23/12/2024

STATUTI I ‘’ZAJEDNICËS’’

0
Adil-Fetahu

Konteksti politik dhe juridik për themelimin e ‘Zajednicës’

Nga Adil FETAHU

Propozimi Gjithpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i njohur si dokumenti i Ahtisarit (2 shkurt 2007), në Aneksin I-rë, në kuadër të decentralizimit (neni 8), parasheh se komunat do të gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes. Në pikën (nenin8.4), theksohet: ‘Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe tejkufitar në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjëruara’’.

Në Aneksin III, pika 9.2:të dokumentit të Ahtisarit, është përcaktuar si vijon: ‘’Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta në pajtim me ligjin’’.

Aty nuk parashihet formimi i asociacionit në baza etnike, por sipas interesave të komunave të cilat duan ta themelojnë asociacionin. Dhe këtu qëndron dobësia e ish autoriteteve të Kosovës, të cilët kanë pranuar dhe nënshkruar formimin e asociacionit në baza etnike, përkundër faktit se në dokumentin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës (që është kryekëput ai dokument), Kosova trajtohet si shoqëri multietnike, dhe me shumë privilegje për etnitë pakicë, veçmas për serbët.

Edhe formimi i disa komunave serbe nuk ka qenë në pajtim me dokumentin e Ahtisarit. Sepse kriter për themelimin e komunave të reja me popullsi etnike joshumicë, ishte nëse ai komunitet përbënë së paku 75% të popullsisë së vendbanimit të përqëndruer me popullsi të gjithmbarshme prej së paku 5000 banorësh’’ .Këtë kriter (të vetin) nuk e ka respektuar as vet Ahtisari, kur  në shtojcën e Aneksit III,  ka përcaktuar formimin e  6 komunave të reja: Graçanicë, Novobërdë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut, sepse së paku tri prej tyre nuk i kanë pasur nga 5000 banorë.

Me presion nga Serbia dhe nga ndërkombëtarët, nga 15 pikat e Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill 2013, në gjashtë pikat e para është përcaktuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në Marrëveshjen tjetër të nënshkruar poashtu në Bruksel më 25 gusht 2015, janë përcaktuar parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore për themelimin, kompetencat dhe funksionimin e Asociacionit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin e vet, dt.23 dhjetor 2015, ka vlerësuar se dispozitat e kësaj marrëveshjes së dytë në 23 pika nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Dhe këtu pastaj thyheshin shpatat e palës serbe e palës kosovare, me ndërhyrjet e faktorëve ndërkombëtarë, gjithnjë në krah të palës serbe, duke thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

‘’Asociacioni’’ ishte fjala më e përdorur nga autoritetet e Serbisë, në të gjitha takimet ndërkombëtare dhe rrinte si shpata e Damokleut mbi qafën e përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet me palën serbe, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. U bënë edhe disa verzione të statutit për asociacionin,  me autorë të ndryshëm, të njohur e të pa njohur, që lëshoheshin si tullumbace, për të matur pulsin e opinionit. Por, duket se Statuti të cilin përfaqësuesit ndërkombëtar ua paraqitën Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kryetarit të Serbisë, A.Vuçiq, më 21 tetor 2023, është një tekst serioz që do të jetë bazë për themelimin dhe funksionimin e Asociacionit, sado që ka disa dispozita të papranueshme për palën kosovare. Ndërkaq, thonë se edhe Kurti edhe Vuçiqi janë deklaruar se ky statut ‘’është i pranueshëm’’. Dhe kjo është çudia e botës, kur dihen qëndrimet diametralisht të kundërta të njenit kundër tjetrit, ku gjetën këtu pikën e përbashkët që të pajtohen? Ndërkombëtart e lavdëruan këtë verzion si më i miri i mundshëm, dhe se në këtë mund të bëhen vetëm korrigjime kozmetike, dhe garantojnë se nuk përmban kompetenca ekzekutive dhe në asnjë   mënyrë nuk e rrezikon sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Po të shohim se çka përmban vërtetë Statuti i ri.

Titulli i Statutit është:

STATUTI THEMELUES

I ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË

 

Statuti i ofruar nga ndërkombëtarët, përmban 45 nene, të sistemuara në 7 kapituj:

  • Dispozita të përgjithshme (neni 1 – 12)
  • Objektivat dhe detyrat (kompetencat) (13 – 23)
  • Struktura organizative (24 – 37)
  • Buxheti dhe financimi (38)
  • Buletini zyrtar (39)
  • Marrëdhëniet me autoritetet qendrore (40 – 44)
  • Dispozita kalimtare dhe përfundimtare (45).

Preambula e Statutit u referohet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel më 2013 dhe 2015, ligjeve përkatëse të Kosovës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe Kushtetutës së Kosovës.

Pas përkufizimit të termave (neni 1), në nenin 2 par.3 shkruan: ‘’Asociacioni i themeluar me këtë statut, ofron një kornizë vetëqeverisëse për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Korniza përfshinë mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të koordinuara në fusha të veçanta, me mundësi për mbështetje financiare nga Serbia, dhe një kanal efektiv komunikimi të drejtpërdrejt për komunitetin serb të Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal’’.

Statuti i paraqitet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, para se të miratohet (neni 3 pika 2). Pas përfundimit të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, komunat që duan të bëhen anëtare të Asociacionit, i dorëzojnë Ministrisë së pushtetit lokal listën e delegatëve (këshilltarëve) të cilët do ta përfaqësojnë komunën në Asociacion. Pas themelimit, Asociacioni do të jetë i hapur  për çdo komunë tjetër, nëse pranohet me 2/3 e votave të Kuvendit. Anëtaret e reja duhet ta pranojnë këtë Statut (neni 5:4). Anëtaret e Asociacionit mund t’i bashkohen (edhe) asociacioneve tjera kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi (5:5). Asociacioni mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit (të Asociacionit, v.j.), të miratuar me 2/3 e votave të delegatëve të saj. Në atë rast, shpërbërjen e bënë Ministria e Pushtetit Lokal. Ndryshime të Statutit mund të propozojnë organet e Asociacionit ose komunat anëtare. Ndryshimet e propozuara i shqyrton Gjykata Kushtetuese, dhe (vetëm) pas vlerësimit pozitiv të Gjykatës, ndryshimet hyjnë në fuqi (6.2.). Asociacioni mund të ketë simbolet e veta: flamurin dhe stemën, të cilat shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese  (11:3). Asociacioni  ka subjektivitet dhe aftësi juridike në bazë të ligjit në fuqi, mund të ketë pronë të vetën të luejtshme e të paluejtshme, kompani në bashkëpronësi, për shërbime në suaza të fushëveprimit të vet, të lidhë kontrata, të padis dhe të paditet (neni 5). Por komunat nuk mund t’ia bartin pronat e paluejtshme në pronësi Asociacionit (6). Në pajtim me ligjet në fuqi, ka të drejtë të bashkëpunojë në suaza të kompetencave të komunave, me komunat dhe institucionet, duke përfshi edhe ato në Serbi, të merr ndihma financiare e pajisje, të liruara nga taksat dhe detyrimet. Mbështetjen financiare e mbikëqyrë Auditori Qendror (12:3).

Në dispozitat mbi kompetencat e Asociacionit (neni 13), përcaktohen se ‘’Asociacioni do të veprojë si një forum për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërkomunal, përmes të cilit anëtarët do të shqyrtojnë çështjet e interesave të tyre të përbashkëta, të promovojnë  dhe mbrojnë çështjet me interes të përbashkët dhe mbështesin ofrimin e  shërbimeve brenda komunave anëtare; do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në Kosovë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës: nuk do të zëvendësojë, përjashtojë ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve tjera juridike që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës për të ndjekur të njëjtat qëllime; koordinon, lehtëson dhe kryen aktivitete kërkimor dhe zhvillimore. Në ushtrimin e këtyre kompetencave organet e Asociacionit miratojnë rregullore, vendime, deklarata. Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore të financuara nga Serbia, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Mund të ushtrojë kompetenca tjera shtesë që mund të delegohen nga Autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi (neni 13).

Më tutje. në vazhdim (neni 14-16) rregullon menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të themeluara dhe të financuara nga Serbia. Në këtë fushë, të arsimit dhe shëndetësisë ka kompetenca shtesë, ndonëse thotë se kryerja e tyre do të jetë në pajtim me ligjin .Do të formohet ‘’Rrjeti arsimor serb’’(me diploma të dyfishta: serbe dhe kosovare?) dhe ‘’Rrjeti shëndetësor serb’’, si institucione private serbe, të licencuara në Kosovë.

Në kuadër të kompetencave komunale, Asociacioni do të ketë rolin kryesor për sigurimin e mjeteve dhe  financimin e projekteve në  fushën e zhvillimit të ekonomisë lokale, të planifikimit hapësinor urban dhe rural, në fushën e kujdesit social, kthimit të të shpërngulurve, në promovimin dhe mbrojtjen e identitetit kulturor (neni 19, 20, 21,

Nenet 24 – 37 të Statutit rregullojnë strukturën e organizimit, përbërjen, kompetencat, mandatin e organeve të Asociacionit: kuvendi (i përbërë nga 5 përfaqësues – këshilltarë, të cilët i delegojnë kuvendet e komunave anëtare, plus kryetarët të secilës komunë anëtare; presidenti dhe dy nënpresidentë: Bordi (prej 7 vetash); këshilli konsultativ (30 veta); administrata; zyra e ankesave;  shërbimi i ndihmës juridike; dhe buletini zyrtar në të cilin publikohen aktet e organeve të Asociacionit.

Në nenin 38 përcaktohet se Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, që do ta mbajë në një llogari te një bankë e licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Shpenzimet e buxhetit do t’i mbikëqyrë Bashkimi Europian pesë vjetët e para,  dhe me kërkesën e Autoriteteve Qendrore, apo të Asociacionit, kjo mbikqyrje e BE mund të zgjatë edhe pesë vjet tjera. Financimi i Asociacionit bëhet nga: kontributet e anëtarëve të saj; të ardhurat nga shërbimet e ofruara, nga kompanitë dhe nga pasuritë e saj; nga transfertat e Autoritetit Qendror; nga kontributet, grantet, donacionet dhe mbështetja financiare nga organizata e vende tjera duke përfshirë edhe Serbinë. Auditimin e jashtëm do ta kryejë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Kapitulli i gjashtë (neni 40 -44), rregullon marrëdhëniet e Asociacionit me Autoritetet Qendrore dhe mbikëqyrjen administrative. ‘’Në përmbushjen e objektivave (kompetencave.v.j.) të saj, Asociacioni nuk do të cenojë apo anashkalojë autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të anëtarëve të saj (komunave anëtare, v.j.) dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale të Kosovës. Asociacioni do t’i nënshtrohet procedurave të njëjta të rishikimit administrativ siç zbatohen për komunat në përputhje me Kapitullin 10 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (neni 40 par.1 dhe 2). Asociacioni do të angazhohet me Autoritetet Qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe shkëmbimit të informacionit dhe integrimit të shoqërisë, dhe në përputhje me ligjin në fuqi (4:2).  Dy vjetët e para të veprimtarisë së Asociacionit, do të monitorohet nga Bashkimi Europian, me mundësi të vazhdimit të monitorimit nëse këtë e kërkojnë Asociacioni ose Autoritetet Qendrore (41:1). Asociacioni mund të marrë pjesë në seancat dëgjimore publike ë lidhje me legjislacionin e ri ose ndryshimet në legjislacionin ekzistues. Nëse ftohet nga Autoritetet Qendrore, do të japë këshilla për hartimin e legjislacionit që ka të bëjë me qeverisjen lokale, të drejtat e komunitetit ose çdo fushe të mbuluar nga objektivat e Asociacionit. Asociacioni ka të drejtë të inicojë ose të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi të çdo institucioni që ndikon në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit, në përputhje me këtë Statut. Ka të drejtë të emërojë përfaqësues në organet kompetente të Autoriteteve Qendrore! (neni 41:5,6).

Sipas dispozitës së nenit 42 të Statutit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore do ta bëjë një komision arbitrazhi, i përbërë nga një përfaqësues prej secilës palë dhe kryetari, të cilin palët e zgjedhin me konsensus, e nëse kjo nuk arrihet, kryetarin do ta emërojë Bashkimi Europian. Vendimet e arbitrazhit, të marrura me 2/3 e votave  do të jenë përfundimtare dhe të detyrueshme. Dispozita e nenit 43, përcakton se kryetarët e katër komunave të Veriut të Kosovës, në emër të Asociacionit, i propozojnë MPB listën e kandidatëve për komandant rajonal të policisë së Kosovës. Asociacioni mund t’i këshillojë anëtarët e vet të kundërshtojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose akteve të Qeverisë që pretendohet se shkelin përgjegjësitë e tyre ose pakësojnë të ardhurat e tyre, kur ligji ose akti prekë ato (44).  Dhe, dispozita e fundit (45) parasheh mundësinë që Asociacioni të miratojë procedura, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi.

***

Nga një vështrim i vëmendshëm i përmbajtjes së Statutit të asociacionit, mund të vërehet se ka risi sa i përket zgjerimit të kompetencave të pushtetit lokal. Ato konsistojnë sidomos në sigurimin e mjeteve, financimin dhe menaxhimin e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale. Formimi i ‘’Rjetit arsimor ’’ dhe i ‘’Rrjetit shëndetësor të Serbisë’’, të pavarur nga sistemi arsimor i Kosovës, sado që thuhet se do të jenë private, janë çështje problematike. Veçmas rrjeti arsimor, me të gjitha nivelet e arsimimit, që është diskutabile se me çfarë programi (të historisë, gjeografisë etj.) do të punojë, kur dihet se Serbia nuk e njeh as historinë as gjeografinë e Kosovës! Problematike do të jetë dhënia e diplomave të dyfishta. Është e papranueshme, dhe nuk është në kompetencën e pushtetit lokal që mosmarrëveshjet me Autoritetet Qendrore të zgjidhen me arbitrazh, derisa ato mund të zgjidhen në mënyrë efikase në procedura gjyqësore, duke përfshirë deri në Gjykatën Kushtetuese. Dokumenti i Ahtisarit këtë çështje ua lë në kompetencë gjykatave të qarkut, të cilat kanë kompetencë territoriale kundrejt komunave të caktuara.

Futja e Rezolutës 1244 të KS të KB në Preambulën e Statutit, nuk ka asnjë arsye as bazë juridike që të ketë lidhje me pushtetin lokal. Ajo Rezolutë duhet të heqet nga Preambula, e në vend të saj të futet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili përmban vërejtjet në kompetencat e caktuara të Asociacionit sipas Marrëveshjes së 25 gushtit 2015.

Ka edhe shumë dispozita sipas të cilave Asociacioni u ofron (jep) këshilla Autoriteteve Qendrore në fusha e segmente të ndryshme të hartimit të ligjeve, programeve e çështje tjera,  dispozita këto që  Asociacionin e paraqesin si një partner të barabartë me Autoritetet Qendrore,  gjë që del si një pushtet paralel, e që është më keq se si pushtet i tretë. Dispozitat e tilla janë   të papranueshme.

Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duhet ta studjojnë me kujdes, analizojnë çdo dispozitë, çdo fjalë e fjali dhe të mos lëshojnë e lejojnë dispozita të cilat do të paraqesin zgjerim të kompetencave, mospërputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe që cenojnë  sovranitetin dhe integritetin e të shtetit të Kosovës. Në disa vende përmendet: ‘’kufijtë administrativ të Asociacionit’’! Nuk ka kufij administrativ të komunave, por ka territore të caktuara të komunave.

Dreqi i madh mund të fshihet edhe pas gjërave të vogla, kur vjen në pyetje interpretimi dhe zbatimi i dispozitave të Statutit. Prandaj – kujdes, kujdes, kujdes!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok