21/12/2024

SI U VRANË DHE KUSH I VRAU GËRVALLAJT E ZEKA?

0
Gervalla-Zeka

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Për 40 vjetë radhazi vazhdojnë të përsëritën dy pyetjet bazë: Si u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka dhe kush i vrau ata, e përjetësuar në këngën “Kush të vrau Jusuf Gërvalla…”, e cila shprehë një dhimbje të trishtme e skajore?!

Është mjerim se si mistifikohen ngjarje e krime në Kosovën tonë, ndërkohë që faktet janë relevante, pavarësisht dekadave që na ndajnë, nga koha kur krimi ka ndodhur. Mungesa e një shteti ligjor, siç është Kosova, ka favorizuar krimin dhe kriminelët. E themi këtë, sepse në të njëjtën kohë dhe për të njëjtat motive politike, shteti kroat i pavarësuar nga Federata Jugosllave, ka insistuar ke pala gjermane për hetimin dhe zbulimin e krimeve të UDB-së, ndaj eksponentëve nacionalistë kroatë, të aziluar në Gjermani, duke dhënë dënime drastike, madje të përjetshme për kriminelët.

Vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, u realizua në saje të një bashkëpunimi koordinues, në mes të UDB-së jugosllave dhe agjentëve të saj shqiptarë. Nga hetimet e bëra nga organet kompetente gjermane, si dhe analizat e Familjes Gërvalla, rezulton se disa individë të grupimit politik “Fronti i Kuq”, i kryesuar nga Ibrahim Kelmendi, i përfshirë në rivalitet politik me dy grupet tjera politike, pra, të Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës, dyshohet se “ka gisht” në përgaditjen logjistike të atentatimit të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Untengruppenbach të Heilbronn-it.

Pyetjet bazë janë: Kush e solli Kadri Zekën nga Zvicra, vetëm 10 ditë pas martesës me Saime Isufin? Ku qendroi ai në Gjermani? Kush e shoqëroi atë, deri në natën kobshme, të takimit në banesën e Jusuf Gërvallës? Nga pesë emrat e lakuar, anëtarë të “Frontit të Kuq”, njëri syrësh pranon implikimin në krim dhe akuzon shefin e grupit se “ai më ka futur në këtë lojë” dhe ka shfaqur gadishmëri për ballafaqim hetimi, para drejtësisë, me ish-shefin e tij, për rastin në fjalë. Ndërkohë, njeriu i cituar, si i parë i grupit politik, Ibrahim Kelmendi, akuzohen, reciprokisht, me Riza Salihun, për vrasjen e Vëllezëve Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Hysen Gega, anëtar i “Frontit të Kuq”, në një intervistë të realizuar nga “Zëri i Kosovës”, fletushkë e LPRK-së, më 2 shkurt 1993, pranon se “Komiteti” “më ngarkoi për ta vrarë Jusufin dhe Bardhin, por, u pendova dhe nuk e zbatova urdhërin”. Ai u kërkon ndjesë Vëllezërve Gërvalla, dorëzon edhe armën. Pastaj, i njëjti “Komitet”, që nënkupton kryesinë e “Frontit të Kuq”, e përcjellë Hysen Gegën për Kosovë, me një trastë literaturë maksiste-leniniste. Në Kosovë vihet në kurthën e UDB-së, duke e burgosur më 31 dhjetor 1980 dhe dënohet me 12 vjetë burg. Ndoshta, “Komiteti”, qëllimshëm, u hakmor ndaj Gegës, për mos kryerjen e atentatit kundër Gërvallajve.

Vëllezërit në jetë, Hysen e Avdyl Gërvalla, përkatësisht, vëllai i madh dhe i vogli, të heronjve Gërvalla, me një letër publike, në vitet `90-a, shprehin dyshimin në Ibrahim Kelmendin, për implikimin në vrasjen e vëllezërve të tyre. Në mes tjerash, në letër renditën 4 katër) fakte-akuzë. Po sjellim vetëm njërin prej tyre: I dyshuari porositë Saime Isufin, nusen e Kadri Zekës, të informojë, me telefon, lidhur me rezultatin e bisedimeve të Kadriut me Jusufin, sapo të këtë mbaruar takimi i tyre!

Jusufi, si kërkues azili, ende nuk kishte të drejtë posedimi të telefonit të shtëpisë. Djemtë e Kosovës, Jusufi, Kadriu, Bardhi, duhej të shkonin në kabinën telefonike rrugore të fshatit, ku jetonte Familja Gërvalla. Në momentin kur dalin nga garazha, me veturë, shënjestrohen për vdekje. Pra, kush dhe pse këmbënguli për bërjen e asaj telefonate, bash, në natën fatale për djemtë, sot, Heronj të Kosovës. Ky fakt domëthënës, dëshmon se pjesë e krimit vrastar të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, ishin edhe shqiptarët.

Dosja Gërvallajt e Zeka është e hapur, qeveria jonë të bashkëpunojë me atë gjermane

Përmendem, më lart, kërkesën e bërë nga Kroacia, shtetit gjerman, për hetimin dhe ndëshkimin e UDB-ashëve, të implikuar në vrasjet e nacionalistëve kroatë. Dhe, ka funksionuar mrekullisht mirë, kriminelët morën dënime të merituara e deri maksimale, edhe pse krimet kishin ndodhur disa dekada më parë.

Për policinë gjermane, personat që u intervistuan për rastin Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin të njohur dhe me precedent penal. Por, siç thonë ata që e kanë përcjellur këtë proces, ka munguar qasja seioze, duke e trajtuar si “larje hesapësh”, mes emigracionit!

E vërteta është se marrëdhëniet gjermano-jugosllave, kanë qenë të shkëlqyera. Në mes tyre kanë ekzistuar një serë marrëveshjesh bashkëpunimi, madje, edhe të pabëra publike. Dhe, jugosllavët kanë amortizuar, lehtësisht, edhe procese, qofshin ato edhe kriminale. Jusuf Gërvalla kishte hetuar përgjimin që i bëhej, nga njerëz të dyshimtë, bashkëkombas! Andaj, kishte kërkuar mbrojtjen policore. Por, përgjigja kishte qenë dëshpëruese për atë: “Ligji gjerman nuk parasheh mbrojtjen e azil-kërkuesëve!”

Pavarësisht rrezikut, Jusuf Gërvalla vendosi të mos tërhiqet nga veprimtaria atdhetare. Profesioni i gazetarit e kishte favorizuar në thellimin e analizave politike të kohës. Veprimtaria e Jusufit, me vëllanë Bardhin, synonte zgjerimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, bindjen e emigracionit se duhet menduar dhe punuar më shumë për Atdheun, Kosovën.

Është e drejtë legjitime që Qeveria e Kosovës, të kërkojë informacione nga Qeveria gjermane, për vrasjen e qytetarëve të saj, më 17 janar 1982, në Untengruppenbach të Herilbronn-it. Është moto e drejtësisë se – krimit nuk i skadon afati -. Prandaj, pavarësisht viteve, dekadave të shkuara, dosja e begatë, për çështjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, ekziston në arkivin e shtetit gjerman, gjithnjë, si çështje e rëndë penale, ende e pazgjidhur, rrjedhimisht, e pambyllur!

​           Dikur qeveria jugosllave mohonte çfarëdo implikimi në krimin e trefishtë, në Unengruppenbach të Heilbronn-it, duke e bartur atë si “larje hesapesh në mes të emigracionit shqiptar”. Por, tani, pas 40 vitësh, e pranojnë vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ish-kuadri i UDB-së jugosllave, tani njeri i afërt me presidentin Vuçiq, Bozha Spasiq, në një debat televiziv serb, pranon se UDB-a organizoi vrasjen e Jusuf Gërvallës, me vëlla e shok.

Ky fakt, fort domëthënës, bënë që ngulmimi i Qeverisë të Kosovës, për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e vrastarëve dhe ndihmësve të tyre, është i domosdoshëm, duke qenë se ka indikacione të mjaftueshme, se pjesë e krimit të 17 janarit 1982, janë edhe disa shtetas të Kosovës, me punë dhe qendrim në Gjermani. Andaj, hapja e dosjeve, është domosdoshmëri e kohës.

Në këto dy dekadat e fundit, është dëshmuar se gjykatat e huaja dhe gjyqëtarët e tyre, kanë dështuar të bëjnë drejtësi në Kosovë. Arrestimet i kanë pasur të sakta, të bazuara, si kryerës të veprave kriminale, por, hetimi ka qenë i dobët dhe hiç serioz. Për rrjedhojë, gjykimi dhe masa e ndëshkimit, ka qenë qesharake e kriminale. Sepse, në vendet e këtyre gjyqëtarëve, kurrë nuk ka ndodhur, që për disa vrasje, janë dënuar me 4 (katër) e 5 (pesë) vjetë burg, madje, duke u liruar në gjysmë të vuajtjes së dënimit!!!

Përafërsisht, njëjtë ka  ndodhur edhe në Gjykatën e Hagës, për kriminelët e Kosovës. Andaj, shqiptarët, të cilët, në masën 85 % e tyre, duan drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët, pavarësisht përkatësisë shtetërore, kombëtare, fetare, pozitës e tjera.

Ndërkohë, krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ka qenë i domosdoshëm, sepse sistemi i drejtësisë në Kosovë është kapur, pikërisht, nga pushtetarët të inkriminuar, aktualisht, në opozitë.

Qeveria Kurti në këtë përvjetor të dyzetë të atentatimit të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, pranoi obligimin dhe premtoi zbardhjen e vrasjes së trefishtë, në Untengruppenbach të Gjermanisë.

Urojmë të mos zhgënjehemi në sinqeritetin e Kryeministrit tonë! Dhe, më në fund, drejtësia ta bëjë detyrën e saj e shpenguar, të triumfojë në përballje me krimin dhe kriminelët!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok