Lufte me poezi: një bisedë e lirë poetike, në Shkupin Hostorik…
Poetët duke e përcjellur Orën e Madhe Letrare Historike, në Shkup…
Poezi, këngë e valle duke e përcjellur Natën e Madhe, dhe pritur Agimin… Lindjen e Diellit nga Çelëvjollca në Shkupin Historik…