22/12/2024
Edison-Ypi2

Nga Edison Ypi

Kujto antikomunistat më të mëdhenj të historisë së botës që i ke lexuar nëpër libra ose i ke parë nëpër filma, Çurçillin, Hitlerin, Frakon, etj.

Sill në mendje tiparet e tyre karakteriale, kulturore, shoqërore, qytetare, vendosmërinë e tyre, seriozitetin, argumentat, qëndrimet, sjelljet.

Shtoi cilësive të tyre cilësitë e të tjerëve antikomunista që ke patur fatin t’i njohësh vetë.

Sofokli Karpuzi ishte më antikomunist se të gjithë këta së bashku.

Sofo antikomunist nuk u bë nga ndonjë shkak specifik apo rrethanë e rastësishme.

Sofo ishte antikomunist në kockë, në mish, nën lëkurë, mbi lëkurë, në ind, në qelizë, në gen.

Antikomunizmin njeriu edhe e harron për pak çaste kur bën gjëra që s’kanë lidhje me politikën, për shembull, kur ha, pi, 10, këndon fërshëllen.

Pavarësisht se çfarë bënte, me çfarë merrej, edhe zgjuar, edhe në gjumë, edhe në realitet, edhe nëpër ëndërra, Sofo ishte antikomunist çast pas çasti pa u ndalur asnjë moment.

Sofo nuk i frekuentonte takimet e ishullarëve disidentë nëpër shtëpitë e njërit e tjetrit.

Sofo thoshte se antikomunizmi i ishujve nuk është antikomunizëm, është argëtim, zbavitje, kalim kohe, qef.

Sipas Sofos, sa kohë qëndresa aktive nuk ishte e mundur, qëndresa pa rrezik për tu futur në burg ishte mirkuptimi i heshtur në distancë.

Sofo punonte te një hekurishte me emrin bombastik “Uzina e Traktorave” plot me spiuna dhe proletarë cop e çikë.

Sofo ja doli të mos e burgosnin duke zbatuar skemën shpëtimtare “puno dhe qepe”.

Sofon e mbanin në survejim si në një pyll ku dihet që ka kafshë të rrezikshme, por ngaqë nuk mund të vinin nga një roje për secilin, mbanin nën kontroll krejt pyllin.

Na dilte shkumë nga goja, na iknin lotë nga të qeshurat kur Sofo na rrëfente për “traktorin e parë të prodhuar me forcat tona”.

Traktori i lavdishëm i kishte të gjitha vidat, kushinetat, llamarinat. Por nuk plugoi dot asnjë arë. Gjatë inaugurimit me zi ndejti ndezur nja dy minuta,0 dhe ngordhi pasi u çvendos nja 100 metra. S’doli trim me yll në ballë ta ndizte më kurrë.

Sofo bëri diçka që unë nuk e bëra kurrë. U martua. Për tu martuar Sofo bëri kërkime që zgjatën mbi dy vjet për të gjetur një grua që t’i përshtatej, domethënë një grua që ta urrente diktaturën për vdekje ajo vetë dhe familjarisht, dhe e gjeti si e desh’, edhe me baba në burg.

Sofo dhà kotribut të shquar në përmirësimin e aftësisë marrëse të antenave të kanoçeve. Bëri një stampë me anë të së cilës preu qindra, ndoshta mijëra, elementë alumini që ua fali ishullarëve të interesuar.

Sofo arriti të ikte për herë të parë në Greqi tek disa farefisër pak muaj para rënies së diktaturës.

Nga Greqia Sofo solli dy habere, që diheshin, por të konfirmuara prej tij, kishin një tingull solemn;

I pari, në perëndim nuk mbetesh kurrë keq po të kesh një zanat dhe të duash të punosh.

I dyti, kapitalizmi prodhon thërrime dhe mbeturina për të ushqyer të gjithë dembelët dhe parazitët një mijë herë më bollshëm se të privilegjuarit e diktaturës.

Thonë se Sofo nuk do kthehet nga Amerika pa u realizuar profecia e tij sipas të cilës që Shqipëria të ndreqet duhen 3 milionë ton tritol për ta varrosur sa më thellë dhe përgjithmonë me gjithçka komuniste që ka brenda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok