14/07/2024

Surrati i shqiptarit

0

Nga Edison Ypi

Surrati i grekut është pabesia.

Surrati i serbit është viktimizmi.

i italianit, kanconeta,

i rusit, megalomania,

i gjermanit, disiplina,

i anglezit, përpikmëria,

i turkut, rehatllëku,

i arabit, nafta,

i kubanit, sheqeri,

i kinezit, orizi,

i qenit, lejha

i krimbit, zvarritja

i kërrmillit, jargët.

i gjarpërit, helmi.

e kështu me rradhë secili surratin e vet.

Po surrati i shqiptarit, cili është vallë surrati i shqiptarit ?

Në dallim nga gjithë të tjerët që kanë 1 surrat, shqiptari ka disa surretër.

Surrati i parë i shqiptarit është surrati i hajdutit. Shqiptari vjedh dhe rrjep vendin e vet, ortakun e vet, mikun e vet, familjen e vet, babën e vet, madje edhe surratin e vet.

Shqiptari ka dhe surratin e spiunit. Emrat e një numuri sitesh në Internet si: “Denonco”, “Kallxo”, “Trego”, “Spjego”, “Vigjëlo” dhe të tjerë, të gjithë ekuivalentë me “spiuno”, e provojnë. Po nuk spiunoi dhe po nuk u spiunua, surratit të shqiptarit buka nuk i hahet, uji nuk i pihet, kallami nuk i ngrihet.

Shqiptari ka dhe surratin e vrasësit.

Kazmat, sqeparët, tritolat, dinamitat, kalashnikovat, që mbushin përditë kronikat e gazetave dhe televizioneve, a nuk janë prova ? Surrati i vrasësit, megjithatë, në ndryshim nga surretërit e tjerë e ka një justifikim. Shqipëria është aq e bukur dhe e pasur, rrjedhimisht dhe aq e dashur, sa turbullimi i mendjes në momentin e vrasjes, surratit të shqiptarit i falet.

Surrati i frikacakut është goxha tipik për surratin e shqiptarit. Veçse shqiptari nuk është frikacak si frikacaku i botës, që është frikacak sepse është vrasës. Shqiptari është vrasës sepse është frikacak. Ndjekja e zinxhirit surrat-pasojë, pra të qënët frikacak së pari, pastaj vrasës, të nxjerr në përfundimin se surrati i frikacakut, si nënsurrat i surratit të vrasësit, duke qënë surrat i falshëm, nuk mund të konsiderohet gabim që duhet ndrequr, e aq më pak faj që duhet ndëshkuar, por vlerë për tu mburrur.

Shqiptari ka edhe surratin e dembelit. 99 % të trurit surrati i shqiptarit e përdor si të punojë sa më pak dhe sa më keq.“Po të ishte e mirë puna punonte edhe prifti dhe hoxha” thotë pa pik turpi surrati i shqiptarit për barinjtë e vet. Ose “punë muti” thotë surrati i albanezit, për të mos zënë me dorë asnjë punë.

Ç’nuk bën surrati i shqiptarit për ta ruajtur të paprekur surratin e dembelit këtë pasuri me vlera kombëtare. Për të mos punuar shqiptari, shan, pështyn, mallkon, godet, rreh, plagos, vret, madje ndonjëherë bën dhe të pabesueshmen, punon.

Surrati i shqiptari është i famshëm edhe për surratin e paçmuar të vetshkatërruesit, pa të cilin Shqipëria nuk do ishte rrudhur gjeografikisht duke u katandisur e rrethuar me vetveten, dhe nuk do ishte paksuar numerikisht. Gjithsesi, surrati i vetshkatërruesit nuk është gjë fort e keqe. Është krasitje vitalizuese darviniane. Pa të cilën surrati i Shqipërisë dhe surrati i shqiptarit do ishin zhdukur qyshkur nga surrati i dheut.

Nuk mund t’i mohohet shqiptarit as surrati i llapaqenit, pa të cilin, pra pa përdorur llapën lëvizëse dhe pështymën lubrifikuese, çdo surrat vdes.

Disa surretër të tjerë të shqiptarit janë;

Surrati i skllavit.

Surrati i dinakut.

Surrati i delirantit.

Surrati i rrenacakut.

Surrati i konspirativit (që nuk duhet ngatërruar me surratin e spiunit)

Surrati i palaços.

Surrati i të çmendurit.

E përveç tyre fatmirësisht sot shqiptari ka edhe surratin e Fesbukut që e freskon hera-herës me selfie në nevojtore duke u rrujt ose foto në restorant duke ngrënë si derr.

Së fundi shqiptari po bën çmos të rimarri edhe atë që e ka pas me shekuj, surratin e europianit.

Për hajër.

Por me një kusht.

Vetëm nëse një mal me rrena bën një të vërtetë të vogël, dhe një oqean me të këqia bën një të mirë të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok