22/12/2024

Sundimi i ligjit në Kosovë dhe i regjimit në Shqipëri!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

“World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje publikoi raportin për Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2022. Është një raport i përvitshëm në të cilin bëhen vlerësime për disa tregues të qeverisjes, si për lirinë e shtypit, ekzistencën e korrupsionit, transparencën në qeverisje, respektimin e të drejtave të njeriut, respektimin e ligjeve dhe kushtetutës kombëtare si dhe ligjeve ndërkombëtare, rendi dhe siguria, të drejtat civile si dhe funksionimin e drejtësisë e luftën kundër krimit.

Të përmbledhura në një fjali, Indeksi i Sundimit të Ligjit shpreh nivelin dhe shkallën e ushtrimit të shtetit të së drejtës. Nëse qytetarët e një vendi duan të kuptojnë se sa respektohet liria e tyre si dhe ligji e drejtësia në një vend, kjo pasqyrohet pikërisht në studimin e “World Hustice Project”! Që do të thotë se ata kanë mundësi të perceptojnë, nëse në vendin e tyre sundon e drejta dhe ligji, apo regjimi!

Por, çfarë thotë raporti i këtij viti për Shqipërinë dhe Kosovën?

  1. Shqipëria renditet në vendin e 87 në mesin e 140 vendeve sa i përket sundimit të ligjit ose shtetit të së drejtës. Është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar. Kosova renditet në vendin e dytë me përmirësimin më të lartë në botë për sundim të ligjit, por duke u renditur në vendin e 57’të në botë prej 140 shteteve.! D.m.th. janë 30 vende ndërmjet tyre dallim. Shqipëria ka 110 vjet shtet, Kosova vetëm 15 vite pavarësi! Shqipëria zë vendin e fundit në rajon, Kosova zë vendin e parë. Edhe në raportin e vitit 2021 Shqipëria zinte vendin e 84, ndërsa Kosova vendin e 60-të.
  2. E gjitha kjo vjen për shkak se në Kosovë respektohet liria e medies shumë herë më mirë sesa në Shqipëri. Sepse Kosova drejtohet nga kushtetuta dhe ligji e jo nga aktet normative të qeverisë. Sepse Kosova ka transparencë për çdo vendim të qeverisë dhe proces të hartimit e miratimit të ligjeve po ashtu transparent. Ndërsa Shqipëria bën ligje dhe ndryshime kushtetuese sipas klimës politike në favor të kryeministrit. Sepse në Kosovë shtetin nuk e drejton mafia dhe krimi i organizuar, por një lidership i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kurse në Shqipëri ndodhë e kundërta.

Shqipëria është vendi ku vendimmarrjen e ka në dorë mafia dhe krimi i organizuar. Në Kosovë vendimet i merr Parlamenti dhe Qeveria, pra institucionet e Kosovës, sipas kompetencave që kanë. Në Shqipëri vendimet i merr Kryeministri për llogari të mafies dhe oligarkisë. Ligjbërja dhe vendimmarrja në Shqipëri shkojnë në interes të dhunimit të së drejtës. Ndërsa në Kosovë në interes të qytetarit. Dhunimi i të drejtës çon në diskriminim, shtypje të vullnetit të qytetarit, varfëri dhe rrënim të ekonomisë e mirëqenies. Më tej vijnë problemet sociale deri te emigracioni masiv. Shqiptarët e Shqipërisë zënë vendin e parë, duke lënë prapa edhe Ukrainën në luftë, sa i përket emigracionit.

  1. Raporti për Indeksin e Zbatimit të Ligjit në shkallë globale zbulon faktin se Shqipëria është më keq sesa Vietnami dhe vende të shumta afrikane e latino-amerikane. Ndërkohë që Kosova ka lënë mbrapa në shkallën e përmirësimit në këtë fushë edhe vendet e zhvilluara e demokratike. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se Shqipëria në vendin e fundit në rajon ndiqet nga Serbia në të parafundit. Që do të thotë se qeverisja në të dy këto vende ngjason me njëra-tjetrën dhe është e lehtë të kuptosh se kjo mbetet një ndër shkaqet kryesore të afrimitetit anti-Kosovë të Tiranës zyrtare dhe Beogradit.
  2. Sipas raportit të World Justice Project, ndërsa Shqipëria dhe Serbia i kanë përkeqësuar treguesit e qeverisjes krahasuar me një ose disa vite më parë, Kosova i ka përmirësuar ato ndjeshëm. P.sh Shqipëria vitin e kaluar ishte në vendin e 84-të, ndërsa këtë vit në të 87-in. Tri shkallë përkeqësimi përfaqëson ky fakt. Kurse Kosova nga vendi i 60-të vitin që shkoi, këtë vit u ngjit në vendin e 57-të! Kjo tregon trendin e ardhshëm të zhvillimeve. D.m.th. se në Shqipëri nuk ka perspektivë përmirësimi e zhvillimi, ndërsa Kosova po bëhet modeli i qeverisjes.

Pavarësisht kësaj, ambasadorët e vendeve të rëndësishme të botës së lirë vazhdojnë të mbrojnë qeverinë e Tiranës. P.sh. ambasadori britanik në Tiranë edhe pse pranoi se 140 mijë shqiptarë kanë shkuar me gomone drejt vendit të tij, përsëri akuzat i përdori kundër opozitës, dhe lëvdatat i rezervoi për Qeverinë! Po duket sikur sa më shumë që ambasadorët e lavdërojnë qeverinë e Edi Ramës, aq më shumë ai zhytet në keqqeverisje, duke krijuar një imazh gri në të zezë për vendin tonë. Ndërkaq qeveria shqiptare, nëse do donte prosperitetin e Shqipërisë, do të mjaftonte të merrte modelin e qeverisjes në Kosovë.

Edhe një këshillë për shumë bashkëkombës në Kosovë: Mos i gjykoni udhëheqësit nga fjalët dhe retorika që ushtrojnë, por nga rezultati i punës që bëjnë. Sepse jo pak prej jush u besoni tambureve të nacionalizmit të Edi Ramës, në vend që t’i besoni punës së tij e të secilit prej politikanëve për zhvillimin e lirisë, demokracisë e të qeverisjes së vendit! Raporti i institutit amerikan është një mësim i mirë edhe për këtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok