03/12/2024

SI JETA DHE VDEKJA DUHEN MERITUE…*

0
Havzi-Nela

Nga Agron Tufa

HAVZI NELA

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,

Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi?

Pse ore pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!

Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!

T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Ketë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nëndor 1987

Havzi Nela (20 nëntor 1934 – 11 gusht 1988) është bërë gjerësisht i njohur (ndonëse jo aq sa duhet dhe sa e meriton), falë rrethanave të tij tragjike të burgimeve të gjata politike, papërkulshmërisë dhe karakterit burrëror që tregoi gjatë gjithë proceseve dhe kohës së vuajtjes së dënimit dhe internimit nga drejtësia komuniste. Epilogu i jetës së tij të shumëvuajtuar zgjidhet tragjikisht me egërsinë më të pashembullt,  me aktin makabër të varjes së tij në litar në mes të qytetit të Kukësit me 11 gusht 1988, kur Havzi Nela ende nuk i kishte prekur të 54 vitet e jetës së tij. Drejtësia komuniste e kryente këtë akt të paskrupull barbarie në kushtet kur sistemi komunist ishte shkrehur tejpërtej në kampin komunist të Europës Qëndrore e Lindore, në kohën kur kryqendra e Perndorisë së të Keqes, Moska, kishte filluar që në vitin 1985 rishikimin e sistemit me Perestrojkën e Mihaill Gorbaçovit, në kohën kur kishte tre vjet që kishte vdekur diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

Havzi Nela ka shkruar që heret poezi dhe tematika e tyre është e shumëllojshme në gjinitë e lirikës. Në krijimet e para ndjehet ndikimi i lirikës popullore dhe kanonit romantik të poetëve të rilindjes e pasrilindjes sonë; vjersha të thjeshta, motive të afërta me këngëzimin: imazhet sunduese janë ato të mallit me simbolikë dhe alegori të kapshme për rrethin e njerëzve të pastërholluar në estetikat e poezisë moderne. Ka dhe poema të gjata mbi ngjarje historike apo figura të luftëtarëve të Rilindjes kombëtare dhe kryengritjeve popullore. Në librin me poezi të zgjedhura që ka hartuar studiuesi Petrit Palushi shumica e kësaj krijimtarie mungon. Sa për ilustrim unë po sjell njërën nga kjo mori e pabotuar e poezive të tij:

VJEN NJË SHPEND MA I BUKRI SHPEND

Po fryn flladi i pranverës,

Gjithë natyrës i dha gjallni,

Trandafilit, luleshqerrës

Zemrës gaz e dashuni.

Po shkrin bora, ndërrohet moti,

Nisën bjeshkët me lulëzue.

N’ambëlsi si e do Zoti

Kanë nis shpendët me ligjërue.

Vjen një shpend ma i bukri shpend,

Atij shumë kush ia ka zilinë,

Gardelinë asht përnjimend

Krejt mu zemrën po ma shkrin.

Sa kur doli nga kafazi,

Sa kur nis krahët me shpî,

Fluturim ndezë prej marazi

Nanës vet i ra në gji!

Sa fort nana u mallue

Kur e njohu bijën e saj;

U përmend, me afsh u lshue

Nan’ e bijë u shkrinë në vaj!

Qan e ama për të bijnë,

Qan e bija për të amën;

Ma të errët ia sheh freskinë

Ma të thellë ia ndëgjon fshamën.

Që të dyja n’heshtje ranë,

E prej krahësh shpejt u lshuen,

Me ofshamë përsri u ndanë

Nanë as bijë nuk u gëzuen!

Burrel, dhjetor 1980

 

Poezi të tilla lirike me simbolikë folklorike baladash popullore për mallin, ndarjen, vetminë dhe brengën e të qenit i skajuar, ishullor mes harlisjes së stinëve dhe harmonisë së natyrës janë të shumta në krijimtarië e pabotuar të Havzi Nelës. Ato kanë rëndësinë se na japin një peisazh të klimës shpirtërore të poetit nga qelitë e burgjeve komuniste.

Shpesh herë Havzi Nela është pranuar në perceptimin popullor si martir, që u ekzekutua në mënyrën më monstruoze në kaprcyell të falimentit komunist në Shqipëri, si sinonim i papërkulshmërisë dhe pafajësisë, çka shkakton dhimbje therëse, keqardhje të madhe dhe mosjustifikim të egërsisë së drejtësisë komuniste. Por harrohet, ose eklipsohet fakti, që Havzi Nela ka qenë një poet, një poet shumë i mirë, nëse kemi parasysh, se prej krijimtarisë së çdo poeti, në fund fare mbeten, gjithësej, 5 poezi, të cilat të japin “çertifikatën e përjetësisë”. Dhe Havzi Nela i ka këto pesë poezi, në mos më shumë…

Madje ato 5 poezi janë një testament universal i fuqisë dhe rezistencës shpirtërore, etike e morale të karakterit shqiptar, të tilla, që të sfidojnë çdo lloj diktature. Nëse na lypet një model i këtillë në kohën e krizave dhe topitjes së vlerave humane, atëherë Havzi Nela është një nga modelet siperane artistike dhe estetike që vazhdon të na flasë nëpërmjet testamentit të poezive të tij.

Në katër poezitë e tij të fundit, të shkruara mes qerthullit kapërthyes të maleve të Arrnit ku e kishin internuar në vitin 1987 dhe ku nuk e lejonin të komunikonte me asnjë njeri (nëse ngjitej këmbë njeriu në ato maja), pra në këto katër poezi të paravdekjes (“Nuse më dhanë robninë”, Arrën, tetor 1987; “Arrnit me arrna”, Arrën, tetor 1987; “Malet e Arrnit”, Arrën, nëntor 1987; “O liri, o vdekje”, Arrën, nëntor 1987) – kulmojnë të gjitha temat thelbësore të asaj se çfarë ishte e çfarë dëshironte të mbetej në idealitet karakteri i njeriut, sipas Havzi Nelës. Në këto poezi të fundit vokacioni i poetit ngjitet në një kreshendo të pikëlluar, sepse në vargjet e tyre përvijohet bilanci tragjik i një jete të tërë njerëzëre me përndjekje, ligësi, goditje, egërsi, morsë e hekurt për të mos e lënë të realizojë as një testament të thjeshtë për të dashurit dhe pasardhësit. Braktisja, vetmia, përzënia në qoshkun më skajshëm e të humbur ku bishat janë shumë më humane se njerëzit, tërë ky izolim nuk ndeshet as në shembujt më ekstremë të degdisjes që nga antikiteti e deri sot.

Megjithëse nuk na ndajnë dhe aq shumë vite, për bashkëkohësin tonë është e pamundur të ndërtohet një përfytyrim më absurd se ky, ku poeti kuvendon me veten dhe me bishat mes natyrës së ashpër e të përjetshme. Që nga ky kënd mes qerthullit të maleve të Arrnit, ky Ovid i shumëfishtë tragjik, me zërin e lodhur e të ngjirur shkruan elegjitë e tij të pikëlluara postume, duke mos i hequr asnjë qime krenarisë dhe dinjitetit të njeriut të pamposhtur. Poezitë kanë bilancin e njeriut që nuk u mund dhe që mes natyrës ku e kanë izoluar shtrihet vetëm perspektiva e pritshme e vdekjes, të cilën ai e thërret si ngushëllim, me kushtin që të vijë e ta gjejë me dinjitet, si një kurorë e finales tragjike, por krenare. Kuptimësimin e fundit filozofik të këtij bilanci të gjatë, poeti Havzi Nela e shpreh me një varg filozofik e sentencial, që është një divizë e njeriut të pamposhtur dhe që vlen për të gjitha kohërat: “…dhe vdekja dhe jeta duhen meritue”, apo deviza tjetër tek elegjia “Arrnit me arrna”: “Liria më thërret, vdekja nuk më tund!”.

Sigurisht në repertorin e teksteve të shpëtuara të poetit-martir Havzi Nela ka edhe poezi të tjera të realizuara artistikisht, që të godasin dhe rrëqethin me shijen e athët tragjike të fatit, madje janë poezi të nivelit antologjik për krestomcitë shkollore, por katër poezitë e fundit flasin sa për katër romane-epope, ku dinjiteti i njeriut përpara atdheut, lirisë e Zotit mbetet i pacënuar asnjë grimë.

Rileximi i poezive të Havzi Nelës, të cilat janë paraqitur në një përzgjedhje nga bashkëpatrioti i tij, shkrimtari dhe studiuesi kuksian Petrit Palushi në vëllimin Havzi Nela “Poezi të zgjedhura”, na shpalos, përveç emocioneve dhe përjetimeve shkundulluese, jo vetëm rezistencën e lartë shpirtërore të poetit-njeri, por edhe fuqinë artistike dhe elegancën estetike të poezisë si art, kur autori nuk ka më se ç’të mësojë tjetër nga jeta. Për edukimin artistik, estetik, moral e atdhedashës të brezave të rinj, gjimnazistëve e studentëve, trashëgimia poetike e Havzi Nelës është një model i përsosur edukimi, përballë hipokrizisë dhe krizës morale të përditshmërisë së sotme, një galeri ku gjëllijnë marioneta e ish-bashkëpunëtorë të diktaturës, e pse jo, edhe vrasësve të tij të drejtpërdrejtë.

Për ta përmbyllur këtë rikthim të shkurtër tek poezia e Havzi Nelës dhe për të imagjinuar kushtet në të cilat shkruajti ai, po përcjell një shënim që ka lënë në fletore martiri i ndjerë në fund të katër poezive të tij të fundit, një ndër shumë shënimet që linte rëndom poeti nëpër fletore, me shpresën se së afërmi, lexuesi do t’i ketë të botuara në veprën integrale që po përgatit Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).

Shënimi i fundit me të cilin Havzi Nela përcjell katër poezitë e tij të fundit nga Arrni:

Këto vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdorë laps e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh. Dje me datë 17 nëntorë mora letër nga Verja dhe më thanë se këto dit do të vijë në takim dhe shpresonte të vijë Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxorra nga mendja dhe i hodha në letër për me ia dhënë Verës në dorë po erdhi vetë.

I kam shkrue me zor pa dritë e nëpër tym.

Arrën 18 nëntorë 1987

* Ky shkrim është shkruar para se të botohej vepra e plotë poetike e Havzi Nelës “Shtatë fletore”, botuar nga Klubi i Poezisë nën kujdesin e poetit Rexhep Shahu.

Agron Tufa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok