23/11/2024

Si mbërritëm deri këtu e si ta kthejmë Kosovën në rrugën e duhur

0

Nga Ramush Haradinaj

Pse gjendja në Kosovë sot është kaq e rëndë, shpërthyese dhe e pashpresë?!

Si ndodhi që Kosova nga një shembull i mirë demokracie në zhvillim dhe i një bashkëpunimi e partneriteti shembullor me faktorin ndërkombëtar, brenda natës të shndërrohet në vend problematik?!

Cilat janë gabimet që i kemi bërë si shtet e si qeveri dhe çfarë do të ndodhte sikur të veprohej ndryshe?!

Cila do të ishte Kosova, sikur që nga fillimi Kryeministri e Presidentja të kishin insistuar në lidershipin amerikan për marrëveshjen e madhe për njohje me Serbinë, që do të nënshkruhej në Washington.

Cila do të ishte Kosova sikur nga pushtetarët në ardhje të mos ishte përmbysur projekti energjetik “Kosova e Re”, i cili nga janari i vitit 2023 do të fillonte prodhimin e 500 megavatëve. Sigurisht se Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.

Cila do të ishte Kosova, sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup-Prishtinë, një projekt ky me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Si do të ishte Kosova sot, sikur të mos i ishte hapur dera “pushtimit ekonomik serb” të Kosovës, me heqjen e taksës qindpërqind ndaj produkteve të Serbisë.

Mirëpo kjo qeveri e ky kryeministër, në vend që të merreshin me projekte strategjike për vendin, për kaq kohë sa janë në pushtet, ata janë marrë me “armiqtë e tyre të brendshëm”, duke i goditur me radhë:

Duke përjashtuar veteranët nga paga minimale;

Duke i goditur mësimdhënësit dhe duke e rrezikuar funksionalitetin e sistemit arsimor të shtetit e duke i detyruar që t’i mbyllin shkollat për më shumë se një muaj;

Duke bllokuar Ligjin e Pagave për afro 80 mijë punëtorë të sektorit publik;

Duke iu përgjysmuar pagat prokurorëve e gjyqtarëve;

Duke mos i dalë në ndihmë qytetarit në krizën më të thellë ekonomike dhe duke i bllokuar mbi 700 milionë euro në “bunkerin financiar të qeverisë;

Duke bllokuar tërheqjen e Trustit si masë emergjente mbijetese;

Duke bllokuar projektet buxhetore për komuna e kështu me radhë…

Por më e keqja duke e ndarë shoqërinë në dysh “Ne dhe Ata”, një koncept ky puro komunist.

Gjendja ka shkuar gjithnjë për të keq, edhe në planin ndërkombëtar të Kosovës. Eshtë dobësuar pozicioni i saj edhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE dhe kjo për fatin tonë të keq e ka rehabilituar e forcuar regjimin anti-Kosovë të Vuçiqit.

Sikur Kryeministri aktual i Kosovës ta kishte pranuar propozimin amerikan për shtyrjen e marrëveshjes për targat, për disa muaj apo edhe deri në marrëveshjen përfundimtare, Kosova do ta kishte një situatë krejtësisht tjetër.

Serbia do të ndodhej në një pozitë të vështirë për të ndërmarrë veprime destabilizuese në veri. Edhe po t’i urdhëronte serbët t’i braktisin institucionet, do të përballej me kundërshtimin e fortë të bashkësisë ndërkombëtare që njëkohësisht do të ishte përkrahje për institucionet e Kosovës. Kjo dmth se nuk do të lejohej destabilizim i mëtejmë dhe gjithë presioni do të bartej mbi Serbinë si dhe do të rritej trysnia për marrëveshjen finale për njohje me Kosovën.

Në një situatë të tillë, pavarësisht urdhërit eventual të Serbisë që serbët të largoheshin nga institucionet e Kosovës, gjendja do të mbahej e qetë, e cila do të garantonte edhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, kjo me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpo, për fatin e keq tonin, kryeministri i Kosovës, në vend që të përfillte sygjerimin amerikan e zgjodhi një rrugë të veten e krejt të çuditshme të veprimeve të njëpasnjëshme, në kundërshtim me pozicionin amerikan e në dëm të vendit.

Prandaj sot jemi në një situatë të vështirë e për më keq jemi shndërruar edhe në fajtor për gjendjen e krijuar në veri të vendit.

Unë jam i bindur se në gjendjen çfarë e kemi sot, askush nuk e ka komoditetin t’i mbyllë sytë e ta amnistojë kryeministrin, sepse në këtë mënyrë nuk e ndihmojmë as veten as atë.

Kosova assesi nuk guxon të lejojë që bandat dhe krimi ta marrë kontrollin në veri. Por është e domosdoshme që Kosova njëkohësisht t’i gjykojë drejt edhe veprimet e veta dhe të institucioneve të saj.

Përfundimisht, kryeministri Kurti duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke i shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit. Jam i bindur se SHBA dhe NATO nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do të kthehet normaliteti në veri.

Pas sanimit të pasojave nga gjendja e krijuar, secili që ka qenë i përfshirë në aktet kriminale në veri do ta marrë ndëshkimin e merituar, por edhe meritat për të gjithë ata që ishin në shërbim të mbrojtjes së Atdheut, posaçërisht policët të cilëve Kosova u ka shumë borxh.

Por a është e humbur shpresa për Kosovën dhe a mund të kthehet ajo në drejtimin e duhur. Sigurisht se po, por jo me këtë qasje që e ka kryeministri. Ai duhet të ndërrojë kurs, ose duhet të lëshojë rrugë.

E para, Kryeministri dhe Qeveria, nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, aq më tepër për procese nga të cilat varet perspektiva euro-atlantike e vendit. Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës dhe Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë.

Në planin e brendshëm, qeveria duhet ta fusë në zbatim Ligjin e Pagave me fillim në vitin 2023, t’i rikthejë pagat e prokurorëve e gjyqtarëve, t’i zhbllokojë mjetet e grumbulluara financiare të cilat po zhvlerësohen përditë dhe t’i lëshojë në qarkullim, të ndërhyjë në zbutjen e krizës ekonomike si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, duke përgjysmuar ose hequr krejtësisht tvsh-në dhe tatimin në fitim për artikujt elementarë apo duke e lejuar edhe tërheqjen e një përqindjeje të Trustit Pensional, ta rikthejë projektin e ndërtimit të termocentralit me thëngjill, ta rikthejë projektin amerikan për gazin, por duke rishikuar edhe plot vendime të tjera të tij, me të cilat ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi edhe në siguri.

Kryeministri duhet të heqë dorë nga strategjia e tij, për ta ndarë shoqërinë në “Ne dhe Ata”, duhet t’i demobilizojë “aradhat e tij fashiste” të rrjeteve sociale tek të cilat vlon urrejtja ndaj kundërshtarëve të brendshëm, duke mos kursyer as partnerët tanë të jashtëm.

Ai duhet ta kuptojë se jemi shumë pak për t’u ndarë, dhe të ndarë e kemi shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok