SMAIL DRAGUSHA-BASHKIMI KOMBËTAR DUHET TË BËHET ME HIR O ME PAHIR
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1922- e mbytën me bajoneta në fund gusht, 1947)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari i madh, Smail Dragusha u lindi më 1922, në fshatin Rufc i Vjetër, në afërsi të Lypjanit. Ai kishte lindur në një familje atdhetarësh dhe me tradita patriotike. Qysh në fëmijëri ndjeu peshën e rëndë të robërisë dhe si i ri ishte betua se do e luftoi okupuesin deri sa ta shpor nga tokat shqiptare. Ishte i martuar me Fetije Kelmendin e cila po ashtu ishte e lindur për tu bërë heroin. Pas vitit 1944 mbeti në arrati dhe vazhdoi luftën kundër pushtuesve serbo-jugosllavë. Ishte epror në Shtabin e Ajet Gërgurit. Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha tubimet dhe kuvendet që organizonte Organizata NO- 2 e Ajet Gërgurit. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lypovicës, ku përkrahu pikëpamjen e Ajet Gërgurit që luftëtarët e qëndresës duhet tё braktisnin Kosovën. Smail Dragusha, ishte Komisar i Batalionit të UNDSH-së për Sitnicë, i cili në krye të 120 luftëtarëve kishte bërë përpjekje për të depërtuar në Greqi me 8 gusht të vitit 1946. Si pjesëtar i grupit të Gjon Serreqit, bashkë me tё shoqen Fetije Kelmendi-Dragusha u shqua në përleshjen e këtij grupi me repartet e ushtrisë, në gusht të vitit 1946, në Bilushë, afër Hoçës së Qytetit, mbi Prizren.
Kongresi i II (IV) i ONDSH-së u mbajt me 1 qershor 1946, në qytetin e Shkupit. Situata politike kur u mbajt kongresi i dytë ishte edhe më e rëndë se ndërkohë u zbuluan dhe u arrestuan anëtarët e KQ të NDSH-së në Prizren, dhe njëherë kjo, edhe ishte shkaku që kushtëzoi që të merren masa paraprake, ngase në Kosovë ishte instaluar pushteti administrativo-ushtarak dhe çdo veprim ilegal ishte i vështirësuar, kjo ndikoi që, në çështjen e organizimit të merren masa urgjente. Sipas disa të dhënave me të cilat disponohet, në kongres morën pjesë vetëm 12 delegatë, sepse situata politike ishte shumë e rëndë dhe e tendosur. Çdo veprim apo lëvizje përcillej me dyshim nga organet e pushtetit. Megjithatë të pranishmit morën qëndrim që kongresi t’i zhvillojë punimet, sepse në të ardhmen askush nuk do të mund të prognozonte për përmirësimin e situatës politike në vend.
Nga ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresin e kishte përshëndetur edhe Luan Gashi. Që kastile kishte ardhur nga Perugji i Italisë dhe në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të Ballit Kombëtar. Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatet me aklamacion miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”. Në kongres vlen të përmendim se mirënjohje e veçantë për punën dhe hartimin e dokumenteve iu shpreh Halim Oranës, sepse pa angazhimin e tij puna e kongresit do të ishte më e zbehtë dhe jo në nivelin e duhur.
Dokumentin e parë, që e miratoi kongresi ishte “Skema organizative”, që në të vërtetë në të përfshihej struktura organizative e organizatës si në terren, po ashtu edhe në vetë komitetet e tyre. Në çdo qytet dhe në çdo fshat propozohej nga një skemë identike për formimin e komiteteve të vendit, për lirimin e tokave shqiptare. Koordinimi i të gjitha punëve ndërmjet komiteteve duhej të bëhej përmes “Komitetit Epruer”. Ndërsa, Komiteti Epror të jetë i varur nga Komiteti Qendror i NDSH-së. Dhe çdo komitet, pa marrë parasysh se është i qytetit, fshatit, rajonit apo i komunës, duhet të ketë strukturën organizative ose udhëheqësin e vet, e cila përbëhet nga kryetari, sekretari, anëtari i parë, anëtari i dytë dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, që do të caktohen sipas nevojës. Kryesia, respektivisht anëtarët e saj i ndajnë detyrat dhe obligimet ndërmjet veti, që caktohen sipas nevojës dhe zotësisë së anëtarëve. Punën e organizimit dhe përgjegjësin për të e mban kryetari. Ai , ndër të tjera organizon dhe zbaton urdhëratë e Komitetit Epror. Sekretari në bashkëpunim me dy anëtarët, kryejnë shërbimet e propagandave të lajmeve dhe si detyrë kryesore kanë të bëjnë ndërlidhjen ndërmjet shërbimit politik dhe atij ekonomik. Sipas “Skemës organizative” llogaritej se shërbimi më i ndjeshëm dhe më i nevojshëm ishte shërbimi politik i komitetit, dhe anëtarët e këtij shërbimi ishin të obligueshëm që t’i kushtonin rëndësi të posaçme.
Nga “Skema e organizimit” propozohej, që çdo komitet në kuadrin e vet të formonte një trup, i cili do të vepronte nën emrin “SIP” që do të thoshte Sigurim Politik. Sigurimi Politik kishte për detyrë mbledhjen e informatave për personat e ndryshëm dhe të hetonte sigurimin e mirëvajtjes së veprimtarisë së komiteteve. Komitetet e vendeve, veprimtarin e tyre e zhvillonin sipas marrëveshjes ndërmjet anëtarëve të tyre. Sipas skemës del se , Komitetet Eprure kanë të njëjtën strukturë organizative, si komitetet në nivele të ndryshme, përveç që këto për arsye se kanë më tepër punë, anëtarët e tyre do ti ndajnë detyrat dhe në rast nevoje të formojnë seksione me referent dhe përgjegjësi. Ndërsa puna në terren, sipas një pjesëmarrësi dhe anëtari të NDSH-es- Smajl Sllamniku(Baca Smajl ka veprua në Komitetin e Prishtinës), thotë se ne vepronim në formën e tresheve dhe mbanim lidhje të drejtpërdrejta me Rrahman Gërgurin dhe Dan Berishën. Kjo treshe, mbante lidhje të drejtpërdrejta me ata, që luftonin në male, si me Ajet Gërgurin, Smajl Dragushën, Azis Zhilivodën, Azem Bellaçevcin, Gjon Serreqin, Isuf Visokën dhe shumë luftëtar të tjerë. Atyre iu dërgonin letra e informata verbale dhe prej andej merrnin lajme e rekomandime të reja.
Ndërsa procedura e pranimit ne radhët e NDSH ishte shumë rigoroze, ngase për të pranuar një anëtar të ri duhej të gjendej një propozues dhe të flet për biografin e tij atdhetare, pastaj nga të pranishmit kërkohej që të hulumtojnë për të dhe të verifikojnë të dhënat. Kur të gjitha të dhënat përputheshin në mes të propozuesit dhe të anuarve që kishin hulumtua për biografin e tij kandidati pranohej në radhët e NDSH. Anëtarit të ri i caktohej pseudonimi dhe në një mbledhje thirreshin disa anëtar nga KQ, dhe personi i pranuar e jepte betimin.
Betimi jepej para flamurit, revoles dhe fillimisht ishte edhe kurani, por më vonë me ardhjen e Gjon Serreqit në radhët e NDSH-së ndryshon teksti i betimit. Betimi në fillim kishte këtë tekst : “ Betohem në Kuran, në Flamurin Kombëtar dhe në armë, se do të punoi, me besnikëri e vete sakrificë me çmimin e jetës, për kombin shqiptarë dhe për çlirimin e bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë Etnike”, ndërsa teksti i dytë i betimit që e kishte modifikua Gjon Sereqi ishte më i shkurt dhe kishte këtë përmbajtje: “Betohem në Flamur, në fis e në revole se do të mbetem besnik i organizatës NDSH”, në tekst revolja simbolizonte se, po qese dikush tradhton organizatën, ai do të vritej. Betimi kryesisht bëhej në këmbë, dhe ceremonia e pranimit përfundonte dhe mbledhja kryhej me parullën: ”Shqipëria shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”. Pas pranimit personi që pranohej ishte i barabartë me të gjithë të tjerët dhe ndaj organizatës merrte obligimet dhe përgjegjësit që i takonin.
Komiteti Qendror i NDSH-së, pas Kongresit të IV të NDSH-es, të mbajtur në Shkup kishte këmbim informatash të rregullta me Organizatën No-2. Po në këtë kohë i dërgon një Proklamatë, ku jepeshin udhëzimet për mënyrën e informimit të komiteteve komunale dhe të rretheve dhe me këtë proklamatë i bëhej thirrje popullit shqiptar që të inkuadrohej në organizatën e NDSH-së. Sipas disa të dhënave del se Komiteti kryesor ishte ai, që vepronte në Greqi nën udhëheqjen e Adem Gllavicës, ndërsa organizata No-2, me kryetar Ajet Gërgurin, i cili mbante lidhje direkte me KQ të NDSH-es në Shkup, e cila njëherë, ishte organ që ua transmetonte organizatave të NDSH-së në Kosovë, Maqedoni direktivat e Komitetit kryesor, që ndodhej në Greqi. Organizata No-2, përveç detyrave që u përmendën më lartë kishte edhe shërbimet e caktuara që hynin në programin e organizatës. Në organizatën No-2, vepronte këshilli për çështje informative- ushtarake, e që udhëhiqej nga Smail Dragusha. Këshilla këto që më vonë u plotësuan me anëtar të rinj. Duhet përmendur se me rastin e mbajtjes së Kongresit të V në Lipovicë, spiuni i cili ishte në kongres Rexhep Carabregu, u zbulua fal këtij këshilli dhe Smajl Dragushës, dhe po ky këshill e dënoi dhe e ekzekutoi spiunin. Ndërsa tërë puna që u organizua lidhur me kongresin u zhvillua dhe u mbajt nën patronatin e Organizatë No-2. Duhet përmendur kontributin e jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e punëve të kongresit, në të cilën rol të rëndësishëm kishin luajtur atdhetari Smajl Dragusha s’bashku me gruan e tij, trimen Fetije Dragusha.
Siç dihej Organizata No-2, u formua në prill të vitit 1945. Por, prej janarit të vitit 1946 ajo u quajt edhe Shtabi i Zonës II të LPP TSH. Gjatë tërë veprimtarisë së vet ishte e lidhur ngushtë me organizatat “Besa Kombëtare”. Anëtarët e kësaj organizate ishin njerëz të shquar të rezistencës shqiptare si në fushën politike ashtu edhe në atë ushtarake. Mu kjo ndikoi që të marri përsipër organizimin dhe mbajtjen e kongresit V të Lëvizjes Popullore për Lirimin e Tokave Shqiptare. Pasi që kongresi kishte përfunduar punimet, nga të pranishmit u vendos që menjëherë të nisin përgatitjet për shkuarjen e formacionit ushtarak të Kosovës në Shqipëri, duke pasur kujdes që të mos shkaktohen incidente me forcat jugosllave, ndaj bëjnë përgatitje të mëdha për largimin e tyre që të dalin jashtë vendit.
Gjatë zhvillimeve të punimeve do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gërguri i cili konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar rezistencën aktive.
Ismail Dragusha ishte komisar dhe bashkë me gruan i takonin grupit të Ajet Gërgurit dhe Gjon Serreqit. Rrugëtimin e luftëtarëve, UDB-eja i përcillte hap pas hapi dhe kishte njohuri të mjaftueshme se kah do të shkonin luftëtaret. Më 1946, në muajin gusht, forcat e mëdha jugosllave i zunë pritën. Në Bilushë, afër Hoqës së qytetit të Prizrenit, bënë rezistencë duke luftuar me forcat jugosllave.
Pas kësaj, grupet e rezistencës shpartallohen dhe Ismail Dragusha bashkë me gruan Fetije, gjatë vitit 1946/47 strehohen në Krojmir në shtëpinë e Xhemë Islamit. Aty, te kjo familje kishin besim dhe ndjeheshin të sigurt. Ata ishin informua se UDB-eja i përcillte, andaj ishin të detyruar që të ndërronin kohë pas kohe vendstrehimin e tyre. Në fund, ishin strehuar në një plevicë të lagjes Tërpeza, të Ribarit të Madh. Familjen atdhetare tre anëtarësh e zënë në gjumë: Udbashët- bisha, gjatë muajit gusht, 1947, i theren me thika e bajoneta Smail e Fetije Dragushën dhe fëmijën e tyre që nuk kishte më shumë se gjashtë muaj. Ata në natën e zezë-futë, i mbytën në mënyrën më mizore duke i varrosur në një vend afër fshatit “Te lisat”, në dalje të Ribarit të Madh, duke iu humbur çdo gjurmë heronjve të kombit.