Ta nderojmë me një javë kulturore Nënë Terezën!
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sot është 114 vjetori i lindjes së të shenjtës Nënë Tereza (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu). Ajo lindi në Shkup më 26 gusht 1910 nga një familje me rrënjë Gjakovën dhe Prizrenin. Babai i saj, Kolë Bojaxhiu, ishte tregtar. Gjithashtu patriot i flaktë, aq sa serbët nuk e duruan dot dhe e helmuan, duke e likuiduar fizikisht. Tradicionalisht familja e Nënë Terezës ishte katolike si besimtare dhe praktikante.
Vetë Gonxhe Bojaxhiu, pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkup, në vitin 1928, në moshën 18 vjeçare emigroi fillimisht në Irlandë. Më pas iu bashkua misionarëve të Kishës dhe themeloi atë që në historinë e njerëzimit do të mbahet mend si Misioni i Nënë Terezës. U bë e famshme për humanizmin e saj dhe ndihmën ndaj të sëmurëve dhe të të vobegtëve në qytetin metropol të Indisë, Kalkutë. Aq sa shpesh herë quhet edhe Nënë Tereza e Kalkutës.
Por rrënjët e saj shqiptare ajo i shpalli gjithmonë publikisht. Edhe në momentin kulmor të jetës së vet, kur më 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen, ajo shpalli botërisht se nga gjaku dhe gjuha ishte shqiptare. Ndërsa në Shqipëri, fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë, jetonin nëna (Drandja) dhe motra (Agja) e Nënë Terezës, asaj iu mohua të vinte në atdhe e të vizitonte dy njerëzit e saj më të dashur. E konsideruan si “reaksionare” dhe “agjente të Vatikanit”! Për fat, në Romë jetonte vëllai i saj, Lazri, ish-oficer i Zogut i arratisur pas vendosjes së komunizmit, me të cilin takohej e çmallej vazhdimisht.
Papa Gjon Pali i II e lumturoi Nënë Terezën pas vdekjes së saj. Ndërsa Papa Françesku e shenjtëroi atë. Një shqiptare e kudopërmendur në botën politike, kulturore, njerëzore e të artit në planet, tashmë është e shenjta Nëna Terezë. Nënë Tereza është personaliteti më i njohur në botë në historinë e shqiptarëve. Më e njohur edhe sesa Skënderbeu. Eshtë nderi më i madh i kombit shqiptar, sepse ky komb, kur identifikohet me Nënë Terezën, merr kuptim hyjnor e përceptohet me modelin e saj të humanizmit dhe të shenjtërimit.
Shqiptarët janë krenarë se kanë nxjerrë nga gjiri i vet këtë emër kulti planetar. Janë krenarë që lindën, rritën dhe edukuan te ajo frymën e paqes, ndihmës humane, mëshirës dhe zhvilluan filozofinë e jetës përmes saj. Prandaj dhe ata shqiptarë të pakët në numër, të cilët fyejnë dhe nuk e pranojnë Nënë Terezën, duhet të kuptojnë se Shqipëria, Kosova, shqiptarët i detyrohen aq shumë Nënë Terezës . Ata nuk kanë të drejtë të shtrojnë pyetjen se “Çfarë bëri Nënë Tereza për shqiptarët”?! Vetëm emri i saj ka bërë atë që nuk e ka bërë askush tjetër për kombin tonë. Autoriteti dhe ndikimi i saj te kancelaritë amerikane, europiane dhe në botë, kanë qenë të mjaftueshme për ta sjellë në vëmendje çeshtjen shqiptare!
Do të ishte e dobishme, e madje e domozdoshme, që parlamenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, po ashtu edhe parlamenti i Maqedonisë së Veriut të miratonin një ligj të posaçëm për respektimin dhe nderimin e Nënë Terezës, duke dënuar penalisht çdo shtetas të këtyre vendeve që do të guxonte të fyente personalitetin dhe veprën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës! Ndoshta duhet themeluar edhe një javë përkujtimore me veprimtari të shumta në të tri këto shtete me rastin e ditës së shenjtërimit të saj!