22/12/2024

Sot Panairi i 26-të i Librit “Tirana 2023”

0
Albert-Zholi

Motoja e Panairit “Tirana 2023” është “Libri na bashkon të gjithëve”!.

Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë e këtij Panairi

15-19 nëntor 2023

Nga Albert Z. ZHOLI

Ngjarja më e madhe e librit për vitin 2023 sot hap siparin e saj. Si zakonisht ky Panair mbledh sot, bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.
Ngjarja me e madhe letrare e vitit sjell sot, libra të rinj, autorë, përkthyes, prezantime, konkurse, konferenca etj… dhe sidomos shumë lexues.

Panairi i 26 i Librit “Tirana 2023” do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në datat 15-19 nëntor. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku për më shumë se 25 vjet dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve.

Panairi i Tiranës, i vetmi që mbledh të gjitha ngjarjet më interesante të librit, gjatë një viti!

Ekspozime, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë!

Motoja e Panairit

Motoja e Panairit “Tirana 2023” është “Libri na bashkon të gjithëve”!. Një moto që ngjall një emocion për rëndësinë e librit. “Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të zgjedhin librat që dëshirojnë, por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete. Unë besoj në rrafshin kombëtar, është ngjarja më e madhe më e rëndësishme në fushën e kulturës. Kemi botues nga Kosova, shumë autorë nga Kosova, kemi gjithashtu stendë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Është një festë e bukur e kulturës shqiptare, është një festë e bukur e librit në gjuhën shqipe”,- tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri. Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht

Problemet

Dhe pse shihet se vitin e kaluar pati një rritje të lexuesve sërishmi problemet me librin në Shqipëri janë të mëdha. E para si problem është shpërndarja gjeografike e librit. Sot libri nuk mbërrin kurrë në fshatrat e thellë, por as në qytetet e vogla, pasi nuk ka një organizim shtetëror, por vetëm iniciativë private. Edhe këtë vit dhe pse do ketë mbi 100 shtëpi botuese sërish problemet janë të njëta si vjet. Aktualisht shtëpitë botuese në vendin tonë nuk po përballen vetëm me humbjen e lexuesve, por edhe me tkurrjen e tirazheve, ndërsa për shkak të inflacionit kemi rritje të çmimit të librit. Situata duke marrë paarsysh panairet e mëparshme tregon se 70 përqind e shqiptarëve nuk lexojnë rregullisht dhe shtëpitë botuese punojnë për këtë 30 përqind. Kjo ka sjellë uljen e tirazheve ku më parë një titull arrinte 1000 kopje, me tirazh minimal, ndërsa tani shkon deri 200-300 kopje. Për të përmirësuar situatën, për të lidhur lexuesin me librin sipas botuesve del detyrë që në çdo qytet duhet të nxiten festivalet letrare, të cilat mungojnë. Organizimi i festivaleve letrare është shumë e rëndësishme pasi tregohet se zhvillohen aktivitete, që mbështesin librin dhe tërheqin vëmendjen e institucioneve.

Ulja e çmimeve të librave

Sigurisht si çdo vit edhe në këtë edicion të 25-të të panairit do të ketë zbritje çmimesh në libra dhe disa aktivitete, që do kenë në qendër kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. Zakonisht uljet variojnë 20-30% ku botuesit mundohen të kënaqin lexuesit edhe të gjejnë gjithçka duan edhe për të përfituar nga ato uljet e çmimeve. Ndërsa në ditën e dytë të panairit, në datë 16 nëntor, në orën 17.00 Shoqata e Botuesve organizon një seminar rreth problemeve të përkthimit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip. Në këtë seminar është e ftuar edhe një përkthyese e shquar italiane, konsulente editoriale e Sallonit të Librit në Torino, përkthyese e Bolanos dhe Markezit dhe organizatore e seminareve me këtë temë, znj. Ilide Carmignani. Vizita e Carmignani-t është mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës.

Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë e këtij Panairi.

Për çdo vit në Panair 3 shtëpitë botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” kanë qenë befasitë e Panairit. Këto shtëpi botuese dallohen për librat cilësorë, autorë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe për cilësinë e botimit. Secila prej tyre vjen në Panair me mbi 50 tituj të rinj të autorëve më në zë, por edhe me libra të tjerë me karakter historik dhe monografi që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.

“Bota Shqiptare”

Vjen në Panair me 52 libra të rinj që do të prezantohen në Panairin e Librit Tirana 2023, në Pallatin e Kongreseve, 15-19 nëntor. 33 tituj për të rritur. 22 tituj për fëmijë. Gjithsej 640 tituj.
Sigurisht kjo shtëpi botuese do të ketë ulje surprizuese. Ja disa nga librat që do sjellin surpriza në panair:

Emilienne Malfatto
“Le të vajtojë për ty lumi Tigër”
E përktheu nga origjinali: Nonda Varfi
Çmimi 600 lekë
* * *
Frymëzuar nga realitetet komplekse të Irakut, të cilat ajo i njeh mirë, Emilienne Malfatto na çon në një shoqëri të mbyllur, të sunduar nga autoriteti mashkullor dhe kodi i nderit. Një roman i parë verbues, me intensitetin e një tragjedie të lashtë.
Emilienne Malfatto, Çmimi Goncourt për romanin e parë 2021, është një fotoreportere e pavarur. Pas studimeve në Francë dhe Kolumbi, ajo u bashkua me Agjencinë France-Presse. Në vitin 2014, vizitoi Irakun për herë të parë si e dërguar speciale e AFP-së. Disa muaj më vonë, u bë profesioniste e pavarur në Irakun Verior.

ELIF SHAFAK

“Pallati Bonbon”

Një profesor universiteti që ndahet midis pasionit për gratë dhe Kirkegardin, misteriozja Dashnorja Blu, e çuditshmja Higjienë Tijen me çupkën e saj Su, plaka Madamë Tetka: janë qiraxhinjtë ekstravagantë të Pallatit Bonbon, një ndërtesë zotërinjsh gjysmë karakatinë në zemër të Stambollit.

E ndërtuar në mes të viteve Gjashtëdhjetë nga një emigrant i pasur rus për gruan e çmendur, është shndërruar në një banesë të përbashkët, e molepsur nga insektet, ku të mbyt duhma e një ere të tmerrshme që s’dihet nga vjen. Një skenë ekscentrike për ndodhitë e korkolepsura dhe fiksimet e protagonistëve të Pallatit Bonbon, që ndërthurin fatet e tyre në sfondin e një Stambolli të trazuar dhe vital, varur pezull midis modernitetit dhe traditës.

Elif Shafaku na dhuron një afresk të paharrueshëm të qytetit mbi Bosfor, prej nga nxjerrin krye një mijë fytyrat e një toke që të josh pa fund.

Shtëpia Botuese “Morava”

Shtëpia Botuese “MORAVA” sjell këtë Panair mbi 30 libra të rinj për fëmijë dhe të rritur. Kjo Shtëpi Botuese prestigjioze e ka nisur aktivitetin e saj në fushën e shtypshkrimeve që në vitin 1991. Pas shumë viteve përvojë, aktiviteti i saj u shtri edhe në fushën e botimeve të teksteve shkollore dhe librave artistikë. Botimet në fushën e letërsisë artistike i përkasin grupmoshave të ndryshme, duke iu ofruar një kohë të vyer në praninë e librit.
Shtëpia botuese MORAVA i ka kushtuar një hapësirë të veçantë titujve të letërsisë së huaj bestsellerë dhe autorëve të vlerësuar, që të rrëmbejnë në tregimet e përshkrimet e tyre. Disa nga librat surprizë:

“Lindja e Afërditës”

Nga: Sara Dunant

“Edhe nëse nuk merrje vesh fare nga politika, ishte e pamundur të mos e kuptoje helmin, që rridhte nga foltorja e kishës Shën Maria del Fiore. Savonarola dukej sikur ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Zotin dhe, kur të dy bashkë i hidhnin sytë mbi Firence, shihnin një qytet të korruptuar dhe mëkatar. Ai predikonte me aq pasion kur fliste për ferrin dhe e pikturonte aq të gjallë, sa të dukej sikur era e squfurit do të përvëlonte shpirtin.

Por, mesa dukej, papa nuk ndante të njëjtin mendim me priftin. Ndërsa në Firence predikohej me të madhe dëlirësia, papa Borxhia kishte marrë me vete në Vatikan edhe dashnoren e tij, ndërsa postet e kardinalëve i ndante njëlloj, siç u shpërndante karamelet e sheqerosura fëmijëve të tij. Kur pushonte së bëri dashuri, papa ia niste luftës.”

“Me synimet më të këqija”

Autor: Alessandro Piperno

Përktheu: Agim Doksani

Roman

Çmimi: 1000 lekë

Ky roman është i krahasueshëm me veprat e Philip Roth-it dhe Saul Belloë-t. Një sagë e guximshme dhe e larmishme për ritualin dhe lirinë, dashurinë dhe luftën, seksin dhe tradhtinë, e vendosur në lagjet e pasura të Romës bashkëkohore.

‘Nën ujë”

“Jashtëzakonisht tërheqës… të gjitha këto intriga shpalosen me mjeshtëri mbresëlënëse nga Paula Haëkins, e cila na tregon një histori të ndërlikuar në formën e një kronike, faqet e fundit të së cilës përmbajnë zbulime mahnitëse”.

“Argeta LMG”

25 vjet mes lexuesve. Në këtë Panair vjen me 37 libra të rinj. Libra ndër më të lexuarit në botë. Ja disa prej tyre:

‘Magjia e mendimeve të mëdha”

Ky libër nuk ofron premtime boshe, por një program të menduar me shumë kujdes për të përfituar sa më shumë nga puna, jeta, martesa dhe komuniteti në të cilin jetoni. Ai ju rrëfen se nuk keni pse të jeni intelektual apo të keni lindur me talent për të pasur sukses në jetë dhe për të arritur kënaqësi, por duhet të mësoni dhe kuptoni shprehitë e të menduarit dhe të sjelljes në mënyrë që të arrini aty ku dëshironi.

“SI TË BËHESH ZOT I MENDJES TËNDE”

Autori -Napoleon Hill

Ky ishte një nga dorëshkrimet që ishte kyçur në kasafortën e tij që nga viti 1941, por që është hedhur në qarkullim disa kohë më parë. Në këtë libër, mjeshtri i madh i disiplinës së zhvillimit personal, Napoleon Hill na sjell këshillat sesi të organizojmë mënyrën e të menduarit për të pasur sukses.

çmimi – 1100 L

box

Nga data 15 deri më 19 nëntor në Tiranë do të zhvillohet Panairi i librit, edicioni i 26-të.

Juria këtë vit do të përbëhet nga këto personalitete të letërsisë dhe kulturës:
Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare
Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar
Enkel Demi – shkrimtar
Erion Kristo – pedagog, përkthyes
Monika Stafa – gazetare e kulturës

Autori, përkthyesi, libri më i mirë për fëmijë etj i vitit 2023 do të përzgjidhen për këto çmime të mirëpritura. Në konkurrim do të përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 25 të Librit (dhjetor 2022 – nëntor 2023), përjashtuar ribotimet. Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në Facebook, Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Ndërsa sipas njoftimit bëhet me dije se mund të futen në garën e çmimeve me librat e tyre të gjithë botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në Panair. Shumë libra janë paraqitur dhe shumë të tjerë priten ende! Data e fundit e dorëzimit të librave është 3 nëntor 2023. Ndryshe, të gjithë të interesuarit (autorë, botues, përkthyes) mund të dorëzojnë brenda kësaj date nga një kopje të librit/librave që ata propozojnë për çmim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok