16/05/2025

Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori

0
Sokrati-Xantipa

Nga Albert Vataj

Niçe ka një shprehje legjendare sipas së cilës, çfarë nuk të vret të bën më të fortë, ndërkohë që nga antikiteti vjen mësimi i një përvoje, sipas së cilës, një grua e vështirë nëse nuk të çmend, të bën filozof. Do të ishte ironikisht e patolerueshme ky krahasim, por ajo çfarë ka thënë Sokrati për veten e tij në marrëdhënie me gruan, rreken të mbeten një tregues i kësaj të vërtete.

Ky imazh që shoqëron tekstin është “Sokrati dhe Xantipa”, gdhendje nga një artist anonim holandez, shekulli XVII, ndodhet në Muzeun Boijmans-van Beuningen, Rotterdam. Artisti ka arritur ta përcjellë pothuajse plotësisht atë ndodhi të filozofit me bashkëshorten, e cila qarkullon mes anekdotës dhe faktit dhe që ka lidhje me një moment ikonik në jetën bashkëshortore të filozofit, sipas së cilës ndërkohë që gruaja e Sokratit bërtiste dhe shante, filozofi me heshtjen dhe injorimin e kishte sfiduar si zakonisht. Në zemërim e sipër gruaja Xantipa i hedh të shoqit një enë me ujë në kokë, dhe ai qetësisht reagon duke thënë: “Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”

Kush do ta kishte hamendësuar që filozofi i madh Sokrati, i njohur për urtësinë, intelektin dhe fuqinë e fjalës, të jetonte në një ambient të mbushur me britma, mospajtim dhe armiqësi nga gruaja e tij.

Kjo grua ishte e njohur për natyrën e saj sunduese, gjuhën e mprehtë, forcën dhe faktin që e detyronte burrin të dilte nga shtëpia që në agim dhe të kthehej vetëm pas perëndimit të diellit çdo ditë. Megjithatë, Sokrati ka thënë për të: “I jam borxhli kësaj gruaje. Pa të, nuk do të kisha mësuar se urtësia qëndron në heshtje dhe lumturia në gjumë.”

Ai gjithashtu ka thënë: “Jam goditur nga tre fatkeqësi: gjuha, varfëria dhe gruaja ime. Të parën e kam mundur me zell, të dytën me kursim, por të tretën, kurrë nuk munda ta kapërcej.”

Një ditë, teksa Sokrati po rrinte me nxënësit e tij, gruaja e tij nisi, si zakonisht, të bërtiste dhe ta fyente. Sokrati mbeti i qetë dhe nuk i kushtoi vëmendje sjelljes së saj. Por këtë herë, për habinë e të gjithëve, ajo i derdhi një kova me ujë mbi kokë. Duke fshirë fytyrën i habitur, Sokrati tha qetësisht:

“Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”

Thuhet se përfundimisht, qetësia dhe heshtja e Sokratit çuan në vdekjen e gruas së tij nga një atak kardiak.

Marrëdhënia mes Sokratit dhe Xantipës është bërë një metaforë e qëndrueshme për sfidat e jetës në marrëdhënie njerëzore dhe për mënyrën sesi një shpirt i madh i qëndron besnik qetësisë dhe urtësisë edhe përballë trazirës më të vogël apo më të padrejtë.

Xantipa, e përshkruar si një grua impulsive, kapricoze dhe e vështirë, nuk duhet parë thjesht si një shëmbëlltyrë e keqe e bashkëshortes, por edhe si një provë e karakterit të vetë Sokratit. Ajo përfaqëson pjesën më tokësore, më të ashpër dhe më të paparashikueshme të jetës, ndërsa Sokrati mishëron përmbajtjen, durimin dhe fuqinë e mendimit të lartë.

Fakti që Sokrati, njeriu që sfidoi sofistët dhe tiranët me fjalën e tij, zgjodhi të mos e sfidonte Xantipën, por ta pranonte dhe ta kalonte me humor e durim, është një mësim i thellë:

Fitorja më e madhe nuk është të triumfosh mbi të tjerët, por të triumfosh mbi vetveten.

Kur ai thotë: “Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave”, ai nuk e humbet dinjitetin, por përkundrazi, e ngre veten mbi situatën me një zgjuarsi të ëmbël, një përulësi fisnike.

Në mendimin filozofik perëndimor, kjo marrëdhënie është lexuar si një alegori e marrëdhënies mes shpirtit dhe botës: bota është shpesh e padrejtë, e ashpër, plot rrëmujë dhe absurditet, por ai që arrin të qëndrojë i qetë, duke ruajtur mendjen dhe shpirtin e lirë, është ai që në të vërtetë fiton.

Për më tepër, durimi i Sokratit përbën edhe një kritikë të heshtur ndaj idesë së kontrollit absolut mbi rrethanat: ai pranon se disa gjëra, si karakteri i Xantipës, nuk mund të ndryshohen, por mund të përballohen me urtësi.

Në njëfarë mënyre, Xantipa është një “mësuese e fshehtë” për Sokratin – duke e forcuar atë në heshtje, duke e thelluar në vetëkontrollin dhe në filozofinë e tij të brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok