23/12/2024

SOT NE 95-VJETORIN E VDEKJES SE LUIGJ GURAKUQIT

0
u6_Luigj-Gurakuqi

Nga Albert Vataj

I pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta. “Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni.

Luigj Gurakuqi, dijeshumë, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, ekonomist, i gjendun në krye në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës.

“Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!

O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.

Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”, tha në fjalën e lamtumirës, atdhetari dhe rilindasi, Hasan Prishtina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok