13/12/2024

SI TA UROJ SOT KOSOVËN

0
Ndue-Dedaj-Kosove

NGA NDUE DEDAJ

Gëzofsh Kosovë! Me faqe të bardhë e dinjitet! Dje në Këshillin e Europës ishte një ditë e lume për ty. 131 deputetë të Asamblesë Parlamentare votuan që Ti të anëtarësohesh në këtë forum të lartë ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, demokracionë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës. Ditë ndër ditët e tua historike. Deomos që e meriton, madje e ke merituar me kohë me luftën tënde të pashëmbullt për liri e pavarësi. Do të ishte bukur një poemë për ty në këtë ditë, një festë në Prishtinë, një koncert… Mirëpo sot, Kosovë e dashur, gjaku im, ti je në një ditë zije, pasi një grua e re është vrarë dje në Pejë. Presidentja e Republikës Osmani me të drejtë e ka shënjuar kështu këtë ditë. Se vetëm para pak ditësh është vrarë dhe një tjetër grua në Ferizaj. Dhe tre muaj më parë një tjetër grua në Prishtinë!… Je vrarë dhe Ti ngapak me secilën nga këto vrasje, Kosovë! Jemi gjymtuar të gjithë ne. Se një vend, një komb, një shtet nuk janë malet e fushat, flamuri e kushtetuta, por në radhë të parë njeriu! Ai njeri që e kanë vrarë aq shumë të huajt, po vritet dhe nga vetë ne! Për më tepër në familje. E rëndë ta thuash, por e vërteta është e pamëshirshme dhe ndaj vetes. Ato tre gra, të gjitha në moshë te re, kishin emra. Liridona Murseli, 33 vjeç. Erona Cokli, 21 vjeç. Gjuljeta Ukella, 43 vjeç. Kishin fëmijë. Kishin të ardhme. Krimi i la pa to. Po pse e fituam lirinë nga sundimi serb? Që të vrasim veten në demokraci, me dorën tonë! “Në 13 vite, 2010 – 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra”, thotë statistika e kriminalitetit.

Desha të të uroja Kosovë, rrofsh e qofsh gjithmonë e jetës, pa u ndalur drejt Europës. Por njëherësh më duhet të të ngushëlloj, mos paç më ngjarje të tilla vrastare të grave dhe të askujt…

Një meshë për ty sot Kosovë! Për paqen tënde shpirtërore…

17 prill 2024

Juaj, në dashuri, Ndue Dedaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok