16/11/2024

Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

0

Nga Albert Z. ZHOLI

-Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  të  vdes.  Heronjtë  janë  dëshmia  e  virtyteve  më  të larta  patriotike   dhe vetsakrifikuese në  emër të lirisë.  Heronjtë  janë pjesa  më  e  ndërgjegjshme  e  një kombi  ku  interesat e  atdheut janë mbi  gjithçka, edhe mbi jetën.  Historia  e  vërtetë  e një  kombi  nuk  mund  të  shkruhet  as  me  emocion,  as  në  situatë  lufte, as  nga  politikanët,  as nga fituesit e  një  lufte  apo  tradhëtarët,  ajo  shkruhet  nga historianët  gjakftohtë dhe  të  ditur pa  asnjë  ndikim  politik  dhe  në  kohë  paqeje. Dhe për figurat patriotike më të shquara të kombit, krijuesit e kanë ngjizur penën kur kanë mësuar, lexuar dhe rrëmuar se vepra e tyre me kalimin e kohës është lartësuar dhe nuk është zbehur kurrë.  Madje figurat e larta të kombit janë kthyer në legjenda sepse vepra e tyre është bërë burim frymëzimi ndër breza. Një ndër këto figura që i kushtoi jetën Shqipërisë  mbetet dhe Tafil Buzi. Jeta e tij e mbushur me ngjarje, herozimat e tij që sot janë kthyer në legjenda. Trimëria e tij që mirret si shembull në beteja, zgjuarsia e tij që ka qenë ditar udhëzimi për komitët dhe e kanë bërë figurën e tij të pavdekshme duke e renditur ndër 100 heronjtë më të mëdhenj të kombit shqiptar.

Jetëshkrimi si një degë dafine

Dafina simbolizon mirësinë dhe plotësimin e dëshirave,  ndaj dhe unë e kam përcaktuar jetën e Tafil Buzit si një degë dafine, pasi shpirti i tij ishte mbushur me mirësi për Atdheun, që ta shihte të lirë, dëshirë që u plotësua nga pasardhësit patriot si amanet i tij dhe shokëve të tij të luftës. Dhe pse dafina është e brishtë ajo personifikon shpirtin e mirë dhe atdhetar të Tafil Buzit dhe pse jeta e tij ishte e mbushur me ngjarje, luftra, përpjekje që për kohën e sotme duken të pabesueshme. Tafil Buzi i biri i Kapos dhe i Shanisë lindi në vitin 1792 në fshatin Buz. Një fshat i ashpër rrethuar me male por që ka një bukuri në çdo stinë.
Buzi ndodhet 50 kilometra larg qytetit të Tepelenës, si pjesë e padarë e qytetit të bedenave dhe të Ali Pashës  mik i të cilit ishte dhe Tafil Buzi. Nga fshati i mahnitshëm Buz, katund i pështjelluar pas ndjeshmërisë klasike të shqiptarit trim e luftarak, ai u burmos me virtytet më të mira.  Në fshat ai u mëkua që në djep me ninullat që të bëhej i fortë, i ditur, patriot dhe i papërkulur. Në familje ai mësoi traditat dhe vitytet më të mira të Labërisë si trimëria, bujaria dhe besnikëria. Si të gjithë labët edhe familja e tij  ishin njerëz baritorë luftarakë që jetonin kryesisht në malet përreth gjatë pushtimit osman të Shqipërisë. Ai u largua nga fshati pa mbushur 18 vjeç dhe u bë pjesë e lëvizjes antiosmane duke u bërë një legjendë me vete.

Ngjarjet më pikante të jetës

Shqipëria në çdo milimetër tokë është vaditur me gjakun e dëshmorëve të cilët nuk kursyen asgjë që ajo të fitonte lirinë, të ishte shtet i pavarur. Nuk do ketë vend në Europë që të ketë zhvilluar aq shumë luftra për pavarësinë, sikundër nuk ka vend në Europë që të ketë kaq heronj për çështjen kombëtare. Kjo për arsyen e vetme se pozicioni gjeografik i Shqiqprisë ka ngjallur oreksin e fuqive të mëdha për ta bërë të vetën tokën arbërore. Në panteonin e pavdekshëm të figurave kombëtare shqiptare, një vend të rëndësishëm zë dhe Tafil Buzi,  ky bir i malësisë së Buzit. Për vetë jetën e tij luftarake të jashtëzakonshme, për gjeogarfinë e shtrirjes së aktivitetit të tij patriotik, Tafil Buzi,  ze vendin e një e një udhëheqësi popullor të spikatur, të një drejtuesi ushtarak e të një luftëtari guximtar në kryengritjet popullore. Tafil Buzi  në të gjitha librat e historisë njihet si një  udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve ’30 të shek. XIX-të. Askush nuk mund të mendonte dhe jo më të vepronte si Tafili në atë kohë, kundër Perandorisë më të madhe të botës. Ish luftëtar i Ali Pashë Tepelenës dhe më pas i Mehmet Ali Pashë Misirit, u dallua gjatë gjithë jetës së tij  si organizator dhe prijës i shquar ushtarak. “Ky Tafil Buzi i ri dhe guximshëm ka përkrahës dhe besëlidhës në gjithë Shqipërinë”- kështu e kanë përshkruar historianët europian atë.

Një nga pikat kulmore të jetës së tij luftarake është përpjekja  për të bashkuar shqiptarët e zhgënjyer që luftuan për Revolucionin Grek të  1821. Shumica heronjve që derdhën gjak ishin arvanitas nga Thiva, Peloponezi,  Suli, Himara, Athina, Teba, Livadia, Atlanta, Korinthi dhe shumë zona të Moresë, të cilët flasin gjuhën arbërore dhe nuk u respektuan me fitoren e pavarësisë.  Në këtë Revolucion sipas të madhit Aristidh Kola, përveç arvanitëve të krishterë, ishin më shumë se 3500 arvanitasit muhamedanë që luftuan përkrah grekëve kundër osmanëve, dhe prijësit e tyre ishin Tafil Buzi, Gjoleka, Hodo e të tjerë kapedanë të shquar shqiptarë.  Roli i Tafilit ishte i madh, por zhgënjimi ishte po aq i madh. Por Tafili e vazhdoi luftën…Në vitin 1828, mori pjesë në Kuvendin e Beratit. Një moment historik i veçantë…Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të përballuar presionin e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri thirrje të rrëmbenin armët për të mbrojtur “fenë e shtetin”.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda, megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për t’i dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore..
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për çështjen greke, por edhe sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë veprim si një nga rrugët për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë çështje të thirrej një kuvend i gjerë i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata hynë në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat, Kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në këtë Kuvend, Tafili kishte rolin e tij kryesisht në mbështetje direkte të luftës Greke me shpresë që kjo luftë do të kalonte dhe në atdheun e tij për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane.

Por idetë dhe dëshirat e tij nuk u plotësuan pas këtij Revolucioni. Ëndrra e tij ishte Shqipëria, atdheu i tij që të bëhej i pavarur. Në këtë situatë kthehet nga Greqia, ku kishte ikur për të shpëtuar nga ndjekjet e osmanëve, dhe në gusht 1834 dhe zbarkoi në Pashaliman. Ai zbarkoi në tokën amë  nga Korfuzi në Pashaliman,  duke ndjekur rrugën Vlorë e Tepelenë. Dhe më kryesorja në Marsin e vitit 1834, Tafil Buzi  drejtoi kryengritjen ushtarake në Berat ku numuronte 10,000 luftëtarë popullor. Për këtë moment historik e gjejmë edhe këngën :

– Çelua arapi zi,

Tafili një grusht njeri,

Bashkë me Veis Vasjari,

Ikën e zunë Besanë,

Duan të marrin kalanë !….

Me ftesë të kryengritësve të Beratit mori detyrën e udhëheqësit ushtarak dhe të ndërlidhësit të kryengritësve me Mehmet Aliun e Misirit. Tek Tafil Buzi ishte e zhvilluar sedra kombëtare, dhe donte që edhe shqiptarët të ishin të papërkulur para armiqëve. Tafil Buzi formoi në Tepelenë më 27 qershor 1834, një ushtri prej 2.000 luftëtarësh. Së bashku me luftëtarët e Zenel Gjolekës niset të çlironte Janinën. Ai mendonte se do të kishte mbështetjen e luftëtarëve të zhgënjyer të kryengritjes, por pabesia e kryeministrit të shtetit të ri grek, bëri që beteja afër Janinës të bëhej kasapanë për luftëtarët shqiptarë. Me patriotizmin e kthjellët e përparimtar, ai i bashkoi trimat e Jugut të Shqipërisë me shpalljen e bërë në kryengritjen e 1835. Në ditët e para të vitit 1835 kryengritësit u shkëputën autoriteteve lokale osmane disa të drejta vetëqeverisëse, që nuk u njohën nga Stambolli. Fill pas kësaj lëvizjeje Tafil Buzi nisi një kryengritje të re, por nuk gjeti përkrahje te paria e Beratit. Më 1836 u orvat edhe një herë të organizonte kryengritjen në krahinën e Vlorës. E gjendur në pamundësi për të frenuar kryengritjen e Tafil Buzit, perandoria Osmane u detyrua të lëshonte një qarkore që më vonë do të sillte një marrëveshje që u vu në jetë në 1836 në një mbledhje të zhvilluar në Berat. Krahina e Tepelenës përfaqësuar në këtë mbledhje nga Tafil Buzi me shokë, arriti të fitonte Autonominë e saj nga viti 1836 deri në 1841. Një fitore hsitorike e rrallë. Askush nuk mund ta besonte. Kronikanët e kohës e vlerësuan jashtëzakonisht.  Aktiviteti patriotik dhe luftarak i Tafil Buzit nuk rreshti deri sa ai vdiq në vitin 1844, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë bashkëluftëtarët e tij si dhe brezat e tanishëm. Ai  ishte si një ëndërrimtar i zjarrtë për të çelur rrugën e rilindësve që ja kushtuan jetën çështjes kombëtare…Fryma e tyre ishte: – Egzistenca  e  një  kombi  varet  nga  4  element themelor:  Gjuha, territori, flamuri  dhe  himni. Kur  mungon  një  element  egzistenca  është e  cunguar , kur  mungojnë dy  egzistenca  ëzhtë e plagosur, kur  mungojnë tre  egzistenca  është  e  dyshimtë  kur  mungojnë 4  një  komb  nuk egziston. Shqipëria sot i zotëron katër ëndrrat e patriotëve të shquar që i lanë si amanet të shenjtë si vetë vepra e tyre heroike.

Në Buzë të greminës hidhje vallen e jetës,

Se jeta jote ishte vullkan që ndizte zjarr,

Palla e mprehtë ishte pjesë e trupit,

Shtëpi, nënë, babë, pasuri kishe Atdhenë!

Askush si ti se njihte me pëllëmbë Atdhenë,

Askush si ti s’vuri gjumë për Lirinë,

Në ballë kishe shkruar me gërma të Arta:

Jeta ime është lidhur më Pavarësinë!

Nuk të mposhtën luftrat në çdo stinë,

Ideali yt ishte ushqimi i shpirtit arbëror,

Tafil Buzi i gdhendur në historinë Shqiptare,

Në altarin e shenjtë si Feniks vezullon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok