23/12/2024

STUDIM QË E NDRIÇON THELLËSISHT VEPRIMTARINË E MAKSIMILIAN LAMBERCIT PËR LETËRSINË SHQIPE

0
Maximilian-Lambertz

Anton Nikë Berisha, Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe. Studim monografik. Botoi Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve – Shkup 2021

Nga  Mikel Gojani

Një varg studiuesish të huaj janë marrë me përkushtim me letërsinë shqipe dhe me disa zhanre të saj, mirëpo me veprimtarinë e tyre studiuesit tanë nuk janë marrë mirëfilli me to dhe nuk i kanë ndriçuar arritjet e tyre më të rëndësishme, si fjala vjen, të Georg von Hahn-i, Bop-it, Gustaj Myjer-it, G. Vajgand-it, Maksimlian Lamberc-it, Norbert Jokl-it, Franc Nopça-s etj.

Është fakt se në disa vepra studimore të autorëve të huaj për kulturën dhe letërsinë tonë kanë dëshmuar vlera të mirëfillta shkencore që kanë pasur jehonë jo vetëm në rrafshin ndërkombëtar, por edhe në atë shqiptar. Studiuesit tanë shpesh janë mbështetur në të arriturat e tyre. Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë në gjuhësi.

Duhet thënë se studiuesit e huaj i vështruan dukuritë albanologjike të bazuara në fakte dhe argumente autentike shkencore, pa ngjyrime ideologjike, siç ndodhi në botën tonë gjatë kohës së komunizmit, veçmas në Shqipëri.

Njëri nga studiuesit evropian që me aftësinë dhe dijen e tij sa të gjerë aq dhe të thellë, dha një ndihmesë të rëndësishme në studimin e disa fushave të albanologjisë, është studiuesi me origjinë austriake Maksimilian Lamberci. Ai u mor me mbledhjen e materialeve të letërsisë gojore shqipe, në mënyrë të veçantë me epikën gojore e me përrallën. Këtë na e thotë autori i studimit: “Ndihmesën kryesore në fushën e letërsisë gojore shqiptare M. Lamberci e dha në studimin e dy llojeve: të këngëve kreshnike dhe të përrallës” (f. 83). Mirëpo, Lamberci iu qas dhe disa veprave të letërsisë së shkruar dhe me mitologjinë shqiptare.

Botimi i tij i parë albanologjik i Lambercit është ai bashkë me Gjergj Perkmezin (1872-1938), doracaku për mësimin e gjuhës shqipe Lehr – und Lesebuch des Albanischen (Vjenë 1913). Në maj dhe qershor të vitit 1916 Maksimilian Lamberci për herë të parë udhëtoi në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë austriake të shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike.

Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri ai vizitoi disa vendbanime si Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, në veçanti Mirditën, ku qëndroi disa kohë, duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material të letërsisë gojore. Gjatë asaj kohe Lamberci bashkëpunoi me Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës “Posta e Shqypnies” (1916-1918) në të cilën gjithashtu botoi artikuj. Në vitin 1958 botoi përkthimin e plotë në gjermanisht të “Lahutës së Malcís” (“Die Laute der Berglandes), të pajisur me hyrje e me shënime të rëndësishme dhe me vlerë.

Për të hedhur dritë në veprimtarinë e gjerë të këtij albanologu të rëndësishëm studiuesi i letërsisë, prof. dr. Anton Nikë Berisha, i është qasur me përkushtimin dhe seriozitet të madh analizimit dhe ndriçimit të veprave të Lambercit. Dëshmi e kësaj është studimi i tij monografik “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe”, botuar nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Shkup, i pari i këtij lloj në traditën tonë.

Studimi i Berishës ndriçon sidomos kontributin e Lambercit në fushën e studimit të poezisë gojore shqipe, të epikës gojore, të përrallës, po, siç u tha, dhe të disa veprave të letërsisë së shkruar, si, fjala vjen, për veprën e Varibobës, të Fishtës etj.

Në Parathënien me titull “Vepër që vendos një standard vlerësimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj”, studiuesi i letërsisë shqipe, njëherësh edhe redaktor i këtij libri, Emin Azemi, shkruan se “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe” është një vepër kapitale e Anton Nikë Berishës që e lidh një traditë studimi të albanologjisë evropianë, sidomos, të albanologëve gjermanë e austriakë, me lexuesin shqiptar, i cili pak ka qenë i njoftuar mbi kontributin e tyre. Kjo vepër është një përpjekje serioze, jo vetëm për ta ndriçuar një veprimtari pak të njohur të Maksimilian Lambercit, por edhe për të vendosur një standard vlerësimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare. Nga hulumtimet e prof. Berishës, pohon studiuesi Azemi, rrjedh që Lamberci ka dhënë një ndihmesë të madhe, përpos në mbledhjen dhe në studimin e thesarit tonë gojor, edhe në prezantimin e specifikave etno – psikologjike e kulturologjike të shqiptarëve para një lexuesi të gjerë. Përmes studimeve të tij, sidomos të hulumtimeve të epikës sonë gojore dhe përrallës, Lamberci kishte arritur ta ndriçojë pasurinë dhe karakterin shpirtëror e psikologjikë të shqiptarëve përmes një “rëntgeni” të vendosur diku në malet e Shqipërisë”.

Ndërkaq autori, Anton Nikë Berisha, në Fjalën e tij paraprake thekson se kërkimet e fillimit i kishte përqendruar në veprimtarinë e Lambercit në fushën e letërsisë gojore: “Veprova në këtë mënyrë për arsye se Lamberci rezultatet më të shënuara e më të qëndrueshme i ka mbërritur në studimin e epikës gojore dhe të përrallës sonë gojore”. Në vazhdim Berisha vë në dukje se puna e Lambercit është e rëndësishme jo vetëm për albanologjinë po dhe më gjerë, për Evropën Juglindore nga se “Për herë të parë epika jonë gojore dhe përrallat tona u sunduan nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme dhe u krahasuan edhe me llojet e ngjashme të traditave të tjera. Disa mendime të tij nuk e kanë humbur vlerën dhe rëndësinë e tyre as sot e gjithë ditën”.

Librin “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe” autori e ka konceptuar në katër pjesë: Lamberci njëri ndër albanologët më të shquar; Lamberci për letërsinë e shkruar shqipe; Lamberci për letërsinë gojore shqipe dhe Autor librash gjuhësorë – mësimorë dhe përkthyes letrar i përkushtuar.

Në pjesën e parë të librit Berisha sjell dhe një varg vlerësimesh të rëndësishme të studiuesve të shquar për veprimtarinë e Lambercit, si, fjale vjen, të Eqrem Çabejt, i cili e vlerëson lart veprimtarinë e studiuesit austriak: Lamberci me një shumësi tematike kapërthen kompleksin e studimeve shqiptare në tërësinë e tij, sidomos duke i kushtuar një vëmendje të veçantë e të pandërprerë literaturës popullore dhe artistike, gjuhësisë dhe etnografisë e të folklorit në kuptimin më të gjerë. Berisha sjell edhe vlerësime të autorëve të tjerë si Wilfried Fiedler, Karl Gurakuqi, Claus Haebler, Qemal Haxhihasani, Koço Bihiku, Emil Lafe etj.

Në pjesën e dytë të studimit autori i shpalos mendimet dhe vlerësimet e Lambercit për letërsinë e shkruar shqipe. Fillimisht ai u mor me “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës si dhe me veprën e Jul Varibobës, “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, pjesë nga e cila përktheu në gjermanisht disa pjesë të saj. Lamberci prej gjithë këtyre shkrimtarëve me admirimin më të madh shkruan për Fishtën – Homerin shqiptar: “Kjo na tregon (krahasimet e Fishtës me Homerin – A.N.B.) se Fishta nuk ishte vetëm homerist, por, në kujtimin e mrekullueshëm për veprën e tij të pavdekshme, do t’ia jepnim me plot të drejtë kurorën e lartë të Homerit shqiptar” (f. 63). Rreth “Lahutë së Malcis”, Lamberci thekson: “është vepra më e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Epi është ngritur nga poezia popullore. Nëpërmjet teknikës epike të baladave dhe të rapsodive popullore, të cilat edhe sot jetojnë në malësitë shqiptare, poeti paraqet tridhjetë këngë, qenësinë dhe zhvillimin e popullit shqiptar” (f. 65).

Në Pjesën e tretë autori Berisha e ndriçon kontributin e Lambercin në fushën e letërsisë gojore shqipe. Interesimi i tij për lirikën tonë gojore dëshmohet qysh në vitin 1913 në librin për mësimin e shqipes bashkë me Gj. Pekmezin, ku janë përfshirë tri lirika të marra nga përmbledhja e njohur e V. Prennushit “Kangë popullore gegnishte” (1911). Po ashtu, në punimin “Dialektet shqiptare në Itali” (1914) dhe në Raportin e studimeve gjuhësore në Shqipëri, botoi Akademia mbretërore e shkencave të Vjenës, Lamberci jep të dhëna për disa nga botimet më të rëndësishme të letërsisë gojore shqiptare duke filluar nga vepra e Hahnit |Studime shqiptare” (1853/1954 e deri te ajo e A. Skurës “Shqiptarët në Itali dhe këngët e tyre tradicionale” (1912). Mendimet më të rëndësishme për lirikën gojore shqiptare Lamberci shprehu në studimin e tij “Poezia popullore e shqiptarëve. Një studim hyrës”.

Duke u marrë me epikën gojore Lamberci vlerëson se epika gojore e traditës shqiptare është një pasur e madhe që begaton epikën e këtij populli.

“Sot për sot po e jap fjalën e shpresës, që nëse edhe një herë bota do ta fitojë lirinë, nga qenësia e popullit shqiptar, ku ruhen aq thesare të lashta e të bukura, në këngë dhe në përralla, në gojëdhëna dhe besime popullore, shkenca do të nxjerrë po ashtu njohuri të çmueshme edhe mbi doke e zakone të popujve të tjerë indogjermanë” (f. 3).

  1. Lamberci po ashtu është një studiues i thellë i përrallave dhe pothuajse kësaj fushe i është qasur me përkushtimin më të madh, me ç’rast edhe rezultatet karakterizojnë suksesin që ka arritur në këtë fushë të letërsisë gojore:

“Përrallat janë në një farë mënyrë Bibla e besimit popullor shqiptar, shprehje që dikur i moçmi i besonte, trembej, e donte, e çmonte të shenjtë” (f. 121).

Sipas autorit Berisha, puna e Lambercit me përrallën shqipe shtrihet në tri rrafshe kryesore: në mbledhjen e teksteve të përrallave shqiptare nga subjekte të ndryshëm Lamberci e nisi gjatë qëndrimit studimor në disa ngulime arbëreshe të Italisë në vitet 1913-1914, ndërsa nga viti 1916 vazhdoi mbledhjen e përrallave në Shqipërinë e veriut dhe në Shqipërinë e mesme (f. 121). Rreth këtij lloji letrar Lambercit boti: “Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar, Vjenë 1922, “Përralla nga Shqipëria”, Lajcig 1922 dhe “Motra me krahë dhe errësira e tokës”, Eisenach 1952.

Në kapitullin e katërt autori i flet për rëndësinë e librave gjuhësorë – mësimorë të shqipes të hartuara nga Lamberci, si dhe disa aspekte rreth përkthimeve të Lambercit nga shqipja në gjermanisht, ku veçon përkthimin e 20 këngëve kreshnike, përkthimi i plotë i “Lahutës së Malcis”, përkthimi i një varg përrallash, kallëzimesh dhe anekdotash, si dhe pjesë të veprës së Jul Varibobës dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës etj.

Studimi “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe” i prof. dr. Anton Berishës është një vepër me vlera të veçanta për ndriçimin e thellë të veprimtarisë së gjerë të M. Lamberci në fushën e letërsisë shqipe. Ky libër është një vepër me vlerë që t’u hyjë në punë ligjëruese në fakultet, për studiuesit që synojnë të merren me albanologë të huaj që i dhanë një kontribut të madh studimeve albanistike.

Shkurt, 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok