21/12/2024

SI MË MBROJTËN TRIFON XHAGJIKA DHE STAVRI  RAFAEL

0
Sadik-Bejko

Nga Sadik Bejko

Këta të dy, Trifon Xhagjikën dhe Stavri Rafaelin, nuk i kam takuar kurrë, por…më kanë  mbrojtur. Ja, se si ka ndodhur:

Ishte  viti 1965. Kisha shkruar një poezi “Letër nënës”. I ndikuar nga poeti italian  Salvatore Quasimodo, nobelist. Në shqip atëherë njihej vetëm një poezi me titull “Letër nënës”, përkthim nga rusi i vetëvrarë S. ESENIN.

Italiani S. Quasimodo e titullonte poezinë e tij “Mater dulcissima”,  me sa më kujtohet.

“Mater dulcissiman” e kisha lexuar bashkë me një tufë poezish, një dorëshkrim …përkthime shkruar me penë, me bojë mbi letra format A 4. Mbase përkthimi i librit “Et subito sera” që atëherë në Tiranë në rrethe të ngushta qarkullonte dorë më dorë pa emrin e përkthyesit.

Në poezinë  time  “Letër Nënës”, vjeshtë 1965,  kishte një strofë me shumë helm, për kohën.

Aty thuhej se : në këtë vend ka trumcakë të shumë që shtypen nga ca elefantë.

Thuhej: ka të vdekur që peshojnë aq rëndë, sa të gjallët i tërheqin thellë nën baltë.

Poezinë ua lexova Ahmet Golemit, boksier, poet, dhe Klito Fundos poet, bashkësdtudent. Të dy miq të mi me të cilët lexonin shkrimet tona.  Me ta kisha lexuar Quasimodon, por edhe poezi në përkthim klandestin nga greku nobelist Jorgo Seferis.

– Ku të shpje mushka, a ke mend në kokë…drejt në burg shkon më këtë poezi – ,  tha Ahmet Golemi.

Klito Fundua, korçari demoniak, qeshi.

– Mos e tremb djalin, tha. Do t’ia falin,  e ka për herë të parë. E shumta, mund t’i presin bursën. Të mos i vazhdojë më studimet e larta.

– E pranoj të më presim bursën për studimet, u thashë . Babai im do të shesë  lopën, delet…që të kem lekët për të vazhduar studimet.

Kjo që thashë, ishte gjëja më me pa mend që mund të thuhej. Isha dhe nën efektin e verës. Atëherë pija më turbullonte me një gotë. Ishte një përgjigje krejt naive. Se nuk e dija: i mbulonin  a jo shpenzimet e studimeve të mia lopa dhe delet e atit tim. (Por vallë… a i shiste im atë bagëtitë për poezitë e mia?)

….nuk kishte asnjë gjë të sigurtë në atë deklaratën time patetike.

Ahmet Golemi dhe Klitua më duartrokitën. Ah, më thanë, sa e bukur. Djali bën poezi politikisht të dyshimta dhe lopët e delet e babait ndërhyjnë me  bulurima e me blegërima për ta marrë në mbrojtje. Pa, pa, pa…

Kuptohej që po talleshin .

Gjysmë gote verë më kishte rënë në kokë .

Pa pritur me seriozitet ata më thanë :

– Hap sytë,Trifon Xhagjikën e vranë,  Stavri Rafaelin këto ditë e mbyllën në hapsanë. Mos e krruaj kokën me shtetin, o i marrë…

Poezia ime ato ditë u botua në gazetën “Drita”. Strofën me elefantë, me të vdekur, që të marrin më vete nën. baltë, redaktorët, fare pa më pyetur mua, e kishin hequr, censuruar.

Por nuk e harroj:

Klito Fundua  dhe Ahmet Golemi më kishin paralajmëruar.  Më patën thënë: ruaj kokën, mos e pëso si Trifon Xhagjika, si  Stavri Rafael.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok