23/11/2024

Silva Gunbardhi: Do të jem prokurore dhe këngëtare

0

Këngëtarja e njohur Silva Gunbardhi do të sjelli së shpejti një album të ri në tregun muzikor. Albumi i cili do të ketë gjashtë krijime të reja dhe pesë polifoni popullore është një bashkëpunim me Adi Hila i cili ka qenë gjithmonë bashkëpunëtori i saj në karrierën muzikore. Silva tregon përgatitjet e saj për këtë album dhe të rejat që do të sjelli ai për publikun.

-Keni dy vjet që nuk keni nxjerrë një album. Kur do të vij albumi juaj?
Albumi im do të vij në dhjetor. Nxjerrja e këtij albumi bëhet pas dy vjet e gjysmë nga albimi im i parë.
-E keni menduar më përpara që do të sillni albumet tuaja çdo dy vjet e gjysmë?
Të detyron vetë puna që të veprosh në këtë mënyrë. Që të bësh një album të mirë, aq më tepër që unë në këtë album do të kem gjashtë këngë të reja dhe pesë këngë polifonike shqiptare.
-Ju keni nxjerrë një këngë e cila është bërë hit, “Dy kunatat”, një këngë polifonike shqiptare. Cili është ai që e ka gjetur këtë fabul?
Populli shqiptar është shumë i pasur në tekste. Populli shqiptar ka pasqyruar në tekste ndjenjat e tij dhe çdo gjë që përjeton.
-Në albumin tënd të parë kënga “Plaku Plaka” është shndërruar në hit dhe vazhdon ende të dëgjohet me shumë interes dhe dëshirë. A do të ketë edhe kënga “Dy kunatat” të njëjtin sukses?
Shpresoj që të ketë të njëjtin sukses sepse unë kam punuar shumë me këtë këngë që të vij në vitin 2006 dhe që njerëzit ta dëgjojnë me kënaqësi.
-Në videoklipin e kësaj kënge Silva ka një interpretim shumë të mirë. Pjesëmarrës në këtë klip është me interpretimin e tij është edhe Shkëlqim Beqiri…
Shkëlqim Beqiri i ka dhënë shumë ngjyra videoklipit jo vetëm me zërin e tij por edhe me interpretimin. Kontribut në realizimin e bukur të videoklipit kanë dhënë edhe dy “kunatat” Sigi edhe Ester. Këto janë të panjohura dhe këtë e bëra për arsye se doja që të ishin sa më reale në klip. Nuk doja që të vinin si dy aktore por si dy kunata vërteta dhe reale. Nuk doja që të kishin plastikën dhe lojën e një aktori.
-Muzika vjen përsëri nga Adi Hila?
Po. Nuk ndahem nga Adi Hila. Edhe këtë herë muzikën e ka realizuar ai. Nuk jam zhgënjyer asnjëherë nga Adi Hila dhe gjithmonë kam gjetur tek ai mbështetjen që ka nevojë çdo artist.
-Albumi juaj i parë ishte tek Eurostar, ky album vjen nga Elrodi Music. Pse?
Këtë verë Eurostar kishte shumë albume për të realizuar. Meqënëse unë jam shumë e vështirë dhe kërkuese, kërkoj një mbështetje shumë të madhe. Kur një stëpi diskografike ka shumë albume për të realizuar përkujdesja dhe mbështetja për artistët përpjestohet. Elrodi Music është një shtëpi diskografike që kërkon cilësi dhe jo sasi. Ajo ka këngëtare të mëdha si Irma Libohova, Valbona Mema dhe unë.
-Si është bërë përzgjedhja e këngëve polifonike në këtë album?
Kam kërkuar shumë për këto këngë sepse edhe është abuzuar shumë me polifoninë shqiptare. Ato kanë vlera të padiskutueshme por duhet të kërkosh që të vish sa më mirë në treg.
-Po krijimet e reja që do të sjellë Silva Gunbardhi?
Këngët e reja do të jenë të muzikës së lehtë. Shpresoj që të jem po aq e dashur tek njerëzit aq sa kam qenë me muzikën popullore.
-Këto krijime kujt ia keni besuar?
Të gjitha Adi Hilës. Adi është shumë korrekt dhe është një kompozitor shumë i mirë. Ai më plotëson çdo dëshirë që unë kam në muzikë.
-Silva Gunbardhi në festivalet e RTVSH-së?
Në festivalet e RTVSH-së unë kam marrë pjesë me një bashkëpunim me Aurrel Thëllimin dhe Edmond Mancakun. Ka qenë kënga “Grise natën” me tekst të Genc Ymeraj, këngë e vështirë.
-Bashkëpunimi juaj me këngëtarin e njohur Kozma Dushi?
Po kam patur edhe një bashkëpunim me Kozma Dushin në festivalin e dhjetorit. Ai është një këngëtarë që ka shumë vlera dhe më vjen keq që ai nuk është vlerësuar asnjëherë me çmim të parë në festival.
-Ju shkëputeni nga festivalet më pas. Është një arsye kënga popullore për këtë?
Faktikisht unë nuk është se u shkëputa nga festivalet por më ndodhi një fatkeqësi familjare. Mua më vjen një festë nga Adi Hila për festivalin Maratona e Këngës Popullore në atë periudhë. Në atë festival unë mora çmimin e dytë. Pas kësaj mua më erdhi ftesa për të prezantuar “Netët e Verës”. Së bashku me Erion Korinin mora pjesë në Sho[ Fest në Kosovë, një festival i muzikës së lehtë shqiptare. Në këtë festival ishim fitues të dy çmimeve, të çmimit të dytë dhe të atij si interpretuesit më të mirë. Në këtë periudhë unë po përgatisja me shumë kujdes albumin tim të parë.
-Si e gjeti veten Silva si prezantuese?
Unë kisha ndihmën e tre prezantuesve shumë të mirë që nuk më linin asnjë moment që të mërzitesha dhe të shqetësohesha për asgjë. Berti, Tosi dhe Stela më kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe.
-Çmimi i dytë në Maratonën e Këngës Popullore si u prit nga ju?
Ai ishte një festival shumë i gjatë ku kishte këngëtarë të njohur të muzikës popullore dhe unë nuk kisha eksperiencë në muzikën popullore por thjesht njihesha si një këngëtare e muzikës së lehtë. Nuk e di ndoshta më ndihmoi zoti në këtë festival megjithëse kënga ishte një këngë e mrekullueshme polifonike e jugut “Moj Bardhule”. Një ndihmë e madhe për mua ka qenë edhe zëri i mrekullueshëm i Shaban Zenelit.
-Jo të gjithë këngëtarët i vlerësojnë bashkëpunëtorët dhe personat që i kanë ndihmuar për të arritur diku…
Ata kanë qenë një ndihmë e madhe për mua dhe një mbështetje e mirë dhe unë kam shumë dëshirë që t’i përmend gjithmonë.
-Kush i bën fotografitë e Silvës për albumin e saj?
Realizimi shumë i bukur i fotografive të mia është falë mjeshtërisë së Arben Çelit dhe Suit.
-Shoh se përdorni shumë ngjyrën e kuqe dhe blu. Janë ngjyrat e tua të preferuara?
Jo unë përdor shumë edhe të bardhën, të zezën etj.
-Ju studioni për Juridik. Si i përballoni mësimet?
Po jam duke u përgatitur për tre provimet që kam lenë për në vjeshtë. Në këta provime unë nuk jam paraqitur për arsye sepse kam dashur një notë më të mirë.
-Pse keni zgjedhur këtë degë?
Juridiku është një degë shumë e mirë megjithëse ka shumë ngarkesë dhe kërkon që të jesh disi elokuent në të folur. Mua më pëlqen shumë. Kjo degë të jep një kulturë që nuk ta zëvendëson asnjë.
-Sa kohë i kushton Silva studimeve dhe sa kohë këngës?
Unë edhe kur studioj këndojë dhe kështu kalojnë faqet shumë lehtë. Edhe të këndosh edhe të mësosh të jep shumë rezultat.
-Kë do zgjidhni nga profilet që ka Juridiku?
Më pëlqen shumë që të zgjedh prokurorinë. Më pëlqen shumë që të gërmojë, të kërkojë, të akuzojë.
-Do të vazhdojë të këndojë Silva kur të bëhet prokurorë?
Le t’ia lemë kohës këtë. Unë nuk mund të thëm asnjeherë kur do largohem nga kënga sepse ajo tashmë është pjesë e imja, ka hyrë në zemrën time. Kënga të rinon, të freskon, të jep energji pse most ë vazhdoj të këndojë përgjithmonë.
-Jeni larguar nga Vlora dhe jetoni në Tiranë. Pse?
U largovasepse më duhej një shkollë shumë e mirë dhe këtu në Tiranë pedagogët janë shumë të përgatitur, janë juristët më të mirë që ka Shqipëria sot. Arsyeja e dytë është sepse jam shumë afër studios dhe më duhet shumë punë. U detyrova që të largohesha ngaqyteti im që e dua shumë.
-Keni krijuar një shoqëri të re këtu?
Po, kam krijuar një shoqëri të re sepse unë jam që shoqërohem me njerëzit dhe i dua ata. Por më mungon shumë miqësia e Vlorës.
-Ku i kaloi pushimet Silva?
Kalova disaditë në Vlorë por më duhej që të kthehesha në Tiranë për të përfunduar videoklipin “Dy kunatat”.
-Silva Gunbardhi në koncerte…
Unë kam pasur fatin që në fushatë të shëtisja shumë qytete. Kam qenë shumë e kënaqur me faktin se këngët e jugut këndoheshin jo vetëm në jug por edhe në veri dhe në Shqipërinë e mesme. Ky është misioni.
-Ka dhënë Silva koncerte në Shtete të ndryshme të botës?
Jo. Nuk shkoj jashtë Shqipërisë sepse kam skollën, familjen që dua që t’i qëndroj pranë gjithë kohës. Në fakt kam shkuar jashtë por shumë rrallë dhe në koncerte që zgjasin vetëm dy apo tre ditë. Obligimet e mia nuk m’a japin këtë luks.
-Kur ju bëhen ftesa për koncerte pyesni se kush këngëtar tjetër do të jetë pjesë?
Jo. Unë nuk kam paragjykime. Pyes për tarifën dhe për vendin. Nëse jam dakord me këto shkoj së bashku me nënën time që është njëkohësisht edhe menaxherja ime dhe krahu im i djathtë.
-Kënga “Plaku Plaka” me interpretimin e Sejfulla Myftarit?
Po ka qenë një interpretim i shkëlqyer i Sejfullait në këtë videoklip. Në fillim unë nuk e dija që kishte kaq shumë grindje por duke dëgjuar këtë këngë kam filluar të kuptojë se kur njeriu arrin një farë moshe grindet për gjërat më të vogla. Jeta është e ndërtuar nga konfliktet dhe njeriu gjen paqe vetëm kur vdes. Nëse nuk do të kishte konflikte atëherë nuk do të quhej njeri.
-Çfarë vlerëson dhe urren më tepër Silva tek njerëzit?
Ndonjëherë njerëzit bëhen shumë të mirë dhe në varësi të rrethanave bëhet i keq. Mendimi im është se ashtu si sillesh me një njeri në të njëjtën mënyrë do të sillet. Mua nuk më pëlqejnë njerëzit e ngathët, ata që nuk dinë të reagojnë, njerëzit hipokrit.
-Cila është më e bukur për ju dita apo nata? Më pëlqen shumë mëngjesi dhe perëndimi. -Kur zgjohet Silva në mëngjes?
Shpejt. Në orën gjashtë në mëngjes dhe filloj studioj. Më pas shkoj në shkollë dhe studiojë përsëri. Studimi në mëngjes jep rezultat.
-Cili do të ishte vendi më i bukur dhe më i qetë për të pushuar për ju?
Vlora. Nuk e ndërroj asnjëherë Vlorën me asnjë vend tjetër. Më pëlqen në Vlorë miqësia që kam, njerëzit që kam atje, bisedat që bëj etj. Vlora në verë të krijon mundësi të shumta për argëtim.
-Kur do të dali në treg albumi juaj i ri?
Ky album do të hidhet në treg në festat e fundvitit. Në fund të dhjetorit do të mund ta keni në dorë. Më pas do të dalin edhe tre videoklipe të këngëve që unë mendoj se do të jenë hite.
-Ka të dashur Silva Gunbardhi?
Jo. Të dashur nuk kam për momentin sepse detyrat që unë i kam vënë vetes nuk më lejojnë. Dashuria kërkon përkushtim dhe unë nuk kam mundësi të jem e përkushtuar.
-Cilat janë kriteret që duhet të ketë njeriu i jetës për ju?
Nuk kam kritere. Për mua mjafton që të jetë një djalë normal që të dijë të më respektojë dhe të më vlerësojë. Kërkoj një djalë që të më bëj më të mirë se jam.

Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok