23/12/2024

Si na sheh bota dhe si jemi?

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Sot- në ditën e dytë të Vitit të Ri- duke i parë shqiptarët e çakërdisur dhe të zemëruar në gjithçka e në gjithkënd, duke i parë marritë televizive e dokrrat e quajtura mendime dhe duke e parë sesi shqiptarët vuajnë për gjëra krejt të zakonshme, mu kujtua Faik Konica dhe një varg patriotësh të kultivuar, që përpiqeshin të bënin dritë në errësirën e pafund ku i ishte katandisur kombi shqiptar për shkak të aksidentit të tmerrshëm historik.

Dhe nëse duam vërtet ta dimë si na sheh bota, duhet t’i kthehemi Konicës- i cili i ditur dhe i rreptë me veset kombëtare- teksa e shihte popullin e trallisur e plot vese, para njëqind vjetëve shkruante:

“Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.”

Pra, një i ditur dhe i rryer si Konica, ishte i vetëdijshëm se për të hyrë në vallen e qytetërimit nuk mjaftonin lavdimet boshe, dokrrat dhe historitë e stisura, prandaj ai i ashpër, bashkëkombëseve dhe lexuesve të tij u thoshte: Mjaft lavdime.

Sot- të paktë janë ata shqiptarë të ndërgjegjshëm që nuk mërziten e nuk ofshajnë, siç mërzitej e ofshante Konica. Sepse, kombi shqiptar, në sytë e tjerëve vazhdon të shihet ashtu siç e përshkruan Konica. Dhe krejt kjo ndodh për fajin tonë dhe për shkak të pazotësisë për të ecur kah progresi, pra pazotësisë për ta lartësuar kombin e për ta prezantuar me dinjitet përpara të tjerëve.

Sa herë udhëtoj nëpër Europë dhe shoh kudo shkëlqim, njerëz të ditur në punët e tyre, por që nuk çajnë kokën për punët e të tjerëve, më kujtohet shprehja e pikëllueshme e Konicës: “E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot”.

Sa herë udhëtoj në Europë shoh tempuj bukurie që të magjepsin, një arkitekturë madhështore, plot jetë, gjallëri e estetikë, dhe njerëz që kujdesën për të mirën publike, duke e trajtuar si të vetën. Dhe pastaj mendoj për vendin tim të katandisur në mjerim, ku mbretëron një arkitekturë e shëmtuar, e ku askush s’e këqyrë punën e vet, por secili të secilit, rrjedhimisht të askujt. E ku secili është kompetent dhe gjykon për gjithçka e për secilin. Ku pak kush vepron me ndërgjegje e përgjegjësi. Ku njerëzit gërvallën përditë, e paçavuret quhen opinione, ku nëpër media e rrjete sociale defilojnë zhurmaxhinj që më shumë besojnë të urrejtja sesa te dashuria, dhe plot të tillë që kurrë s’i ulin shigjetat e helmatisura prej duarve të tyre.

Asnjë komb në Europë nuk ka pësuar më shumë se ne shqiptarët përgjatë historisë, por ne nuk kemi mësuar asgjë prej saj. Të ndarë në shumë fe, me vështirësi i unifikuam ndjenjat e lirisë, prandaj të fundit bëmë shtet dhe të fundit fituam lirinë. Të fundit dolëm nga komunizmi dhe të fundit jemi në proceset demokratike e integruese.

Të shpërndarë në shumë shtete, rropatemi andej e këndej, pa ditur ku jemi dhe pa busull orientimi për të nesërmen.

Dhe sot – kombi shqiptar duket i trullosur dhe i paorganizuar.

I shpërndarë në emigracion për faqe të zezë.

Më i paorganizuari në krejt Europën, ku secili mundohet t’ia lëshojë tjetrit e ku për të mirën e përbashkët pak kush çan kokën.

Dhe nëse duam ta dimë ku jemi, askush nuk ka nevojë të na tregojë, sepse atë më së miri na tregon pasqyra ku shihemi përditë, atmosfera jonë e brendshme e tendosur, ku zjarmia dhe mosdurimi politik e shoqëror, ka kaluar qëmoti pikën e kuqe dhe tregon se jemi në gjendje alarmante. Pra, atmosfera jonë e brendshme është dëshmia më e fortë që tregon se ne vazhdojmë të jemi nxënës të këqij të historisë. Dhe ky ndofta është problemi më madhor kombëtar. Sepse një komb që nuk mëson nga pësimet e veta, ai vështirë emancipohet.

Përndryshe, pas gjitha atyre aksidenteve historike që kemi pësuar, ne do të duhej të kishim mësuar shumë dhe do të duhej të lulëzonim: të ishim kampion në shumë fusha, ashtu siç lulëzojnë kombet tjera të perëndimit.

Por shqiptarët e dekadës së tretë të mijëvjeçarit të tretë rënkojnë dhe vajtojnë!

Dhe rënkimet e tyre nuk janë sporadike, por të shpeshta dhe të kujtojnë shkrimtarin Andon Zako Çajupin dhe vargjet e tij tejet pikëlluese:

“Gjithë vendet gëzojnë,

Ti, Shqipëri, pse pushon?

Gjithë vendet këndojnë,

Ti, Shqiptar, pse rënkon?”

Këto vargje bartin mërzi, makth dhe rrinë përpara breznive të reja si heshta që shporojnë zemrat e tyre dhe i bëjnë të qajnë.

Dihet, vargjet e Çajupit janë shkruar për shqiptarin e robëruar, por tingëllojnë aktuale edhe për shqiptarin e lirë, pa pranga robërie, për shqiptarin që rënkon, klith, e braktis vendin e vet dhe kërkon një tokë tjetër të premtuar, larg vendlindjes.

Përpara kemi një dekadë të re, të cilën mund ta mbushim me vepra të mira, fisnike dhe pozitive. Dhe këtë mund ta bëjmë duke mësuar prej historisë. Dhe duke e dekontaminuar shoqërinë prej urrejtës. E kjo bëhet me dashuri të madhe. Përndryshe, do të ngrysemi në dekadën e katërt të palumtur dhe do ta shohim se Konica e Çajupi do të na duhen përsëri për t’i kuptuar dhe shpjeguar marritë tona.

Konica sot do të na qortonte ashpër: Njerëz, mjaft. Me dokrra e marri nuk shkohet përpara!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok