22/12/2024

SOT MË SHUMË SE KURRË KEMI NEVOJË PËR UDHËHEQËS QË DUAN DREJTËSINË DHE NJERËZIMIN

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

Bota sot është e prekur nga turbullira dhe trazira politike, ekonomike dhe shoqërore, ndoshta si asnjëherë më parë.  Shtojë kësaj situate edhe përhapjen anë e mbanë botës të korona virusit vdekjeprurës, që pothuaj nuk ka lenë vend pa prekur në botë.  Një periudhë si kjo, nevojitë udhëheqës të mëdhej e frymëzues për tu marrë me sfidat dhe me problemet me të cilat përballet sot bota, në përgjithësi dhe vendet e ndryshme të botës, në veçanti.  “Bota ka nevojë për udhëheqës që janë në dashuri me drejtësinë”, ka thënë Martin Lurther King-u dekada më parë. Jo për autoritarë dhe zbatues masash diktatoriale, por “Kemi nevojë për udhëheqës që janë në dashuri me njerëzimin”, na duhen udhëheqës — ka thekësuar mbrojtësi i të drejtave civile në Amerikë dhe në botë dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqë – për udhëheqës të cilët duan t’ia kushtojnë talentet, pasionin, dashurinë dhe veprat e tyre, drejtësisë, lirisë dhe paqës në botë, si dhe zgjidhjes së sfidave dhe problemeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, me të cilat përballet bota në këtë moment – në fund të dekadës së tretë të shekullit 21.

Bota sot ka nevojë, natyrisht, dhe pikësëpari për udhëheqës si Dr. Martin Luther Kingu, prifti protestan, mbrojtësi i të drejtave civile dhe të drejtave të njeriut në Amerikë dhe në botë – fjalët e të cilit edhe sot, dekada më vonë, vazhdojnë të frymëzojnë njerëzit vullnet-mirë, anë e mbanë botës.  Historia botërore ka prodhuar gjithmonë udhëheqës në kohë krizash e luftërash rajonale dhe botërore – qoftë luftëra të nxehta si Lufta e Parë dhe e Dytë Botorëre, qoftë Lufta e Ftohtë e shekullit të kaluar.  Shekulli i kaluar do mbetet shekulli famëkeq që solli gjenocidin, fashizmin dhe komunizmin, por për fat të mirë, prodhoi edhe liderë të mençur dhe njerëzor, të cilët, me gjithë humbjet fatzeza, u përballen drejtë për drejtë me këto të këqia dhe tragjedi anti-njerëzore, duke shpëtuar botën nga katastrofat dhe tragjeditë që këto regjime po i përgatisnin botës.  Bota sot, fatbardhësisht, nuk përballet me ndonjë luftë të përmasave të tilla, por ama gjëndet përballë sfidave dhe problemeve të mëdha shoqërore, politike, dhe ekonomike – përfshir pandeminë e koronavirusit, e cila mund të ketë në mostë njëjtat pasoja, atëherë aq sereioze, por edhe më të këqia se ato të luftërave të shekullit 20.  Thonë se çdo gjeneratë në cilëndo shoqëri, në çdo vend dhe bota në përgjithësi, i qet udhëheqsit e mëdhej të aftë e frymëzues, për tu marrë me sfida të mëdha dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballet sot njerëzimi.

Nëqoftse “historia magistra vitae est”, nëqoftse pra historia është mësuesja e jetës, atëherë mund të themi se periudha në të cilën jetojmë sot, ka nevojë për udhëheqës, siç ka thënë Martin Luther Kingu, të cilët duan njerëzimin dhe drejtësinë, paqën dhe lirinë, për të gjithë dhe pa dallim.  Njerëz të cilët kanëmëshirë ndaj fatit të keq të tjerëve dhe të cilët bëjnë gjithëçka të mundur për të ndihmuar njerëzimin.  Sot kemi nevojë për shembuj të udhëheqjes së mirë, shembuj që kishte bota në shekullin e kaluar, në fusha të ndryshme aktiviteti, nga politika e deri tek bamirësia.  Udhëheqës dhe njerëz të thjeshtë — të cilët megjithë tmeret anti-njerëzore të shekullit të kaluar – siç përmenda më lartë, gjenocdi, fashizmi e komunizmi – falë disa personaliteteve botërore, shekulli i kaluar u mbyll me më shumë njerëz të lirë, anë e mbanë botës, se kurdoherë tjetër në historinë e njerëzimit. Ishin këta udhëheqës të cilët meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen e të gjithë njerëzve vullnet mirë kudo në botë – pasi në vendin dhe në kohën e duhur, ata treguan kurajo dhe guxim duke mbrojtur dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, kur ato po kërcënoheshin nga diktatorët dhe autoritarët e të gjithave ngjyrave.  Ia vlen t’i kujtojmë, shkurtimisht, disa prej këtyre udhëheqësve të shekullit të kaluar të cilët kanë lenë gjurmë në histori – shembulli i të cilëve duhet të kopjohet dhe të ndiqet nga udhëheqsit më të mirë sot, jo vetëm në politikë, por edhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, ashtuqë ta lemë ketë botë për brezat e ardhëshëm, pak më mirë se ç’e kemi gjetur.

E fillojmë listën me Nenë Terezën, bijën e gjakut dhe të Kombit tonë — shqiptare e cila ia kushtoi jetën të varfërve ndër më të varfërve, të sëmurve dhe atyre në prak të vdekjes anë e mbanë botës, por sidomos në Indi.Prania e saj dhe motrave të Urdhërit të saj që Nënë Teresa themeloi shekullin e kaluar, përhapet në më shumë se 130-vende të botës.

Sipas historianëve, në listën e udhëheqësve që frymëzuan njerëzimin shekullin e kaluar ishte edhe Martin Luther Kingu, predikuesi i krishtër protestan amerikan, i cili organizoi dhe frymëzoi lëvizjen për të drejtat civile, njëri prej oratorëve më të famshëm në historinë e Amerikës, i cili me fjalët e tija frymëzuese dhe me guximin e tij personal, bindi vendin dhe botën se nuk mund të vazhdohej më me padrejtësitë dhe mos tolerancën raciale.

Ndër udhëheqsit e mëdhej – të cilët me veprat e tyre prej udhëheqsish të dalluar, kanë lenë gjurmë të mira në historinë botërore, konsiderohen të jenë tre udhëheqsit e periudhës së Luftës së Ftohtë: Presidenti Ronald Reagan Mikhail Gobaçov dhe Margareth Thatçer, të cilët i dhanë fund Luftës së Ftohtë — me një nënshkrim — pa shkrepur asnjë fishek dhe pa hedhur asnjë raketë kundër palës tjetër, duke sjellur kështu lirinë nga zgjedha komuniste, për më shumë se 350-milion banorë të Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Në këtë grup, historianët përfshijnë edhe Papa Gjon Palin e Dytë, i cili gjithashtu konsiderohet se luajti një rol të rëndësishëm në shembjen e komunizmit në atdheun e tij në Poloni dhe anë e mbanë Evropës lindore dhe qëndrore, duke frymëzuar themelimin e levizjes së puntorëve polakë, Solidarnost.

Nelson Mandela ish-i burgosuri politik në Afrikën e Jugut, njeriu i pajtimit, megjith vuajtjet e tija në burgjet e atij vendi për 27 vjet, pa zemërim dhe hidhërim, por gjithmonë për pajtim– pas lirimit nga burgu – iu përvesh punës për vendosjen e demokracisë në Afrikën e Jugut dhe në kontinentin afrikan, në përgjithësi. Falë shembullit të tij prej lideri, lartë nga 20 shtete afrikane të nen-Saharës, sot gëzojnë demokracinë, falë shembullit të tij, sipas historianëve.

Megjithë mandatin e shkurtër si president, John F. Kennedy jeton gjithnjë në kujtimin pozitiv të amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo në botë si një udhëheqës i njohur i shekullit të kaluar, ndërkohë që veprat dhe fjalët e tija frymëzojnë ende, jo vetëm amerikanët por edhe njerëzit vullnetmirëkudo në botë: “Mos pyetni se çfarë mund të bejë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bëjsh ti për vendin tend”, një thirrje që tingëllon gjithmonë aktuale.

Në listën e udhëheqsve që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, mund të vendoset edhe emri i Dwight Eisenhower, Gjenerali Suprem i cili udhëhoqi forcat aleate në fitoren e Luftës së Dytë Botërore kundër nazizmit, ndërsa në historinë amerikane, ai njihet edhe si presidenti që krijoi “Amerikën moderne”.

Mahatma Gandhi njihet dhe nderohet si babai i kombit indian, sot vendi më i madh demokratik në botë me një popullsi mbi një miliard banorë.  Gandhi është arkitekti i pavarësisë së Indisë nga Perandoria britanike, por ai denoncoi përdorimin e dhunës për arritjen e atij objektivi.  Filozofia e tij ishte, “Fuqia e së vërtetës” dhe mos përdorimi i dhunës për realizimin e objektivave, që vazhdon të konsiderohet edhe sot si trashëgimia e tij në botë.

Lista është tepër e gjatë për tu përmendur këtu e udhëheqësve botërorë të shekullit të kaluar që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të mirën e njerëzimit. Mirëpo,koha në të cilën jetojmë sot nuk është hiç më pak kritike se periudhat në të cilat jetuan dhe vepruan udhëheqsit e mësipërm.Rrjedhimisht, sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot bota, kërkojnë udhëheqës, jo vetëm frymëzues dhe të guximshëm, por edhe udhëheqës që, njëkohësisht e duan kombin e vet, e duan njerëzimin, drejtësinë dhe lirinë për të gjithë, sipas shembujve të lartë përmendur të shekullit të kaluar. Fatkeqësisht, sot për sot, nuk shoh në horizontin e afërt as të largët udhëheqës të tillë, të aftë dhe të vullnetit të mirë që duan dhe që kanë mundësinë, frymëzimin dhe atdhedashurinë që të përballen me problemet e sotëme serioze botërore – në nivel shtetëror, rajonal dhe as ndërkombëtar.  Lutemi, që ashtu si në kaluarën, i Madhi Zot t’i çojë kësaj bote udhëheqës frymëzues dhe të drejtë siç ishin personalitetet e lartëpërmendura. Vetëm disa prej të cilëve kemi hapësirë për t’i dalluar për gjurmët dhe trashëgiminë që kanë lenë pas, si frymëzues dhe guximtarë, si njerëz dhe si udhëheqës që do i përmend historia për mbështetjen e tyre ndaj drejtësisë dhe njerëzimit. Ndihma e Zotit qoftë me ne!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok