22/12/2024

SULË HOTLA- DO TË LUFTOJ PËR BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE DERI SA TË MË MARR PLUMBI

0
Sule-Hotla

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1875- e ekzekutojnë më 11 tetor 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i madh i Hotlës trime, Sulejman Asip Sulejmani- Sylë Hotla u lind më 1875, në fshatin Hotël të Kumanovës, nga babai Asipi, i cili njihej për burrëri e trimëri të madhe. Por fati e deshi që Sula herët mbetët pa baba dhe tërë kujdesin për familjen e tij e merr ai vet. Takimet e shpeshta me fshataret atdhetar dhe bisedat e gjata me ta, Sula vije në përfundim se robëria është skllavërim, dhe gjithsesi duhet të lirohen nga ajo. Andaj, qysh si i ri Sula e urrente robërinë dhe ndeshtrashat e vazhdueshme që vinin bashkë me të. Sula nuk pati mundësi të kryente ndonjë shkollë, ngase shkolla në gjuhën shqipe nuk kishte. Ai vinte nga një familje e pasur fshatare, që zotëronin shumë toka e pasuri. Ai, tërë jetën ia kushtoi çështjes së atdheut. Bile shpesh për çështje atdhetare edhe pasurin e vet e dhuronte për të. Sula, ishte fëmija më i madh në familje, por pas vete kishte edhe dy vëllezër: Shefkiun e Arifin, me të cilët kishte raporte tamam vëllazërore. Ata e donin dhe e përkrahnin për çdo gjë dhe ishin të pandarë në mes veti. Për grua kishte Zylbeharen nga fshati Gllazhnjë afër Likovës, me të cilën do të lind pesë fëmijë: Tahirin, Azeminen, Mexhidin, Abedinin dhe Shasinen. Më vonë do të shohim se gati e tërë familja e Sulë Hotlës do të angazhohej në luftërat çlirimtare dhe do të jenë krah i fuqishëm i tij.

Me kalimin e viteve, situata e egër e barbare ndaj shqiptarëve po eskalonte, okupuesit serbo-sllavë silleshin barbarisht ndaj shqiptaret, Sulë Hotla, vendos të dali në mbrojtje të tyre. Prej vitit 1927-1941 ai ishte udhëheqës i komunës së Mateçit, në të cilën hynin fshatrat e Karadakut dhe të Kumanovës. Dhe duhet theksuar se zgjedhjet mbaheshin në çdo tri vjet, dhe se çdo herë Sulë Hotla i fitonte ato nga e gjithë popullata.

Sipas të gjitha të dhënave, del se, Sulë Hotla, aktivitetin politik e kishte filluar qysh herët, duke filluar që nga Lufta e Parë Botërore. Atëherë kur forcat bullgare kishin hyrë dhe kishin pushtua atë pjesë të tokave shqiptare. Fillimisht ishte angazhua si xhandar, duke menduar se në atë mënyrë do të mbronte popullsinë shqiptare nga krimet e sulmet bullgare.

Sipas historianit Isuf Ahmeti, thotë se Sulë Hotla në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS), rreth vitit 1922, ai ishte përleshur me regjimin serb të kohës dhe arratiset në malet e Karadakut, duke u strehuar në fshatin Brezë. Atje do të qëndrojë 6-7 muaj. Më pas do të zihet nga regjimi serb dhe dënohet për revolucion kundër pushtetit! Edhe pse kishte tentuar që të thyente dyert e burgut të Kumanovës, nuk ia del. Pasi se njoftohet familja, për  burgosjen e tij. Xhaxhai  Iseni, për ta liruar atë i shiti dy hektarë tokë pjellore që familja i kishte në fushën e fshatit Llopat. Me këtë, dënimin me burg e kompenson me të holla të majme dhe arrin të lirohet. Me gjasë, për një periudhë të caktuar, Sula duhet të ketë pushuar veprimtarinë e vet dhe më vonë, si burrë i pjekur dhe me autoritet, zgjidhet delegat në Kuvendin mbretëror në Shkup, si përfaqësues i popullatës shqiptare të kësaj ane.

Gjatë kohës së Bullgarisë, Sulë Hotla, në ndërkohë formon një qetë për të luftua zullumet bullgare, e që quhej kontraqeta. Pas largimit të Bullgarisë fashiste, Sulë Hotla edhe më tutje filloi të vepronte duke i mbrojtur fshatrat shqiptare. Në ndërkohë, bie në kontakt me patriot të shquar shqiptar si: Xhemë Gostivarin, Mulla Idriz Gjilanin, Avdyl Durën dhe me shumë pjesëmarrës të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe me vet kryetarin e saj Xhafer Devën duke marr nga ata përkrahjen dhe bashkëpunimin e mirëfilltë.

Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Sulë Hotlën e gjejmë edhe më aktiv në luftërat për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ishte armiku i përbetuar i komunistëve, e sidomos i atyre jugosllav. Ai bashkë me patriot të tjerë do të vazhdoi luftën duke i mbrojtur tokat shqiptare dhe popullin e saj . Me hoxhën- Mulla Dullën e Hotlës do të formojnë çeta vullnetare për të bërë rezistencë në pjesët e vendit si në bjeshkët e Karadakut, të Shkupit e të Kumanovës. Shpejt bie në kontakt me luftëtar të tjerë, të cilët po ashtu luftonin për një Shqipëri  të vërtetë. Pas formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ai i përkrahu vendimet dhe bashkëpunoi ngushtë  me forcat ushtarake të saja.

Më 1944, në shtator Sylë Hotla, pas tërheqjes së forcave bullgare, me iniciativën e tij, thërret një kuvend në fshatin Mateç, në të cilin marrin pjesë mbi 2000 atdhetar. Në këtë tubim Sulë Hotlen e zgjedhin komandant të forcave balliste për të gjitha viset e Kumanovës. Po ashtu e caktojnë nënprefekt të prefekturës së Mateçit, Mulla Dulën e Hotlës dhe për Komisar politik caktohet Mulla Hajdari i Orizarës, që për detyrë kishte furnizimin e ushtrisë me ushqime dhe armatim. Nga kjo periudhë Sulë Hotla me ushtaret e vet pati shumë përballje me forcat çetnike si dhe me ato partizane të cilat i mposhti me sukses.

Të tëra këto zullume, me arsye,  krijuan tek shqiptarët pakënaqësi. Shi për këtë, një organizim më i shpejt dhe më i mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni të vazhdueshme  lindën dhe vepruan forcat nacionaliste që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin me Shqipërinë. Edhe pse pushteti jugosllav i dinte qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte  se, këto organizata ishin armiqësore, nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet perëndimore. Në këto momente kritike të historisë, nacionalizma shqiptare ende zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta  po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.

Pas sulmeve të një pas njëshme të pushtuesve bullgar e serb në viset e Kosovës Lindore, më 17 dhjetor 1944 në shtëpinë e Dulë Hajrullahut në Zarbincë, mbahet kuvendi gjithë popullor, në të cilën merrnin pjesë mbi 1000 atdhetarët, të cilët ndërmorën masa të shpejta për themelimin e Shtabit Drejtues të Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore. Në këtë kuvend u zgjodhën: Mulla Idrizi-komandant, Muharrem Fejza u zgjodhe sekretar, Sylë Zarbinca- zëvendëskomandant. Kurse për anëtarë u caktuan të gjithë komandantët e njësive guerile: Shefki H. Desivojca, Ajet Rainca, Lam Breznica, Ajet Kosovica, Xheladin Kurbaliu, Lotë Vaku, Hoxhë Lipovica, Sulë Hotla, Faik Taliri. Gjithashtu u propozua se të gjithë komandantët e qetave të më vonshme që do të formohen, udhëheqësit e tyre do të jenë anëtarë të shtabit. Pasi se u shpërndan luftëtaret me detyrat e marra, Sulë Hotla do të veprojë me forcat e veta në mbrojtje të Shkupit dhe fshatrat për rreth.

Kontaktet e shpeshta me patriot të tjerë Sulë Hotla do i shfrytëzoi për aktivitete të tjera atdhetare. Pasi se kishte rënë në kontakt me profesor Ibrahim Kelmendin, ai njoftohet se në shumë qendra të Kosovës e të Maqedonisë ishin formuar dhe po vepronin Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, me të cilën atdhetari i Hotlës i përkrahu në tërësi. Sikurse Komiteti Qendror i i Prizrenit, po ashtu edhe KQ i Shkupit e kishin planin operativ të punës në terren. Komiteti Qendror NDSH-së, në Shkup ishte angazhua që në çdo vend të formohen komitetet e ONDSH-së.

Andaj, dy takimet e Sylë Hotlës me kreun e ONDSH-së së Shkupit në Dimcë dhe me , Mulla Hajdarin në Shkup, në fund të tetorit 1945, merret qëndrimi që të formohet komiteti i NDSH-së për Kumanovë. Mbledhja mbahet në fshatin Orizare, saktësisht në shtëpinë e Zija Shabedinit, ku marrin pjesë: Sulë Hotla me shokët e tij, Eshtrefin dhe Destanin, pastaj Mulla Hajdari, Hafuz Sali Ameti, Mulla Selveri, Sami Shabedini, Ali Aliu, Zija Shabedini dhe Çelebi Sulejmani.

Duke u mbështetur mbi këtë parim ishte paraparë që Komiteti Qendror të jetë organi më i lartë i organizatës, ndërsa në terren të vepronin komitetet e rretheve, të rajoneve, të komunave  dhe komitetet lokale nëpër fshatra. Komitete lokale e rajonale kishin statusin e organizmave baze, ngase kryenin punë sikur që ishin grumbullimi i ndihmave materiale, ushqime, veshmbathje, shpërndanin afishe, përhapnin të vërtetën për NDSH, propagandonin domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, formonin komitete të reja në terren, ku përfshinin të rinjtë shqiptarë, por gjithashtu ishte si obligim që sa më shumë të angazhoheshin edhe gratë.

Formimin e komitetit e përshëndeti vet Sulë Hotla, duke thënë se ky komitet po formohet ngase duhet të jemi të organizuar dhe të mbajmë takime të rregullta dhe të ndihmojmë grupet (qetat) tona me veshmbathje, ushqime dhe me armatim. Pastaj kishte shtuar se ky komitet e ka për detyrë që në të ardhmen të formojë komitete të komunave , qyteteve e fshatrave, gjithandej ku jetojnë shqiptaret. Gjithashtu i njoftoi se ky komitet (komiteti i Kumanovës) duhet të mbaj lidhje direkte me Komitetin Qendror që ishte formua në Shkup. Po në këtë takim zgjidhet edhe kryesia e komitetit. Kryetar zgjidhet –Mulla Hajdari, nënkryetar zgjidhet Hafuz Sali Ahmeti dhe Mulla Selveri, sekretar Sami Shabedini, arkëtar Ali Aliu, ndërsa anëtarë Zija Shabedini dhe Çelebi Sulejmani.

Atdhetari i madh-Sulë Hotla, do të merr pjesë edhe në Kongresin I (III), që u mbajt në Kopilaçë, më 15-16 gusht 1945. Në të u ftuan të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e të gjitha komiteteve të NDSH-së që vepronin në atë kohë por në këtë tubim nuk kishin marrë pjesë të gjithë të ftuarit, sepse ishte  shumë vështirë për të udhëtuar, se në çdo pjesë të vendit qarkullonin dhe survejonin bashkëpunëtorët e UDB-es, dhe, ekzistonte frika që të zbulohen e të arrestohen anëtarët. Mosardhja e tyre kishte ndikua që të mos zgjidhet KQ i LNDSH-së. Po ashtu, u vendos që kongresi i ardhshëm të mbahet me 1 qershor 1946.

Gjatë punës dy ditore të kongresit, pjesëmarrësit  morën vendime të rëndësishme si: Emërtimi i “Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare” u  shndërrua në: “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare” – ( LpLTSH ), ngase emri i “Ballit Kombëtar” ishte kompromentuar në sytë e aleatëve, si organizatë profashiste gjatë LDB dhe kjo së paku për nga botëkuptimet e anglo-amerikanëve. Komiteti Qendror i LNDSH-së në Shkup u caktua si 0rgani politik më i lartë i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare (LpLTSH) dhe lidhje e vetme e Lëvizjes me Komitetet shqiptare ne Greqi dhe ne Itali ; Guerilja shqiptare, ballistët, etj, të quhen : Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare – (UPDSH); Komandant Suprem i UPDSH-së u emërua Hysen Tërpeza, kurse komandantë te Batalioneve: Hasan Kabashi – Vitia, Bajrush Xhakli, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti dhe Din Hoxha-Kaçaniku. Kongresi emëroi “Shtabin e Luftës”, në Shtabin e Luftës të UPDSH-së ishin edhe Adem Gllacica, i ngarkuar për propagandë, si dhe Ibrahim Kelmendi dhe Luan Gashi; Ibrahim Kelmendi do të delegohet për propagandë ne viset e Shkupit dhe Tetovës ; Luan Gashi ne viset e Suharekës e Prizrenit ; Në Kongresin e Kopilaçës ishte i pranishëm edhe i deleguari i posaçëm i Mulla Idriz Gjilanit, pikërisht Salih Sadik Gjyrishefci, ilegal për vet kongresistët; Kongresi gjithashtu aprovoi platformën për një Thirrje që Shtabi Suprem i UPDSH-së së Kosovës duhej t’ia lëshonte popullit”.

Në prill të vitit 1945, pas Kuvendit të Dërvenit, Sulë Hotla do të detyrohet të kalojë  në ilegalitet të thellë, i strehuar në familjet e shumta të Orizares, si te Mulla Hajdari, Miftar Breza, Rrahman Rushan e Zija Shabedini si dhe të Beqir Gorani në Shkup.

Pas zbulimeve të shumta që u bënë ndaj anëtarëve të organizatave ilegale në Kosovë e në viset tjera të banuara me shqiptarët në Jugosllavi, pasonin proceset e gjata gjyqësore dhe dënimet fort të mëdha e drakonike që u shqiptonin anëtarëve të tyre. Ndërsa për dhunën e torturat që u përdorën ndaj tyre në lokalet e hetuesisë, do të jetë një histori e veçantë.

Fillimi i vitit 1946/47, në Kosovë dhe gjithandej ku jetonin shqiptaret, fillon një valë e paparë ndjekjesh e arrestimesh. Fillojnë reprezaljet që do të mbetën kujtimi më i hidhur në histori të shqiptarëve. Shqiptarët gjithandej përjetonin natën e Shën Bartollomeut pas së cilës do të pasojnë likuidimet e shumë proceseve gjyqësore historike, dëshmi e dhembshme e kohës nën robërinë Jugosllave. Sylë Hotla edhe pas lutjes së Hysen Tërpezës që ta lëshoj vendin dhe të shkonin për Greqi, ai me gjithë respektin që kishte për të, nuk pranon që të dali jashtë vendit. Duke iu thënë se unë do ta mbrojë dhe do të luftoi për bashkimin e tokave shqiptare deri sa të më marr plumbi.

Kapja e Sulë Hotlës ishte përgatitur shumë më herët. Udbashët si hije e përcillnin hap pas hapi Sulë Hotlen dhe luftëtarët e tij. Ata kishin ecur gjatë mbi dy javë, në drejtimin e Greqisë, por duke mos ditur se ku ndodhej kufiri. Krahas tyre ecnin edhe ushtaret maqedonas dhe udbashët. Me mjeshtri të madhe kishin improvizuar kufirin në malin e Pelisterit, dhe para grupit të Sulë Hotlës paraqiten se kinse ishin kufitaret grek. Siç e donte rendi, luftëtarët e stërlodhur, i dorëzojnë armët dhe çdo gjë që kishin me vete, dhe pasi i çarmatosin, udbashët i arrestojnë, duke i dërguar në burgun e Shkupit. Sipas disa të dhënave, të gjithë të arrestuarit  i ekzekutojnë pa gjyq, më 11 tetor 1947. Edhe pas lajmit se është ekzekutuar Sulë Hotla, populli shqiptar assesi nuk besonte se e kishin vrarë, ngase për ta edhe sot Sylë Hotla jeton në kujtesën e tyre si hero i madh kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok